Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje. –

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

      Leximi i parë

 

   Prej librit të Urtisë 1, 16 – 2, 1a. 10-24

 

   Mendimet e marra të bakëqjve kundër të drejtit.

 

   Keqbërësit e thërrasin vdekjen me dorë e me fjalë, duke e mbajtur për mikeshë, shkrihen për të, me të bëjnë besëlidhje, sepse janë të denjë t'i përkasin asaj. Sepse thonë në vetvete duke llogaritur gabimisht: Le ta ndrydhim skamnorin e drejtë, të mos e kursejmë as vejushën të mos nderohen as pleqtë e thinjur nga mosha e thellë.

   Ligji i drejtësisë le të jetë fuqia jonë, sepse çka është e dobët, s'ka farë vlere.

   T'i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. Ai shpall se e ka njohjen e Hyjit dhe veten e quan bir të Hyjit. Ai është bërë një qortim i gjallë për mendimet tona, barrë na bëhet posa e shikojmë. Jeta e tij ndryshon nga jeta e të tjerëve, sjellja e tij është krejtësisht e ndryshme.

   Monedhë e rreme prej tij mbahemi dhe u shmanget udhëve tona sikurse ndyrësisë; fatin e sprasëm të të drejtit e çmon të lumtur dhe mburret se Hyjin e ka babë.

   Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit, Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve.

   Ta vëmë në sprovë me fyerje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij.

   Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse, siç thotë ai, shpëtimi do t'i vijë!”

   Kështu mendojnë të patenzonët, por gabojnë, i verboi paudhësia e tyre, nuk i njohin fshehtësitë e Hyjit, nuk e presin shpërblimin për shenjtëri dhe nuk besojnë në shpërblimin e shpirtrave të pastër.

   E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet, por, prej smirës së Djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij.

 

   Përgjigjja Krh. Urt 2, 1. 12. 13. 17; Mt 27, 43

 

   C Thonë keqbërësit: T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona dhe veten e quan bir të Hyjit. * Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta.

   D Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend. Sepse vetë tha: Jam Biri i Hyjit!

   C Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Letra drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë

   (Kap. 21, 1 – 22, 5; 23, 1-2; Funk, 1, 89-93)

 

   Të mos shkojmë kundër vullnetit të Hyjit.

 

   Kini kujdes, o shumë të dashur, që të mirat e Hyjit, kaq të mëdha dhe të shumta, të mos kthehen në ndëshkim për ne nëse nuk jetojmë në mënyrë të denjë për të, domethënë nëse nuk bëjmë njëzëri çfarë është e mirë dhe e pëlqyeshme para tij. Thotë, në fakt në një vend: Shpirti i Zotit është si një flakë që shqyrton të gjitha sekretet e largëta të zemrës (Krh. Fu 20, 27 vulg.).

   Le të mendojmë se sa afër nesh është dhe se asgjë që iu përket mendimeve dhe qëllimeve tona nuk i është e fshehur. Prandaj të mos shkojmë kurrë kundër vullnetit të tij. Në vend që të fyejmë Hyjin, të mos ngurrojmë të hyjmë në mosmarrëveshje me njerëzit e mbrapshtë të cilëve u mungon gjykimi, të ngurrët dhe mendjemëdhenj dhe të pasur vetëm me fjalë gënjeshtare.

   Të adhurojmë Zotin Jezu Krisht, gjaku i të cilit është derdhur për ne, të kemi respekt për ata që na qeverisin, të nderojmë pleqtë dhe të mësojmë të rinjtë në njohurinë e druajtjes së Hyjit, t’i udhëheqim nuset tona në udhën e së mirës. Të jenë të hijshme në jetën e tyre morale, të japin prova për gatishmërinë e tyre për të qenë të ëmbla, duke heshtur të tregojnë se dinë ta mbajnë gojën, t’u ofrojnë njësoj dashuri, pa bërë dallime, të gjithë atyre që shenjtërisht i shërbejnë Hyjit.

   Bijtë tanë të ushqehen në thesarin e mësimeve të Krishtit; të mësojnë se çfarë force ka përpara Hyjit përvujtëria, çfarë mund të jetë përpara tij një dashuri e pastër, dhe sa e mirë dhe e madhe është druajtja e tij. Ajo shëlbon të gjithë ata që e zbatojnë shenjtërisht në pastërtinë e shpirtit. Hyji, në fakt, shqyrton mendimet dhe qëllimet e mendjes. Fryma e tij është në ne dhe do të na e heqë kur të dojë.

   E gjithë kjo është e pohuar nga feja që kemi në Krishtin. Ai me anë të Shpirtit Shenjt na thërret: “Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën e Zotit. A e dëshiron jetën, o njeri? Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare. Ik prej së keqes e bëj të mirën, kërkojë paqen e ndiqe atë” (Ps 34 /33/, 12-15).

   I bashkëdhimbshëm dhe i gjerë me të gjithë, ai është Atë që sjell dashuri të veçantë për ata që e druajnë. Me ëmbëlsi dhe dashuri ai shpërndan hiret e tij mbi ata që i afrohen atij me zemër të thjeshtë. Prandaj të mos e kemi zemrën të ndarë dhe shpirti ynë të mos mburret për dhuratat e tij të pakrahasueshme dhe madhështore.

 

   Përgjigjja Krh. Tob 4, 19; 14, 8

 

   C Në çdo kohë bekoje Zotin dhe kërko prej tij t’i drejtojë udhët e tua; * e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua.

   D Bëj para tij çka atij i pëlqen, në të vërtetë e me të gjitha fuqitë e tua.

   C e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.