Shërbesa e leximeve

Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.

 

   Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,

   braktisur shtratin, ngrihemi:

   Neve, Atë, që ty të thërrasim

   na u gjend pranë të lutemi.

 

   Të parin ty këndoftë goja,

   ty të lakmoftë afshi i zemrës,

   ti, o i shenjtë, të jesh burimi

   për ndjekësit e tu ndër vepra.

 

   Terri t’ia lëshojë vendin dritës,

   dhe nata yllit të ditës,

   fajin që e sjell nata

   ta zbusë dhurata e dritës.

 

   Po ne lutësit të lypim

   na i fal të gjitha fajet,

   nga gojët që ty të këndojnë

   n’amshim të lavdërohesh.

 

   Na ruaj, Atë mëshirëploti

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.

 

   Hyjni, drita e amshueshme,

   në Trini e njësuar,

   Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,

   Ty nxehtësisht të lutemi.

 

   Besojmë Prindin e epërm,

   dhe të vetmin Bir të Atit,

   dhe Shpirtin që i bashkon

   lidhjet e dashurisë.

 

   O dashuri, o e vërteta,

   o qëllimi dhe mirësia,

   bëj të shpresojmë, të besojmë,

   na bëj të duam t’arrijmë.

 

   Ti je mbarimi e nisja,

   burimi i të gjitha sendeve,

   ti vetëm je ngushëllimi,

   shpresa e sigurt e besimtarëve.

 

   Vetëm ti i bën të tëra,

   veç ti u mjafton të gjithëve,

   për të gjithë je drita e vetme

   dhe çmimi i shpresëtarëve.

 

   Lusim Krishtin dhe Atin,

   e Krishtit e t’Atit Shpirtin;

   Trini, fuqia e vetme

   për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

   Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit

 

   Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

   I (1-6)

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

 

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:

   C unë jam Hyj, Hyji yt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 2, 1-15

 

   Nxitja në lutje.

 

   Fort i dashur, po të porosis, pra, më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, urata, falënderim për të gjithë njerëzit, për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të paqët në përkushtim të plotë dhe në mënyrë të denjë. Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t'ia arrijnë njohjes së vërtetës. Sepse,

   Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu ‑ Jezu Krishti,

   i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.

   Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull ‑ ju them të vërtetën, nuk rrej ‑ mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.

   Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.

   Gjithashtu dua që (edhe) gratë, të veshura si ka hije, të stolisen me turpshmëri dhe me urti, jo me gërsheta, me ar, me perla dhe me petka luksi, por, me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen përshpirtërisë.

   Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë. Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë as të sundojë burrin, por ‑ të rrijë në qetësi. Sepse i pari u krijua Adami, atëherë Eva. Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin. Dhe do të shëlbohet duke lindur fëmijë në qoftë se qëndron me urti në fe, në dashuri dhe në shenjtëri.

 

   Përgjigjja 1 Tim 2, 5-6; Heb 2, 17

 

   C Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu - Jezu Krishti, * ai e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.

   D U desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë i mëshirshëm:

   C ai e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga traktati “Kaini dhe Abeli” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Lib. 1, 9. 34. 38-39; CSEL 32, 369. 371-372)

 

   Duhet lutur në mënyrë të veçantë për të gjithë trupin e Kishës.

 

   “Kushtoji Hyjit fli falënderjeje dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua” (Ps 50 /49/, 14). Ai që i premton Hyjit dhe mban atë që i ka premtuar, e lavdëron. Prandaj është i privilegjuar ndër të tjerët ai samaritan i cili, i pastruar nga gërbula në sajë të urdhrit të Zotit së bashku me nëntë të tjerët, kthehet tek Krishti vetëm, madhëron Hyjin dhe e falënderon. Mbi këtë Jezusi pohoi: “A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?” (Lk 17, 18-19).

   Zoti të ka bërë të njohësh në mënyrë hyjnore mirësinë e Atit që di të japë gjëra të mira, që edhe ti t’i kërkosh atij, që është i mirë, atë që është e mirë. Ka porositur për tu lutur thellësisht dhe vazhdimisht, jo që lutja jonë të zgjatet deri në ngopje, por që të bëhet për një kohë të shkurtër dhe në mënyrë të rregullt. Në fakt lutja tepër e zgjatur shpesh bëhet mekanike, dhe nga ana tjetër shkëputja e tepruar sjell në neglizhencë.

   Kur kërkon falje për vete është pikërisht ai çasti në të cilin kujtohesh se duhet t’ua dhurosh të tjerëve. Kështu vepra do të jetë plotësuesja e lutjes sate. Edhe apostulli mëson se duhet lutur pa hidhërim dhe pa ngatërresa që lutja të mos turbullohet dhe të mos bëhet gënjeshtër. Mëson gjithashtu se duhet të lutesh në çdo vend (krh. 1 Tim 2, 8), atje ku Shëlbuesi thotë: “Hyr në dhomën tënde” (Mt 6, 6). Kuptohet jo në dhomë e kufizuar me mure ku mbyllet personi yt, por dhoma që është brenda teje ku janë të mbyllur mendimet e tua, ku banojnë ndjenjat e tua. Kjo dhomë e lutjes sate është me ty kudo, është e fshehur kudo që të shkosh, dhe në të nuk ka gjykatës tjetër përveç Hyjit.

   Të mësohet përsëri se duhet të lutesh në mënyrë krejtësisht të veçantë për popullin, për të gjitha gjymtyrët e nënës sate: në këtë gjë qëndron shenja e dashurisë së ndërsjelltë. Në fakt, nëse lutesh për vete, do të lutesh vetëm për interesin tënd. Dhe nëse njerëzit luten vetëm për vetveten, hiri është vetëm në përpjesëtim me lutjen e secilit, sipas dinjitetit të tij më të madh apo më të vogël. Nëse përkundrazi secili lutet për të gjithë, të gjithë luten për secilin dhe fitimi është më i madh.

   Pra, duke përfunduar, nëse lutesh vetëm për vete, do të lutesh për vete, por vetëm, siç kemi thënë. Nëse përkundrazi do të lutesh për të gjithë, të gjithë do të luten për ty. Sepse në tërësinë je edhe ti. Shpërblimi është më i madh, sepse lutjet e secilit të marra së bashku i nxjerrin secilit atë që kërkon i tërë populli. Në këtë nuk ka mendjemadhësi, por përvujtëri më të madhe dhe fryte më të mjaftueshme.

 

   Përgjigjja Ps 60, 2-3. 6

 

   C Vështroje, o Hyj, britmën time, dëgjoje uratën time! * Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë.

   D Sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd.

   C Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.