Shërbesa e leximeve
17 tetor, Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
Përkujtim
Injaci qe pasardhësi i Pjetrit si ipeshkëv i Kishës së Antiokisë. I dënuar në panairet e cirkut, u dërgua në Romë dhe aty pësoi martirizimin e lavdishëm në vitin 107. Gjatë udhëtimit shkroi shtatë letra kishave të ndryshme. Në këto shkrime gjenden të dhëna të rëndësishme mbi organizimin e Kishës dhe mbi parimet themelore të jetës së krishterë. Përkujtimi i tij nderohej në këtë ditë në Antioki deri në shekullin IV.
Nga Përbashkorja e martirëve (fq. 1563) ose e barinjve (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Martir, bëje të lumtur
ditën tënde të ngadhënjimit,
që ty fitues të jepet
shpërblim kurora e gjakut.
Me këtë nga errësira e shekullit
xhelat mposhte e gjykatës,
ky t’ ngriti n’ qiell e ditët
triumfues n’ Krishtin t’i bëri.
Tashti pjesëtar me engjëjt
shkëlqen me rrobë të shquar,
që dëshmues i pamposhtur
në përrenj gjaku e lave.
Tash më rri pranë e lutu,
që Krishti i qetë ndaj t’vetve
ta kthejë veshin mëshirues,
mos t’i njehë gjitha fajet.
Paksa këtu depërton
nga Krishti lyp mbështetje,
që shqiset e rënduara
të ndiejnë lehtësinë e faljes.
Atit dhe Birit nderi
bashkë me Shpirtin jetëdhënës,
ty kurorë t’përjetshme
të vënë n’ treme t’ lumturisë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«
Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë
C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.
Leximi i parë
Prej librit të Malakisë profet 3, 1-24
Dita e Zotit.
Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Kush do t'i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t'i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan! Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t'i pastrojë bijtë e Levit dhe do t'i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t'ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë. Atëherë do t'i pëlqejë Zotit flija e Judës dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para. Do t'ju afrohem në gjyq e do të jem dëshmitar i gatshëm kundër dijetarëve, kurorëshkelësve, beshtrembërve dhe kundër atyre që ndrydhin mëditësin, vejushat e jetimët, kundër atyre që ua hanë të drejtat shtegtarëve e që nuk mu druajnë mua ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Unë jam Zoti, unë nuk ndërrohem, kurse ju, bijtë e Jakobit, s'dini t'i jepni fund!
Që prej kohëve të etërve tuaj u larguat urdhërimeve të mia, dhe nuk i mbajtët! Kthehuni tek unë e unë do të kthehem kah ju ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Ju thoni: “E si të kthehemi?
Pse, njeriu mund ta gënjejë Hyjin? E ju, pra, më hoqët dredhi!
Ju thoni: “Si të hoqëm dredhi?” ‑ Në të dhjeta e në fryte të para!
Të mallkuar jeni me mallkim sepse më bëni bracni mbarë kombi pa dallim.
Silleni mbarë të dhjetën në drithnik që të ketë ushqime në Shtëpinë time; atëherë, në daçi, më vëni në provë në këtë ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ pale a do t'jua çel ujëvarat e qiellit e a do t'jua zbraz bekimin me mbushulli!
Do ta kërcënoj në të mirën tuaj karkalecin e s'do ta dëmtojë frytin e tokës, e hardhia s'do t'ju jetë e pafrytshme në vresht ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Mbarë popujt do t'ju shpallin të lumtur, sepse do të jeni vend i kënaqave ‑ thotë Zoti i Ushtrive.”
“Të rënda janë fjalët tuaja kundër meje, thotë Zoti.
Ju thoni: 'Po çfarë kemi thënë ne kundër teje' ‑ Ju thoni: 'Është punë e kotë t'i shërbehet Hyjit dhe çfarë fitojmë ne pse i mbajtëm urdhërimet e tija e kemi ecur të trishtuar para Zotit të Ushtrive? Qe tash të lumtur do t'i quajmë krenarët; për së mbari po u shkon gjithçka atyre që bëjnë keq; ata e vënë Zotin në provë e gjë s'i gjen.' Atëherë folën njëri me tjetrin të devotshmit e Zotit. Zotynë ua vuri veshin e i dëgjoi: u shkrua një libër përkujtimor para tij në të mirën e atyre që e druan Zotin e që e nderojnë Emrin e tij.
Ata do të bëhen ditën që unë po e bëj gati ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ prona ime. Unë do t'i përdëllej siç e fal njeriu djalin e vet që i shërben. Atëherë do ta shihni ndryshimin ndërmjet të drejtit e të patenzonit, ndërmjet atij që i shërben Zotit e atij që nuk i shërben.
Dhe, ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t'i djegë Dita që po vjen ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ e s'do t'u lërë as rrënjë as gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t'ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullosë! Do të shkelni përmbi mëkatarë, sepse do të jenë pluhur për këmbët tuaja atë ditë që po e bëj gati ‑ thotë Zoti i Ushtrive.”
“Kujtojeni Ligjin e Moisiut, shërbëtorit” tim, të cilit i dhashë për mbarë Izraelin në Horeb urdhërimet edhe ligjet.
Dhe qe, unë do t'ju dërgoj Elinë profet para se të vijë Dita e Zotit e madhe edhe e tmerrshme.
Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë e zemrat e bijve kah etërit e tyre, që kur të vij, të mos e godas vendin me mallkim!”
Përgjigjja Krh. Mal 3, 1; Lk 1, 76
C Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do të bëjë gati udhën para meje. * Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi.
D E ti, o djalosh, do të quhesh profeti i Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët.
C Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi.
Leximi i dytë
Nga “Letra drejtuar Romakëve” i shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
(Kap. 4, 1-2; 6, 1 – 8, 3; Funk, 1, 217-223)
Jam gruri i Hyjit: do të bluhem nga dhëmbët e bishave të egra
Po u shkruaj të gjitha kishave, dhe të gjithëve ju shpalli se do të vdes me plot dëshirë për Hyjin, nëse ju nuk do të ma ndaloni. Ju përgjërohem, mos më tregoni një dashamirësi të pavend. Leni që unë të jem ushqim për bishat e egra, nëpërmjet të të cilave mu dhëntë mundësia të arrij Hyjin. Jam gruri i Hyjit, do të bluhem nga dhëmbët e bishave të egra për t’u bërë bukë e pastër e Krishtit. Luteni me plot afsh Krishtin për mua, që nëpërmjet këtyre bishave të egra unë të mund të bëhem hoste për Zotin.
Asgjë nuk do të më vlejnë shijimet e kësaj bote dhe mbretëritë e kësaj toke. Është më mirë për mua të vdes për Jezu Krishtin se sa të zgjeroj mbretërinë time deri në fund të botës. Unë e kërkoj atë që ka vdekur për ne, e dua atë që për ne është ringjallur. Është i afërt çasti i lindjes sime.
Kini mëshirë për mua, vëllezër. Mos më pengoni të jetoj, mos dëshironi që unë të vdes. Mos e lini në duar të botës dhe të tundimeve të materies atë që ka dëshirë të jetë i Hyjit. Lejoni që unë të arrij dritën e pastër; me të arritur atje, do të jem vërtet një njeri. Më lejoni ta imitoj mundimin e Hyjit tim. Nëse ndokush e ka në vete, le të kuptojë atë që unë dëshiroj dhe le të ketë mëshirë për mua, duke menduar ankthin që më shtyp.
Princi i kësaj bote dëshiron të më marrë tek vetja dhe t’ia zë frymën prirjes sime drejt Hyjit. Askush prej jush mos t’i ndihmojë; por në të kundërtën, jini në anën time, që do të thotë në anën e Hyjit. Ju nuk jeni prej atyre që e dëshmojnë Jezu Krishtin dhe prapë e duan botën. Mos gjetshin vend në ju ndjenja jo të mira. Edhe nëse do t’ju përbehem kur të jem në mesin tuaj, ju mos ia vini veshin fjalëve të mia: besojini më mirë gjërave që po ju shkruaj tani që kam pronësinë e plotë të jetës sime. Po ju shkruaj se dëshiroj të vdes.
Çdo dëshirë tokësore është kryqëzuar dhe në mua nuk ka asnjë prirje për realitetet materiale, por një ujë i gjallë ulërin brenda meje dhe më thotë: “Eja tek Ati”. Nuk gëzohem më me ushqime të shkatërrueshme, as me kënaqësi të kësaj jete. E dua bukën e Hyjit, që është mishi i Jezu Krishtit, nga fisi i Davidit; për pije dua gjakun e tij që është dashuria e pashkatërrueshme.
Nuk dua ta jetoj më jetën tokësore. Dëshira ime do të realizohet nëse dëshironi ju. Duajeni këtë gjë, ju lutem, që edhe ju të mund të gjeni dashamirësi. Po jua kërkoj me pak fjalë: më besoni. Jezu Krishti do të bëjë që të kuptoni se unë po e them të vërtetën: ai është goja e së vërtetës nëpërmjet së cilës Ati ka folur në të Vërtetën. Kërkoni që edhe unë të mund ta arrij atë. Nuk po ju shkruaj sipas mishit, por sipas mendimeve të Hyjit. Nëse do të pësoj martirizimin, kjo do të thotë se ju më keni dashur shumë. Nëse do të lirohem, do të jetë shenjë se më keni urryer.
Përgjigjja
C Asgjë nuk është e fshehur për shpirtin tuaj, nëse do të keni në plotësi fenë dhe dashurinë e Krishtit. * Feja është fillimi, dashuria plotësimi.
D Me përvujtëri dhe zemërbutësi të Ungjillit rilindni në fe, që është mishi i Zotit, dhe në dashuri, që është gjaku i Jezu Krishtit.
C Feja është fillimi, dashuria plotësimi.
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti e stolis Kishën, trupin mistik të Krishtit, me dëshminë e martirëve të shenjtë, bëj që mundimi i lavdishëm, i cili i meritoi shën Injacit kurorën e pavdekësisë, të jetë edhe për ne burim qëndrese në fe. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.