Shërbesa e leximeve
15 tetor, Shën Tereza e Jezusit, virgjër dhe Mësuese e Kishës
Përkujtim
Lindi në Avila, në Spanjë, në vitin 1515. Kur hyri në Urdhrin e Karmelitaneve, bëri përparime të mëdha në rrugën e përsosmërisë dhe pati zbulime mistike. I kushtuar reformës së Urdhrit të saj, iu desh të përballonte shumë vuajtje, por ia doli fitimtare në gjithçka me guximin e saj të pathyeshëm. Shkroi edhe libra me doktrinë të thellë dhe fryt i përvojave të saj mistike. Vdiq në Alba de Tormes (Salamankë) më 4 tetor 1582. Pali VI më 27 shtator 1970 ia dha titullin e mësueses së Kishës.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, gëzimin dhe kurorën e virgjërave.
Ose:
Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kjo është dita, ku i bardhë
si pëllumbeshë, në qiej
ndër tempuj të shenjtëruar
flutroi shpirti i Terezës.
Dëgjoi zërat e dhëndrit:
“Motër, nga maja e Karmelit
eja n’gostinë e Qengjit;
n’kunorë të lumnisë eja”.
Ty, Jezus, dhëndri i virgjërave,
radhët e lume adhurofshin,
dhe me këngë martesore
lavdrofshin në gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi
Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:
C ma mëso urtinë, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Zakarisë profet 8, 1-17. 20-23
Shëlbimi i gjithëmbarshëm në Jerusalemin e ri.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
“Flakë jam ndezur me dashuri ziliqare për Sionin, digjem në të mirën e tij nga felgrimi.”
Kështu thotë Zoti: “Po kthehem në Sion, dua të banoj në Jerusalem. Jerusalemi do të quhet Qyteti i Besnikërisë e Mali i Zotit të Ushtrive Mali i Shenjtërisë.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Pleq e plaka prapë do të rrinë në sheshe të Jerusalemit: secili do ta ketë në dorë shkopin për shkak të moshës së thellë!
Sheshet e qytetit do të mbushen plot me meca e me cuca që do të luajnë nëpër tregjet e tija!
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Nëse kjo duket një gjë e vështirë për sytë e Tepricës së këtij populli për ato ditë, pse a do të jetë e vështirë edhe për sytë e mi? ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ja unë po shpëtoj popullin tim prej tokës së lindjes dhe prej tokës së perëndimit.
Do t'i kthej e do të banojnë në Jerusalem. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre në besnikëri e në drejtësi.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Le t'u forcohen duart tuaja ‑ të gjithëve, e ju që në këto ditë po i dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve, në këtë ditë kur u qitën themelet e Shtëpisë së Zotit të Ushtrive për rindërtimin e Tempullit!
Sepse, para këso dite, nuk i paguhej paga mëditësit, pagë nuk kishte as për kafshë, s'kishte paqe prej armikut për atë që hynte o dilte, prej të gjithë njerëzve hoqa dorë të bëjë secili çka të dojë kundër tjetrit!
Kurse tash, ndaj Tepricës së këtij populli, nuk do të jem si në ditë të mëparshme ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Por do të jetë fara e paqes: hardhia do të japë frytin e vet, edhe toka do ta japë prodhimin e vet. Pronare të të gjitha këtyre do ta bëj Tepricën e këtij populli.
Dhe sikurse ishit Mallkim ndër kombe, o shtëpi e Judës e shtëpia e Izraelit, po ashtu do t'ju shpëtoj e do të jeni Bekim. Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Sikurse vendosa t'ju ndëshkoj, kur më kanë bërë të zemërohem etërit tuaj ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑, dhe nuk pata mëshirë, po ashtu, i kthyer, vendosa në këto ditë, ta bekoj Jerusalemin dhe shtëpinë e Judës: mos kini frikë!
Ja, pra, se çka ju duhet të bëni: thoni të vërtetën secili vëllait të vet dhe gjykoni drejtësisht në dyert tuaja. Askush në zemrën e vet të mos ia mendojë të keqen mikut të vet dhe mos e doni përbetimin në rrenë: për të vërtetë unë i urrej të gjitha këto” ‑ thotë Zoti.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: “Edhe popuj të tjerë do të vijnë dhe banorë të shumë qyteteve. Banorët e një qyteti do të shkojnë në një tjetër e do të thonë: 'Të shkojmë të lutemi para fytyrës së Zotit e ta kërkojmë Zotin e Ushtrive! Po shkoj edhe vetë!'
Kështu do të vijnë shumë popuj e kombe të forta për ta kërkuar Zotin e Ushtrive në Jerusalem e për t'u lutur para fytyrës së Zotit.
Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Në ato ditë do ta kapin për kindit të petkut dhjetë vetë prej çdo gjuhe të kombeve, do ta kapin hebreun e do t'i thonë: “Po vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Hyji është me ju.'“
Përgjigjja Krh. Zak 8, 7. 9; Vap 3, 25
C Ja, unë po shpëtoj popullin tim prej tokës së lindjes dhe prej tokës së perëndimit. * Le t’ju forcohen duart tuaja nëpërmjet fjalëve të profetit.
D Ju jeni bij profetësh dhe bij të Besëlidhjes që Hyji bëri me etërit tuaj.
C Le t’ju forcohen duart tuaja nëpërmjet fjalëve të profetit.
Nga “Veprat” i shën Terezës së Krishtit, virgjër
(Lib. “Libri i Jetës”, kap. 22, 6-7, 14)
Ta kujtojmë gjithmonë dashurinë e Krishtit
Ai që e ka mik Jezu Krishtin dhe shkon pas një kapiteni kaq zemërmadh siç është ai, vërtet mund të durojë çdo gjë: Jezusi ndihmon dhe jep fuqi, nuk tradhton kurrë dhe dashuron me sinqeritet. Në të vërtet, Hyji gjithmonë e ka pranuar edhe tani e shohim shumë qartë se nuk mund t’i pëlqejmë atij dhe të marrim nga ai hire të mëdha, veçse nëpërmjet duarve të njerëzimit tejet të shenjtë të Krishtit, për të cilin ai ka thënë se e ka për zemër.
Shumë herë e kam bërë këtë përvojë, dhe ma ka thënë vetë Zoti. E kam parë shumë qartë se duhet të kalojmë nëpërmjet kësaj dere, nëse dëshirojmë që Madhëria më e lartë të na tregojë fshehtësitë e saj të mëdha. Nuk duhet kërkuar rrugë tjetër, edhe nëse është arritur kulmi i kundrimit, sepse nëpërmjet kësaj udhe jemi të sigurt. Nëpërmjet atij, që është Zoti ynë, na vijnë të gjitha të mirat. Ai do të na mësojë.
Duke medituar jetën e tij, nuk do të gjendet shembull më i përsosur. Çfarë mund të dëshirojmë më shumë, kur për krah nesh kemi një mik kaq të mirë i cili nuk na braktis kurrë në vuajtje dhe në fatkeqësi, siç bëjnë miqtë tokësor? Lum ai që e do me të vërtetë dhe e ka gjithmonë me vete! Ta shohim Palin apostullin e lavdishëm i cili nuk mund të bënte ndryshe veçse të kishte gjithnjë në gojën e tij emrin e Jezusit, sepse e kishte të ngulitur thellë në zemër. Duke njohur këtë të vërtetë, kam marrë parasysh dhe kam kuptuar se disa shenjtër shumë kundrues, si Françesku, Antoni i Padovës, Bernardi, Katerina e Sienes, nuk kanë ndjekur rrugë tjetër. Duhet kaluar këtë udhë me liri të madhe, duke u braktisur në duart e Hyjit. Nëse ai dëshiron të na ngrejë mes princave të oborrit të tij, e pranojmë me shumë gëzim atë hir.
Çdo herë që mendojmë për Krishtin le të na bjerë ndër mend dashuria që e ka shtyrë të na dhurojë aq shumë hire dhe dashuria e zjarrtë e Hyjit që na e ka treguar duke na e dhënë në të një shenjë të butësisë me të cilën na përcjell: vërtet dashuria kërkon dashuri. Për këtë arsye të mundohemi të kemi parasysh këtë të vërtetë dhe ta nxisim veten për të dashur. Po të na e dhuronte Zoti një herë hirin që të ngulisnim në zemër këtë dashuri, gjithçka do të na ishte e lehtë dhe do të bënim shumë, në një kohë të shkurtër dhe pa shumë mund.
Përgjigjja Krh. Ps 73 /72/, 27. 28; 1 Kor 6, 17
C Ja, do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, o Zot. * E mira ime është të qëndroj në praninë e Hyji: në të e vura shpresën time.
D Ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt.
C E mira ime është të qëndroj në praninë e Hyji: në të e vura shpresën time.
O Hyj, ti me frymëzimin e Shpirtit tënd e mësove shën Terezën të tregojë në Kishën tënde një udhë të re përsosmërie, bëj që edhe ne të gjejmë në mësimin e saj ushqimin shpirtëror e të ndizemi flakë nga dëshira e shenjtërisë së vërtetë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.