Shërbesa e leximeve

Java Java e njëzetetetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijues i sendeve, ripërtritës jete,

   Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,

   ti lutjet tona e lavdërimet baras

   pranoji i ëmbël.

 

   Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet

   me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme

   e ne ringjall me harmoni t’përjetshme

   o autor i dritës.

 

   Na jep ne ditë me mirësi të mbara

   duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,

   që t’jetë përherë paprerë me vepra tona

   lavdia jote.

 

   Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet

   me zjarr hynor edhe na bëj syhapët,

   që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona

   llambat e ndezura.

 

   Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,

   dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,

   e në mbarë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt, Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,

   gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,

   që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja

   na ke shëlbuar.

 

   Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi

   ndër mendje tona, dhe besimit ktheji

   ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore

   kënaqësinë shtoja.

 

   Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,

   që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,

   na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar

   prej Selisë tënde.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,

   dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,

   me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë

   sundon ndër shekuj. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

   Psalmi 103 /102/ Himn mëshirës së Zotit

 

   Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë, na doli në pasi prej qiellit Dielli (Krh. Lk 1, 78).

 

   I (1-7)

 

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin, *

   e mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *

   Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit, *

   ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

 

me të mira t’i mbush vitet e tua: *

   do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.

 

Zoti bën veç vepra të mira, *

   u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *

   bijve të Izraelit veprat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

 

   II (8-16)

 

Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *

   i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë *

   as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

 

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *

   as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *

   aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.

 

Sa është lindja larg perëndimit *

   aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *

   ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *

   s’e harron se ne jemi pluhur.

Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *

   porsi lulja e fushës lulëzon,

 

sa e prek era e më s’është, *

   më s’e kujton as vendi i vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   III (17-22)

 

Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *

   e në amshim mbi ata që e druajnë

 

dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †

   mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *

   dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

 

Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *

   mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

 

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †

   ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *

   duke i dëgjuar urdhrat e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tij, *

   shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

 

Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †

   në çdo vend të sundimit të tij! *

   Shpirti im, bekoje Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.

 

   D Bëj që t’i kuptoj mësimet e tua:

   C do t’i meditoj mrekullitë e tua, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zakarisë profet 3, 1 - 4, 14

 

   Premtimi i bërë Zorobabelit princ dhe Jozuehut kryeprift.

 

   Zoti ma dëftoi Jezuan kryeprift në këmbë para engjëllit të Zotit. Në të djathtën e tij rrinte Satani për ta paditur.

   Engjëlli i Zotit i tha Satanit: “Të t'u kërcënoftë Zoti, o Satan! Të të mposhtë Zoti që e zgjodhi Jerusalemin! Pse a nuk është ky urë e nxjerrë nga zjarri?” Jezuai ishte i veshur me petka të ndyta dhe qëndronte në këmbë para engjëllit. Ky u tha atyre që qëndronin para tij: “Hiqjani petkat e ndyta!” Edhe vazhdoi dhe i tha atij: “Ja, e hoqa prej teje fajësinë; po të vesh me petka të linjta!” E vazhdoi: “Vërjani në kokë rizën e pastër!” Ata ia vunë rizën e pastër në kokë dhe e veshën me petka. Ndërkaq engjëlli i Zotit qëndronte në këmbë.

   Atëherë engjëlli i Zotit i tha Jezuait: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do ta zbatosh shërbesën time, ti do ta sundosh shtëpinë time, do jesh rojtari i tremeve të mia e do të bëj të rrish me këta që janë këtu pranë.”

   “Dëgjo, Jezua kryeprift i madh! Ti edhe miqtë e tu që rrinë përreth teje, sepse janë njerëz: shenjë parakallëzuese: Ja, pra, unë po e sjell shërbëtorin tim Pinjollin.

   Dhe, ja, gurin që po e vë para Jezuait: mbi këtë gur janë shtatë sy, dhe në të do ta zgavërroj mbishkrimin ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. E do ta zhduk në një ditë të vetme fajësinë e këtij vendi. Po se atë ditë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ secili do ta thërrasë mikun e vet nën hardhi e nën fik.”

   Atëherë u kthye engjëlli që fliste me mua dhe më zgjoi siç zgjohet njeriu nga gjumi. Ai më tha: “Çka sheh?” I përgjigja: “Ja, po shoh: ja, një shandan krejt prej ari dhe në majë të tij filtari, mbi të edhe shtatë dritëzat e tija e shtatë hinkat e dritëzave që janë mbi majën e tij. Përmbi të janë dy ullinj: njëri në të djathtën e filtarit e tjetri në të majtën e tij.”

   Unë vazhdova e i thashë engjëllit që fliste me mua: “Ç'do të thonë këto gjëra, Imzot?” Mu përgjigj engjëlli që fliste me mua e më tha: “Pse a nuk e di se çka janë këto?” I thashë: “Jo, Imzot!”

   Vazhdoi mandej e më tha: “Ja, fjala e Zotit për Zorobabelin: Jo me ushtri as me fuqi, por me shpirtin tim ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

   Çka je ti, o mal i madh? Para Zorobabelit rrafshinë do të bëhesh! Ai do ta nxjerrë gurin kryesor me brohoritje: Oh, sa i bukur!”

   Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Duart e Zorobabelit ia qitën themelet kësaj Shtëpie dhe duart e tija do t'i japin fund! E ju do ta merrni vesh se Zoti i Ushtrive më ka dërguar te ju. Kush guxoi ta përbuzë ditën e fillimeve të pakreni? Do të galdojnë kur ta shikojnë plumbçin në dorën e Zorobabelit! Ato shtatë dritëza janë sytë e Zotit që shqyrtojnë mbarë tokën!”

   Atëherë vetë e mora fjalën e pyeta: “Çka shënojnë këta dy ullinj në të djathtën e në të majtën e shandanit?” E mora fjalën të dytën herë e thashë: “Po çka janë ata dy gema ulliri që nëpër dy gypa të artë ndikojnë prej vetes ar?” Ai mu përgjigj: “Pse a nuk e di se çka janë ata?” Thashë: “Jo, Imzot!” Ai më tha: “Këta janë dy të shuguruarit që janë në shërbimin e Zotëruesit të mbarë tokës.”

 

   Përgjigjja Krh. Zb 11, 4. 3

 

   C Ata janë dy ullinj dhe dy shandanë * që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut.

   D Zoti do t’i dërgojë të profetizojnë dy dëshmitarët e tij,

   C që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Përgjigjet drejtuar Talasit” të shën Maksimit Rrëfyes, abat

   (Përgj. 63, PG 90, 667-670)

 

   Dritë që ndriçon çdo njeri.

 

   Llamba e vendosur mbi shandan është drita e Atit, ajo e vërteta, që shndrit çdo njeri që vjen në botë (krh. Gjn 1, 9). Është Zoti ynë? Jezu Krishti që, duke marrë nga ne mishin tonë, është bërë dhe qe quajtur llambë, domethënë dituri dhe fjalë e njënatyrshme me Atin. Është kjo llambë ajo që Kisha e Hyjit tregon me fe dhe dashuri në predikim dhe është ajo që mbahet lart dhe shkëlqen në sytë e popujve në jetën e shenjtë të besimtarëve dhe në sjelljen e tyre të frymëzuar nga urdhërimet. Ajo u bën dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi, domethënë të gjithë njerëzve të kësaj bote dhe për këtë arsye vetë fjala hyjnore thotë: “Nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi” (Mt 5, 15). Fjala e quan vetveten pishtar përderisa, duke qenë Hyj nga natyra, është bërë njeri për të shpërndarë dritën e tij.

   Edhe Davidi i madh e ka kuptuar gjithë këtë, mendoj, kur e ka quajtur Zotin pishtar duke thënë: “Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia” (Ps 119 /118/, 105). Në fakt Shëlbuesi im dhe Hyji im di t’i shpërndajë mugujt e padijes dhe të vesit, dhe për këtë Shkrimi e ka quajtur pishtar.

   Ai me fuqi dhe me dituri ka shpërbërë, siç bën dielli, çdo mjegull të injorancës dhe të vesit, dhe i udhëheq ata që ecin me të mbi udhën e drejtësisë dhe të urdhërimeve hyjnore.

   E ka quajtur Kishën e shenjtë pishtar, sepse në të shkëlqen fjala e Hyjit me anë të predikimit, dhe kështu, me shkëlqimet e së vërtetës, ndriçon ata që gjenden në botë si në një shtëpi, duke pasuruar mendjet me njohjen e Hyjit.

   Kjo fjalë e shpallur nga Kisha duhet vënë në majë të flakadanit, domethënë në kulmin e nderimit dhe të angazhimit që mund të arrijë Kisha. Në fakt, derisa fjala është e fshehur nga shkronja e ligjit si nën magje, i lë të gjithë pa dritën e amshuar. Ajo nuk mund të përçojë pamjen shpirtërore për atë që nuk lodhet për të hequr velin e kuptimit material që shpie në mashtrim dhe që mund të çojë deri edhe në gabim dhe gënjeshtër. Përkundrazi duhet vënë mbi flakadanin e Kishës. Kjo do të thotë se fjala e zbuluar duhet kuptuar në domethënien e brendshme dhe shpirtërore, e shpjeguar nga vetë Kisha. Vetëm kështu do të mund të ndriçojë me të vërtetë çdo njeri që gjendet në botë. Nëse Shkrimi nuk kuptohet shpirtërisht tregon vetëm një domethënie sipërfaqësore dhe të pjesshme dhe nuk e lejon substancën e saj aq të pasur të arrijë në zemra. Të kemi kujdes, pra, që të mos e vëmë pishtarin nën magje, atë pishtar që ndezim me anë të kundrimit dhe zbatimit koherent të fjalës, pra të mos e pengojmë atë energji të fuqishme që jep dritë dhe njohje. Të mos pakësojmë për fajin tonë gjallërinë e papërshkrueshme të diturisë për shkak të shkronjës; por ta vëmë pishtarin mbi flakadan, domethënë mbi Kishën e shenjtë, në mënyrë që nga maja e lartë e një interpretimi të vërtetë dhe të saktë, t’u shfaqë të gjithëve shkëlqimin e të vërtetave hyjnore.

 

   Përgjigjja Gjn 12, 35. 36; 9, 39

 

   C Ecni derisa të keni dritë, që të mos ju zërë terri. * Besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës.

   D Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër.

   C Besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.