Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,
përherë në psalme thellë le të mendohemi
me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit
ëmbëlsisht himnet.
Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,
me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi
n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku
jetën e lume.
E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume
e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit
të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton
nëpër mbarë botën. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,
o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;
prano premtimet e shërbëtorëve tu
të përgjërohemi.
Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë
me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat
e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha
dëbo nga zemrat.
Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,
këputi prangat, laj papastërtitë,
ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde
ngre të rrëzuarit.
Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,
dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,
me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt
nëpër gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar
e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u shqetëso se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit, –
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:
C sepse kam besim në fjalët e tua.
Leximi i parë
Prej librit të Urtisë 3, 1-19
Të drejtëve u takon pronësia e mbretërisë.
Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit dhe ata s'do t'i prekë asfarë vështirësie e vdekjes.
Syve të të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim e ndarja e tyre prej nesh si një asgjësim, kurse ata janë në paqe.
Po edhe nëse, në sytë e njerëzve, e sprovuan ndëshkimin, shpresa e tyre ishte plot pavdekësi; për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha, sepse Hyji i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten.
I sprovoi porsi arin në furrë dhe i pranoi porsi fli shkrumbimi.
Ditën e pasisë së Hyjit do të shndritin dhe do të lëvizin porsi shkëndijat në hamballë: do t'i gjykojnë kombet e do t'i sundojnë popujt dhe mbi ta do të mbretërojë Zoti gjithherë.
Ata që shpresojnë në Të do ta kuptojnë të vërtetën, ata që janë besnikë do të pushojnë në dashuri me Të, sepse të zgjedhurit e Tij fitojnë hir e mëshirë dhe Ai do t'i vizitojë të zgjedhurit e vet.
E të patenzonët, që e përbuzën të drejtin dhe u larguan prej Zotit, do ta fitojnë ndëshkimin e duhur sipas bindjeve të veta.
I mjerë është ai që e përbuz urtinë e disiplinën, e kotë është shpresa e tyre, mundi i tyre i pafryt dhe veprat e tyre janë të kota. Gratë e tyre janë të marra, fëmijët e tyre të mbrapshtë dhe pjella e tyre e mallkuar.
Lum beronja e padangë, shtrati i të cilës nuk e njohu mëkatin: do ta ketë frytin e vet në shqyrtimin e shpirtrave.
Lum edhe i pafëmija që me duar të veta s'bëri paudhësi, që s'mendon punë të këqija kundër Zotit, për besnikërinë e vet do të fitojë hir të veçantë, pjesën më të dëshirueshmen në Tempullin e Zotit, sepse fryti i veprave të mira është i lavdishëm, e pashkatërrueshme është rrënja e urtisë.
Kurse bami i kurorëshkelësve s'do të shkojë për së mbari, dhe fara e shtratit të paudhë do të shuhet.
Po edhe nëse do ta kenë jetën e gjatë, do të mbahen për askushi dhe në fund pleqëria e tyre do të jetë e pander.
Po qe se vdesin herët, të pashpresë do të jenë dhe ngushëllim s'do të kenë ditën e gjyqit: sepse i tmerrshëm është fati i pjellës mëkatare.
Përgjigjja Krh. Urt 3, 6. 7. 9
C Zoti i sprovoi porsi arin në furrë dhe i pranoi porsi fli shkrumbimi. Ditën e pasisë së Hyjit do të shndritin: * të zgjedhurit e Tij fitojnë hir e mëshirë.
D Ata që shpresojnë në Të do ta kuptojnë të vërtetën, ata që janë besnikë do të pushojnë në dashuri me Të.
C Të zgjedhurit e Tij fitojnë hir e mëshirë.
Leximi i dytë
Lexim nga “Letra drejtuar Korintianëve” e shën Klementit I, papë
(Kap. 24, 1-5; 27, 1 – 29, 1; Funk, 1, 93 - 97)
Hyji u rri besnik premtimeve të veta.
Të marrim me mend, o vëllezër, se si Zoti na tregon shembuj të vazhdueshëm të ringjalljes së ardhshme, prej të cilës na ka dhënë frytin e parë në Jezu Krishtin, duke e ringjallur nga të vdekurit.
Të vëmë re ringjalljen që ndodh në ligjin e kohës. Dita dhe nata na bëjnë të shohim ringjalljen. Nata përgjumet, dita ringjallet. Dita kalon, arrin nata.
Të marrim si shembull frytet. Fara çfarë është? Si lind? Mbjellësi ka dalë dhe ka shpërndarë mbi tokë secilën farë. Këto, pasi kanë rënë përtokë, të thata dhe të zhveshura, kalben. Pastaj Hyji i madh dhe i provanishëm bën që të ringjallen nga vetë shpërbërja dhe, nga një farë e vetme nxjerr shumë të tjera dhe i bën të japin fryte.
Shpirtrat tanë duhet të jenë të lidhur me të me këtë shpresë, me atë që është besnik në premtime dhe i drejtë në gjykim. Ai që ka ndaluar të gënjehet as që mund të gënjejë. Asgjë nuk është e pamundur për Hyjin përveç se të gënjejë. Le ta ringjallim pra fenë tonë në të dhe të kundrojmë se si të gjitha gjërat janë të lidhura me të.
Me një fjalë të madhërisë së tij ka përcaktuar çdo gjë dhe me një fjalë mund të shkatërrojë gjithçka. Kush do të mund ta pyeste: Çfarë ke bërë? Dhe kush do të mund t’i kundërvihej forcës së fuqisë së tij? (krh. Dit 12, 12) Veprat e tij ai do t’i përmbushë?? të gjitha kur të dojë dhe si të dojë, dhe asgjë nuk do të bjerë nga ç’ka vendosur ai. Gjithçka është përpara tij dhe asgjë nuk i ikën vullnetit të tij. “Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij! Dita ditës ia përsërit këtë gjë e nata natës ia sjell këtë të vërtetë. E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, po as zë që do të mund të dëgjohet” (Ps 19 /18/, 2-4).
Pra, meqë gjithçka është e hapur para syve të tij dhe për veshët e tij, le të flakim çdo fantazi të turbullt dhe le të shmangim shtigjet e së keqes për të merituar mbështetjen e mëshirës së tij përballë gjykimit të ardhshëm. Ku mund të ikim prej dorës së tij të fuqishme? Ç’botë tjetër do të mund të pranonte një njeri që është arratisur nga ai? Thotë, në fakt Shkrimi: Ku do të shkoj dhe ku do të fshihem nga prania jote? Nëse ngjitem në qiell, aty je ti; nëse do të shkoj në skajet e tokës, e djathta jote më mbërthen; nëse do të shtrihem në fund të bumbëtirës, atje është shpirti yt (krh. Ps 139 /138/, 7-11).
Ku pra është e mundur të tërhiqemi, apo ku të ikim nga ai që gjithçka përqafon?
Përkundrazi, t’i afrohemi në shenjtërinë e shpirtit, të lartësojmë drejt tij duart e pastra dhe pa njolla, ta duam Atin tonë të mirë dhe të mëshirshëm, që na ka bërë trashëgimi të veten.
Përgjigjja Es 4, 17c. D
C Zot, o Zot, mbret i gjithëpushtetshëm, gjithçka është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i qëndrojë përballë vullnetit tënd; * na shpëto për hir të emrit tënd.
D Ti je ai që e krijove qiellin e tokën: të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore.
C na shpëto për hir të emrit tënd.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.