Shërbesa e leximeve

Java Java e njëzetetetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

   Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,

   përherë në psalme thellë le të mendohemi

   me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit

   ëmbëlsisht himnet.

 

   Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,

   me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi

   n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku

   jetën e lume.

 

   E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume

   e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit

   të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,

   o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;

   prano premtimet e shërbëtorëve tu

   të përgjërohemi.

 

   Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë

   me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat

   e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha

   dëbo nga zemrat.

 

   Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,

   këputi prangat, laj papastërtitë,

   ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde

   ngre të rrëzuarit.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,

   dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,

   me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt

   nëpër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

   Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi

 

   Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).

 

   I (2-12)

 

O Zot, dëgjoje lutjen time *

   e britma ime le të mbërrijë tek ti.

 

Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *

   në ditën time të vështirë,

prire veshin tënd drejt meje: *

   kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!

 

Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *

   e eshtrat e mia po digjen si zjarri.

Zemra po më thahet si bari i kositur *

   e po harroj të ha edhe bukën time.

 

Prej gjëmave të mia të mëdha *

   u bëra asht e lëkurë.

U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *

   u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.

 

Rri zgjuar e rënkoj *

   porsi trumcaku qyqe vetëm mbi pullaz.

Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *

   kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.

 

Ha hi porsi bukë, *

   e pijen time e përziej me lot.

Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *

   sepse më lartësove e më mposhte.

 

Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *

   e unë u thava porsi bari.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.

 

   II (13-23)

 

Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *

   prej breznie në brezni Emri yt.

 

Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †

   ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *

   - shi tani është koha!

 

Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *

   e u dhembet edhe pluhuri i tij.

 

Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *

   të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.

Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *

   u dëftua në lavdinë e vet.

 

E mori parasysh lutjen e të vobektëve *

   dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.

Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *

   dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.

 

Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *

   nga qielli ai vrojton mbi tokë,

për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *

   për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,

 

që në Sion të shpallet Emri i Zotit *

   e lavdia e tij në Jerusalem,

kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *

   për t’u vënë në shërbimin e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.

 

   III (24-29)

 

Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *

   ditët m’i shkurtove.

 

Do të them: »Hyji im, †

   mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *

   vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.

 

Qysh në fillim themelove Tokën *

   edhe qielli është latim i duarve të tua.

 

Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †

   gjithçka do të vjetrohet si petku. *

   Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,

 

kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *

   - vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.

Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *

   pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.

 

   D Populli im, vërja veshin mësimit tim,

   C dëgjoji fjalët e gojës sime.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zakarisë profet 1, 1 – 2, 4

 

   Jerusalemi do të rindërtohet

 

   Kjo fjalë e Zotit i qe drejtuar në të tetin muaj, në të dytin vit të Dariut, Zakarisë profet, birit të Barakisë, të birit të Ados: “Zoti është zemëruar shumë kundër etërve tuaj. Prandaj, thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni kah unë ‑ thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. ‑ Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: 'Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.' Por, ata s'dëgjuan as s'qenë në kujdes për mua, thotë Zoti. Ku janë etërit tuaj? Po profetët a thua përgjithmonë do të jetojnë? Fjalët e mia e urdhrat që ua dhashë shërbëtorëve të mi profetëve, a thua, vallë, nuk u plotësuan mbi etërit tuaj? Ata u kthyen e thanë: 'Zoti i Ushtrive u soll me ne ashtu siç kishte vendosur të bëjë, sipas udhëve tona e mënyrës së sjelljes sonë.'“

   Kjo fjalë e Zotit i që drejtuar ditën e njëzetekatër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji Sabat, në vitin e dytë të Dariut, Zakarisë profet, birit të Barakisë, birit të Ados.

   Pata një vegim natën. Dhe, ja, një njeri mbi kalë të kuq. Qëndronte ndër merta që ishin në fund të luginës; pas tij ishin kuaj të kuq, të kuqërremtë e të bardhë. Unë pyeta: “Çka janë këta, Imzot?” Mu përgjigj engjëlli që fliste me mua: “Unë do të të dëftoj se çka janë këta.” U përgjigj ai burri që qëndronte ndër merta e tha: “Këta janë ata që Zoti i dërgoi ta marrin dheun në sy.” Ata iu drejtuan engjëllit të Zotit që qëndronte ndër merta e thanë: “E përshkuam tokën dhe, ja, mbarë toka është e banuar e në qetësi.”

   Atëherë mori fjalën engjëlli i Zotit e tha: “O Zoti i Ushtrive, deri kur nuk do të kesh dhimb për Jerusalemin e për qytetet e Judës, kundër të cilave je ndezur në hidhërim? Ky është tash i shtatëdhjeti vit!” Zoti iu përgjigj engjëllit që fliste me mua fjalë të mira, fjalë ngushëlluese. Atëherë engjëlli që fliste me mua, më tha: “Bërtit e thuaj: Kështu tha Zoti i Ushtrive: Kam një dashuri tejet ziliqare për Jerusalemin e për Sionin, dhe flakë jam ndezur në felgrim kundër kombeve krenare, sepse unë u hidhërova pak, e ata bashkëvepruan për së tepërmi në të keqe. Prandaj, kështu thotë Zoti: Po kthehem përsëri në Jerusalem me mëshirë. Në të do të ndërtohet Tempulli ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ dhe plumbçi do të shtrihet përsëri përmbi Jerusalem. Bëje edhe këtë shpallje: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Qytetet e mia prapë do të mbushen me të mira. Zoti prapë do ta ngushëllojë Sionin, përsëri do ta zgjedhë Jerusalemin!”

   Atëherë i lartësova sytë e, ja, pashë katër brirë. E pyeta engjëllin që fliste me mua: 'Çka janë këta?' Ai mu përgjigj: “Këta janë brirët që e shpërndanë Judën, Izraelin e Jerusalemin.” Atëherë Zoti më dëftoi edhe katër farkëtarë. Unë pyeta: 'Po këta çfarë erdhën të bëjnë?' Ai u përgjigj: “Ata janë brirët që e kanë shpërndarë Judën sa që asnjë të mos guxojë të çojë më krye. Këta erdhën t'i trembin e t'ua thyejnë brirët paganëve që e përdorën fuqinë e vet kundër Judës për ta shpërndarë.”

 

   Përgjigjja Krh. Zak 1, 16; Zb 21, 23

 

   C Po kthehem përsëri në Jerusalem me mëshirë. * Në të do të ndërtohet Tempulli im.

   D Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse llamba e tij është Qengji.

   C Në të do të ndërtohet Tempulli im.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Mësimet” e shën Kolombanit, abat

   (Instr. De compunctione, 12, 2-3: Opera, Dublin 1957, fq. 112-114)

 

   Dritë e përhershme në tempullin e kryepriftit të amshuar.

 

   Sa të lumë janë ata “shërbëtorë që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar” (Lk 12, 37). Zgjim me të vërtetë i lumë ai në të cilin pritet Hyji, krijuesi i gjithësisë, që gjithçka mbush dhe gjithçka tejkalon! Dashtë qielli që Zoti të denjohet të më shkundë edhe mua, shërbëtorin e tij të pavlerë, nga gjumi i mediokritetit tim dhe të më ndezë aq shumë me dashurinë e tij hyjnore sa të flakërohem me dashurinë e tij deri përmbi yje, kështu që të digjem nga dëshira për ta dashur gjithmonë e më shumë dhe mos u fiktë kurrë më në mua ky zjarr! Dashtë qielli që meritat e mia të jenë kaq të mëdha që pishtari im të shndrisë vazhdimisht gjatë natës në tempullin e Hyjit tim, për të ndriçuar kështu të gjithë ata që hyjnë në tempullin e Zotit tim! O Hyj atë, po të lutem në emrin e birit tënd Jezu Krishtit, më jep atë dashuri që nuk ligështohet kurrë, që të rrijë gjithmonë i ndezur pishtari im, që të mos shuhet kurrë, të digjet për mua, të shndrisë për të tjerët.

   Denjohu, o Krisht, Shëlbuesi jonë shumë i ëmbël, të ndezësh pishtarët tanë: të shndrisin vazhdimisht në tempullin tënd dhe u ushqefshin gjithmonë nga ti që je drita e amshuar; le të ndriçohen qoshet e errëta të shpirtit tonë dhe le të ikin nga ne mugujt e botës.

   Jepja pra, o Jezusi im, dritën tënde pishtarit tim, që në shkëlqimin e tij të më hapet shenjtërorja qiellore, shenjti i shenjtërve, që nën kupolat e tij madhështore të mikpret ty, meshtar i amshuar i flisë së përjetshme.

   Bëj që unë të të shikoj, kundroj dhe dëshiroj vetëm ty; vetëm ty të të dua dhe vetëm ty të të pres në dëshirën më të zjarrtë.

   Në pamjen e dashurisë dëshira ime u shoftë në ty dhe në praninë tënde pishtari im vazhdimisht shndrittë dhe u djegtë.

   Denjohu, o Shëlbuesi ynë i dashur, të na dëftohesh neve që po trokasim, që, duke të të njohur, të të duam vetëm ty, vetëm ty të të dëshirojmë, vetëm ty të të mendojmë vazhdimisht, të meditojmë ditë e natë fjalët e tua. Denjohu të vësh në ne një dashuri kaq të madhe siç të ka hije vetëm ty që je Hyj dhe të cilit i duhet kthyer, që dashuria jote të pushtojë qenien tonë të brendshme dhe të na bëjë krejtësisht të tutë. Në këtë mënyrë nuk do të jemi të aftë të duam dikë tjetër jashtë teje, që je i amshuar, dhe dashuria jonë nuk do të mund të shuhet nga ujërat e shumta të këtij qielli, të kësaj toke dhe të këtij deti, siç është shkruar: “Ujërat e mëdha dashurinë nuk mund ndalin” (Kk 8, 7).

   U vërtetoftë kjo gjë në sajë të hirit tënd, edhe për ne, o Zoti jonë Jezu Krisht, ti të cilit i takon lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Is 60, 19-20

 

   C Dielli nuk do të jetë më drita jote e ditës, as nuk do të të shndrisë më drita e hënës; * Zoti do të jetë për ty dritë e amshuar, Hyji yt do të jetë shkëlqimit yt.

   D Dielli yt nuk do të perëndojë më, as hëna më s’do të errësohet:

   C Zoti do të jetë për ty dritë e amshuar, Hyji yt do të jetë shkëlqimit yt.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.