Shërbesa e leximeve

Java e njëzeteshtatë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

 

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tij!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tij në thellësitë e detit.

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë. –

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Besnikëria jote, o Zot, është deri në re,

   C gjyqi yt, sikurse humnera e pafund.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut 6, 11-21

 

   Nxitja e fundit.

 

   Kurse ti, o njeriu i Hyjit, iku këtyre gjërave! Jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! [Të] Urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje Urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, I Lumi dhe i Vetmi Sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve,

   Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s'mund ta shohë.

   Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm!

   Amen!

   Atyre që në këtë shekullin e tashëm janë të pasur, urdhëroju të mos jenë krenarë dhe të mos e vënë shpresën e vet në pasurinë e pasigurt, por në Hyjin që na jep gjithçka me begati për ta gëzuar, le të bëjnë mirë, le të pasurohen me vepra të mira, le të jenë dorëdhënë për të mirën e përbashkët, duke grumbulluar kështu për vete kryegjë të mirë për të ardhmen që ta fitojnë jetën e vërtetë.

   Ruaj, o Timote, të vërtetat e fesë që t'u besuan! Shporru përrallave boshe dhe kundërshtimeve të një dijeje të rreme, që disa e rrëfyen dhe e borën fenë.

   Hiri qoftë me ju!

 

   Përgjigjja Krh. Kol 2, 6. 7; Mt 6 19-20

 

   C Sikurse e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në Të: të rrënjosur në të dhe të fortë ne fe sikurse qetë mësuar, * gjithherë përplot me falënderim.

   D Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë por mblidhni për vete visare në qiell.

   C Gjithherë përplot me falënderim.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Homelitë mbi ungjijtë” të shën Gregorit të Madh, papë

   (Pred. 17, 3. 14; PL 76, 1139-1140. 1146)

 

   Ndjejë përgjegjësie në shërbesë.

 

   Të dëgjojmë se çfarë thotë Zoti duke dërguar predikatarët: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta!” (Mt 9, 37-38).

   Për të korrat e mëdha punëtorët janë të pakët; nuk mund të flasim pa trishtim të thellë për këtë mangësi, sepse ka shumë njerëz që do ta dëgjonin Lajmin e gëzueshëm, por mungojnë predikuesit. Ja, bota është plot me priftërinj, e megjithatë rrallë gjendet ndokush që punon në të korrat e Zotit; kemi marrë zyrën priftërore, por nuk përmbushim detyrat që zyra na ngarkon.

   Përsiatni me vëmendje, vëllezër shumë të dashur, mbi atë që është shkruar: “Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta!” Lutuni ju për ne, që të jemi në gjendje të punojmë për ju siç duhet, që të mos zërë në thua gjuha për të bërë thirrje, dhe që heshtja jonë të mos na ndëshkojë pranë gjykatësit neve që kemi marrë zyrën e predikuesve. Shpesh gjuha e predikuesve humbet rrjedhshmërinë e saj për shkak të fajeve të tyre; nga ana tjetër shpesh u hiqet mundësia e predikimit për shkak të fajit të besimtarëve e atyre që janë në krye.

   Gjuha e predikatarëve pengohet nga mbrapshtia e tyre, sipas asaj që thotë psalmisti: “Mëkatarit Hyji i thotë: ‘Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time?” (Ps 50 /49/, 16).

   Të tjera herë zëri i predikatarëve pengohet për faj të besimtarëve, siç i thotë Zoti Ezekielit: “Unë do ta ngjis gjuhën tënde për qiellzë e do të mbetesh i pagojë dhe do të pushosh t’i qortosh, sepse është shtëpi mëkatare.” (Ez 3, 26). Me fjalë të tjera: Të hiqet nga goja fjala e predikimit, sepse populli nuk është i denjë të dëgjojë thirrjen e së vërtetës, ai popull që në veprimet e tij ngre krye kundër meje. Sidoqoftë nuk është gjithmonë e lehtë të merret vesh për faj të kujt i hiqet fjala predikatarit. Por dihet me siguri të plotë se heshtja e bariut i bën dëm nganjëherë atij vetë dhe gjithmonë besimtarëve që nga ai varen.

   Ka gjëra të tjera, vëllezër shumë të dashur, që më trishtojnë thellësisht mbi mënyrën e të jetuarit të barinjve. Dhe që të mos duket fyese për ndonjërin ajo që dua të them, akuzoj në të njëjtën kohë edhe veten time, edhe pse gjendem në këtë vend jo sepse e kam zgjedhur, por nga shtrëngimi i kohëve në të cilat jetojmë. Jemi zhytur në punë tokësore, dhe tjetër gjë është ajo që kemi marrë mbi vete me zyrën priftërore e tjetër gjë është ajo që tregojmë me fakte. Braktisim shërbesën e predikimit dhe thërritemi ipeshkvij, por ndoshta për dënimin tonë, duke qenë se kemi titullin e nderit dhe jo cilësitë. Ata që na kanë qenë besuar braktisin Hyjin dhe ne rrimë në heshtje. Lëngojnë në mëkate dhe ne nuk u shtrijmë dorën për t’i korrigjuar. Por si është e mundur që të merremi me jetën e të tjerëve nëse lëmë pas dore tonën? Të gjithë të drejtuar drejt punëve tokësore, aq më të pandjeshëm bëhemi përbrenda sa më të vëmendshëm dukemi ndaj punëve të jashtme. Pikërisht për këtë Kisha e shenjtë u thotë gjymtyrëve të saj të sëmura: “Më dërguan vreshtat t’i ruaj: vreshtin tim unë nuk e ruajta” (Kk 1, 6). Të caktuar për të ruajtur vreshtin, nuk e ruajmë aspak sepse, meqë jemi të zhytur në veprime të jashtme, lëmë pas dore shërbesën që do të duhej të përmbushnim.

 

   Përgjigjja Lk 10, 2; Ps 61, 9

 

   C Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! * Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta.

   D Shpreso në të gjithmonë, o popull, atij hapi zemrën.

   C Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.