Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Para fytyrës së Zotit t’i këndojmë lavdisë së tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.
Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,
braktisur shtratin, ngrihemi:
Neve, Atë, që ty të thërrasim
na u gjend pranë të lutemi.
Të parin ty këndoftë goja,
ty të lakmoftë afshi i zemrës,
ti, o i shenjtë, të jesh burimi
për ndjekësit e tu ndër vepra.
Terri t’ia lëshojë vendin dritës,
dhe nata yllit të ditës,
fajin që e sjell nata
ta zbusë dhurata e dritës.
Po ne lutësit të lypim
na i fal të gjitha fajet,
nga gojët që ty të këndojnë
n’amshim të lavdërohesh.
Na ruaj, Atë mëshirëploti
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.
Hyjni, drita e amshueshme,
në Trini e njësuar,
Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,
Ty nxehtësisht të lutemi.
Besojmë Prindin e epërm,
dhe të vetmin Bir të Atit,
dhe Shpirtin që i bashkon
lidhjet e dashurisë.
O dashuri, o e vërteta,
o qëllimi dhe mirësia,
bëj të shpresojmë, të besojmë,
na bëj të duam t’arrijmë.
Ti je mbarimi e nisja,
burimi i të gjitha sendeve,
ti vetëm je ngushëllimi,
shpresa e sigurt e besimtarëve.
Vetëm ti i bën të tëra,
veç ti u mjafton të gjithëve,
për të gjithë je drita e vetme
dhe çmimi i shpresëtarëve.
Lusim Krishtin dhe Atin,
e Krishtit e t’Atit Shpirtin;
Trini, fuqia e vetme
për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.
Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).
O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *
as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!
Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *
më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.
Shpirti im është tejet i shqetësuar, *
e ti, o Zot - e deri kur...?
Kthehu, o Zot, më shëro, *
më shpëto në saje të mirësisë sate!
Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *
në Nëntokë kush të këndon lavde?
Plasa duke gjëmuar, †
natë për natë e laj shtratin tim, *
me lotët e mi e laj shtrojën time.
Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *
u plaka midis armiqve të mi.
Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *
sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!
Zoti e dëgjon lutjen time, *
Zoti e pranon uratën time!
U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *
e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1. Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Psalmi 9 I (1-11) Falënderim për fitore.
Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *
i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty, *
i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!
Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *
ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,
sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *
ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!
Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *
emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!
Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *
gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.
Zoti sundon në jetë të jetës, *
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *
ua jep popujve dënimin e drejtë.
Zoti është strehimi i të salvuarit, *
vend i sigurt për ditë të vështira.
Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
II (12-21)
Këndoni Zotit që banon në Sion, *
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!
Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
Ki mëshirë për mua, o Zot, †
shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *
më shpëto prej derës së vdekjes
për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †
para dyerve të qytetit Sion *
i gëzuar për shëlbimin tënd.
U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *
këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,
Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *
mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!
Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *
të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!
Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *
shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.
Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *
para teje le të gjykohen paganët!
Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *
le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
D Bëj që ta kuptoj dhe do ta mbaj ligjin tënd,
C do ta ruaj me gjithë zemër atë.
Leximi i parë
Prej librit të Esterës 3, 1-15
Judenjtë janë në rrezik të madh.
Në ato ditë, mbreti ia rriti pushtetin Amanit, të birit të Amadatit, nga populli i Agagut. E bëri më të madhin ndër të gjithë nëpunësit e vet. Të gjithë zyrtarët e mbretit, që gjendeshin në derën e mbretit, gjunjëzoheshin dhe i bënin nderim Amanit, sepse kështu kishte dhënë urdhër mbreti për ta nderuar Amanin. I vetmi që nuk i gjunjëzohej dhe nuk e adhuronte, ishte Mardokeu. Atëherë Mardokeut i thanë shërbëtorët e mbretit, që ishin në dyert e mbretit: “Pse nuk e zbaton urdhrin e mbretit?” Ja thanë disa herë këtë gjë, por ai s'deshi t'u vinte vesh, i treguan Amanit, sepse dëshironin të shihnin pale a do të vazhdonte në kokë të vet, sepse u kishte thënë se ishte jude.
Kur Amani e vërtetoi se Mardokeu as nuk i gjunjëzohej as nuk përkulej përmbys për ta nderuar, u zemërua tepër, por iu duk shumë pak të vinte dorë vetëm në një njeri të vetëm, në Mardokeun ‑ sepse kishte dëgjuar se i përkiste popullit hebraik ‑ por parapëlqeu t'ia treste farën mbarë kombit të judenjve brenda kufijve të mbretërisë së Asuerit.
Në muajin e parë që quhet Nisan, në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Asuerit, ndër sytë e Amanit u qit 'Pur' që d.m.th. shorti se në të cilën ditë e në të cilin muaj duheshin vrarë judenjtë. Shorti i shfarosjes ra në të trembëdhjetën ditë të muajit të dymbëdhjetë që thirret Adar. Amani i tha mbretit Asuer: “Është një popull i përhapur gjithkund nëpër krahinat e tua, i veçuar nga të gjithë popujt tjerë. Përdor një ligj që popujt tjerë nuk e njohin. Për më tepër e përbuz ligjin e mbretit. Mendoj se nuk është mirë për mbretin t'i lërë në paqe. Nëse mbretit i pëlqen, le ta qesë një urdhëresë me shkrim për shfarosjen e tyre e unë do t'i jap për vishtarin mbretëror dhjetë mijë talente argjend.”
Atëherë mbreti e hoqi unazën nga dora e vet dhe ia dha Amanit, birit të Amadatit, me kombësi Agag, armikut të judenjve. Dhe i tha: “Argjendin që po e premton, lëre për vete, e me popull bëj si të pëlqejë ty.”
Në muajin e parë, në të trembëdhjetën ditë të tij, u thirrën shkruesit mbretërorë. U shkrua ashtu si urdhëroi Amani të gjithë satrapëve të mbretit, qeveritarëve të krahinave, prijësve të kombësive të ndryshme në gjuhën e me shkronja të secilit komb në emër të mbretit Asuer. Letrat u vulosën me vulën e tij. Letrat u dërguan me anë të kasnecëve në të gjitha krahinat e mbretit. Në letra urdhërohej të vriteshin e të shfarosshin të gjithë judenjtë, të rinj e të vjetër, foshnja e gra të njëjtën ditë, d.m.th. më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë që është Adari dhe t'u merren të gjitha pasuritë.
Kjo është dysheritja e letrës:
“Mbreti, Artakserksi i Madh, qeveritarëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, që kapin nga India deri në Etiopi, si dhe prijësve të vendeve që janë nën sundimin e tyre, kështu u shkruan:
Meqenëse kam pushtet mbi shumë kombe dhe e kam nën sundim mbarë botën, s'desha assesi ta përdor madhërinë e pushtetit, por të sundoj gjithmonë me butësi e njerëzi mbi të nënshtruarit e mi, pa farë tmerri e t'u jap nënshtetasve jetesë të sigurt e mbretërisë mirëqenie dhe liri për lëvizje gjithkah brenda kufijve e paqe që të gjithë njerëzit e dëshirojnë. Pasi kërkova nga këshilltarët e mi këshillë se si mund të arrihej kjo, njëri që, me urti, me vullnet të mirë e me besnikëri të qëndrueshme i tejkaloi të tjerët, që emrin e ka Aman e është i dyti pas mbretit, më tregoi se në fiset e mbarë mbretërisë është i shpërndarë një popull armik me ligjet e veta, armik i të gjithë popujve, i urren vazhdimisht urdhrat e mbretërve kështu që nuk mund të forcohet mbretërimi që ne po e ushtrojmë për kënaqësinë e të gjithëve.
Pasi e mësuam këtë gjë e duke parë se ky popull i vetëm është në kundërshtim me të gjithë popujt e tjerë, se përdor ligje të mbrapshta dhe me qëllim të keq kundër interesave tona bën punë tejet të liga dhe e pengon paqen e mbretërisë,
prandaj japim urdhër që të gjithë ata, të cilët Amani, mbikëqyrësi i punëve tona botore, të cilin e nderojmë si baba, që i ka shënuar në letër, me gra e me fëmijë, le t'u tretet fara, le të priten nga shpata e armiqve dhe askush të mos ketë mëshirë për ta, më katërmbëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë Adar, të këtij viti, që këta njerëz qysh prej kohe të mbrapshtë le të plandosen brenda ditës përdhunisht në ferr e kështu pastaj përgjithmonë t'i sigurohet shtetit tonë qetësia e plotë dhe e vazhdueshme. Kush do të guxojë ta fshehë këtë lloj njeriu, s'do t'i mbesë vend ku të fshihet as ndër njerëz, as ndër shpendë, por le të digjet me zjarr të shenjtë e pasuria e tyre le t'i dorëzohet shtetit. Të fala.”
Teksti i kësaj letre duhej të shpallej si ligj në të gjitha krahinat në mënyrë që të gjithë popujt të njihen me të e të jenë gati për ditën e paracaktuar. Kasnecët, që ishin dërguar, shpejtonin ta zbatonin urdhëresën e mbretit. Në Suzë urdhëresa qe varur menjëherë. Ndërsa mbreti dhe Amani gostiteshin, qyteti i Suzës kishte rënë në pështjellim.
Përgjigjja Krh. Es 4, 17c; Ps 44 /43/, 27; Es 4, 17l
C O Zot, mbret i gjithëpushtetshëm, gjithçka është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i qëndrojë përballë vullnetit tënd: * na shpëto, pashë dashurinë tënde.
D Dëgjoje uratën time, ktheje vajin tonë në gëzim,
C na shpëto, pashë dashurinë tënde.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Let. 130, 9, 18 – 10, 20; CSEL 44, 60-63)
Kohët e caktuara të lutjes.
Ta mbajmë gjithmonë të gjallë dëshirën e jetës së lume që vjen prej Zotit Hyj dhe të mos pushojmë kurrë së luturi. Por, për këtë qëllim, është e nevojshme që të caktojmë disa kohë të palëvizshme për të sjellë në mendjen tonë detyrën e lutjes, duke u shkëputur nga shqetësimet apo punët e tjera, që në një farë mënyre e ftohin dëshirën tonë, dhe duke u nxitur me fjalët e lutjes për t’u përqendruar në atë që dëshirojmë. Duke bërë kështu do të shmangim që dëshira që priret për t’u vakur të ftohet krejtësisht apo të shuhet nga mungesa e një shtyse të vazhdueshme.
Porosia e apostullit: “Në gjithçka paraqitni Hyjit nevojat tuaja” (Fil 4, 6) nuk duhet kuptuar sikurse na duhet t’ia bëjmë atij të ditura. Ai i njihte para se t’i formulonim. Ato duhet të bëhen më të gjalla në rrafshin e ndërgjegjes sonë. Duhet të mbështeten në një qëndrim të përbërë nga një pritje besimplote përpara Hyjit, dhe jo në shfaqjet pretenduese përballë njerëzve.
Nëse punët janë kështu, sigurisht se nuk është keq apo gjë e kotë të lutemi gjatë, kur të jemi të lirë, domethënë kur nuk jemi të penguar nga detyra e zënieve me gjëra të mira apo të domosdoshme. Por edhe në këtë rast, sikurse kam thënë, duhet lutur gjithmonë me atë dëshirë. Në fakt lutja e gjatë nuk është e njëjta gjë sikurse lutja me shumë fjalë, siç beson dikush. Një gjë është një fjalim i gjatë, një gjë tjetër është gjendja shpirtërore e zgjatur. Të kemi parasysh se si thuhet për vetë Zotin se kalonte netët në lutje, dhe se në kopsht është lutur gjatë. E me këtë ç’tjetër qëllim kishte përveç se të na jepte shembullin, ai që në kohë është ndërmjetësi i dobishëm, ndërsa në amshim është, së bashku me Atin, ai që i dëgjon lutjet.
E dimë se vetmitarët e Egjiptit bëjnë lutje të njëpasnjëshme, por të gjitha shumë të shkurtra. Ato janë si mesazhe të shpejta që nisen në adresë të Hyjit. Kështu vëmendja e shpirtit, aq e nevojshme për atë që lutet, qëndron gjithmonë e zgjuar dhe përshpirtshme dhe nuk venitet nga zgjatja e tepruar e lutjes. Dhe në këtë gjë ata tregojnë mjaft qartë se nuk duhet ngulur këmbë në një sforcim të zgjatur përqendrimi, kur shihet se nuk mund të zgjasë më shumë se një farë kohe, dhe nga ana tjetër nuk duhet shkëputur me mendjelehtësi apo pa takt lutja kur vihet re se prania e zgjuar e mendjes mund të vazhdojë.
Larg lutjes, pra, çdo llafe, por të mos lihet pas dore përgjërimi këmbëngulës nëse humbasin zelli dhe vëmendja. Përdorimi i fjalëve të shumta në lutje është e njëjta gjë si të trajtosh një gjë të domosdoshme me fjalë të tepërta.
Lutja qëndron në të trokiturit në derën e Hyjit dhe në të thirrurit e tij me këmbëngulje dhe përshpirtëri të zemrës.
Detyra e lutjes përmbushet më mirë me psherëtima se me fjalë, më mirë me lot se me fjalime. Hyji, në fakt, i vë lotët tanë përpara syve të vet (Ps 56 /55/, 9 vulg.), dhe psherëtima jonë nuk i mbetet e fshehur (krh. Ps 38 /37/, 10) atij që ka krijuar gjithçka nëpërmjet Fjalës së tij, dhe nuk kërkon fjalët e njerëzve.
Përgjigjja Ps 87, 2-3; Is 26, 8
C O Zot, Hyji i shpëtimit tim, ditë e natë qes kushtrim para teje: * Do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj.
D Emri yt e kujtimi yt është dëshira e shpirtit tonë.
C Do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.