Shërbesa e leximeve

Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.

 

   Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar

 

   Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).

 

Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †

   fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *

   Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.

 

Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *

   Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?

Hyji që më ngjesh me fuqi, *

   që e bën udhën time të pastër.

 

Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *

   ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.

Ai m’i ushtron duart për luftim *

   e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.

 

   Psalmi 18 /17/ V (36-46)

 

Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †

   e djathta jote më ndihmoi, *

   mirësia jote më rriti.

 

Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *

   e këmbët e mia më nuk më merren.

 

I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *

   prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.

I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *

   rrëzoheshin përnën këmbët e mia.

 

Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *

   kurse armiqtë e mi i vure nën mua.

 

Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *

   kurse ata që më urrejnë i shpërndave.

Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *

   thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.

I grimcova porsi pluhurin para erës, *

   i shkela porsi baltën e rrugës.

 

Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †

   kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *

   më shërbeu populli që as nuk e njihja!

 

Fjalën time e dëgjojnë me poni, *

   bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,

para meje të huajve ora u liget, *

   u drodhën në strehimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   Psalmi 18 /17/ VI (47-51)

 

Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *

   Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †

   Ti i shtron popujt nën mua, *

   ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,

 

ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *

   ti më shpëton prej njeriut mujshar.

 

Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *

   himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

 

Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †

   e përkrah të shuguruarin e vet, *

   Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:

   C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Esterës 5, 1-2 (volg.). 3-5; 7, 1-10

 

   Mbreti dhe Amani në gosti tek Ester. Amani varet.

 

   Të tretën ditë, Estera u vesh me petkat e mbretëreshës, qëndroi në këmbë në tremen e pallatit mbretëror, brenda, përballë sallonit të mbretit. Ai rrinte në fronin e vet në mbledhjen e pallatit me fytyrë përballë derës. Si e pa mbretëreshën Ester ashtu në këmbë, i pëlqeu syve të tij, e shtriu në drejtim të saj shkopin e artë mbretëror që e mbante në dorë. Ajo u afrua dhe e preku majën e shkopit të tij.

   E shndritshme në petkun e mbretëreshës, pasi e kishte thirrur në ndihmë Hyjin, drejtuesin dhe shëlbuesin e të gjithëve, i mori me vete dy nga shërbëtoret e veta. Ëmbël mbi njërën mbështetej, kurse tjetra e ndiqte zonjën duke ia mbajtur kindin e petkut që i prekte në tokë. Kurse ajo, me fytyrë të përshkuar nga ngjyra e trëndafilit e, nën sy të ëmbël e të shndritshëm, fshehte shpirtin e trishtuar dhe të ndrydhur nga frika e vdekjes. Si hyri, pra, renderendas për të gjitha dyert, qëndroi në sallën e brendshme para mbretit, ku ai rrinte në fronin e vet mbretëror; i veshur me petkat mbretërore shkëlqente në ar e në gurë të paçmueshëm: ishte në fytyrë i tmerrshëm e në dorë e kishte shkopin e artë mbretëror.

   Posa i lartësoi sytë, e shikoi atë si mëzati i hidhëruar që do ta mësynte për ta dëmtuar, dhe bërtiti i rrezikshëm: “Kush ka guxuar të hyjë në sallon pa qenë i thirrur?” Mbretëreshën e lëshuan këmbët, u zbe në fytyrë, e këputur, u mbështet në kokën e shërbëtores që i printe. Por Hyji i judenjve, Zoti i të gjitha krijesave, e zbuti shpirtin e mbretit, i cili vrik kërceu plot frikë nga froni, e mori Esterën para duarsh deri që ajo u kthye në vete duke e përkëdhelur me fjalë të ëmbla: “Ç'ke, mbretëreshë Ester, motra ime, bashkëshorte në mbretëri? Jam unë, vëllai yt, mos ki frikë! S'do të vdesësh! Ky ligj s'është bërë për ty, por për të gjithë të tjerët. Afrohu!”

   E lartësoi skeptrin e vet të artë, e vuri në qafën e saj, e mori ngrykë e i tha: “Fol me mua!” Ajo iu përgjigj: “Të shikova, Imzot, e m'u duke si engjëlli i Hyjit. Zemra m'u trand nga shkëlqimi i madhërisë sate, sepse je përtej mase i mrekullueshëm, Imzot, e fytyra jote veç hir kullon!” Ndërsa po fliste, përsëri u pak e gati i doli shpirti. Mbreti u shqetësua si edhe të gjithë shërbëtorët e tij.

   Atëherë mbreti i tha: “Çfarë dëshiron, mbretëreshë Ester? Cila është kërkesa jote? Nëse do të ma kërkosh edhe gjysmën e mbretërisë, do ta jap.” Ajo iu përgjigj: “Po të lutem, nëse i pëlqen mbretit, eja sot tek unë ti bashkë me Amanin në gostinë që e kam bërë gati.” Mbreti menjëherë urdhëroi: “Thirreni me të shpejt Amanin që t'i plotësohet dëshira Esterës.”

   Kështu, pra, erdhën mbreti e Amani në gostinë që e kishte bërë gati mbretëresha.

   Hynë, pra, Mbreti e Amani për të pirë me mbretëreshën. Mbreti edhe kësaj herë, ditën e dytë, pasi u nxeh me verë, i tha Esterës: “Cila është kërkesa jote, Ester, që ta plotësoj? Çfarë dëshiron të të bëj? Nëse do të ma kërkosh edhe gjysmën e mbretërisë sime, do ta fitosh.”

   Estera iu përgjigj: “Nëse, o mbret, kam gjetur hir para syve të tu e nëse ty të pëlqen, ma fal jetën mua që po ta lyp e ma fal popullin tim për të cilin po të lutem. Sepse unë dhe populli im jemi të dënuar për t'u zhdukur, për t'u therur e për t'u zhbirë. Oh, sikur të kishim qenë dënuar të shiteshim për skllevër e skllave, do të kisha heshtur sepse vuajtja jonë nuk do të kishte qenë e denjë ta shqetësojë mbretin.” Mbreti Asuer ia ndërpreu fjalën dhe e pyeti: “Kush është ai dhe ku është që guxon ta bëjë një gjë të tillë?” Estera iu përgjigj: “Salvuesi dhe armiku ynë i qitur është ja ky mbrapshtan, Amani!” Posa dëgjoi, Amanin e kapën të dridhurat para mbretit e mbretëreshës.

   Mbreti i zemëruar u ngrit nga gostia dhe kaloi në kopshtin e pallatit. U ngrit në këmbë edhe Amani për të kërkuar ndjesë nga Estera dhe për t'ia falur jetën: ia mori mendja se mbreti e kishte vendosur vdekjen e tij. Si u kthye mbreti nga kopshti, hyri në sallën e gostisë, e gjeti Amanin të shtrirë me fytyrë për dhe në shtrojën e mbretëreshës Ester dhe bërtiti: “Po dashka ta dhunojë edhe mbretëreshën ndër sytë e mi e në pallatin tim!” Posa doli fjala prej gojës së mbretit, Amanit ia mbuluan fytyrën. Harbona, njëri nga eunukët që qëndron në praninë e mbretit, ndodhi aty. Ai tha: “Qe, në shtëpinë e Amanit është i ngulur një tra i lartë pesëdhjetë kute e që Amani e ka bërë gati për ta varur Mardokeun, i cili foli për të mirën e mbretit!” ‑ “Vareni në të!” klithi mbreti.

   Kështu qe varur Amani në litarin që e kishte përgatitur për Mardokeun dhe felgrimi i mbretit u qetësua.

 

   Përgjigjja Krh. Es 10 3f; Is 48, 20

 

   C Izraeli e thirri në ndihmë Zotin e Zoti e shpëtoi popullin e vet dhe na shpëtoi ne nga të gjitha të këqijat, * bëri shenja të mëdha e mrekulli ndër paganë.

   D Lajmëroni me zë gëzimi: E shpërbleu Zoti shërbëtorin e vet Jakobin,

   C bëri shenja të mëdha e mrekulli ndër paganë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Let. 130, 14, 25-26; CSEL 44, 68-71)

 

   Nuk e dimë se çfarë duhet të kërkojmë.

 

   Ndoshta do të më bësh një pyetje: si vallë apostulli ka thënë: “Ne nuk e dimë se çfarë duhet të kërkojmë”? (Rom 8, 26). Nuk duhet të paramendojmë me të vërtetë se ai që thoshte këtë gjë, ose ata të cilëve ai iu drejtohej nuk e njihnin lutjen e Zotit.

   Megjithatë nga kjo padijeni nuk duket se përjashtohet as apostulli, edhe pse ai ndoshta dinte të lutej siç duhet. Në fakt, kur i qe ngulur një gjemb në mish dhe një i dërguar i djallit qe ngarkuar për ta rrahur që të mos krenohej për madhështinë e zbulimeve, tri herë të mira iu lut Zotit që ta çlironte nga prova. E në këtë mënyrë ka treguar se nuk ka ditur në këtë rast se çfarë ishte e duhur të kërkonte. Porse në fund ka dëgjuar përgjigjen e Hyjit, që i shpjegonte se pse nuk po ndodhte ajo që një njeri kaq i shenjtë i kërkonte dhe pse nuk ishte e përshtatshme që të ndodhte kështu: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi” (2 Kor 12, 9).

   Ndërkaq në salvime, të cilat mund të jenë të dobishme dhe të dëmshme, nuk e dimë se çfarë duhet të kërkojmë e, megjithatë, meqë bëhet fjalë për gjëra të vështira, të bezdisshme dhe të kundërta me prirjen e natyrës, duke ndjekur dëshirën e përbashkët të të gjithë njerëzve, ne lutemi që të na hiqen. Nga ana tjetër duhet të tregojmë se kemi besim në Zotin. Nëse ai nuk i largon provat nga ne, kjo nuk është një arsye për të besuar se ai na ka harruar, por përkundrazi, me durimin e shenjtë të të këqijave, duhet të shpresojmë të mira më të mëdha. Kështu, në fakt, “fuqia shfaqet plotësisht në dobësi”.

   Kjo është shkruar që askush të mos mburret nëse i plotësohet lutja kur kërkon me padurim atë që do të ishte më e dobishme të mos e merrte. Nga ana tjetër të mos ligështohet, as të mos dëshpërohet për mëshirën hyjnore nëse nuk i dëgjohet lutja kur kërkon një mirëqenie që, duke i bërë mirë llogaritë, do të mund t’i shkaktonte hidhërim më të madh apo ta shpinte krejtësisht në shkatërrim. Në këto gjëra, pra, nuk e dimë me të vërtetë se çfarë është më mirë të kërkojmë.

   Prandaj, nëse ndodh e kundërta e asaj që kemi kërkuar në lutje, ne duke qëndruar me durim dhe duke falënderuar në çdo rast, nuk duhet të kemi dyshim aspak se ishte më e përshtatshme për ne ajo që Hyji ka dashur se ajo që kemi dashur ne.

   Këtë provë na e jep ndërmjetësi ynë hyjnor i cili ka thënë: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh”, e menjëherë më tej, duke ndryshuar vullnetin njerëzor, që e kishte nga njerëzimi që ka marrë mbi vete, ka shtuar: “megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti” (Mt 26, 39). Ja se pse me të drejtë në sajë të bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë janë bërë të drejtë (krh. Rom 5, 19).

 

   Përgjigjja Krh. Mt 7, 7. 8; Ps 144, 18

 

   C Lypni dhe do t’ju jepet: kush lyp i jepet, * kush kërkon gjen dhe kush troket i çelet.

   D Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin me zemër të çiltër.

   C kush kërkon gjen dhe kush troket i çelet.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.