Shërbesa e leximeve

2 tetor, Engjëjt rojtarë

 

Përkujtim

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

   Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O autori i amshuar i sendeve,

   që sundon tokën, detin,

   qiellin, shpërblyes i drejtë

   për të gjithë sipas veprave.

 

   Ti që shpirtin kryekërcyer

   me bashkëvepruese të krimit

   me asgjësim dënove,

   lutësit e drejtë forcove.

 

   Më trimërisht ty lutemi,

   drejtoji këta mbrojtës,

   përkrahës me anë të tyre

   na jep dhunti shpëtimi.

 

   Me këshilla të na shohin,

   t’pastrojnë, të ndezin të mësojnë,

   ndër t’mira gjithë herë t’nxisin,

   t’frenojnë fuqinë e djajve.

 

   O ti lavdia e engjëjve,

   me hap të sigurt t’ecim

   na bëj në rojë të këtyre,

   të mundim ty të shohim.

 

   Të jenë, o Zoti i engjëjve,

   për ty këngët e nderit,

   që u jep atyre e neve

   me urdhër t’fortë t’mirat qiellore. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

    Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë

 

   Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).

 

   I (2-5)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

 

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

   II (6-13)

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje

   ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   III (14-23)

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.«

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,

   C premtimin e Shëlbuesit tim.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 3, 17 – 4, 9

 

   Jini të qëndrueshëm në Zotin.

 

   Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë sipas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në turp ‑ ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka.

   Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, ‑ qëndroni të fortë në Zotin.

   E porosis Evodinë dhe e përbetoj Sintikën të jetojnë në përkim në Zotin. Po të lutem edhe ty, Shok i dashur, ndihmoju sepse ato luftuan bashkë me mua për Ungjill, së bashku me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi, emrat e të cilëve gjenden në “librin e jetës”.

   Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim ‑ paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlershme se mund ta mendojmë do t'i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.

   Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

 

   Përgjigjja Krh. Ef 4, 17; 1 Sel 5, 15-18

 

   C Ju përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët, bëni që të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt. * Ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin.

   D Gëzohuni gjithmonë, lutuni pa pushim dhe për gjithçka falënderohuni.

   C Ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Fjalime” i shën Bernardit, abat

   (Fjal. 12 mbi psalmi 91 /90/; Ti që banon, 3, 6-8; Opera omnia, bot. Cisterc. 4 [1966] 458-462)

 

      Le të të mbrojnë në çdo hap tëndin

 

   “Sepse engjëjve të vet urdhra u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua” (Ps 91 / 90/, 11). Le ta falënderojnë Zotin për mëshirën e tij dhe për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve. Le ta falënderojnë dhe le të thonë mes njerëzve: gjëra të mëdha bëri Zoti për ta. O Zot, e çfarë është njeriu, që të kujdesesh për të, apo që të të bjerë ndër mend për të? Ti mendon për të, je i papërtueshëm për të, për të kujdesesh. Së fundi atij ia dërgon të Njëlindurin tënd, bën që mbi të të zbresë Shpirti yt, i premton edhe shikimin e fytyrës sate. Dhe për të treguar se qielli nuk kursen asgjë nga ato që mund të jetë në dobinë tonë, na i vendos pranë ata shpirtra qiellor, që të na ruajnë, që të na mësojnë dhe të na udhëheqin.

   “Sepse engjëjve të vet urdhra u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua” (Ps 91, /90/, 11). Sa nderim të thellë duhet të nxisin në ty këto fjalë, sa devotshmëri duhet të të sjellin, sa besim duhet të ngulin në zemrën tënde. Nderim të thellë për praninë e tij, devotshmëri për dashamirësinë e tij, ndërsa besim për mbrojtjen e tij. Janë të pranishëm, pra, e janë të pranishëm për ty, jo vetëm me ty, por edhe për ty. Janë të pranishëm që të të mbrojnë, janë të pranishëm që të të shërbejnë.

   Edhe pse engjëjt janë vetëm zbatues të thjeshtë të urdhrave hyjnorë, duhet t’u jemi mirënjohës edhe atyre sepse i binden Zotit për të mirën tonë.

   Të jemi, pra, të devotshëm, të jemi mirënjohës ndaj mbrojtësve kaq të mëdhenj, t’i duam ata përsëri, t’i nderojmë aq sa mundemi dhe aq sa duhet.

   E gjithë dashuria dhe i gjithë nderimi duhet t’i shkojë Hyjit, nga i cili vjen e gjithë ajo që u përket engjëjve dhe njerëzve. Nga ai vjen aftësia për të dashur dhe për të nderuar, nga ai vjen ajo që na bën të denjë për dashuri dhe për nderim.

   T’i duam, pra, me dashuri të zjarrtë engjëjt e Hyjit, si ata që një ditë do të jenë bashkëtrashëgimtarët tanë, ndërkohë që tani janë udhëheqësit dhe kujdestarët tanë, të caktuar për ne nga Ati. Tani, vërtet, jemi bijtë e Hyjit. Jemi, edhe pse këtë gjë tani për tani nuk e kuptojmë qartë, sepse jemi akoma fëmijë nën mbarështues dhe kujdestarë, dhe rrjedhimisht, nuk ndryshojmë asgjë nga shërbëtorët. Edhe pse jemi akoma bij dhe na mbetet për të bërë një ecje aq të gjatë dhe aq të rrezikshme, çfarë duhet të kemi frikë, nën mbrojtës kaq të mëdhenj?

   Nuk mund të mposhten dhe të ngashënjehen e aq më pak mund të ngashënjejnë, ata që na ruajnë në të gjitha udhët tona. Janë besnik, janë të kujdesshëm, janë të pushtetshëm. Përse dridheni? Duhet vetëm t’i ndjekim ata, t’u qëndrojmë atyre afër dhe kështu mbetemi nën mbrojtjen e Hyjit të qiellit.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 91 /90/, 11-12. 10

 

   C Zoti u dha urdhër engjëjve të vet të të ruajnë në të gjitha udhët e tua: * do të të bartin para duarsh që gand të mos ndeshësh këmbën tënde për gur.

   D E keqe nuk do të të gjejë, dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate.

   C Do të të bartin para duarsh që gand të mos ndeshësh këmbën tënde për gur.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti në provaninë tënde të patregueshme na jep engjëjt për rojtarë: bëj të na ruajnë vazhdimisht me mbrojtjen e tyre që të gëzojmë një ditë, në shoqëri me ta, jetën e pasosur. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.