Shërbesa e leximeve

Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tona

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

 

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

 

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë

 

   D Biri im, ruaji fjalët e mia,

   C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Barukut profet 1, 14 - 2, 5; 3, 1-8

 

   Përlutja e popullit të penduar.

 

   Lexojeni këtë libër që jua dërguam për ta lexuar botërisht në Shtëpinë e Zotit në ditë feste e në ditë të përshtatshme. E thoni:

   Zotit, Hyjit tonë i përket drejtësia, kurse neve faqja e zezë, siç është sot për çdo njeri të Judës, për banorët e Jerusalemit, për mbretërit tanë, për princat tanë, për priftërinjtë tanë, për profetët tanë e për etërit tanë: sepse mëkatuam para Zotit dhe nuk i besuam. Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, që të ecnim urdhërimeve të Zotit, që na i ka vënë përpara. Qysh ditën kur Zoti i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme ishim kokëtrashë kundër Zotit, Hyjit tonë, kemi vepruar paturpësisht për të mos ia dëgjuar zërin, prandaj edhe na u ngjeshën të këqijat e mallkimi, që Zoti ia tha Moisiut, shërbëtorit të vet, ditën kur i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit me qëllim që të na dhuronte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç është edhe sot e kësaj dite. Por ne nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, sipas të gjitha fjalëve të profetëve që na i ka dërguar; por ne shkuam, duke ndjekur secili prirjen e zemrës së vet të keqe, që t'u shërbejmë zotave të huaj dhe bëmë çka s'është e pëlqyeshme para syve të Hyjit tonë.

   E kështu Zoti e çoi në vend fjalën e vet që e tha kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë që e gjykonin Izraelin, kundër mbretërve tanë, kundër princave tanë e kundër çdo njeriu izraelit e judeas, se do të sjellë mbi ne të këqija të mëdha që s'kanë ndodhur askund nën qiell, siç bëri në Jerusalem, sikurse shkruan në Ligjin e Moisiut, sa që të mbërrimë të hamë dikush mishin e djalit të vet e një tjetër mishin e vajzës së vet! E Zoti i vuri nën sundim të të gjithë mbretërive përreth nesh, i bëri turp e mallkim për të gjithë popujt që janë përreth nesh, në mesin e të cilëve i shpërndau. I bëri të jenë skllevër në vend që të zotëronin, sepse mëkatuam kundër Hyjit tonë duke mos e dëgjuar zërin e tij.

   O Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, drejt teje klith një shpirt i ngushtuar, shpirti në ankth! Dëgjo, o Zot, e ki mëshirë, sepse kemi mëkatuar para teje! Ti zotëron përgjithmonë e ne vazhdimisht humbasim! O Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, dëgjoje tani lutjen e të vdekurve të Izraelit e bijve të tyre, që mëkatuan ndër sy të tu, të cilët nuk e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të tyre, e na mbuluan të këqijat! Mos i kujto fajësitë e etërve tanë, por tani kujto pushtetin tënd e Emrin tënd, sepse ti je Zoti, Hyji ynë, e ne do të të lavdërojmë, o Zot, sepse shi për këtë e mbushe zemrën tonë me frikë që ta thërrasim në ndihmë Emrin tënd. Ne dëshirojmë ta lavdërojmë Emrin tënd në mërgimin tonë, sepse e flakëm prej zemrës sonë çdo fajësi të etërve tanë, që mëkatuan ndër sytë e tu. Ja, ne edhe sot gjendemi në këtë mërgim, ku na trete të jemi turp, mallkim, shpagim për të gjitha paudhësitë e etërve tanë, që u larguan prej Zotit, Hyjit tonë.”

 

   Përgjigjja Krh. Ef 2, 4-5; Bar 2, 12

 

   C Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, * ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin.

   D Ne mëkatuam, o Zot, Hyji ynë, u sollëm si të patenzonë, vepruam paudhësisht në lidhje me të gjitha urdhërimet e tua;

   C ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Probës” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Let. 130, 14, 27- 15, 28; CSEL 44, 71-73)

 

   Shpirti ndërhyn për ne.

 

   Kushdo që i lyp Zotit një gjë të vetme dhe atë do (krh. Ps 27 /26/, 4), kërkon me siguri dhe nuk ka frikë se është e dëmshme kur ta marrë. Por, pa këtë gjë, asgjë nuk do t’i vlejë çfarëdo që të ketë marrë, duke u lutur siç duhet. Kjo gjë është jeta e vetme dhe e vërtetë, e vetmja jetë e lume, sepse në të gëzohen ëmbëlsitë e Zotit për amshim, pasi janë bërë të pavdekshëm dhe të pashkatërrueshëm në trup dhe në shpirt. Është ajo gjë së cilës i nënrenditet kërkesa e çdo dhurate tjetër, e vetmja që nuk gabohet kurrë nëse kërkohet. Kushdo që të ketë arritur këtë jetë, do të ketë çfarëdo gjëje që të dojë dhe nuk do të dëshirojë gjëra që nuk duhen.

   Në të gjendet burimi i jetës, për të cilin tani duhet të kemi etje kur lutemi, përderisa jetojmë në shpresë dhe nuk e shohim akoma atë që shpresojmë për të parë kur do të jemi nën mbrojtjen e krahëve të tij. Tani për tani vëmë përpara tij çdo dëshirë tonën për t’u dehur me mjaftueshmërinë e shtëpisë së tij dhe për të shuar etjen në përroin e ëmbëlsive të tij; sepse tek ai është burimi i jetës dhe në dritën e tij do të shohim dritën (krh. Ps 36 /35/, 8-10). Kur pastaj dëshira jonë do të jetë mbushur me të mira, nuk do të kemi më nevojë për të kërkuar me psherëtima, por vetëm për të zotëruar me gëzim.

   Megjithatë, duke qenë se kjo paqe tejkalon çdo mençuri njerëzore, edhe kur e kërkojmë në lutje, nuk dimë se çfarë të kërkojmë siç duhet. Atë që nuk mund ta përfytyrojmë siç është në realitet sigurisht se nuk mund të themi se e njohim. Ka shumë gjëra që ne i përbuzim, refuzojmë, përçmojmë kur përfytyrimi i tyre i shfaqet mendjes tonë. E dimë se nuk është ajo që kërkojmë, edhe pse nuk e dimë akoma se si është në të vërtetë objekti i dëshirave tona.

   Gjendet pra në ne, të themi kështu, një padituri e ditur, por e mësuar nga shpirti i Hyjit, që ndihmon dobësinë tonë. Meqë apostulli ka thënë: “Nëse, pra shpresojmë çka nuk shohim atë gjë e presim me qëndresë. Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme. E Ai i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt – se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji” (Rom 8, 25-27).

   Këtë nuk duhet ta kuptojmë duke menduar se Shpirti i Hyjit, i cili në Trini është Hyj i pavdekshëm dhe një Hyj i vetëm me Atin dhe me Birin, ndërhyn për shenjtërit, sikur të mos ishte ai që është, domethënë Hyj. Në të vërtetë thuhet: “Ndërmjetëson për shenjtërit”, sepse i shtyn shenjtërit në lutje. Në të njëjtën mënyrë është e shkruar: “Zoti, Hyji juaj, ju vë në provë, për të ditur a e doni apo nuk e doni atë me gjithë zemër e me gjithë shpirt” (Lp 13, 4), domethënë për t’u treguar juve vetë nëse e doni. Shpirti i Hyjit, pra, i shtyn shenjtërit për tu lutur me psherëtima të pashprehshme, duke u frymëzuar atyre dëshirën e një gjëje kaq të madhe, por akoma të panjohur, që ne e presim nëpërmjet shpresës. Përndryshe si do të mund të përshkruhej në lutje një e mirë që dëshirohet pa e njohur? Në të vërtetë, po të ishte krejtësisht e panjohur nuk do të ishte objekt dëshire, e nëse do të shihej, si realitet që tashmë zotërohet, as nuk do të dëshirohej, as nuk do të kërkohej me psherëtima.

 

   Përgjigjja Krh. Rom 8, 26; Zak 12, 10

 

   C Ne nuk e dimë se çfarë duhet të kërkojmë. * Vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme.

   D Atë ditë, thotë Zoti, do të ndikoj mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit një shpirt hiri dhe ngushëllimi.

   C Vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.