Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E diel
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbërve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhnjëmtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues
Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2 Kor 5, 17).
I (1-12)
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë, *
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete, *
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
majat e maleve i mbulonin ujërat:
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
dridhen nga zëri i bubullimës sate:
ngjiten në male, zbresin në lugina *
drejt vendit që ti u cakton:
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
Burimet ti i kthen në përrenj, *
rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
gem më gem ia thonë këngës së vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
II (13-23)
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
toka ngihet me frytet e duarve të tua.
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
për të nxjerrë prej tokës bukën
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
që me vaj ta lyejë fytyrën *
e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
Malet e larta strehim u japin shutave, *
e shpellat vjedullave banesën.
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
Kur lind dielli ata tërhiqen *
e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
III (24-35)
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
Nëpër të kalojnë anijet, *
Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
Të gjitha këto presin me shpresë *
që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
po ua more frymën, ato ngordhin *
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
dhe e rinon fytyrën e dheut.
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
u gëzoftë Zoti në veprat e veta! –
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
i prek malet e i bën të tymojnë.
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *
Bekoje, shpirti im, Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
D Lum sytë tuaj, që e shohin Krishtin:
C dhe veshët tuaj, që e dëgjojnë zërin e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Urtisë 1, 1-15
Madhërimi i urtisë së Hyjit.
Doni drejtësinë, ju që gjykoni dheun, ushqeni ndjenja mirësie ndaj Hyjit dhe kërkojeni atë në thjeshtësinë e zemrës, sepse atë e gjejnë ata që s'e tundojnë dhe Ai u dëftohet atyre që besojnë në Të.
Sepse mendimet dhelparake na ndajnë nga Hyji, kurse Gjithpushtetësia e vënë në provë i ndëshkon të patenzonët.
Sepse urtia nuk hyn në shpirtin bakeq dhe nuk banon në trupin skllav të mëkatit.
Sepse shpirti mësues shenjtërimi ikën nga shtiaku, largohet nga mendimet e marra dhe errësohet posa ia beh paudhësia.
Urtia është shpirt që i do njerëzit, por s'e lë pa ndëshkuar atë që fyen me buzë, sepse dëshmitari i veshkave të tija është Hyji, shqyrtuesi i vërtetë i zemrës së tij e ndjen ç'thotë gjuha e tij.
Vërtet shpirti i Zotit e mbush gjithësinë dhe ai që pushton gjithçka, di krejt çka thuhet.
Së këndejmi, kush thotë paudhësi s'mund të fshihet dhe s'do ta kursejë drejtësia shpaguese.
Sepse do të shqyrtohen mendimet e të mbrapshtit, zëri i fjalëve të tija deri te Zoti do të arrijë për dënim të paudhësive të tija.
Sepse është një vesh që me kujdes dëgjon gjithçka sa që as pëshpëritja e nynykamave s'i shpëton.
Ruhuni, pra, nynykamës së kotë, rrudheni gjuhën nga shpifjet, sepse as fjala e fshehtë nuk do të shkojë huq dhe goja që rren, shpirtin e mbyt.
Mos e kërkoni vdekjen me gabime të jetës suaj dhe mos e rrënoni veten me vepra të duarve tuaja, sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve.
Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues dhe Nëntoka nuk e sundon tokën:
sepse drejtësia është e pavdekshme.
Përgjigjja Krh. Fu 3, 13. 15. 17; Jak 3, 17
C Lum njeriu që e fitoi urtinë, ajo është më e çmueshme se të gjitha perlat; * udhët e saja, udhë të bukura, të gjitha shtigjet e saja me paqe.
D Urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira;
C udhët e saja, udhë të bukura, të gjitha shtigjet e saja me paqe.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë
(Kap. 19, 2 – 20, 12; Funk. 1, 87-89)
Hyji e rregullon botën me harmoni dhe mirëkuptim dhe u bën të gjithëve të mirën.
Le ta ngulim shikimin mbi atin dhe krijuesin e gjithë botës dhe le të lidhemi ngushtë me dhuratat e mëdha dhe të pakrahasueshme të paqes dhe me të mirat e tij. Le të kundrojmë në mendjen tonë dhe le të shqyrtojmë me sytë e shpirtit dashurinë e tij kaq zemërgjerë. Ta marrim me mend sa i mirë tregohet me çdo krijesë të tijën.
Qiejt, që lëvizin nën pushtetin e tij, i nënshtrohen në paqe; dita dhe nata përshkojnë udhën e caktuar nga ai pa penguar njëra-tjetrën. Dielli, drita dhe kori i yjeve përshkojnë orbitat e përcaktuara sipas vullnetit të tij pa dalë nga udha e tyre dhe në një harmoni të bukur. Toka, pjellore sipas dëshirës së tij, kur të vijë koha prodhon ushqim të mjaftueshëm për njerëzit, kafshët dhe të gjithë frymorët që jetojnë në të, pa çrregullsi dhe pa asnjë ndryshim në lidhje me atë që ai ka caktuar. Vetë renditjet rregullojnë humnerat e padepërtueshme dhe thellësitë e tokës. Nën urdhrin e tij deti i pafund dhe i pakufi është mbledhur në shtratin e vet dhe nuk i tejkalon kufijtë që i janë vënë, por sillet ashtu si Hyji i ka urdhëruar. Në fakt ka thënë: “Deri këtu! Më tej mos shko! Këtu le të thyhen valët tua krenare” (Jb 38, 11). Oqeani i pakapërcyeshëm për njerëzit dhe botët që gjenden përtej tij qëndrojnë në bazë të të njëjtave urdhërime të Zotit.
Stinët e pranverës, verës, vjeshtës dhe dimrit ndjekin rregullisht njëra-tjetrën. Rrymat e erërave përmbushin detyrën e tyre pa vonesë dhe në kohën e caktuar. Edhe burimet e përhershme të krijuar që ne t’i gëzojmë dhe t’i përdorim për shëndetin tonë, ofrojnë ujin e tyre pandërprerë për të mbështetur jetën e njerëzve. Deri edhe kafshët më të vogla lidhen së bashku në paqe dhe mirëkuptim. Të gjitha këto krijuesi i madh dhe Zoti i çdo gjëje ka urdhëruar që të bëhen në paqe dhe mirëkuptim, ai që është gjithmonë zemërgjerë në të mira ndaj të gjithëve, por më shumë akoma ndaj nesh që kërkojmë mëshirën e tij nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krishtit. Atij i qoftë lavdi dhe nder në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja Krh. Jt 9, 12; 6, 19
C Zotërues i qiellit e i tokës, krijues i ujërave, mbret i të gjitha krijesave, * dëgjoje lutjen e shërbëtorëve të tu.
D Krijues i qiellit e i tokës, shikoje përvujtërinë e popullit tonë:
C dëgjoje lutjen e shërbëtorëve të tu.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.