Shërbesa e leximeve
Java e njëzetegjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
ditë që s’mbaron kurrë,
ngadhënjyese mbi natë t’errët
ripërtritëse e ndriçimit,
shkatërruese e errësirës,
shkëlqimtare e mendjeve.
Kur lind ajo ringjallemi,
kur na thërret shpejt ngrihemi,
kur del na bën të lumtur
kur na lë jemi t’mjeruar,
kur nga vdekja liruar
ne jemi të qartë si drita;
kur dalë fitues mbi vdekjen,
përmbi natën dhe mbi shekullin;
prandaj, o Mbret i amshuar,
dhurona neve dritën,
që nga asnjë natë s’errësohet,
veç me ndriçim kënaqet.
Atit dhe Ty nderimi,
dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,
Hyjit n’tre vetë por një të vetmit,
paqes, jetës, ndriçimit,
mbi të gjithë emnit t’ëmbël,
dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hy që s’vjen nga askush,
o Hy që rrjedh prej Hyjit
Hy që buron prej këtyre,
ndër ne eja përkrahës.
Ti je dëshira jonë,
ti qofsh dashnia e gëzimi:
në ty lakmimi ynë
e në ty qoftë kënaqësia.
O Atë, sunduesi i t’gjithëve,
me t’Lindurin nga Virgjëra,
brenda dhe rreth e rrotull
me Shpirtin Shenjt sundona.
Kujto, Shenjtja Trini,
ç’ndërtoi mirësia jote,
njeriun më parë krijove,
me anë t’gjakut e rimkëmbe.
Se ata që ka krijuar Njënia,
shpërbleu dashnia e Krishtit
atëherë tue vuajtur i ndërgjegjshëm,
tani të duaj ne duke na zgjedhur.
Trinisë së Shenjtë gëzimi,
paqja, virtyti dhe sundimi,
pushteti i plotë e dinjiteti,
lavdi, nderimi dhe lavdia. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Psalmi 136 /135/ Himni i Pashkëve
Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
I (1-9)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
II (10-15)
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
III (16-26)
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,
C m’i mëso shtigjet e tua.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 4, 10-23
Bujaria e Filipianëve ndaj Palit.
Vëllezër, tesve jam gëzuar në Zotin, pse kujdesi juaj ndaj meje mundi së fundi të lulëzojë. Vërtet, ju edhe më parë keni menduar të kujdeseni për mua, por nuk keni pasur rast. Nuk po them kështu për arsye të skamit, sepse ju e dini se unë jam mësuar të jem i kënaqur me aq sa kam.
Di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithësi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak!
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!
Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time.
Po edhe ju, o filipianë, e dini mirë se në fillim të predikimit të Ungjillit, kur u nisa prej Maqedonisë, asnjë kishë nuk më dha gjë lidhur me “të dala e të marra”, përveç ju të vetmit. Madje edhe në Selanik kur isha në nevojë, më dërguat ndihma një herë e dy herë. Jo, nuk kërkoj dhurata, por kërkoj fryt të begatshëm në dobinë tuaj.
Kam gjithçka më duhet, madje edhe për së tepërmi: jam plot me çdo të mirë që mora prej Epafroditit, çka ju më dërguat: “erë e mirë” ‑ fli e erëndshme që i pëlqen Hyjit. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
Përshëndetni çdo shenjt në Jezu Krishtin!
Vëllezërit që janë me mua ju bëjnë të fala. Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit, sidomos ata që janë të pallatit të perandorit.
Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtrat tuaj!
Përgjigjja Krh. Fil 4, 12-13; 2 Kor 12, 10
C Jam mësuar gjithësi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak. * Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi.
D Kënaqem në ligështi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit.
C Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi.
Leximi i dytë
Lexim nga “Jeta e krishterë” e shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(PG 46, 295-298)
Lufto luftën e mirë të fesë.
“Nëse ndokush është në Krishti, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja u bë e reja” (2 Kor 5, 17). Nga ana tjetër ka quajtur krijim të ri banimin e Shpirtit Shenjt që e bën zemrën e pastër, pa faj dhe të lirë nga çdo e ligë, e keqe dhe faj.
Kur një shpirt kthehet, urren mëkatin, i kushtohet së mirës me të gjithë angazhimin, pranon në vetvete hirin e Shpirtit Shenjt dhe bëhet një qenie plotësisht e re. Vërtetohet atëherë fjala e shkrimit të shenjtë: “Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri” (1 Kor 5, 7) gjithashtu edhe kjo thënie: “Le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastrisë e të vërtetës” (1 Kor 5, 8). Këto pohime, them, bien dakord me atë që është thënë mbi krijimin e ri. Tunduesi i vë shumë kurthe shpirtit tonë, dhe natyra njerëzore është tepër e dobët që të mund të fitojë kudër tij. Për këtë arsye apostulli na porosit të armatosemi me armët qiellore: Vishuni me mburojën e drejtësisë dhe mbathini këmbët tuaja për të lajmëruar Ungjillin e paqes, dhe lidhini ijët tuaja me të vërtetën (krh. Ef 6, 14).
Shiko sa mjete shëlbimi të ka treguar apostulli, të gjithë të prirë drejt një mbretërie të vetme dhe drejt një pikëmbërritjeje të vetme. Jeta bëhet një ecje e sigurt në udhën e urdhërimeve deri në pikësynimin përfundimtar të caktuar nga Hyji.
Apostulli thotë akoma: “Të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë” (Heb 12, 1-2).
Ai që tregohet i painteresuar ndaj joshjeve të shtegtimit tokësor pa u magjepsur nga lavdia e botës, do të ndjejë nevojën për t’i flijuar vetveten Hyjit. T’i flijosh vetveten Hyjit do të thotë të mos kërkosh kurrë vullnetin tënd, por atë të Hyjit dhe ta ndjekësh si udhërrëfyes të mirë, e pastaj të kënaqesh me atë që është e nevojshme për të jetuar. Kjo do të ndihmojë këdo për të përmbushur me angazhim më të madh dhe çiltërsi detyrat e veta për të mirën e vet dhe të të tjerëve, siç i ka hije një nxënësi të Krishtit. Këtë do Zoti kur thotë: Ai që ndër ju do të jetë i pari dhe më i madhi, të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve (krh. Mk 9, 35).
Ai që pranon këtë kriter duhet të shërbejë falas, t’u nënshtrohet të gjithëve dhe të kryeja shërbimin e vet si ai që është në borxh dhe kthen një hua me vlerë të lartë.
Ata që ushtrojnë një autoritet kanë një detyrë akoma më të madhe se të tjerët. Shërbimi i tyre është më angazhues se ai i të nënshtruarve. Duhet të japin shembull se dinë të shërbejnë me përvujtëri të tjerët, duke i mbajtur vëllezërit si një depozitë që Hyji u ka besuar atyre.
Ai që ka përgjegjësi mbi të tjerët të sillet si edukator i vetëdijshëm që kujdeset me vëmendje për fëmijët që i janë besuar nga prindërit. Nëse do të ketë një marrëdhënie të tillë kuptimi dhe ndihme ndërmjet atij që udhëheq dhe atij që bindet, bindja do të bëhet e hareshme dhe urdhërimi i kënaqshëm. Do të jeni të sigurt se jeni në rrugën e përsosur. Nëse do të nderoni njëri-tjetrin, do të jetoni në tokë një jetë të lumtur si engjëjt.
Përgjigjja Gal 5, 13; 1 Kor 10, 32
C Ju jeni të grishur në liri! Por kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, * por me dashuri shërbejini njëri-tjetrit.
D Mos jini, veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit,
C por me dashuri shërbejini njëri-tjetrit.
Lutja
O Hyj, ti që më së forti e tregon gjithëpushtetësinë tënde me falje e me mëshirë, na e ndiko hirin tënd vazhdimisht që të ecim kah të mirat e premtuara dhe të bëhemi pjesëtarë në lumturinë e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.