Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Krijuesi i madh i sendeve,
sunduesi ynë, shikona;
ne nga pushimi i dëmshëm
zhytur në plogështi shpëtona.
Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
Ti na i fal fajet tona,
për t’i rrëfyer ngrihemi,
gjumin e natës prishim.
Po ngremë lart mendje e duar,
për të kaluar netët
siç na mësoi profeti
që e vlerësoi dhe Pali.
Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
të fshehtat tona i hapim,
me ofshamë po i derdhim lutjet,
na shlyej çka ne mëkatuam.
Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
dhe ty, o Atë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hyj i diturive,
ty të qoftë brohoritja,
që i shikon zemrat tona
e i ngroh me hirin tënd.
O bari i shkëlqyer,
ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
në kullota shumë të gratshme
në grigjë të zgjedhur na bashko.
Tmerri i mërisë së gjykatësit
mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
me ty gjykatës të jemi
dhen në kullotë t’amshuar.
Ty, shpërblimtar, lavdi,
nderim, virtyt, fitore,
që sundon mbi të gjitha
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †
Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
† Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
Streha ime, Shpëtimtari im!
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më rrethuan valët e vdekjes, *
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
II (8-20)
Toka u trand edhe u tund, †
u lëkundën themelet e maleve, *
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
prush i gjallë prej tij flakëroi!
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
lundroi mbi krahët e erërave!
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
me breshër e prush të gjallë!
zoti gjëmoi nga qielli: †
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
breshër e prush zjarri!
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
më nxori nga ujërat e shumta,
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
prej atyre që më urrenin, *
që ishin më të fortë se unë.
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
III (21-30)
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
nuk u largova prej Hyjit tim.
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
me të pafajshmin je i pafajshëm, *
me të mbrapshtin ti je i squet.
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura
C që dilnin prej gojës së Krishtit.
Leximi i parë
Prej librit të Esterës 4, 17n-17z
Lutja e mbretëreshës Ester.
Në ato ditë, mbretëresha Ester kërkoi strehim te Zoti prej frikës së rrezikut të vdekjes që i kërcënohej. Si i hoqi petkat e lumturisë, veshi petkat e zisë e në vend të erërave të kënaqësisë krenare, e mbuloi kokën me pluhur e trupin e përuli me agjërime të mëdha. Ra për tokë, me fytyrë për dhe bashkë me shërbëtoret e veta, prej mëngjesit e deri në mbrëmje duke u lutur:
“I bekuar je, O Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut e Hyji i Jakobit! Ma dëgjo uratën mua, që jam qyqevetëm, e që nuk kam tjetër Mbrojtës përveç teje, o Zot,
sepse vetë veten po e vë në rrezik.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se ti e shpëtove Noehin nga ujërat e përmbytjes.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se Abrahamit ndër treqind e tetëmbëdhjetë burra ia lëshove në dorë edhe nëntë mbretër.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se Jonën e shpëtove nga barku i përbindëshit.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se ti i shpëtove nga furra e zjarrit Ananinë, Azarinë e Misaelin.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se ti e nxore shëndosh e mirë Danielin nga shpella e luanëve.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se Ezekinë, mbretin e judenjve, të dënuar me vdekje, por që t'u lut, e përdëlleve dhe i dhurove edhe pesëmbëdhjetë vjet jetë.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se Anës, që t'u lut me gjithë shpirt, ia dhe fatin e bardhë t'i lindë djalë.
Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se ti i shpëton të gjithë ata që ty të pëlqejnë njëherë e për gjithmonë.
E tash më ndihmo edhe mua që kam mbetur qyqevetëm, e që s’kam askënd tjetër përveç Teje, o Zot, Hyji im.
Ti e di se shërbëtorja jote e ka urryer shtratin me të parrethprerët.
Ti e di, o Hyj, se nuk kam ngrënë nga tryeza e mallkuar dhe se nuk kam pirë verën e njomjeve të tyre.
Ti e di se nga dita e lartësimit tim nuk kam pasur tjetër gëzim, o Zot, përveç Teje.
Ti e di, o Hyj, se edhe këtë petk që ma rrethon kokën time e urrej porsi zhelen e larjes mujore dhe s’e veshi në ato ditë që më përkasin vetëm mua.
E tash, ndihmoj bonjakes sate: vëre në gojën time fjalën e përshtatshme për luanin, më bëj të hirshme përpara tij, shndërroje zemrën e tij ta urrejë shtypësin tonë, për shfarosjen e atij e të atyre që mendojnë si ai.
Na çliro nga dora e armiqve tanë; shndërroje vajin tonë në gëzim, dhembjet tona në shëndet.
Sulmuesit kundër pjesës sate, o Hyj, ndëshkoji në mënyrë shembullore.
Duku, o Zot, dëftohu, o Zot!”
Përgjigjja Krh. Es 4, 17 r.s.h.; Job 24, 23
C Më jep guxim, o Mbret i shenjtërve dhe Zotërues i çdo autoriteti; * vëre në gojën time një fjalë të drejtë dhe të matur.
D Na jep një vend për pendesë, mos e mbyll gojën e atyre që të lavdërojnë,
C vëre në gojën time një fjalë të drejtë dhe të matur.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Let. 130, 12, 22 – 13, 24; CSEL 44, 65-68)
Nuk do të gjesh asgjë që nuk përmbahet në këtë lutje.
Ai që thotë: “Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre” (Sir 36, 4) dhe: profetët e tu le të jenë të devotshëm (krh. Sir 36, 15), çfarë gjëje tjetër thotë përveç se: “U shenjtëroftë emri yt”?
Ai që thotë: “O Hyj, deh, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!” (Ps 80 /79/, 4), çfarë tjetër thotë përveç se: “Ardhtë mbretëria jote”?
Ai që thotë: “Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate, të mos më sundojë asnjë e keqe” (Ps 119 /118/, 133), çfarë gjëje tjetër thotë përveç se: “U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë”?
Ai që thotë: “Mos më jep as skam as pasje” (Fu 30, 8), çfarë gjëje tjetër thotë përveç se: “Na e jep sot bukën tonë të përditshme”?
Ai që thotë: “Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi e gjithë mirësia e tij” (Ps 132 /131/, 1) ose: O Zot, nëse kam vepruar kështu, nëse duart e mia kanë mbrapshti, nëse ua kam kthyer me të keq atyre që më kanë bërë keq, më shpëto dhe më çliro (krh. Ps 7, 1-4), çfarë gjëje tjetër thotë përveç se: “Na i fal fajet tona si ua falim ne fajtorëve tanë”?
Ai që thotë: “Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, më mbro prej sulmuesve të mi” (Ps 59 /58/, 2), çfarë gjëje tjetër thotë përveç se: “na liro nga i keqi”?
E nëse i rëndit të gjitha fjalët e thirrjeve të shenjta të përmbajtura në Shkrim, nuk do të gjesh asgjë, sipas mendimit tim, që nuk është e përmbajtur dhe e përfshirë në lutjen Ati ynë. Kur lutemi, pra, jemi të lirë të përdorim fjalë të tjera, por duke kërkuar të njëjtat gjëra, dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes të kërkojmë gjëra të ndryshme.
Këto gjëra duhet t’i kërkojmë në lutjet tona për ne dhe për të dashurit tanë, për të huajt dhe, pa dyshim, edhe për vetë armiqtë, sado që të lindë apo të mbizotërojë në zemrën e atij që lutet një ndjenjë moskokëçarjeje për një njeri apo për një tjetër, sipas shkallës pak a shumë të ngushtë të afërsisë apo të miqësisë.
Këto janë, sipas mendimit tim, jo vetëm dispozitat me të cilat duhet të lutesh, por edhe ato gjëra që duhet të kërkosh. Jo sepse po t’i mësoj unë, por sepse thuhen nga ai që është denjuar të na mësojë të gjithëve.
Duhet kërkuar jeta e lume dhe i duhet kërkuar Zotit Hyj. Se në çfarë qëndron të qenit të lumë është diskutuar gjatë nga shumë vetë me arsye të ndryshme. Por nuk është e nevojshme të gjejmë shumë autorë dhe shumë traktate. Në Shkrimin e shenjtë është thënë gjithçka në pak fjalë dhe me një të vërtetë të plotë: “Lum ai popull që Hyjin e ka Zot” (Ps 144 /143/, 15). Që t’i përkasim këtij populli dhe për të arritur të kundrojmë Hyjin dhe të jetojmë përjetësisht me të duhet të mbajmë parasysh këtë gjë: Qëllimi i urdhërimit është dashuria që rrjedh nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e mirë dhe nga një fe e sinqertë (krh. 1 Tim 1, 5).
Në renditjen e këtyre tre virtyteve në vend të fjalës “vetëdije” gjendet fjala “shpresë”.
Del si përfundim se feja, shpresa dhe dashuria e çojnë atë që lutet tek Hyji. Ai që beson, shpreson dhe dëshiron dhe shqyrton me vëmendje se çfarë duhet t’i kërkojë Zotit në uratën e së dielës, arrin me siguri deri tek Hyji.
Përgjigjja Krh. Ps 101, 2. 18; 129, 2
C O Zot, dëgjoje lutjen time, e britma ime le të arrijë tek ti: * ti nuk e përbuz uratën e të vobektit.
D Le ta dëgjojnë veshët e tu zërin e lutjes sime.
C ti nuk e përbuz uratën e të vobektit.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.