Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Hy i mëshirës s’epër
krijuesi i makinës së botës,
një i vetëm me pushtet,
tri veta në persona,
prano me këngë të përshpirtshme
mirësisht vajtimet tona,
në mjerim me zemër të pastër
të gëzojmë ty më tepër.
Me zjarr të hijshëm dashurie
ti na i ngroh mirë këllqet
që të jenë gjithnjë të përveshur
dhe gati n’ardhjet e tua.
Që, disa orë të netëve
ne tash me këngë i thyejmë,
me dhunti t’atmes shenjte
gjerësisht të gjithë të pasurohemi.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Autori i lavdisë së përjetshme,
që besimtarëve Shpirtin
u jep me hir shtatë formash,
i butë qëndroju pranë të gjithëve.
Dëbo sëmundjet prej trupave,
hiqja pengesat mendjes,
dërrmo fuqitë e krimeve,
largo dhembjet e zemrave.
Bëji mendjet të kthjellta
kryeje veprën e ndershme,
prano lutjet e lutësve,
jepu jetën e amshuar.
Në rrjedhat e shtatë ditëve
tash çdo kohë shtjellohet,
e teta ajo e fundit,
do të jetë dita e gjyqit.
Në të cilën Shëlbues, të lutemi,
mos na padit me mllef,
por na liro nga e majta,
vendosna në të djathtën.
Që kur shpirtmirë Ti lutjet
t’ia pranosh turmës tënde,
të gjithë lavdi t’i thurim
për amshim Trinisë Shenjte. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë
Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
si kërthi është shpirti im në mua.
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
tani e për gjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit
Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).
I (1-10)
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
do ta vë mbi fronin tënd!
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
do të rrinë përmbi fronin tënd.«
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
e pëlqeu për banesë të veten:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:
C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.
Leximi i parë
Prej librit të Barukut profet 3, 9-15. 24 – 4, 4
Shpëtimi i Izraelit qëndron në urti.
Dëgjoj, o Izrael, urdhrat e jetës, vëru vesh për ta njohur urtinë!
Po përse ti, o Izrael, përse je në tokën e armikut? Ti u plake në dheun e huaj, po përdhosesh me kufoma, i çmuar si ata që në Nëntokë zbritën!
E le burimin e dijes! Të kishe ecur udhës së Zotit, do të banoje në paqe të përhershme. Mëso se ku është mençuria, ku fuqia e ku kuptimi, që njëherë e mirë ta dish ku është jeta e gjatë, drita e syve edhe paqja.
Kush e zb'loi vendin e saj? Kush hyri në vishtarë të saj? Sa e madhe është, o Izrael, banesa e Hyjit, sa i gjerë është vendi i zotërimit të tij! I madh është sa që s'ka mbarim, i lartë edhe i pakufishëm! Aty qenë viganët, moti të përmendur, të lartë me shtat e mjeshtër lufte. Por ata s'i zgjodhi Hyji, as s'ua dha udhën e dijes. U shuan pse u mungoi urtësia, sharruan për shkak të marrëzisë.
Kush u ngjit në qiell e atë e mori, e uli poshtë nga retë? Kush e kapërceu detin dhe e gjeti dhe e bleu me ar të kulluar?
Askush s'e njeh udhën e saj, as s'e kupton shtegun e saj. E njeh Ai që di gjithçka, e shqyrtoi me mend të vet, Ai që e përftoi tokën për kohë të amshueshme, që e mbushi me kafshë katërkëmbëshe; Ai që e nis dritën e ajo merr rrugë, e thërret prapa e kthen duke u dridhur! Yjet ndriçojnë në vendin e vet e gëzohen: i thirri e thanë: “Tek jemi!”; i ndriçuan me gëzim Atij që i krijoi!
Ky është Hyji ynë, një tjetër me Të s'mund të krahasohet! Ai e shqyrtoi mbarë udhën e njohjes, ia dhuroi Jakobit, shërbëtorit të vet, Izraelit, të dashurit të vet. Kështu ajo edhe u pa mbi tokë edhe mes njerëzve banoi. Ajo është Libri i Urdhërimeve të Hyjit, Ligji që qëndron për amshim: kush ta mbajë, do të jetojë, kush të mos e mbajë, do të vdesë!
Kthehu, Jakob, e pranoje, ec drejt shkëlqimit, në dritën e tij! Mos ia jep tjetërkujt nderin tënd, denjësinë tënde një populli tjetër! Jemi të lumtur, o Izrael, sepse na u zbulua çka i pëlqen Hyjit.
Përgjigjja Krh. Rom 11, 33; Bar 3, 32. 37
C O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! * Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija!
D Ai që di gjithçka e njeh urtinë; Ai ia dhuroi Izraelit, të dashurit të vet.
C Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija!
Leximi i dytë
Lexim nga “Ligjëratat” e shën Pjetër Krizologut, ipeshkëv
(Fjal. 117; PL 52, 520-521)
Fjala, Dituria e Hyjit, është bërë mish.
Apostulli i lumë na ka treguar se dy njerëz i kanë dhënë fillimin gjinisë njerëzore, domethënë Adami dhe Krishti. Dy njerëz të barabartë për sa i përket trupit, por të ndryshëm për sa u përket meritave. Shumë të ngjashëm në gjymtyrë, por krejtësisht të ndryshëm për nga zanafilla e tyre. “Njeriu i parë, Adami – u bë shpirt i gjallë, Adami i fundit – Shpirti që jep jetën” (1 Kor 15, 45).
I pari ka qenë krijuar nga i fundit, prej të cilit ka marrë shpirtin për të jetuar. Ky ka bërë vetveten sepse është i tillë që nuk mund të presë jetën nga dikush tjetër, ai që është i vetmi që u jep të gjithëve jetën. I pari qe krijuar nga balta e ulët, i dyti ka ardhur në botë nga prehri tejet fisnik i Virgjërës. Në të parin toka qe shndërruar në mish, në të dytin mishi është lartësuar deri tek Hyji.
E çfarë duhet të themi më shumë? Ky është Adami i dytë që ka trajtuar të parin dhe që ka gdhendur në të shëmbëllimin e vet. E kështu ka ndodhur se ai ka marrë natyrën dhe emrin për të mos humbur atë që kishte bërë në shëmbëllimin e vet. Kemi një Adam të parë dhe një Adam të fundit. I pari ka një fillim, i dyti nuk ka mbarim. Në të vërtetë ky i fundit është pikërisht i pari ngaqë thotë: “Unë, unë jam i pari edhe unë jam i fundit” (Is 48, 12).
“Unë jam i pari”, domethënë pa fillim; “unë jam i fundit”, sepse nuk ka mbarim. “Nuk qe më parë qenësi shpirtëror”, thotë Apostulli, “por qenësi lëndor e atëherë u bë qenësi shpirtëror” (1 Kor 15, 46). Sigurisht se toka vjen përpara frytit, por toka nuk është aq e çmueshme sa fryti. Ajo kërkon ankime dhe lodhje, fryti jep ushqim dhe jetë. Me të drejtë profeti krenohet me një fryt të tillë kur thotë: toka jonë e ka dhënë frytin e vet (krh. Ps 85 /84/, 13). Cilin fryt? Qartësisht atë për të cilin flet tjetërkund: “Bamin e kraharorit tënd to ta vë mbi fronin tënd” (Ps 132 /131/, 11). “Njeriu i parë, i nxjerrë nga toka, thotë Apostulli, është prej toke; njeriu i dytë, përkundrazi, që vjen prej qiellit, është qiellor”. Dhe vazhdon: “Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët, si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët” (1 Kor 15, 78). Si vallë ata që nuk kanë lindur të tillë do të mund të bëhen qiellorë, duke mos mbetur siç kanë qenë kur kanë lindur, por duke vazhduar të jenë ata që janë bërë kur kanë rilindur? Është kjo arsyeja, vëllezër, për të cilën shpirti qiellor me dritën e tij hyjnore e bën të frytshme gurrën virgjërore. Ata që burimi argjilor kishte nxjerrë në botë në gjendjen e shkretë tokësore, burimi i ri i lind qiellorë dhe i shpie në përngjasimin e krijuesit të tyre hyjnor. Prandaj, tashmë të rilindur, tashmë të riformuar në përngjasimin e krijuesit tonë, përmbushim atë që urdhëron Apostulli: “Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor” (1 Kor 15, 49).
Të rilindur tashmë në përngjasimin e Zotit tonë dhe të adoptuar nga Hyji si bij, ta mbartim tërë shëmbëllimin e Autorit tonë, ta mbartim me përngjasim të plotë, jo në madhështinë që i takon vetëm atij, por në atë pafajësi, thjeshtësi, butësi, durim, përvujtëri, mëshirë, paqe, me të cilat është denjuar të bëhet si ne dhe të jetë i ngjashëm me ne.
Përgjigjja Rom 5, 18. 12
C Mëkati i njërit - dënim për të gjithë njerëzit; * gjithashtu edhe drejtësia e Njërit - shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve.
D Me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit vdekja:
C gjithashtu edhe drejtësia e Njërit - shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushtim vullnesën tënde, dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.