Shërbesa e leximeve
Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E enjte
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nata e zezë mbulon ngjyrat
e çdo sendi të tokës:
duke u rrëfyer të lypim,
gjyqtar i drejtë i zemrave,
që të na shlyesh fajet
të na lash ndyrësinë e mendjes,
e të japësh, o Krisht, hirin
e të na shporren krimet.
Nga prapësitë mpihet mendja,
që e bren faji i dëmshëm;
lakmon të çrrënjosë t’errtat,
të kërkojë ty, Shëlbues.
Dëbo tymin e mjegullën
nga brenda sa më tepër,
të gëzohet duke u vendosur
në dritën e uruar.
Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Krisht, jepu shenjën, lutemi
shërbëtorëve të tu që luten,
kjo mbrapshti e shekullit
të mos na robërojë fenë.
Të mos mendojmë pa mëshirë,
të mos kemi smirë askënd,
të fyer të mos marrim hak,
me të mirë ta mundim të keqen.
Qoftë larg nga zemrat tona
mëri, mashtrim, kreni;
të marrë fund koprracia,
rrënja e gjithë të këqijave.
Të ruajë lidhjet e paqes
dashuria pa mashtrime;
pa njolla qoftë pastria
që vuan nga mizoria.
Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).
IV (39-46)
Por tani e flake dhe e përbuze, *
u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
në llom e hodhe kezën e tij.
I rrënove të tërë muret e tij, *
rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
e mbulove me poshtërim e turp.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
V (47-53)
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
flakë do të ndizet hidhërimi yt?
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
që me be ia premtove Davidit?
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
nga breznia në brezni.
Para se të lindnin malet, †
para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
»Kthehuni, bijtë e Adamit!«
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
janë si dita e djeshme që kaloi, *
porsi ndërresa e rojës së natës!
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
në mbrëmje korret edhe vyshket!
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
të përparojë vepra e duarve tona.
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;
C në dritën tënde ne e shohim dritën.
Leximi i parë
Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 5, 3-25
Të vejat dhe presbiterët.
Fort i dashur, vejushat nderoj ‑ ato që janë vërtet vejusha. Por, në qoftë se ndonjë vejushë ka fëmijë ose nipa, më së pari ata le të dinë të dëftojnë nderim ndaj familjes së vet, dhe t'ua kthejnë shpërblimin prindërve të vet, sepse kjo gjë i pëlqen Hyjit. Ajo që është vërtetisht vejushë ‑ krejtësisht e vetme: ajo e vë shpresën në Hyjin dhe jepet mbas lutjes dhe uratës natë e ditë; kurse, ajo që jepet mbas ëndjeve, edhe pse e gjallë, është e vdekur. Shi këto gjëra porositi që të jenë të patëmeta. Në qoftë se ndokush nuk është i kujdesshëm për të vetët, sidomos për anëtarët e familjes, i ka rënë mohit fesë dhe është më i keq se i pafeu.
Në regjistrin për vejusha të shkruhet vejusha jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, një herë e martuar, që ka dëshminë e veprave të mira: që i ka rritur fëmijët, që ka qenë mikpritëse, që u ka larë këmbët shenjtërve, që u ka ndihmuar nevojtarëve, që i është kushtuar çdo vepre së mirë. Vejushat më të reja mos i prano, sepse, kur epshi i largon prej Krishtit, kërkojnë të martohen. Po kështu meritojnë dënimin pse e shkelën besnikërinë e parë. Për më tepër, duke mos punuar, mësojnë të shëtisin shtëpi në shtëpi e janë, jo veçse të papuna, por edhe shpërhallëse, kureshtare dhe flasin çka s'lypet. Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen shtëpiake që të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak të flasë keq. Sepse tashmë disa i morën rrugët e djallit. Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka gra të veja, le t'u ndihmojë e të mos i bëhen barrë Kishës, që të mund t'u ndihmojë atyre që vërtet janë të veja.
Udhëheqësit që e kryejnë mirë parësinë në Kishë, meritojnë nderin e dyfishtë, sidomos ata që punojnë rreth fjalës së Hyjit dhe dhënies së mësimit. Sepse Shkrimi shenjt thotë: “Kaut që shin në lëmë, mos ia lidh gojën!” Edhe: “Punëtorit i takon paga e tij.” Padinë kundër udhëheqësit mos e prano veç në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. Fajtorët qortoj ndër sy të të gjithëve që të tremben edhe të tjerët. Po të lëshoj be para Hyjit, para Krishtit Jezus dhe para engjëjve të zgjedhur, që t'i mbahesh kësaj rregulle pa paragjykime dhe kurrë mos bëj gjë me krahmbajtje.
Askujt mos i vër duart me ngutësi! Mos u bëj pjesëtar në mëkate të huaja! Ruaje veten të pastër!
Mos pi më vetëm ujë, por pi nga pak verë për shkak të stomakut dhe të sëmundjeve të tua të shpeshta.
Mëkatet e disa njerëzve dalin në shesh edhe përpara gjyqit, kurse të disa të tjerëve pas gjyqit. Po ashtu edhe veprat e mira dalin në shesh; por edhe ato që janë ndryshe, nuk mund të mbesin të fshehta.
Përgjigjja Krh. Fil 1, 27; 2. 4. 5
C Jetoni në mënyrë të denjë për Ungjillin, luftoni të gjithë së bashku për fenë; * mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
D Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus,
C mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar të krishterëve të Filadelfit”, e shën Injacit nga Antiokia, ipeshkëv e martir
(Nr. 1, 1 – 2, 1; 3, 2-5; Funk, 1, 226-229)
Një i vetëm është ipeshkëv, me presbiterët dhe diakonat.
Injaci, i quajtur edhe Teofor, Kishës së Hyjit Atë dhe të Jezu Krishtit që gjendet në Filadelfi, në Azi, që është objekt i dashurisë së Hyjit dhe nga ai është e përforcuar në mirëkuptim, e mbushur me gëzimin e mundimit të Zotit tonë dhe, e sigurt në mënyrë të palëkundshme për ringjalljen e tij, gëzon çdo dhuratë të mëshirës hyjnore.
Unë e përshëndes në gjakun e Jezu Krishtit këtë Kishë që është gëzimi im i amshuar dhe i patëmetë, mbi të gjitha nëse janë të bashkuara të gjitha gjymtyrët e saj me ipeshkvin, me presbiterët dhe me diakonat, të zgjedhur sipas mendimit të Jezu Krishtit, dhe nga ai të përforcuar, sipas vullnetit të tij, me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë.
Di se ipeshkvi juaj nuk e ka marrë as nga vetja e vet dhe as nga njerëzit shërbesën që ushtron në shërbim të bashkësisë, as nga ambiciet e veta, por i është besuar për dashuri të Hyjit Atë dhe të Zotit Jezu Krisht. Kam mbetur i mahnitur nga dashamirësia e tij; me qetësinë e tij ai bën më shumë se sa ata që humbasin në fjalime të kota. Dëshirat hyjnore gjejnë në të një jehonë të përsosur si kordat zanore të cetres. Prandaj shpirti im kënaqet për ndjenjat e tij ndaj Hyjit, që e di se janë të virtytshme dhe të përsosura, dhe për qëndrueshmërinë e tij dhe përzemërsinë që janë pasqyrim i mirësisë së Hyjit të gjallë.
Ju, pra, bij të dritës dhe të së vërtetës, shmangni ndarjet dhe doktrinat e mbrapshta. Jini grigjë e drejtueshme dhe besnike, që ndjek kudo bariun e vet. Ata që i përkasin Hyjit dhe Jezu Krishtit janë të gjithë me ipeshkvin. Dhe ata që pendohen dhe kthehen në njësinë e Kishës, edhe ata do të jenë të Hyjit për të jetuar sipas Jezu Krishtit.
Mos u gënjeni, vëllezërit e mi, ai që ndjek një përçarës “nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit” (1 Kor 6, 10); ai që ecën në rrugën e herezisë nuk është në përputhje me mundimin e Krishtit.
Kujdesuni pra që të merrni pjesë në një Eukaristi të vetme, sepse s’ka tjetër veçse një mish të vetëm të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe një kelk të vetëm që na bashkon në gjakun e tij dhe një altar të vetëm, siç është një i vetëm ipeshkvi me kolegjin e presbiterëve dhe të diakonëve, shokë të mi të shërbesës. Silluni në atë mënyrë që, çdo gjë që të bëni, ta bëni sipas Hyjit.
Vëllezërit e mi, zemra ime gufon nga dashuria për ju dhe me gëzimin më të madh mundohem t’ju paralajmëroj, jo unë, por Jezu Krishti. Është e vërtetë se jam i lidhur me vargonj për të, por druajtja ime është bërë më e madhe sepse shoh se jam akoma i papërsosur. Lutja juaj do të më bëjë të përsosur përpara Hyjit. I besohem Ungjillit si mishit të Krishtit, qëndroj i bashkuar me kolegjin e presbiterëve si me atë të apostujve. Në këtë mënyrë do të mund të arrij trashëgiminë për të cilën më ka përcaktuar mëshira e Hyjit.
Përgjigjja Ef 2, 20. 22. 21
C Të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. * Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.
D Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin.
C Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.