Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut
Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
e nuk rri së bashku me përqeshës,
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar
Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton: –
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan
Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
»As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
bekimi yt mbi popullin tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;
C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.
Leximi i parë
Prej librit të Esterës 1, 1-3. 9-13. 15-16. 19; 2, 5-10. 16-17
Largimi i mbretëreshës Vasti dhe zgjedhja e Esterës si mbretëreshë.
Ndodhi në kohën e Asuerit, që sundoi nga India në Etiopi, mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina. Në këtë kohë, derisa qëndronte në fronin e mbretërisë së vet në qytezën Suzë, në vitin e tretë të mbretërimit të vet, përgatiti një gosti të madhe për të gjithë zyrtarët e lartë, shërbëtorët, oficerët e ushtrisë së persianëve e të medëve, për bujarët e qeveritarët e krahinave,
Po ashtu edhe mbretëresha Vasti bëri një gosti për gra në pallatin e mbretit, aty ku mbreti zakonisht banonte.
Në ditën e shtatë, mbreti, plotë qejf nga vera e shumtë që kishte pirë, i urdhëroi Maumanit, Bazatës, Harbonës, Bagatës, Abgatës, Zetarit e Harhasit, shtatë eunukëve që ishin në shërbim të tij personal, ta sillnin para tij mbretëreshën Vasti, me kurorën e mbretëreshës në krye, sepse donte t'ua tregonte të gjithë popujve e të gjithë prijësve bukurinë e saj: sepse vërtetë ishte shumë e bukur.
Por ajo nuk pranoi dhe, duke e përbuzur urdhrin e mbretit, të dërguar me anë të eunukëve, kundërshtoi të vijë. Mbreti, prandaj, i hidhëruar aq shumë, i pyeti të dijshmit, ata që i njohin kohërat ‑ gjithçka bënte sipas këshillave të njohësve të ligjit e të dokeve të të parëve
Mbreti i pyeti: “Sipas ligjit çfarë duhet të bëhet me mbretëreshën Vasti, e cila nuk e dëgjoi urdhrin e mbretit Asuer që ia çoi me anë të eunukëve?”
Mamukani u përgjigj në praninë e mbretit e të princërve: “Mbretëresha Vasti kështu nuk e ka fyer vetëm mbretin, por edhe të gjithë princërit dhe popujt e të gjitha krahinave të mbretit Asuer.
Nëse, ty, o mbret të pëlqen, nxirre një ligj që do të ishte një nga ligjet e persianëve e të medëve, nga ato që nuk mund të ndryshohen, që Vasti kurrë më të mos dalë pranë mbretit dhe mbretëreshë le të bëhet një tjetër që është më e mirë se ajo. Ky urdhër le të shpallet në mbarë perandorinë tënde që është tejet e madhe, pra në të gjitha krahinat. Kështu të gjitha gratë do t'i nderojnë burrat e vet qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël.”
Në qytetin Suzë ishte një njeri që quhej Mardoke, çifut, biri i Jairit të Semejit të Cisit, nga fisi i Beniaminit. Ky qe tretur bashkë me të robëruarit të tjerë nga Jerusalemi, të cilët qenë tretur me Jekoninë, mbretin e Judës, që e shpërnguli Nabukodonozori, mbreti i Babilonit. Mardokeu e rriti bijën e ungjit të vet Edisën, e cila ndryshe quhet Esterë. Kjo kishte mbetur bonjake pa nënë e pa babë. Ishte e bukur dhe e pashme. Mardokeu e bëri bijë në shpirt.
Si u shpall urdhri i mbretit, sipas urdhrit të tij, u sollën shumë vajza të bukura në Suzë, të gjitha virgjëra. I qenë dorëzuar Egjeut. Po ashtu qe dorëzuar edhe Estera në shtëpinë e mbretit në duar të Egjeut, rojtarit të grave. Vajza i pëlqeu dhe gjeti hir para syve të tij dhe u kujdesua menjëherë t'i japë çka i nevojitej për zbukurim e ushqim. Ia dha pjesët që i takonin si dhe shtatë femra shumë të bukura nga shtëpia mbretërore edhe atë, bashkë me përcjellëset e saja, e kaloi në pjesën më të mirë të shtëpisë së grave.
Estera nuk i kishte treguar as për popullin as fisin të cilit i përkiste, sepse Mardokeu i kishte urdhëruar të mos fliste për këtë gjë assesi.
Kështu pra, qe sjellë në dhomën e mbretit Asuer në muajin e dhjetë, që quhet Tebet, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij. Mbretit i pëlqeu më tepër se të gjitha femrat e tjera; ajo gjeti hir e përkrahje tek ai më shumë se të gjitha të tjerat. Mbreti ia vuri mbi kokë kurorën e mbretëreshës dhe kështu e bëri mbretëreshë në vend të Vastit.
Përgjigjja Krh. Ps 113 /112/, 5-8; Lk 1, 51-52
C Kush është si Zoti, Hyji ynë, që fronin e ka në Lartësi, e nga lart vrojton qiellin e tokën? * Nga pluhuri e ngre skamnorin, nga llomi e lartëson të vobektin për ta vënë të rrijë me princa.
D I hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët.
C Nga pluhuri e ngre skamnorin, nga llomi e lartëson të vobektin për ta vënë të rrijë me princa.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Let. 130, 8, 15. 17- 9, 18; CSEL 44, 56-57. 59-60)
Aspiratat e zemrës, shpirti i lutjes.
Kur lutemi nuk duhet të humbasim kurrë në shumë shqyrtime, duke u munduar të dimë se çfarë duhet të kërkojmë dhe duke pasur frikë se nuk ia arrijmë të lutemi siç duhet. Pse të mos themi me psalmistin: “Një gjë i kam kërkuar Zotit, vetëm këtë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, për të shijuar ëmbëlsinë e Zotit dhe për të admiruar shenjtëroren e tij”? (Ps 27 /26/, 4). Atje, në fakt, nuk ka rrjedhë ditësh sikurse do të duhej të vinte dhe të kalonte çdo herë një ditë. Fillimi i vitit nuk shënon fundin e tjetrit, sepse të gjithë gjenden të pranishëm njëkohësisht. Jeta së cilës i përkasin ato ditë nuk njeh perëndim.
Për të arritur këtë jetë të lume, vetë Jeta personalisht, na ka mësuar të lutemi, jo me shumë fjalë, sikurse aq më lehtë të na dëgjohej lutja sa më shumë fjalë të themi. Në lutje i drejtohemi atij që, siç thotë vetë Zoti, e di tashmë atë që është e nevojshme përpara se sa t’ia kërkojmë (krh. Mt 6, 7-8).
Do të mund të dukej e çuditshme se Hyji na kërkon t’i bëjmë kërkesa kur ai e di përpara se t’ia kërkojmë se për çfarë kemi nevojë. Kështu duhet të dimë se atij nuk i intereson aq shumë shfaqja e dëshirës sonë, gjë që ai e njeh shumë mirë, sa që kjo dëshirë të gjallërohet në ne nëpërmjet kërkesës që të mund të pranojmë atë që ai është i gatshëm të na japë. Kjo dhuratë, në fakt, është shumë e madhe, ndërsa ne jemi shumë të vegjël dhe të kufizuar për ta pranuar. Prandaj na thuhet: “Hapeni edhe ju plotësisht zemrën tuaj! Mos u zini në zgjedhë me të pafetë!” (2 Kor 6, 13-14).
Dhurata është me të vërtetë e madhe, aq e madhe sa që asnjë sy s’e ka parë, sepse nuk është ngjyrë; asnjë vesh nuk e ka dëgjuar, sepse nuk është tingull; as kurrë nuk ka hyrë ne zemrën e njeriut (krh. 1 Kor 2, 9), sepse pikërisht aty duhet të hyjë zemra e njeriut. Sa më e fortë të jetë feja jonë, sa më e ngultë të jetë shpresa jonë, sa më e zjarrtë të jetë dëshira jonë, aq më të aftë do të jemi për ta pranuar.
Ne, pra, lutemi gjithmonë në po këtë fe, shpresë dhe dashuri, me dëshirë të pandërprerë.
Por në disa orë dhe në disa rrethana i drejtohemi Hyjit edhe me fjalë, që të mund të nxisim vetveten me anë të këtyre shenjave dhe së bashku të bëhemi të vetëdijshëm sa kemi përparuar në aspiratat e shenjta, duke u hedhur me zjarrin më të madh për t’i shtuar. Sa më e gjallë të jetë dëshira, aq më e pasur do të jetë pasoja. Prandaj ç’tjetër gjë duan të thonë fjalët e apostullit: “Lutuni pa pushim!” (1 Sel 5, 17) përveç kësaj: dëshironi pa u lodhur prej atij të vetmit të mund t’ua dhurojë atë jetë që nuk do të kishte asnjë vlerë po të mos ishte e amshuar?
Përgjigjja Krh. Jer 29, 13. 12. 11
C Do të më kërkoni me gjithë zemër e do të më gjeni. * Do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj.
D Planet e mija janë për paqe dhe jo për mjerim, për t’ju dhënë një të ardhme plot shpresë.
C Do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj.
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.