Shërbesa e leximeve

Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen..

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tonë

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

   Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

   I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

   sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

   s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

   e valët po më mbulojnë.

 

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

   m’u tha krejtësisht gurmazi, *

   m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

   janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

   armiqtë e mi rrenacakë: *

   çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

   fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

   ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

   ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

   marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

   i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

   përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

   por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

   përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

   pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

   II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

   në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

   pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

   më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

   prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

   mos lejo të më përpijë thellësia, *

   të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

   shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

   sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

   për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

   marrjen time e »nderimin« tim: *

   para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

   prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

   ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

   e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

   më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

   do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

   më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

   kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

   s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

   detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

   Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

   aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

   në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   D Zoti na i mësoftë udhët e veta:

   C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 6, 1-10

 

   Shërbëtorët. Mësuesit e rrejshëm.

 

   Fort i dashur, ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le t'i çmojnë zotërinjtë e vet të denjë për çdo nderim që të mos shahet Emri i Hyjit dhe Mësimi. Ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, mos t'i çmojnë më pak për shkak se janë vëllezër, por le t'u shërbejnë edhe më tepër shi për arsye se ata që shërbehen prej tyre janë besimtarë dhe vëllezër të dashur.

   Këto gjëra mësoj dhe porositi!

   Në qoftë se ndokush mëson ndryshe dhe nuk i ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe mësimin që është në përkim me përshpirtëri, ai është i verbuar nga krenia, asgjë nuk kupton, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e rragatjes rreth fjalësh. Nga kjo rrjedh smira, grindja, fjalët fyese, dyshimet e këqija, ngatërresat e njerëzve të prishur në mend dhe që nuk janë në të vërtetën, që mendojnë se përshpirtëria është burim fitese. Vërtet, përshpirtëria është dobi e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka! Sepse në këtë botë nuk sollëm asgjë me vete dhe prej saj asgjë nuk do të marrim me vete. Këndej, në qoftë se kemi çka të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurth dhe në shumë prirje të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në rrënim dhe në bjerrje. Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave; për arsye të tij disa e lanë fenë dhe munduan vetveten me shumë vuajtje.

 

   Përgjigjja Mt 6, 25; 1 Tim 6, 8

 

   C Mos u brengosni për çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: * vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?

   D Në qoftë se kemi çka të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq,

   C vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Komonitori i parë” i shën Vinçencit nga Lerins, prift

   (Kap. 23; PL 50, 667-668)

 

   Zhvillimi i dogmës.

 

   Ndokush ndoshta mund ta pyesë veten: a nuk do të ketë ndonjë përparim në fenë e Kishës së Krishtit? Sigurisht se do të ketë, edhe shumë.

   Kush, në fakt mund të jetë aq armik i njerëzve dhe i ngurtë kundër Hyjit që të pengojë këtë gjë. Megjithatë duhet të kushtohet vëmendje e madhe që të bëhet fjalë për një përparim të vërtetë të fesë dhe jo për një ndryshim të saj. Përparimi i vërtetë ndodh nëpërmjet një zhvillimi të brendshëm. Përkundrazi, ndryshimi ndodh kur një doktrinë shndërrohet në një tjetër.

   Është, pra, e nevojshme që, me përparimin e kohërave të rritet dhe të përparojë sa më shumë që të jetë e mundur kuptimi, shkenca dhe dija qoftë e secilit, qoftë e të gjithëve, qoftë e një njeriu të vetëm, si edhe e mbarë Kishës. Porse duhet të mbeten gjithnjë i njëjtë lloji i mësimit, vetë doktrina, domethënia e saj dhe përmbajtja e saj. Feja e shpirtrave ndjek të njëjtat rregulla që ndjek jeta e trupave. Këta, edhe pse rriten dhe zhvillohen me kalimin e viteve, mbeten po ata që ishin më parë. Ka shumë ndryshim, sigurisht, ndërmjet lules së rinisë dhe korrjes së pleqërisë, por janë të njëjtët adoleshentë të një kohe ata që bëhen të vjetër. Ndryshojnë pra mosha dhe kushtet, por mbetet gjithmonë i njëjti individ. E njëjtë dhe identike mbetet natyra, i njëjtë dhe identik mbetet personi.

   Gjymtyrët e foshnjës janë të vogla, ndërsa më të mëdha janë ato të një të riu. Porse janë të njëjtat. Gjymtyrët e njeriut të pjekur nuk kanë më të njëjtat përmasa me ato të fëmijës. Megjithatë ata që ekzistojnë në një moshë më të pjekur ekzistonin tashmë, siç e dinë të gjithë, në embrion, kështu që për sa u përket pjesëve të trupit, në të pjekurit nuk dallohet asgjë e re që nuk ka qenë e pranishme në foshnjën, qoftë edhe në gjendjen embrionale.

   Për sa i përket kësaj nuk ka asnjë dyshim. Ky është ligji i vërtetë dhe i mirëfilltë i përparimit organik. Ky është rregulli i mrekullueshëm i paraparë nga natyra për çdo rritje. Në moshën e pjekur zhvillohet dhe rritet në forma më të zgjeruara gjithçka që dija e krijuesit kishte formuar më parë në trupin e vogël të të voglit. Po të ndërrohej me kalimin e kohës krejtësisht lloji njerëzor sa që të merrte një strukturë të ndryshme ose po të pasurohej me ndonjë gjymtyrë përveç atyre të zakonshmeve të mëparshme, apo sikur të humbte ndonjë, do të rridhte si pasojë se i gjithë organizmi do të dilte krejtësisht i ndryshuar ose i gjymtuar. Sidoqoftë nuk do të ishte më i njëjti.

   Edhe dogma e fesë së krishterë duhet të ndjekë këto ligje. Përparon, duke u përforcuar me kalimin e viteve, duke u zhvilluar me kalimin e kohës, duke u thelluar me moshën. Porse është e nevojshme që të mbetet gjithnjë absolutisht e paprekur dhe e pandryshuar.

   Paraardhësit tanë kanë mbjellë që në kohët e para në fushën e Kishës farën e fesë. Do të ishte absurde dhe e pabesueshme që ne, bijtë e tyre, në vend të së vërtetës së thjeshtë të drithit, të korrnim frytin e mashtrimit, domethënë të gabimit të barit të egjrës.

   Përkundrazi është e drejtë dhe krejtësisht e logjikshme të përjashtohet çdo kundërshtim ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Ne korrim të njëjtin drithë të së vërtetës që ka qenë mbjellë dhe që është rritur deri në pjekje.

   Meqë, pra, ka diçka nga mbjellja e parë që mund të zhvillohet akoma me kalimin e kohës, edhe sot ajo mund të jetë objekt kultivimi të lumtur dhe të frytshëm.

 

   Përgjigjja Lp 4, 1. 2; Gjn 6, 63

 

   C E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj. * Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë.

   D Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë.

   C Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.