Shërbesa e leximeve
30 shtator, Shën Jeronimi, meshtar dhe Mësues i Kishës
Përkujtim
Lindi në Stridon në Dalmaci rreth vitit 340. Ndoqi studimet për letërsi në Romë dhe po aty u pagëzua. Pasi përqafoi jetën asketike, shkoi në Lindje dhe u shugurua meshtar. Kur u kthye në Romë, qe sekretar i papës Damaz dhe në atë kohë filloi redaktimin e Biblës në gjuhën latine të Shkrimit shenjt dhe promovoi jetën monastike. Me t’u vendosur pastaj në Betlehem, mori pjesë shumë aktive në ngjarjet dhe në nevojat e Kishës. Shkroi shumë vepra, veçanërisht komentarin e Shkrimit shenjt. Vdiq në Betlehem në vitin 420.
Nga Përbashkorja e mësuesve të Kishës (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
30 shtator, Shën Jeronimi, meshtar dhe Mësues i Kishës
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Pason himni i përshtatshëm.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
Duke bërë këtë për ty mbarështues të zgjedhur,
dhe si meshtar duke e shoqëruar, e vure
prijës në popull besnik të qëndronte
dhe ushqyes i mirë.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Shpirti im shpreson në Zotin,
C dhe me padurim e pret fjalën e tij.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 2, 12-30
Kijeni për zemër shëlbimin tuaj.
Të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni. Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot. Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju. Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!
Shpresoj, pra, në Zotin Jezus, se së shpejti do ta dërgoj te ju Timoteun, që të kënaqem edhe unë kur të marr vesh për gjendjen tuaj. Dhe njëmend, s'kam askënd tjetër që të na përkojnë shpirtrat që pa u kursye të kujdeset për ju, sepse të gjithë tjerët kërkojnë interesin e vet e jo atë të Jezu Krishtit. Dhe ju e dini se ky e ka vërtetuar ndershmërinë e vet në çdo pikëpamje, mbasi si fëmija me t'anë ka shërbyer bashkë me mua në përhapje të Ungjillit. Këtë, pra, shpresoj se do ta dërgoj posa të shoh se si do të marrë puna ime. Por jam i bindur në Zotin se së shpejti do të vij edhe vetë te ju.
Ndërkaq e çmova të nevojshme ta dërgoj te ju Epafroditin vëllain, bashkëpunëtorin dhe bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar të më ndihmojë në nevojë të mia. Po e dërgoj sepse kishte dëshirë të madhe të shihej me ju të gjithë dhe vuante se ju kishit marrë vesh se është i sëmurë. Edhe, vërtet, qe i sëmurë për vdekje, porse Hyji pati dhimbje për të dhe, jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim. Prandaj e nisa shpejt e shpejt që, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe edhe unë të kem më pak trishtim. Bëni, pra, në Zotin një pritje vërtet të gëzueshme dhe çmoni fort njerëzit e tillë, sepse, për veprën e Krishtit për pak sa s'vdiq; jetën e vet e vuri në rrezik për të plotësuar atë që ju s'mund të bënit për shërbimin tim.
Përgjigjja Krh. 2 Pjt 1, 10. 11; Ef 5, 8. 11
C Mundohuni të përforconi përherë e më tepër thirrjen dhe zgjedhjen tuaj: * kështu do t’ju hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar të Zotit tonë.
D Jetoni porsi bij të dritës e mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës:
C kështu do t’ju hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar të Zotit tonë.
Nga “Hyrja në komentin e Isaisë Profet” i shën Jeronimit, meshtar
(Li. Nr. 1. 2; CCL 73, 1-3)
Mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohje e Krishtit.
Unë e bëj detyrën time duke iu bindur urdhrit të Krishtit: “Shqyrtoni Shkrimet (Gjn 5, 39), dhe: “Kërkoni dhe do të gjeni” (Mt 7, 7), që mos të dëgjoj duke më thënë edhe mua si judenjve: “Ju jeni gabim sepse nuk e merrni vesh Shkrimin e shenjtë as pushtetin e Hyjit” (Mt 22, 29). Nëse vërtet, sipas asaj që thotë Pali apostull, Krishti është pushteti i Hyjit dhe urtia e Hyjit, ai që nuk i njeh Shkrimet, nuk e njeh pushtetin e Hyjit, as urtinë e tij. Mosnjohja e Shkrimeve do të thotë mosnjohje e Krishtit.
Për këtë arsye dëshiroj t’i përngjaj atit të familjes, që nga thesari i tij di të nxjerrë gjëra të reja dhe të vjetra, dhe kështu edhe e fejuara, që në Këngën e Këngëve thotë: “Çdo lloj frutash të reja e të vjetra: i ruajta për ty, o i dashur” (krh. Kk 7, 14 volg.). Kam për qëllim, pra, të paraqes Isainë profet në mënyrë që ta paraqes jo vetëm si profet, por edhe si ungjilltar dhe apostull. Ai në të vërtet ka thënë edhe për veten atë që thotë për ungjilltarët e tjerë: “Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes” (Is 52, 7). Dhe Hyji ia drejton pyetjen atij, porsi një apostulli: “Ja, ku më ke çomë mua!” (Is 6, 8).
Por mos të mendojë askush se unë dëshiroj të konsumoj në pak fjalë argumentin e këtij libri të Shkrimit të shenjtë që i përmban të gjitha misteret e Zotit. Në librin e Isaisë profet gjejmë se Zoti paralajmërohet si Emanuel i lindur nga Virgjëra, si autor mrekullish dhe të shenjave të mëdha, si i vdekur dhe i varrosur, i ringjallur nga të vdekurit dhe shpëtimtar të të gjithë njerëzve. Çfarë të them mbi mësimin e tij mbi fizikën, etikën apo logjikën? E gjithë ajo që ka të bëjë me Shkrimin e shenjtë, e gjithë ajo që gjuha mund ta shpreh dhe mendja e njeriut të vdekshëm mund ta kuptojë, gjendet në këtë vëllim. Për thellësinë e atyre mistereve jep dëshmi vetë autori kur shkruan: “Për ju çdo zbulesë do të jetë porsi fjalët e librit të vulosur. Nëse ia japin dikujt që di të lexojë e i thotë: ‘Na lexo!’, ai do të përgjigjet: ‘Nuk mundem, sepse është i vulosur!’ Ose i jepet libri atij që s’di të lexojë e i thuhet: ‘Lexoje!’, ai do të përgjigjet: ‘S’di të lexoj.’” (Is 29, 11-12).
Bëhet fjalë, pra, për misteret që, si të tillë i mbeten të mbyllur dhe të pakuptueshëm profanëve, por të hapur dhe të qartë profetëve. Nëse, pra, u jep librin e Isaisë paganëve, që nuk i njohin librat e frymëzuar, do të të thonë: Nuk di të lexoj sepse nuk kam mësuar t’i lexoj tekstet e Shkrimeve. Porse profetët e dinin atë që thoshin dhe e kuptonin. Kështu lexojmë tek shën Pali: “Profetët zotërojnë me shpirtin frymëzues të vetin” (1 Kor 14, 32), që në ta të jetë aftësia për të heshtur dhe për të folur sipas rrethanave.
Profetët, pra, kuptonin atë që thoshin, për këtë arsye fjalët e tyre janë plot me urti dhe mençuri. Në veshët e tyre nuk arrinin vetëm vibrimet e zërit, por edhe vetë fjala e Hyjit që fliste në shpirtin e tyre. Këtë gjë e pohon edhe ndonjëri prej tyre me shprehje si këto: Engjëlli fliste në mua (krh. Zak 1, 9), dhe: (Shpirti) “gërthet në zemrën tonë: Abbà, o Atë” (Gal 4, 6), dhe prapë: “Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj” (Ps 85 /84/, 9).
Përgjigjja Krh. 2 Tim 3, 16-17; Fu 28, 7
C I tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar dhe për të edukuar në drejtësi. * Kështu edhe njeriu i Hyjit do të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.
D Kush e ruan Ligjin është bir i mençur.
C Kështu edhe njeriu i Hyjit do të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.
Lutja
O Hyj, ti i dhurove shën Jeronimit meshtar një njohje të thellë depërtuese të Shkrimit të shenjtë: bëj që populli yt të ushqehet përherë me fjalën tënde dhe ta gjejë në të gurrën e jetës. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.