Shërbesa e leximeve
1 tetor, Shën Tereza e Jezusit fëmijë, virgjër dhe Mësuese e Kishës
Përkujtim
Lindi në Alenkon në Francë në vitin 1873. Hyri në manastirin e Karmelitaneve të Lisieux kur ishte ende e re, ushtroi në mënyrë të veçantë përvujtërinë, thjeshtësinë ungjillore dhe besimin në Zotin, dhe po këto virtyte ua mësoi sidomos noviceve me fjalën dhe me shembullin. Vdiq më 30 shtator 1897, duke e ofruar jetën e saj për shëlbimin e shpirtrave dhe ripërtëritjen e Kishës.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Një t’ëmbël këngë flijimi
t’ia thurë turma e devotshme,
ndërsa në kulmin e qiejve
ndrin me lavdi kjo virgjër.
Virgjër që për hir të Krishtit
burrërisht e fijoi jetën,
tash në radhë të shenjtërve
fatbardhësisht bashkohet.
Me virtyt të pastër mposhti
vesin e lig të trupit,
përçmoi joshjet e botës,
gjurmët e Krishtit ndoqi.
Me anë të saj, o Krisht drejtona,
na ruaj prej të gjithë armiqve,
shëro shkarjet ndër faje,
dhe na mbush me virtyte.
Jezus, të qoftë lavdia,
që u linde nga Nënë Virgjër,
me Atin dhe Shpirtin jetëdhënës
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi
Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshët tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshët i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
D Te kush të shkojmë, o Zot?
C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 3, 1-16
Shembulli i Palit.
Vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin!
T'ju shkruaj të njëjtat gjëra unë nuk e kam vështirë, kurse për ju është përforcim: Ruajuni prej “qenve”! Ruajuni prej punëtorëve të këqij! Ruajuni prej rrethprerjes gjymtuese! Sepse, ne jemi të rrethprerët “e vërtetë”, ne që në Shpirtin e Hyjit kryejmë shërbesën hyjnore dhe mburremi në Krishtin Jezus dhe nuk shpresojmë në trup. Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup ‑ unë edhe më tepër! I rrethprerë të tetën ditë, izraelit me kombësi, nga fisi i Beniaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë ‑ asaj të Ligjit ‑ i patëmetë.
Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. Madje unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të ‑ jo me drejtësinë time ‑ me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe ‑ që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ngjalljes së të vdekurve.
Jo, sikurse t'ia kisha arritur, as, sikurse të isha bërë i përsosur, por ‑ vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit [Jezus].
Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur, di vetëm kaq:
harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes,
sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.
Ne, pra, që ia kemi arritur “pjekurisë”, ta kemi në mendje këtë gjë! Po, nëse e mendoni ndryshe, shi kështu Hyji do t'jua zbulojë. Ndërkaq, prej asaj pike ku kemi arritur ‑ të vazhdojmë të përparojmë asaj hullie.
Përgjigjja Fil 3, 8. 10; Rom 6, 8
C Kam bjerrë çdo gjë me qëllim që të fitoj Krishtin, * duke e njohur atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija.
D Në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të:
C duke e njohur atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija.
Leximi i dytë
Nga “Autobiografia” i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër
(Manuscrits autobiographiques, Lisieux 1957, 227-229
Në zemrën e Kishës unë do të jem dashuria
Meqë aspiratat e mia tejet të larta ishin për një martirizim, iu drejtova letrave të shën Palit, që të gjeja më në fund një përgjigje. Sytë më ranë rastësisht mbi kapitujt 12 dhe 13 të letrës së parë drejtuar Korintasve, dhe lexova në kapitullin e parë se të gjithë nuk mund të jenë në të njëjtën kohë apostuj, profetë dhe mësues dhe se Kisha përbëhet nga gjymtyrë të ndryshme dhe se syri nuk mund të jetë në të njëjtën kohë dorë. Një përgjigje vërtet e qartë, por jo e tillë saqë të plotësonte dëshirat e mia dhe të më dhuronte paqen.
Vazhdova në lexim dhe nuk e humba guximin. Kështu gjeta një fjali që më lehtësoi: “Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshme! E unë do t’ju tregoj një rrugë më të mirë.” (1 Kor 12, 31). Apostulli thotë se edhe karizmat më të mira janë asgjë pa pasur dashurinë, dhe se vetë kjo dashuri është udha më e përsosur që çon me siguri tek Hyji. Më në fund e gjeta paqen.
Duke pasur para sysh trupin mistik të Kishës nuk e gjeja veten në asnjë gjymtyrë të përshkruar nga shën Pali, apo më mirë të them se e gjeja veten tek të gjitha. Dashuria ma dhuroi bazën e thirrjes sime. Kuptova se Kisha ka një trup të përbërë nga shumë gjymtyrë, por që në këtë trup nuk mund të mungojë organi më i ndershëm dhe më i nevojshëm. Kuptova se Kisha ka një zemër, një zemër të djegur nga Dashuria. E kuptova se vetëm Dashuria i shtyn në vepër gjymtyrët e Kishës dhe se, me të shuar të kësaj dashurie, apostujt nuk do të shpallnin më Ungjillin, martirët nuk do ta derdhnin më gjakun e tyre. E kuptova dhe e njoha se dashuria i përfshin në vete të gjitha thirrjet, se dashuria është gjithçka, se përhapet në të gjithë kohërat dhe në të gjitha vendet, me një fjalë dashuria është e amshuar.
Atëherë me gëzimin më të madh dhe me ekstazën e shpirtit bërtita: O Jezus, dashuria ime, më në fund e gjeta thirrjen time. Thirrja ime është dashuria. Po, e gjeta vendin tim në Kishë dhe këtë vend ma ke dhënë ti, o Hyji im.
Në zemrën e Kishës, nënës sime, unë do të jem dashuria dhe në këtë mënyrë do të jem gjithçka dhe dëshira ime do të kthehet në realitet.
Përgjigjja Krh. Jb 31, 18; Ef 3, 18; Ps 31 /30/, 20
C O Zot, qysh në rininë time dashuria jote më ka ardhur në ndihmë dhe është rritur bashkë me mua. * Tani nuk di ta masë Thellësinë dhe Gjerësinë e saj.
D Sa e madhe është mirësia jote, o Zot, të cilën e ruan për ata që të druajnë.
C Tani nuk di ta masë Thellësinë dhe Gjerësinë e saj.
Lutja
O Hyj, Ati ynë i mirë, ti u jep mbretërinë tënde të përvuajturve e të vegjëlve: bëj ta ndjekim me kujdes udhën e shën Terezës që, me ndërmjetësinë e saj, të na zbulohet edhe neve lavdia jote e amshuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.