Shërbesa e leximeve

Java e njëzetegjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Është koha e mesit natës;

   nxit zëri profetik

   t’i këndojmë lavde Hyjit,

   Atit gjithmonë e Birit,

 

   si edhe Shpirtit të Shenjtë:

   Trinia e përsosur

   e një gjëje të vetme

   nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.

 

   Kjo kohë ka edhe tmerrin,

   ku engjëlli shkatërrues

   vdekjen i solli Egjiptit,

   shfarosi të parëlindurit.

 

   Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,

   pse atëherë po atje engjëlli

   s’kishte guxuar t’ndeshkonte

   nga frika e shenjës s’gjakut.

 

   Egjipti rëndë vajtonte

   nga shuarja e rreptë e djemve;

   veç Izraeli gëzonte

   mbrojtur nga gjaku i qengjit.

 

   Izraeli i vërtetë ne jemi:

   në Ty, o Zot, gëzohemi,

   duke shpërfillë armikun dhe të keqen,

   mbrojtur nga gjaku i Krishtit.

 

   Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Falemi o ditë, lavdia e ditëve,

   fatlume ditë fitore e Krishtit,

   ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,

   dita e parë.

 

   Dritë hyjnore u ndriçon të verbërve,

   në cilën Krishti shkreton ferrin,

   vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas

   t’ultat me t’lartat.

 

   Vendimi i mbretit të amshuar

   nën mëkat fund u dha të gjithave;

   që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte

   njerëzve të dobët.

 

   Virtyti i Hyjit e dija

   mërinë me mirësi zbuti

   atëherë kur bota në greminë

   tërësisht po rrokollisej.

 

   I lirë u ngjall përsëri nga ferri

   restaurator i farës njerëzore

   delen e vet mbi supa duke e mbartur

   në vise t’epra.

 

   Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,

   rritet plotësimi i radhëve qiellore,

   lavdi i ka hije Hyjit ngadhnjëmtar,

   lavdia e amshuar.

 

   Harmonia e atdheut qiellor

   përkoftë me zërin e Nënës Kishë,

   “Aleluja” sot grumbulloftë me turma

   grigjat besnike.

 

   Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,

   të përfitojmë nga gëzimi triumfal:

   paqe në tokë, dhe brohoritje

   qofshin ndër qiej. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.

 

   Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues

 

   Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2 Kor 5, 17).

 

   I (1-12)

 

Bekoje, shpirti im, Zotin! *

   O Zot, Hyji im, sa i madh je!

I veshur me madhëri e me bukuri, *

   i mbështjellë me dritë porsi me petk!

 

E ngreh qiellin porsi tendë, *

   mbi ujëra ndërton banesat e tua.

 

Retë i bëre karrocë për vete, *

   ecën mbi krahët e erës!

 

Erërat i bën lajmëtarë të tu, *

   zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.

 

Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *

   nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.

 

E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *

   majat e maleve i mbulonin ujërat:

 

Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *

   dridhen nga zëri i bubullimës sate:

 

ngjiten në male, zbresin në lugina *

   drejt vendit që ti u cakton:

 

u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *

   që përsëri të mos e mbulojnë tokën.

 

Burimet ti i kthen në përrenj, *

   rrjedhin përmidis malesh;

ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *

   ua shuajnë etjen gomarëve të egër.

 

Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *

   gem më gem ia thonë këngës së vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.

 

   II (13-23)

 

Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *

   toka ngihet me frytet e duarve të tua.

 

Ti bën të mbijë bar për kafshë, †

   bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *

   për të nxjerrë prej tokës bukën

 

e verën që gëzon zemrën e njeriut, †

   që me vaj ta lyejë fytyrën *

   e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.

 

Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *

   cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.

Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *

   lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.

 

Malet e larta strehim u japin shutave, *

   e shpellat vjedullave banesën.

 

Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *

   edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.

 

Shtrin errësirën e bëhet natë: *

   nëpër të enden egërsirat e pyllit.

Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *

   e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.

 

Kur lind dielli ata tërhiqen *

   e struken në strofujt e vet.

Atëherë del njeriu për të vepruar *

   për t’i kryer punët deri në mbrëmje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.

 

   III (24-35)

 

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †

   Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *

   plot është toka me krijesat e tua.

 

Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †

   atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *

   kafshë të vogla të përziera me të mëdha!

 

Nëpër të kalojnë anijet, *

   Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!

 

Të gjitha këto presin me shpresë *

   që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.

Po u dhe ti ato mbledhin, *

   kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.

 

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †

   po ua more frymën, ato ngordhin *

   dhe kthehen në pluhur përsëri.

 

Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *

   dhe e rinon fytyrën e dheut.

 

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *

   u gëzoftë Zoti në veprat e veta! –

E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *

   i prek malet e i bën të tymojnë.

 

Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *

   do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.

I pëlqeftë Zotit kënga ime, *

   kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

 

U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †

   e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *

   Bekoje, shpirti im, Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.

 

   D Lum sytë tuaj, që e shohin Krishtin:

   C dhe veshët tuaj, që e dëgjojnë zërin e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 1, 1-11

 

   Përshëndetja dhe falënderimi.

 

   Pali dhe Timoteu, shërbëtorët e Krishtit Jezus: të gjithë shenjtërve në Krishtin Jezus që janë në Filipe me mbikëqyrës dhe me diakonë:

   paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.

   Gjithmonë, sa herë më bie ndër mend për ju, e falënderoj Hyjin tim. Gjithherë e në çdo uratë që them, lutem me gëzim për ju të gjithë për arsye të pjesëmarrjes tuaj në përhapjen e Ungjillit qysh prej ditës së parë e deri tani. Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus.

   Dhe është e drejtë t'i kem këto ndjenja për ju! Për të vërtetë, unë ju mbaj në zemrën time, sepse ju të gjithë jeni pjesëtarët e hirit tim e në pranga të mia e në mbroje e në përforcim të Ungjillit.

   Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për Ditën e Krishtit, plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin ‑ për lavdi e nder të Hyjit.

 

   Përgjigjja Krh. Fil 1, 9. 10. 6

 

   C Lutem që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, * që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete.

   D Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus,

   C që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Filipianëve” e shën Polikarpit, ipeshkëv dhe martir

   (Kap. 1, 1 – 2, 3; Funk, 1, 267-269)

 

   Keni qenë shëlbuar falas.

 

   Polikarpi dhe presbiterët që janë me të Kishës së Hyjit që banon si shtegtare në Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit shëlbuesit tonë qofshin mbi ju me mbushullim.

   Me gjallëri marr pjesë në gëzimin tuaj në Zotin sepse keni praktikuar më të vërtetë fjalën e dashurisë. Në fakt keni ndihmuar në ecjen e tyre shenjtërit e lidhur në zinxhirë, zinxhirë që janë gurë të çmuar dhe margaritarë të vërtetë për ata që janë zgjedhur prej Hyjit dhe prej Zotit tonë. Gëzohem sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që ju është lajmëruar që nga fillimi, qëndron deri tani dhe bart fryte në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Ai për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes” (Vap 2, 24), dhe në të, pa e parë, ju besoni me një gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm (krh. 1 Pjt 1, 8), gëzim në të cilin shumë vetë dëshirojnë të marrin pjesë; dhe e dini mirë se keni qenë shëlbuar në sajë të hirit, jo të veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit me anë të Jezu Krishtit (krh. Ef 2, 8-9).

   “Prandaj, shpirtërisht të gatshëm” (1 Pjt 1, 13), “shërbejini Zotit me fikë të madhe” (Ps 2, 11) dhe me të vërtetën, duke lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet trashanike dhe “ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi” (1 Pjt 1, 21), duke e ulur në të djathtën e vet. Atij i janë nënshtruar të gjitha gjërat në qiell dhe mbi tokë, atij i bindet çdo gjë që ka jetë. Ai do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit dhe Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun e tij atyre që nuk pranojnë t’i besojnë.

   Ai që e ka ringjallur nga të vdekurit do të na ringjallë edhe neve, që do të përmbushim vullnetin e tij, nëse do të ecim sipas urdhërimeve të tij dhe do të duam atë që ai ka dashur, duke qëndruar larg nga çdo lloj padrejtësie, mashtrimi, koprracie, shpifjeje, dëshmie të rreme, “Mos e ktheni të keqen me të keqe as fyerjen me fyerje” (1 Pjt 3, 9), goditjen me goditje, mallkimin me mallkim në kujtim të asaj që Zoti ka thënë: Mos gjykoni që të mos gjykoheni; falni dhe do t’u falet; jini të mëshirshëm dhe do të gjeni mëshirë; me atë masë me të cilën matni, do t’u matet (krh. Mt 7, 1; Lk 6, 36-38) dhe: të lumë të varfrit dhe të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve (krh. Mt 5, 3. 10).

 

   Përgjigjja Krh. 2 Tim 1, 9; Ps 113 /114/ B, 1

 

   C Hyji na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë, jo në saje të veprave tona, por në saje të planit të vet të hirit; * hir që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin.

   D Jo neve, o Zot, jo neve, por Emrit tënd jepi lavdi, për nder të besnikërisë sate dhe të hirit tënd;

   C hir që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që më së forti e tregon gjithëpushtetësinë tënde me falje e me mëshirë, na e ndiko hirin tënd vazhdimisht që të ecim kah të mirat e premtuara dhe të bëhemi pjesëtarë në lumturinë e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.