Shërbesa e leximeve

Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Pjesëtar i dritës atërore,

   ai vetë dritë drite e ditë,

   me këngë ne e thyejmë natën:

   kërkuesve gjendu pranë.

 

   Hiqi errësirat e mendjeve

   zhduki turmat e djajve,

   largo me forcë dremitjet,

   mos t’ua kalojnë përtacëve.

 

   Kështu, o Krisht, ne të gjithëve

   që në ty besojmë, mëshirona,

   të jetë për dobi të lutësve,

   që këndojmë duke prirë me këngë.

 

   Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   me Atin të qoftë lavdia,

   dhe me Shpirtin Ngushëllues,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Trini krejt e shenjtë,

   që urdhëron çdo gjë që krijove,

   ditën për punë caktove,

   natës prehjen ia fale.

 

   Si n’agim edhe në t’errur,

   natë e ditë për ty këndojmë;

   ti ne në lavdinë tënde

   na ruaj në të gjitha kohët.

 

   Pranë teje shtrirë për dhe

   të adhurojmë si robër,

   kushte e uratë të lutësve

   bashko me himnet e qiellorëve.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjtë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim

 

   Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).

 

Përse, o Zot, qëndron larg, *

   përse fshihesh në ditë të vështirë?

Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *

   le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!

I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *

   lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.

 

Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †

   »S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *

   Ja, gjithçka ai mendon!

 

Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †

   gjyqet e tua janë tepër lart për të, *

   të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.

 

Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *

   brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«

 

Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *

   nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!

 

Rri në pritë ndër fshatra, *

   në moh e vret të pafajshmin.

 

Me sy e vrojton të vobektin, *

   në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,

përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *

   e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.

 

Sulet, struket në pritë *

   e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.

Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *

   ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.

 

   Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)

 

Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *

   mos i qit në harresë të mjerët!

Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *

   Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«

E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *

   me dorën tënde i peshon:

në ty mbështetet i mjeri, *

   ti ia jep bonjakut sigurinë.

 

Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *

   kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.

 

Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *

   do të zhduken paganët prej dheut të tij.

 

Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *

   forcoja zemrën, ti prirja veshin,

për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *

   që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit

 

   Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).

 

Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *

   sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!

Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *

   flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.

 

Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *

   edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!

 

Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †

   buzët tona na mbrojnë! *

   Kush është zotëria ynë?«

 

»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †

   për shkak të klithmës së të ndrydhurve

   tani do të ngrihem - thotë Zoti - *

   e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«

Fjalët e Zotit janë të pastra: †

   argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *

   i pastruar shtatë herë!

 

Por ti, o Zot na ruaj, *

   na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë

e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *

   le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.

 

   D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,

   C të varfërve ua mëson udhën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Esterës 4, 1-8. 8a. 9-17

 

   Amani urdhëron shfarosjen e të gjithë judenjve.

 

   Mardokeu, posa e mori vesh se çfarë kishte ndodhur, i shqeu petkat e veta, u vesh me grathore dhe kokën e mbuloi me hi. Qarkullonte rrugët e mbarë qytetit duke bërtitur e vajtuar me zë të lartë deri te dyert e pallatit mbretëror, ku askush s' guxonte të hynte i veshur me grathore. Në secilën krahinë, ku qe varur dekreti i mbretit s'kishte tjetër ndër judenj përveç vajit të madh, agjërimit, dënesjes e lotëve, e shumica i bënë shtrat grathoret dhe pluhurin.

   Shërbëtoret dhe eunukët e Esterës hynë tek ajo dhe e njoftuan. Kur ajo e mori vesh, u prish fare. Ia dërgoi Mardokeut petkat që ta hiqte grathoren e të vishej, por ai nuk dëgjoi t'i merrte. E thirri eunukun Atak, të cilin mbreti ia kishte dhënë për shërbëtor, i urdhëroi të shkonte te Mardokeu e të mësonte prej tij pse po vepronte ashtu. Ataku doli e shkoi te Mardokeu që po qëndronte në shesh të qytetit para derës së Pallatit Mbretëror. Mardokeu e njoftoi hollësisht për çka i kishte ndodhur, se sa para kishte premtuar Amani se do të sillte në vishtarët e mbretit për vrasjen e judenjve.

   Ia dha edhe dysheritjen e urdhëresës që ishte e varur në Suzë për vrasjen e tyre, për t'ia treguar mbretëreshës. I tha t'i thotë mbretëreshës të hynte te mbreti, t'i lutej e t'i përlutej për popullin e vet. E përkujtoi:

   “Të bien ndër mend ditët e varfërisë sate, kur u rrite në duart e mia. Lutju Zotit e fol me mbretin për ne e na shpëto nga vdekja, sepse Amani, i dyti njeri në shtet pas mbretit, ka kërkuar shfarosjen tonë.”

   Ataku u kthye dhe i lajmëroi gjithçka kishte thënë Mardokeu. Ajo i urdhëroi t'ia përsëriste këto fjalë Mardokeut: “Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe banorët e të gjitha krahinave të tija e dinë se mbi secilin që guxon të hyjë i pathirrur te mbreti, qoftë burrë qoftë grua, zbatohet menjëherë ligji e vritet aty për aty, përveç në qoftë se mbreti e shtrin mbi të shkopin e artë, vetëm atëherë nuk i merret jeta. E unë tash tridhjetë ditë nuk kam qenë thirrur te mbreti.”

   Kur i dëgjoi këto fjalë Mardokeu, përsëri i çoi fjalë Esterës: “Të mos mendosh se ti që je në pallatin mbretëror, vetëm ti si judeje do ta shpëtosh jetën tënde. Nëse ti kësaj here do të heshtësh, judenjve do t'u vijnë shpëtimi dhe lirimi nga tjetërkah, kurse ti dhe shtëpia e ty et do të shuhet. Mandej, kush mund ta dijë se ti s'ke qenë bërë mbretëreshë shi për shkak të parapamjes së kësaj rrethane?”

   Atëherë Estera i çoi fjalë Mardokeut dhe i urdhëroi: “Shko e bashkoji të gjithë judenjtë që gjenden në Suzë dhe agjëroni si do të ju them unë. Mos hani as mos pini për tri ditë e tri net rresht. Po ashtu edhe unë me shërbëtoret e mia do të agjëroj. Atëherë do të hyj te mbreti edhe pse kundër ligjit: nëse duhet të vdes, le të vdes!” Mardokeu shkoi dhe bëri ashtu si i kishte urdhëruar Estera.

 

   Përgjigjja Krh. Es 4, 17bb; Tob 13, 2; Jt 6, 19

 

   C S’kam askënd tjetër përveç Teje, o Zot, që ndëshkon e mëshiron: * fali mëkatet e popullit që vuan.

   D O Zot, Hyji i qiellit, shikoje përvujtërimin e popullit tonë,

   C fali mëkatet e popullit që vuan.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Let. 130, 11, 21-12, 22; CSEL 44, 63-64)

 

   Lutja Ati ynë.

 

   Ne kemi nevojë për fjalë për të kujtuar dhe mbajtur parasysh atë që kërkojmë, por nuk duhet të besojmë se me këto duhet të informojmë Zotin apo ta përkulim ndaj dëshirave tona.

   Kështu kur themi: “U shenjtëroftë emri yt”, shtyjmë vetveten për të dëshiruar që emri i tij, që është gjithmonë i shenjtë, të mbahet si i shenjtë edhe tek njerëzit, domethënë që të mos përçmohet. Gjë kjo që u sjell të mira jo Hyjit, por njerëzve.

   Kur themi pastaj: “Ardhtë mbretëria jote” që, duam apo s’duam, sigurisht do të vijë, i shtyjmë aspiratat tona drejt asaj mbretërie që të vijë për ne dhe që të meritojmë për të mbretëruar në të.

   Kur themi: “U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë”, i kërkojmë hirin e bindjes, që vullneti i tij të përmbushet prej nesh, sikurse në qiell e përmbushin engjëjt.

   Duke thënë: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”, me fjalën “sot” kuptojmë kohën e tashme. Me fjalën “bukë” kërkojmë gjithçka që na është e nevojshme, duke e shprehur me atë që na duhet më shumë për mbajtjen e përditshme. Kërkojmë edhe sakramentin e besimtarëve, i nevojshëm në jetën e tashme për të arritur lumturinë, jo atë të përkohshmen, por të amshueshmen.

   Kur themi: “Na i fal fajet tona, si ua falim ne fajtorëve tanë”, thërrasim në kujtesë qoftë atë që duhet të kërkojmë, qoftë atë që duhet të bëjmë për të merituar faljen.

   Kur themi: “E mos na lër të biem në tundim”, jemi të shtyrë për të kërkuar ndihmën e domosdoshme për të mos u lejuar tundimeve të na mundin, dhe për të mos u mundur nga mashtrimi dhe nga dhimbja.

   Kur themi: “Na liro nga i Keqi”, i kujtojmë vetvetes se akoma nuk jemi në zotërim të asaj të mire në të cilën nuk do të vuajmë më nga asnjë e keqe. Kjo kërkesë është kërkesa e fundit e lutjes së të dielës. Ajo ka një domethënie shumë të gjerë. Prandaj, në çfarëdo salvimi që të gjendet i krishteri, me të le të shprehë psherëtimat e veta, me të le të shoqërojë lotët e veta, nga kjo le të fillojë lutjen e vet, në të le ta zgjasë dhe në të le ta përfundojë.

   Shprehjet që kemi renditur kanë dobi sepse na i kujtojnë realitetet që shprehin. Të gjitha formulat e tjera të përcaktuara ose për të ngjallur ose për të shtuar zellin e brendshëm, nuk kanë asgjë që nuk është e përmbajtur në lutjen e Zotit, me kusht që ta recitojmë mirë dhe me mençuri.

   Kushdo që lutet me fjalë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë lutje ungjillore ndoshta nuk bën një lutje në mënyrë të keqe, por sigurisht tepër njerëzore dhe tokësore. Megjithatë më duket e vështirë se një lutje e tillë mund të mbahet si e bërë mirë nga të krishterët. Arsyeja është se, meqë këta kanë lindur prej Shpirtit, duhet të luten vetëm në mënyrë shpirtërore.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Mak 1, 5. 3

 

   C Zoti jua dëgjoftë lutjet dhe ju ndihmoftë; * Mos ju braktistë në kohën e provës.

   D Ju dhashtë ju të gjithëve vullnetin për ta adhuruar e për t’i plotësuar dëshirat e tij.

   C Mos ju braktistë në kohën e provës.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.