Shërbesa e leximeve

29 shtator, Shën Mihaeli (Mhilli), Gabrieli dhe Rafaeli, kryeengjëj

 

Festë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

      Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Pason himni i përshtatshëm.

 

      Himni

 

      T’hareshmet këngët tona

      lartësojnë ju, kryengjëj,

      që në selinë e epër

      ju shquan lavdia e madhe.

 

      Ti ne, Mikel, prijsi i pathyeshëm

      i radhëve qiellore,

      forco me krah flakrues

      e na ruaj n’hir të Zotit.

 

      Ti Gabriel që u zgjodhe

      lajmëtari i mistereve

      më i madhi, bëj të duam

      gjithnjë shtigjet e dritës.

 

      Pranë nesh, Rafael, gjendu,

      e atyre që atdheun lypin

      hiqjau smundjet e trupit,

      sillu shpëtimin mendjeve.

 

      Ju ushtri të bardha t’engjëjve

      në ndihmë neve na eni,

      që në shoqërinë tuaj

      me gëzue të lumë të mundeni.

 

      Atit të lartë e Birit

      nderimi u qoftë dhe Shpirtit,

      që harmonia juaj

      u thur himn të pareshtur. Amen.

 

      Ose Angelum Pacis sikur në Lutjet e mbrëmjes (fq. ???) ose një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Deti u përmbys dhe toka u dridh: kryeengjëlli Mihael zbriste prej qiellit.

 

Psalmi 97 /96/ (1-12)

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

      le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

      e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

      dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tij e shndritin botën, *

      sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

      para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

      të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

      të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

      Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

      galduan bijat e Judës. *

      për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

 

Sepse ti je, o Zot,

      i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

      ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

      Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

      i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

      e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

      nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Deti u përmbys dhe toka u dridh: kryeengjëlli Mihael zbriste prej qiellit.

 

Ant. 2 Engjëlli Gabriel iu paraqit Zakarisë dhe i tha: Gruaja jote, Elizabeta, do të lindë një djalë, e ti ngjitja emrin Gjon.

 

Psalmi 103 /102/ I (1-13)

 

Bekoje, shpirti im Zotin, *

      dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin, *

      e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *

      Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit, *

      ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

 

me të mira t’i mbush vitet e tua: *

      do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.

 

Zoti bën veç vepra të mira, *

      u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *

      bijve të Izraelit veprat e veta.

 

Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *

      i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë *

      as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

 

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *

      as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *

      aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.

 

Sa është lindja larg perëndimit *

      aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *

      ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Engjëlli Gabriel iu paraqit Zakarisë dhe i tha: Gruaja jote, Elizabeta, do të lindë një djalë, e ti ngjitja emrin Gjon.

 

Ant. 3 Unë, Rafaeli, engjëlli i Zotit, jam gjithmonë para fytyrës së tij: ju bekojeni atë dhe shpallni veprat e tija të mrekullueshme.

 

      II (14-22)

 

Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *

      s’e harron se ne jemi pluhur.

Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *

      porsi lulja e fushës lulëzon,

 

sa e prek era e më s’është, *

      më s’e kujton as vendi i vet.

 

Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *

      e në amshim mbi ata që e druajnë

 

dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †

      mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *

      dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

 

Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *

      mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

 

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †

      ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *

      duke i dëgjuar urdhrat e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija, *

      shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †

      në çdo vend të sundimit të tij! *

      Shpirti im, bekoje Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Unë, Rafaeli, engjëlli i Zotit, jam gjithmonë para fytyrës së tij: ju bekojeni atë dhe shpallni veprat e tija të mrekullueshme.

 

      D Bekojeni Zotin, Engjëjt e Zotit,

      C të gatshëm për ta zbatuar fjalën e tij.

 

      Leximi i parë

 

      Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 12, 1-17

 

      Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje!

      Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.

      Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë!

      Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit ‑ dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t'ia hante.

      Dhe Ajo lindi fëmijën ‑ një Djalush ‑ që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij,

      kurse Gruaja iku në shkreti, ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

      Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi:

      për ta nuk pati më vend në qiell!

      Dhe, Dragoi i madh, Gjarpër i vjetër ‑ që quhet Djall ‑ Satani, ngashënjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!

      Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

      Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk e deshën jetën e vet aq sa ta druanin vdekjen.

      Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë! Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!«

      Kur Dragoi pa se qe plandosur në tokë, zuri ta salvojë Gruan që lindi djalin.

      Por Gruas iu dhanë dy krahë të mëdhenj si shqiponjës së madhe që të fluturojë në shkreti, në vendin e saj, ku, e fshehur nga Gjarpri, të ushqehej një kohë, dy kohë e një gjysmë kohe.

      Atëherë Gjarpri volli nga goja ujë, si lumë, përmbas Gruas që ta merrte lumi.

      Por toka i doli në ndihmë Gruas: toka e hapi gojën e vet dhe e përpiu lumin që Dragoi e lëshoi nga goja e tij.

      Atëherë Dragoi, i hidhëruar kundër Gruas, shkoi e zuri luftë kundër tepricës së pasardhësve të saj, kundër atyre që mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe e ruajnë dëshminë e Jezusit.

 

      Përgjigjja    Krh. Zb 12, 7. 8. 10; 19, 1

 

      C Filloi lufta në qiell: Mihaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: * Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë.

      D Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

      C Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Homelitë mbi ungjijtë” i shën Gregorit të madh, papë

      (Hom. 34, 8-9; PL 76, 1250-1251)

 

      Epiteti “engjëll” cakton shërbesën, jo natyrën.

 

      Duhet të dihet se fjala “engjëll” tregon shërbesën e jo natyrën. Vërtet ata shpirtra të shenjtë të atdheut qiellor janë gjithmonë shpirtra, por nuk mund të quhen gjithmonë engjëj, sepse quhen engjëj, kur nëpërmjet tyre jepet një lajm. Ata që sjellin lajme të rëndomta quhen engjëj, ndërsa ata që lajmërojnë ngjarjet më të mëdha quhen kryeengjëj.

      Për këtë arsye Virgjërës Mari nuk iu dërgua një engjëll dosido, por kryeengjëlli Gabriel. Ishte e drejtë që për këtë detyrë të dërgohej një prej engjëjve më të mëdhenj, për të sjellë më të madhin lajm prej të gjitha lajmeve.

      Atyre u jepen emra të veçantë, kështu që edhe nga mënyra se si i quajmë të tregohet se çfarë lloj misteri u është besuar atyre. Në qytetin e shenjtë të qiellit, të bërë të përsosur nga njohja e plotë që vjen prej shikimit të Hyjit të gjithëpushtetshëm, engjëjt nuk kanë emra të veçantë, që i dallojnë personat e tyre. Por kur të vijnë tek ne për ndonjë mision, e marri emrin e detyrës që janë duke kryer.

      Kështu Mikel do të thotë: Kush është si Hyji?, Gabriel: Forca e Hyjit, dhe Rafael: Ilaçi i Hyjit.

      Kur duhet të ndodhë diçka që kërkon guxim dhe forcë të madhe, thuhet se dërgohet Mikeli, në mënyrë që të mund të kuptohet, nga veprimi dhe nga emri, se askush nuk mund të veprojë si Hyji. Kundërshtari i lashtë që, në krenarinë e tij, digjej nga dëshira për të qenë i ngjashëm me Hyjin, duke thënë: Do të ngjitem në qiell (krh. Is 14, 13-14), mbi yjet e Hyjit do ta ngre fronin tim, do të bëhem i njëjtë me të Tejetlartin, në fund të botës do të jetë i braktisur në vetvete dhe do të dënohet me dënimin më të rëndë. Tashti, ai paraqitet në luftë me kryeengjëllin Mikel, siç është thënë nga Gjoni: “Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe dragoi ra në luftë” (Zb 12, 7).

      Marisë iu dërgua Gabrieli, që quhet Forca e Hyjit; ai vinte për të lajmëruar atë që u denjua të shfaqej në përvujtëri për të zhdukur pushtetet e këqija nga ajri. Duhej, pra, të lajmërohej nga “Forca e Hyjit” ai që vinte si Zotërues i ushtrive dhe luftëtar i fortë.

      Rafael, siç thamë, do të thotë Ilaçi i Hyjit. Dhe vërtet ai i preku sytë e Tobisë, pothuajse duke i dashur t’i shëronte, dhe i shpërndau errësirat e verbërisë së tij. Ishte e drejtë, pra, që të quhej “Ilaçi i Hyjit” ai që u dërgua për të kryer shërime.

 

      Përgjigjja    Krh. Zb 8, 3. 4; Dan 7, 10

 

      C Një engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem, * nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit.

      D Mijëra mijërash i shërbenin e miliarda miliardash qëndronin përpara tij.

      C Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit.

 

      Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

      Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

      ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

      Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

      ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

      ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

      edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

      Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

      nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

      ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

      Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

      të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

      të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

      e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

      Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

      Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

      Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

      Në ty, o Hyj, shpresova, *

      e kurrë nuk do të turpërohem.

 

      Lutja

 

      Në dijen tënde të mrekullueshme, o Zot, ti u përcakton detyrat përkatëse engjëjve dhe njerëzve: bëj të jemi të mbrojtur këtu mbi tokë prej atyre, që vazhdimisht në qiell shërbejnë para fytyrës sate. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.