Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhnueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjtë

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

   Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti

 

   I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).

 

   I (1-12)

 

Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *

   Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.

 

E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *

   për pak që nuk më lëshuan këmbët,

sepse ua pata lakmi krenarëve *

   duke parë mirëqenien e keqbërësve.

Sepse për ta vuajtje nuk ka, *

   shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.

Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *

   nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.

 

Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *

   e dhunën për petk që i mbulon.

Nga zemra e majme u kullon e keqja, *

   dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.

 

Përqeshin e dijekeqas flasin, *

   me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.

 

Vënë gojë edhe kundër qiellit, *

   gjuha e tyre e përshkon dheun.

Prandaj lart e vendosin veten *

   dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.

 

Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *

   A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«

Ja, këta janë mëkatarët: *

   gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

   II (13-20)

 

Atëherë thashë: »Vallë kot e paskësh ruajtur

   të pastër zemrën time *

   dhe në pafajësi i lava duart e mia,

kot e frushkullova veten përditë *

   duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«

 

Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *

   unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.

 

U mundova ta kuptoja këtë gjë: *

   porse disi mjerisht sytë m’u morën.

Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *

   atëherë pashë mbarimin e tyre.

 

Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *

   i lejon të shkojnë në rrënim.

 

Oh, sa me vrap mbaruan, *

   u zhdukën, mjerimi i përpiu!

Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *

   kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   III (21-28)

 

Kur shpirtin e kisha të trazuar, *

   mundohesha në brendinë e zemrës sime,

isha i marrë e nuk kuptoja, *

   isha bërë si bagëti para teje.

 

Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *

   sepse më more për dorën time të djathtë.

Ti do të më prish me këshillën tënde *

   për të më marrë pastaj me lumturi.

 

Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *

   Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!

 

Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *

   ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.

 

Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *

   ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.

 

Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *

   ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,

që t’i shpall të gjitha veprat e tua *

   në dyert e Qytetit Sion.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,

   C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Agjeut profet 2, 10-23

 

   Hyji shpall begati. Premtimet e bëra Zorobabelit.

 

   Më njëzet e nëntë të muajit të nëntë, në të dytin vit të Dariut, i qe drejtuar Agjeut profet kjo fjalë e Zotit:

   “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Pyeti priftërinjtë lidhur me Ligj e thuaj: 'Nëse ndokush mbart në kindin e petkut të vet mish të shuguruar e me kindin e petkut prek bukën, shujtën ose verën ose vajin ose çfarëdo ushqimi, a thua edhe këto do të bëhen të shuguruara?” Priftërinjtë i përgjigjën e thanë: “Jo!” Agjeu atëherë shtoi: “Po nëse dikush që u bë i papastër pse preku kufomën, i prek të gjitha këto, a do të bëhen të papastra?” Priftërinjtë përgjigjën e thanë: “Bëhen të papastra!” Atëherë Agjeu vazhdoi fjalën e tha: “I tillë është ky popull, i tillë është ky komb para syve të mi, thotë Zoti ‑ dhe e tillë është çdo punë e duarve të tija, madje edhe gjithçka që flijojnë këtu është e papastër.”

   Tash vërjani mendjen mirë prej ditës së sotme e në të ardhmen: Para se të vënit gur mbi gur në Tempullin e Zotit, në ç'gjendje ishit? I afroheshit grumbullit që kujtoshit se do të ketë njëzet masë grurë e kishte dhjetë, i afroheshit tinarit për të nxjerrë pesëdhjetë masë verë e kishte vetëm njëzet! Unë ju frushkullova me thatësi, vrug e me breshër të gjitha veprat e duarve tuaja, por prej jush nuk u gjet asnjë që të kthehet tek unë, thotë Zoti. Vërjani mendjen prej ditës së sotme e në të ardhmen, prej ditës së njëzetekatër të nëntit muaj, prej ditës në të cilën u shtinë themelet e Tempullit të Zotit, vërjani mendjen mirë, a ka më farë në grunar dhe ende vreshti, fiku, shega e ulliri nuk dhanë fryte? Por prej kësaj dite unë do t'i bekoj!”

   Fjala e Zotit i qe drejtuar edhe një herë të dytë Agjeut më njëzet e katër të këtij muaji: “Thuaj Zorobabelit, qeveritarit të Judës: Unë do t'i tund qiell e tokë, do t'i përmbys fronet e mbretërve, do ta asgjësoj fuqinë e mbretërve paganë, do t'i rrëzoi karrocat e luftës e luftëtarët në to, do të rrëzohen kuajt dhe kalorësit e tyre secili i shporuar me shpatën e të vëllait. Atë ditë, thotë Zoti i Ushtrive, do të marr ty, o Zorobabel, biri i Salatielit, shërbëtori im, thotë Zoti, e do të bëj vulë, sepse ty të zgjodha,” ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

 

   Përgjigjja Krh. Agj 2, 6. 9

 

   C Unë do ta tund qiellin e tokën; * dhe do të vijë ai që pritet prej mbarë kombeve.

   D Lavdia e kësaj Shtëpie do të jetë e madhe; e në këtë vend unë do ta dhuroj paqen;

   C dhe do të vijë ai që pritet prej mbarë kombeve.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga traktati “Kundër Fabianit” të shën Fulgjencit nga Ruspe, ipeshkëv

   (Kap. 28, 16-19; CCL 91 A, 813-814)

 

   Pjesëmarrja në trupin dhe në gjakun e Krishtit na shenjtëron.

 

   Duke ofruar flinë përmbushet ajo që ka urdhëruar vetë Shëlbuesi, siç dëshmohet edhe nga Pali. Ja se çfarë thotë Apostulli: “Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: ‘Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!’ Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: ‘Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!’ Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë” (1 Kor 11, 23-26).

   Prandaj flija ofrohet që të lajmërohet vdekja e Zotit dhe që të bëhet përkujtimi i tij, që për ne ka dhënë jetën e vet. Ai vetë, pastaj, thotë: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet” (Gjn 15, 13). Krishti ka vdekur për ne. Prandaj kur përkujtojmë vdekjen e tij, gjatë flijimit, thërrasim ardhjen e Shpirtit Shenjt – dhuratë e dashurisë. Lutja jonë kërkon po atë dashuri në saje të së cilës Krishti është denjuar të kryqëzohet për ne. Edhe ne, nëpërmjet hirit të Shpirtit Shenjt, mund të kryqëzohemi ndaj botës dhe bota ndaj nesh. Jemi të ftuar të imitojmë Krishtin. Ai për sa i përket vdekjes së tij, ka vdekur ndaj mëkatit një herë e përgjithmonë; tani, përkundrazi, për faktin që jeton, jeton për Hyjin. Kështu edhe ne ta quajmë veten të vdekur ndaj mëkatit, por të gjallë për Hyjin, në Krishtin Jezus (krh. Rom 6, 10-11). “Të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4) nëpërmjet dhuratës së dashurisë.

   “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5, 5). Ne marrim pjesë në trupin dhe në gjakun e Zotit, ne hamë bukën e tij dhe pimë kelkun e tij. Prandaj duhet të vdesim ndaj botës dhe duhet të çojmë një jetë të fshehur me Krishtin në Hyjin dhe të kryqëzojmë mishin tonë me veset dhe epshet e veta (krh. Kol 3, 3; Gal 5, 24).

   Të gjithë besimtarët që duan Hyjin dhe të afërmin, edhe pse nuk pinë kelkun e mundimit trupor, pinë megjithatë, kelkun e dashurisë së Zotit. Të dehur nga kjo mohojnë gjymtyrët e veta dhe, duke u veshur me Zotin Jezu Krisht, nuk përkujdesen për dëshirat e mishit dhe nuk e ngulin shikimin mbi gjërat që shihen, por në ato që nuk shihen. Kështu, ai që pi në kelkun e Zotit ruan dashurinë e shenjtë, pa të cilën asgjë nuk ka vlerë, as hedhja e vetvetes në flakë. Me anë të dhuratës së dashurisë na lejohet të jemi me të vërtetë ajo që mistikisht kremtojmë në mënyrë sakramentale në flijim.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 22, 19; Gjn 6, 58

 

   C Jezusi mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: Ky është korpi im që flijohet për ju; * bëjeni këtë në përkujtimin tim.

   D Kjo është buka që zbriti prej qiellit: kush ushqehet me këtë bukë, do të jetojë në amshim;

   C bëjeni këtë në përkujtimin tim.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.