Shërbesa e leximeve
7 tetor, Shën Maria Virgjër e Rruzares
Përkujtim
Ky kremtim u themelua nga shën Piu V papë, në përvjetorin e fitores detare të korrur nga të krishterët në Lepanto në saje të ndihmës së të shenjtës Nënë të Zotit e thirrur si Zoja e Rruzares (1571). Ky përkujtim është nxitje për të gjithë për të medituar mbi misteret e Krishtit nën udhëheqjen e së lumes Virgjër Mari, e cila qe e lidhur në mënyrë krejt të veçantë me mishërimin, me mundimet dhe me lavdinë e ringjalljes së Birit të Hyjit.
Himni nga Përbashkorja (fq. 1497) ose nga psalteri, psalmet nga dita e psalterit, leximi i parë dhe përgjigja prej ditës Përkatëse të Kohës.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Toka deti e qielli,
nderojnë, adhurojnë e shpallin
atë që sundon tri botët,
e mbart në kraharor Maria.
Atë që i vijnë rreth ndër shekuj
hëna, dielli e të gjitha,
për hir të reshur të qiellit
Atë Virgjëra nën zemër bart.
E lumja Nënë e ndershme,
Ndërtuesi hyjnor i botës,
që mban në grusht tërë rruzullimin,
është mbyllur n’arkë të kraharorit.
Zëri i qiellit të bëri fatbardhë,
Shpirti i Hyjit të mbuloi,
prej teje na erdh Shpëtimtari,
që populli e dëshiroi.
Lavdi ty, o Jezus,
I lindur nga Virgjëra Mari,
me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë përherë n’amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
I (2-19)
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
brez pas brezi goja ime
do të shpallë besnikërinë tënde.
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
ata që i rrinë përreth.
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
Ti zotëron kreninë e detit, *
ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
Yti është qielli, jotja është Toka, *
ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
Krahu yt është plot fuqi, *
e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
Lum ai popull që di të brohorasë, *
që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
e do të mburret në drejtësinë tënde.
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
II (20-30)
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
»Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
e lartësova një djalosh nga populli.
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
të djathtën e tij përmbi lumenj.
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
më të madhin ndër mbretërit e tokës.
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej. –
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
fronin e tij porsi ditët e qiellit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
III (31-38)
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
po i shkelën urdhërimet e mia,
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
dëshmitare besnike mbi re.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë
C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.
Leximi i parë
Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 4, 1 - 5, 2
Ipeshkvi, mësues i doktrinës së shëndoshë dhe njeri i përshpirtshëm.
Fort i dashur, Shpirti Shenjt shpall botërisht se në kohën e fundit disa njerëz do t'i bien mohit fesë dhe do t'ju besojnë shpirtrave të rrejshëm dhe mësimeve të frymëzuara nga djajtë, të ngashënjyer nga hipokrizia e rrenacakëve me ndërgjegje të shënuar me hekur të skuqur, të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hahen ushqimet që Hyji i ka krijuar për t'i ngrënë me falënderim besimtarët që e njohin të vërtetën. Sepse gjithçka Hyji krijoi është e mirë dhe asgjë që merret me falënderim s'është për t'u hedhur, sepse e shenjtëron fjala e Hyjit dhe urata.
Në qoftë se ua mëson vëllezërve këto të vërteta do të jesh mbarështues i mirë i Krishtit Jezus, i ushqyer mirë me fjalë feje dhe me mësim të mirë që vazhdimisht e ndjek. Hiqu përrallave të shekullit e të plakave! Më mirë ushtroju në përshpirtëri! Vërtet, ushtrimi trupor pak ka vlerë, kurse përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës së tashme dhe të asaj së ardhshmes. Kjo fjalë është e denjë të besohet dhe të pranohet prej të gjithëve: prandaj vuajmë dhe luftojmë pse shpresojmë në Hyjin e gjallë që është Shëlbuesi i të gjithëve, sidomos i besimtarëve. Këto gjëra urdhëroj dhe mësoj!
Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëju shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastri! Deri të vij kushtoju Leximit, këshillimit dhe mësimit. Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në saje të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjiumit të pleqve. Kujdesohu për këto, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
Me plak mos ji i ashpër, por qortoje si ta kishe babë, të rinjtë porsi vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra ‑ me plot pastri.
Përgjigjja Krh. 1 Tim 4, 8. 10; 2, Kor 4, 9
C Përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës. Prandaj vuajmë dhe luftojmë * sepse shpresojmë në Hyjin e gjallë.
D Të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej-këndej po, por jo të rrëzuar,
C sepse shpresojmë në Hyjin e gjallë.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Bernardit, abat
(Fjal. “De aquaeductu”’ Opera omnia. Bot. Cisterc. 5 [1968] 282-283)
Duhet t’i meditojmë misteret e shëlbimit
Shenjti që do të lindë nga ti, do të quhet Biri i Hyjit (krh. Lk 1, 35), burim i urtisë, Fjala e Hyjit në qiejt më të lartë.
Fjala, o virgjër e shenjtë, do të bëhet mish nëpërmjet teje, ai që thotë: “Ati është në mua dhe unë në Atin” (Gjn 10, 38) do të thotë edhe: “Dola prej Atit dhe erdha në botë” (Gjn 16, 28).
Pra “Në fillim ishte Fjala”, do të thotë se që atëherë buronte nga burimi, por akoma vetëm në vetvete, sepse në fillim “Fjala ishte në Hyjin” (Gjn 1, 1), e banonte dritën e tij të paarritshme. Pastaj Hyji filloi të bëjë një plan: Unë bëj plane paqeje e jo fatkeqësie (krh. Jer 29, 11). Por plani i Hyjit mbetej pranë tij dhe ne nuk ishim në gjendje ta njihnim. Dhe vërtet: kush mund ta njohë mendimin e Zotit dhe kush mund t’i japë atij këshillë (krh. Rom 11, 24). Dhe atëherë mendimi i paqes zbriti në veprën e paqes: “Fjala u bë njeri, dhe banoi ndër ne” (Gjn 1, 14); erdhi që të banojë në mënyrë të veçantë në zemrat tona nëpërmjet fesë. U bë objekt i kujtesës sonë, i mendimit tonë dhe i vetë imagjinatës sonë.
Po mos të vinte ai në mesin tonë, çfarë ideje do të mund të kishim për Hyjin njeri, veçse atë të një idhulli, fryt të fantazisë?
Do të mbetej i pakuptueshëm dhe i paarritshëm, i papashëm dhe krejtësisht i paimagjinueshëm. Porse ai deshi që të kuptohej, deshi që t’mund të shihej, deshi që t’mund të imagjinohej. Ti do të thuash: Ku dhe kur bëhet për ne i pashëm? Pikërisht në grazhdin e Betlehemit, në kraharorin e Virgjërës, ndërsa predikon mbi mal, ndërsa e kalon natën në lutje, ndërsa është i varur në kryq dhe irnohet në vdekje, apo derisa, i lirë mes të vdekurve, urdhëron mbi ferrin, apo kur ringjallet të tretën ditë dhe u tregon apostujve vrragët e gozhdëve, si shenja fitoreje, dhe më në fund, ndërsa ngrihet në qiell para syve të tyre.
A thua nuk është gjë e drejtë, e përshpirtshme dhe e shenjtë të meditojmë të gjitha këto mistere? Kur mendja ime mendon për to, e gjen Hyjin, e ndjen atë që në gjithçka dhe për çdo gjë është Hyji im. Është pra urti e vërtetë të ndalemi mbi ato mistere në kundrim. Është veti e shpirtrave të ndriçuar të shkojnë prapë tek ato mistere për të mbushur zemrën e tyre me kujtesën e ëmbël të Krishtit.
Përgjigjja Krh. Lk 1, 42. 28
C Virgjër Mari, askush nuk është si ti ndër bijat e Jerusalemit: ti je nëna e Mbretit të tejetlartë, ti je Zonja e engjëjve dhe Mbretëresha e qiellit. * Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd.
D Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!
C Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd.
Lutja
Hirin tënd, o Zot, ndikoje në shpirtin tonë: ti me anë të engjëllit lajmërues na vure në dijeni për mishërimin e Birit tënd, bëj që, në sajë të mundimit e të kryqit të Krishtit e me ndërmjetësinë e shën Marisë Virgjër, t’ia arrijmë lumturisë së ngjalljes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.