Shërbesa e leximeve
Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
I (1-9)
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorasin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
II (10-13)
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
III (14-21)
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
C vërja veshin fjalës sime.
Leximi i parë
Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 1, 1-20
Misioni i Timoteut. Pali mbarështues i Ungjillit.
Pali, apostulli i Krishtit Jezus me urdhër të Hyjit, Shëlbuesit tonë dhe të Krishtit Jezus, shpresës sonë: Timoteut, birit të vërtetë në fe:
hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
Sikurse të porosita kur u nisa për Maqedoni: zër vend në Efes për t'u urdhëruar disave të mos mësojnë mësime tjera dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji të pakufishme që ndihmojnë më fort për diskutime të kota se sa për planin e Hyjit që realizohet në fe. Qëllimi i këtij urdhri është dashuria që del nga zemra e pastër, nga ndërgjegjja e mirë dhe nga feja e çiltër. Në këtë gjë disa e lanë rrugën dhe u sollën drejt mësimeve të fjalëve të kota. Këta duan të jenë mësues të Ligjit e nuk kuptojnë as çka flasin as çka pohojnë.
Vërtet, ne e dimë se Ligji është i mirë kur ndokush e përdor si duhet, i bindur për këtë se Ligji nuk është dhënë për njeriun e drejtë, por për të këqijtë, për të padëgjueshmit, për të mbrapshtët, për mëkatarët, për të pafetë, për blasfemuesit, për atëvrasësit, për mëmëvrasësit, për njerivrasësit, për fëlligështarët, për homoseksualët, për tregtarët me njerëz, për gënjeshtarët, për beshtrembërit dhe për çdo vepër tjetër që është kundër mësimit të shëndoshë ‑ sipas Ungjillit të Lavdisë së Hyjit të lumtur, që më është besuar.
E falënderoj Atë që më dha fuqi ‑ Krishtin Jezus, Zotin tonë ‑ pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.
Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t'u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur.
Dhe Mbretit të shekujve, të Pavdekshmit, të Papashmit, Një të Vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen!
Po ta jap këtë detyrë, biri im Timote, në përkim me profecitë që dikur u thanë mbi ty: Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! Ruaje fenë dhe ndërgjegjen e mirë, që disa e flakën dhe përjetuan anijethyerjen në fe. Ndër ta janë Himeneu dhe Aleksandri që i lëshova në duar të Satanit me qëllim që të mësojnë të mos blasfemojnë.
Përgjigjja 1 Tim 1, 14. 15; Rom 3, 23
C Hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri. * Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.
D Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit.
C Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.
Leximi i dytë
Lexim nga “Rregulla baritore” e shën Gregorit të madh, papë
(Lib. 2, 4; PL 77, 30-31)
Bariu të jetë i kujdesshëm në të heshtur, i vrullshëm në të folur.
Bariu të jetë i kujdesshëm në të heshtur dhe i vrullshëm në të folur, për të mos thënë atë që është e detyruar të heshtet dhe për të mos lënë në heshtje atë që duhet zbuluar. Një e folur e pamatur zvarrit në gabim, kështu një heshtje e pavend lë në një gjendje të rreme ata që mund ta shmangnin. Shpesh barinjtë e shkujdesur, nga frika se humbin nderimin e njerëzve, nuk guxojnë të thonë lirisht atë që është e drejtë dhe, kur thonë për Krishtin se është e vërteta, nuk zbatojnë më ruajtjen e grigjës me dashuri prej barinjsh, por si rrogëtarë. Ia mbathin kur të arrijë ujku, duke u fshehur në qetësi.
Zoti i qorton nëpërmjet profetit duke thënë: “Të gjithë janë qen të pagojë, që s’janë të zotë të lehin” (Is 56, 10), dhe bën të dëgjohet përsëri ankesa e tij: “Ju as s’u ngjitët në të çarat e murit as s’e bëtë një pëllëmbë mur në mbrojtje të Izraelit që të mund të qëndroni në luftim në ditën e Zotit” (Ez 13, 5). Të ngjitesh mbi shpate do të thotë t’u kundërvihesh të fuqishmëve të kësaj bote me lirinë e fjalës për të mbrojtur grigjën. T’i qëndrosh luftës në ditën e Zotit do të thotë të përballosh, për dashuri, luftën e të mbrapështve.
Çfarë është, në fakt, për një bari, frika për të thënë të vërtetën, përveç kthimi i shpatullave ndaj armikut me qetësinë e tij? Nëse përkundrazi përpiqet për të mbrojtur grigjën, ndërton kundër armiqve një kështjellë për shtëpinë e Izraelit. Për këtë arsye, popullit që binte sërish në mosbesnikëri i qe thënë: “Profetët e tu për ty patën vegime të rreme e të marra; s’ta zbulonin fajësinë tënde, që ta ndërronin fatin tënd” (Vaj 2, 14). Në Shkrimin e shenjtë më emrin profetë thërriten nganjëherë ata mësues që, ndërsa bëjnë të shihet mbarimshmëria e gjërave të tashme, shfaqin të ardhshmet.
Fjala e Hyjit i qorton se shohin gjëra të rreme, sepse, nga frika se duhet të mbartin fajin, u shtiren më kot fajtorëve me premtime sigurie, dhe nuk zbulojnë mbrapshtinë e mëkatarëve, të cilëve nuk u drejtojnë kurrë fjalë qortimi.
Qortimi është një çelës. Hap ndërgjegjen për të parë fajin, që shpesh është i panjohur edhe nga ai që e ka bërë. Për këtë arsye Pali thotë: “Që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve” (Tit 1, 9). Edhe Malakia profet pohon: “Buzët e priftit duhet ta ruajnë dijen, prej gojës së tij e mësojnë Ligjin, sepse është i dërguari i Zotit të Ushtrive” (Mal 2, 7). Për këtë arsye Zoti tërheq vëmendjen me anë të Isaisë: “Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd” (Is 58, 1).
Kushdo që bëhet prift merr detyrën e lajmëtarit dhe ecën përpara duke bërtitur përpara se të arrijë gjykatësi, që do ta ndjekë me pamje të tmerrshme. Por, nëse meshtari nuk di të kryejë shërbesën e predikimit, ai, lajmëtar i shurdhër siç është, si do t’ia bëjë për të dëgjuar zërin e tij? Për këtë arsye Shpirti Shenjt u ul mbi barinjtë e parë në formën e gjuhëve, dhe i bëri menjëherë të aftë ta shpallnin ata që ai kishte mbushur.
Përgjigjja Ps 50, 15. 16-17
C E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit e fajtorët do të kthehen tek ti. * Gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
D Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
C Gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.