Shërbesa e leximeve
Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Pjesëtar i dritës atërore,
ai vetë dritë drite e ditë,
me këngë ne e thyejmë natën:
kërkuesve gjendu pranë.
Hiqi errësirat e mendjeve
zhduki turmat e djajve,
largo me forcë dremitjet,
mos t’ua kalojnë përtacëve.
Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
që në ty besojmë, mëshirona,
të jetë për dobi të lutësve,
që këndojmë duke prirë me këngë.
Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
me Atin të qoftë lavdia,
dhe me Shpirtin Ngushëllues,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Trini krejt e shenjtë,
që urdhëron çdo gjë që krijove,
ditën për punë caktove,
natës prehjen ia fale.
Si n’agim edhe në t’errur,
natë e ditë për ty këndojmë;
ti ne në lavdinë tënde
na ruaj në të gjitha kohët.
Pranë teje shtrirë për dhe
të adhurojmë si robër,
kushte e uratë të lutësve
bashko me himnet e qiellorëve.
Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit
Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti«, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).
I (2-11)
U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *
u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!
Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †
si shkrihet dylli përballë zjarrit, *
ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!
Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *
le të galdojnë e le të brohorasin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *
bëni udhë Atij që kalëron mbi re:
»Zot« është Emri i tij, *
vallëzoni në praninë e tij!
Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †
u hap të burgosurve derën e lirisë, *
kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.
O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *
kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:
trandej toka, qielli rigonte *
para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.
Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *
e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.
Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.
II (12-24)
Zoti shpall një lajm *
e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:
»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *
e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!
Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *
e pendlat e saj porsi ari i verdhë.
Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *
Selmoni zbardhonte me dëborë!«
Mali i Hyjit, mali Basan, *
mal i thepisur, mali Basan!
Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †
malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *
Zoti në të do të banojë gjithherë!
Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *
Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!
U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †
dhuratë njerëzit i more, *
që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.
Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *
Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.
Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *
e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!
Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *
butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.
Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *
do t’i kthej nga thellësia e detit,
që ta lash këmbën tënde në gjak, *
që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.
III (25-36)
U panë, o Hyj, procesionet e tua, *
procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:
Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *
në midis vashat duke u rënë defave!
»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *
bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«
Aty djaloshi Beniamin u prin, †
princat e Judës me togat e veta, *
princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!
Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *
përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,
prej Tempullit tënd në Jerusalem. *
Mbretërit le të sjellin dhurata!
Kërcënoju egërsirës së kallamit, †
lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *
le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;
shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †
Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *
Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!
Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *
këndoni Zotit, këndoni Hyjit,
që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *
Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:
»Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit!« †
Mbi Izraelin madhëria e tij, *
përmbi re fuqia e tij!
I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †
Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *
Qoftë bekuar Hyji!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.
D Do ta dëgjoj fjalën e Zotit:
C ai i flet për paqe popullit të vet.
Leximi i parë
Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 3, 1-16
Mbarështuesit e Kishës.
Fort i dashur, është plotësisht e vërtetë fjala: “Në qoftë se ndokush dëshiron të bëhet mbikëqyrës, dëshiron një punë të ndershme”. Por, veç, duhet që mbikëqyrësi të jetë i patëmetë, vetëm një herë i martuar, i përkormë, i arsyeshëm, i urtë, mikpritës, i aftë të mësojë, jo i prirë kah pija, jo mujshar. Përkundrazi, i butë, jo ngatërrestar, jo lakmues të të hollash, njeri që e udhëheq mirë shtëpinë e vet, që fëmijët e vet i mban nën drejtim me plot seriozitet ‑ [ sepse, po nuk diti ndokush ta udhëheqë familjen e vet, si do të dijë të kujdeset për Kishën e Hyjit?] ‑ të mos jetë posa i kthyer në fe, që të mos i rritet mendja e të bjerë në dënimin e djallit. Madje duhet të gëzojë zë të mirë edhe ndër ata të jashtmit, që të mos bëhet gazi i kujt dhe të bjerë në leqe të djallit.
Po kështu duhet të jenë edhe diakonat: të matur, jo mësalla me dy faqe, jo të dhënë tepër mbas verës, as lakmues fitese së ndytë, por asish që e ruajnë misterin e fesë në ndërgjegje të pastër. Më parë le të vihen në provë e, nëse të sprovuar, dalin të patëmetë, atëherë le ta kryejnë shërbesën.
Gjithashtu edhe gratë le të jenë të matura, jo shpifëse, por të përkorme dhe besnike në gjithçka.
Diakonat të jenë burra të një gruaje, t'i udhëheqin mirë fëmijët e vet dhe shtëpitë e veta. Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën e diakonit fitojnë shkallë të ndershme dhe siguri të madhe në fe që është në Krishtin Jezus.
Po t'i shkruaj të gjitha këto edhe pse shpresoj se për së shpejti do të vij te ti, por, në qoftë se do të vonoj, të dish si duhet të sillesh në Shtëpinë e Hyjit, që është Kisha e Hyjit të gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës. S'ka dyshim, i madh është misteri i përshpirtërisë:
Krishti u dëftua në natyrën e njeriut, u shfajësua me Shpirtin Shenjt, u vrojtua nga engjëjt, u predikua ndër paganë, u besua nga bota, u ngrit në lavdi.
Përgjigjja Krh. Vap 20, 28; 1 Kor 4, 2
C Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. * Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
D Prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.
C Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar të krishterëve të Tralës, e shën Injacit nga Antiokia, ipeshkëv e martir
(Nr. 1, 1 – 3, 2; 4, 1-2; 6, 1; 7, 1 – 8, 1; Funk, 1, 203-209)
Dua të ju paralajmëroj si bij shumë të dashur.
Injaci, i quajtur edhe Toefor, Kishës së shenjtë, të dashur nga Hyji, Ati i Jezu Krishtit, që gjendet në Trale në Azi dhe që, e zgjedhur nga Hyji dhe e denjë për të, ka paqe në trup dhe në shpirt falë mundimit të Jezu Krishtit, shpresës sonë, në pritje për t’u ringjallur në të. E përshëndes në plotësinë e Shpirtit, sipas zakonit apostolik, dhe i uroj çdo të mirë.
Di se tregoni ndjenja të palëkundshme dhe jeni të fortë në provë, jo për përfitim, por për një edukim që në ju është bërë tashmë i bashkënatyrshëm. Këtë ma ka thënë ipeshkvi juaj Polibi kur erdhi në Smirnë sipas vullnetit të Hyjit të Jezu Krishtit. Ai u gëzua me mua, i lidhur në zinxhirë për Jezu Krishtin, dhe unë kam mundur të kundroj në personin e tij të gjithë bashkësinë tuaj. Duke marrë nëpërmjet tij provën e dashamirësisë suaj sipas Hyjit, kam falënderuar Hyjin që ju kam gjetur, sikurse e dija tashmë, imitues të tij.
Në fakt i jeni nënshtruar ipeshkvit si Jezusit, e prandaj nuk jetoni sipas njerëzve, por sipas Jezu Krishtit që ka vdekur për ne. Duke besuar në vdekjen e tij, i ikni vdekjes. Sikurse tashmë jeni duke bërë, është e nevojshme që të mos bëni asgjë pa ipeshkvin dhe që t’i nënshtroheni edhe kolegjit të presbiterëve si t’i nënshtroheshit Jezu Krishtit, shpresës sonë, për t’u gjetur të bashkuar me të.
Është e nevojshme që edhe diakonat, në cilësi të mbarështuesve të mistereve të Jezu Krishtit, t’u pëlqejnë të gjithëve në çdo gjë: nuk janë mbarështues ushqimesh apo pijesh, por të Kishës së Hyjit, dhe për këtë arsye duhet të rrinë larg nga çdo faji si nga zjarri. Nga ana e tyre, të gjithë t’i respektojnë diakonat si Jezu Krishtin, të nderojnë në mënyrë të veçantë ipeshkvin, që është shëmbëllim i Atit, dhe presbiterit si kuvendi i Hyjit dhe asamble e apostujve. Pa këta nuk mund të flitet për Kishë.
Jam i sigurt se këto janë të dhënat tuaja për sa i përket kësaj çështjeje. Në personin e ipeshkvit tuaj kam gjetur dhe mbaj akoma me vete shëmbëllimin e dashurisë suaj: mënyra e tij e të sjellurit është një mësim i madh dhe ëmbëlsia e tij është forcë.
Hyji i shfaqet në shumë mënyra shpirtit tim, por jam i matur kur flas për këtë gjë që të mos birrem duke rënë në lavdi boshe. Pikërisht tani duhet të druhem më shumë, nuk e kam ndër mend t’u kushtoj vëmendje lavdërimeve. Ata që më lavdërojnë më frushkullojnë. Sigurisht, dëshiroj të vuaj, por nuk e di në jam i denjë. Padurimi im nuk u shfaqet shumë vetëve, por më torturon pa ndërprerje. Kam nevojë për përvujtëri, me anë të së cilës mundet princi i kësaj bote.
Ju përbej, jo unë, por dashuria e Jezu Krishtit: ushqehuni vetëm me doktrinën e shëndoshë e të krishterë dhe qëndroni larg nga çdo bar i huaj, siç është herezia. Kjo do të ndodhë nëse nuk do të fryheni me krenari dhe nëse nuk do të ndaheni nga Jezu Krishti Hyj, nga ipeshkvijtë dhe nga urdhrat e apostujve. Ai që rri brenda shenjtërores është i pastër; por ai që është përjashta, është i papastër. Me fjalë të tjera: kushdo që bën diçka pa ipeshkvin, kolegjin e presbiterëve dhe të diakonëve, nuk vepron me ndërgjegje të pastër.
Nuk është se i kam dalluar këto gjëra në ju: por po ju shkruaj për t’ju paralajmëruar, si bij shumë të dashur.
Përgjigjja Ef 4, 3-6; 1 Kor 3, 11
C Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm - sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. * Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim.
D Sepse askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.
C Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.