Shërbesa e leximeve

Java e njëzetegjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje. –

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 1, 12-26

 

   Ajo që është e rëndësishme është që Krishti të shpallet.

 

   Dëshiroj, vëllezër, ta dini këtë gjë: të vështirat që më ngjanë ndihmuan shumë më tepër në përhapjen e Ungjillit, sepse në mbarë pretoriumin e gjithkund gjetiu u mor vesh se gjendem në pranga për shkak të Krishtit, dhe shumica e vëllezërve, e trimëruar në Krishtin për shkak të prangave të mia, gjithnjë e më tepër merr guxim ta shpallë pa frikë fjalën.

   Njëmend disa e predikojnë Krishtin të shtyrë prej smirës e prej rivalitetit, por disa tjerë prej qëllimit të mirë. Këta veprojnë me dashuri. E dinë se unë gjendem këtu për arsye të mbrojtjes së Ungjillit, kurse ata e shpallin Krishtin të shtyrë prej rivalitetit. Qëllimet e tyre nuk janë të pastra: mendojnë se kështu do t'i bëjnë më të vështira prangat e mia. Ani, çka ndodh? asgjë tjetër veçse predikohet Krishti, qoftë për qëllime të tjera, qoftë me çiltëri. Kësaj gjë i gëzohem dhe do t'i gëzohem! Sepse e di se në saje të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Shpirtit të Jezu Krishtit kjo do të më vlejë për shëlbim, sikurse pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë, porse me guximin tim të plotë ‑ si gjithmonë ashtu edhe tani ‑ Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha.

   Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë! Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, [sepse] kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju.

 

   Përgjigjja Fil 1, 20. 21

 

   C Pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë: * Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha.

   D Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë.

   C Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Filipianëve” e shën Polikarpit, ipeshkëv dhe martir

   (Nr. 3, 1 – 5, 2; Funk. 1, 269-273)

 

   Të veshim armët e drejtësisë.

 

   Nuk është nismë e imja, vëllezër, se po ju shkruaj për drejtësinë, por sepse ju vetë ma keni kërkuar, dhe do të përgjigjem duke u thënë gjëra që nuk janë të miat, por të Palit. Praktikisht as unë, as të tjerë si unë nuk do të mund të arrinin kurrë diturinë e Apostullit të lumë e të lavdishëm. Ai, kur gjendej midis jush, duke u folur personalisht njerëzve të kohës së tij, përçoi me siguri dhe me forcë mesazhin e së vërtetës, edhe pas nisjes së tij ju drejtoi letra që do të ju ndërtojnë gjithmonë në fenë që keni marrë nëse do t’i meditoni me vëmendje. Do t’ju bëjnë të rriteni në atë fe që është nëna jonë e përbashkët (krh. Gal 4, 26), pas së cilës vjen shpresa që ka përpara dashurinë ndaj Hyjit, ndaj Krishtit dhe ndaj të afërmit. Ai që ka këto virtyte e ka përmbushur urdhërimin e drejtësisë, sepse kush ka dashurinë është larg nga çdo mëkat.

   “Rrënja e të gjitha të këqijave është lakmimi i të hollave” (1 Tim 6, 10). Të vetëdijshëm, pra, se “në këtë botë nuk sollëm asgjë me vete dhe prej saj asgjë nuk do të marrim me vete” (1 Tim 6, 7), le të armatosemi me armët e drejtësisë dhe le të mësojmë ne të parët të ecim në udhën e urdhërimeve të Zotit.

   Mësojini gratë tuaja të ecin në fenë që kanë marrë, në dashuri dhe në pastërti, t’i duan burrat e tyre me besnikëri të plotë dhe gjithë të tjerët njëlloj në pastërti të plotë dhe të edukojnë bijtë në druajtjen e Hyjit (krh. Ef 5, 23).

   Vejushat të jenë të depërtuara nga feja në Zotin, të ndërhyjnë pandërprerë në lutje për të gjithë, të qëndrojnë larg nga çdo shpifje, fjalë e keqe, dëshmi e rreme, epshi i parasë dhe nga çfarëdo të keqeje; të jenë të vetëdijshme se janë lter i Hyjit, i cili shqyrton me vëmendje çdo gjë dhe nuk lë mëkat tonin apo ndjenjë, apo sekret të zemrës që ai të mos e njohë (krh. 1 Tim kap. 5)

   Të vetëdijshëm, pra, se “Hyji nuk lejon të vihet në lojë” (Gal 6, 7), duhet të ecim në mënyrë të denjë, siç u ka hije urdhërimeve të tij dhe lavdisë së tij. Diakonët të ecin në shenjtëri nën shikimin e Hyjit të shenjtë, si ministra të tij dhe të Krishtit, dhe të mos kujdesen për vlerësimet e njerëzve. Të mos jenë shpifës, të mos jenë gënjeshtarë; të mos jenë të dhënë pas parasë (krh. 1 Tim 3, 6 vv.).

   Të urtë në çdo gjë, të mëshirshëm, të vëmendshëm, le të ecin sipas së vërtetës së Zotit që u bë shërbëtor i të gjithëve.

   Nëse do t’i pëlqejmë atij në kohën e tashme, ai do të na japë si shpërblim të mirat e ardhshme, kur do të na ringjallë nga të vdekurit si na ka premtuar. Nëse do të sillemi në mënyrë të denjë për të, “bashkë me Të do të mbretërojmë” (2 Tim 2, 12), mjafton që të qëndrojmë të vendosur në fe.

 

   Përgjigjja Krh. Fil 4, 8. 9

 

   C Zbatoni gjithçka që është e vërtetë, e ndershme, e drejtë, e pastër, e shenjtë, e denjë: * dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

   D Gjithçka që është virtyt dhe meriton lavdërim, të zërë vend në mendimet tuaja:

   C dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që më së forti e tregon gjithëpushtetësinë tënde me falje e me mëshirë, na e ndiko hirin tënd vazhdimisht që të ecim kah të mirat e premtuara dhe të bëhemi pjesëtarë në lumturinë e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.