Shërbesa e leximeve
28 tetor, Shën Simoni dhe Shën Juda, apostuj
Festë
Emri i Simonit, në listën e apostujve, është vënë në vendin e njëmbëdhjetë. Nuk dihet asgjë për të përveçse, i lindur në Kanë, mbiquhej “Zelltari”.
Juda, i quajtur edhe Tadeu, është ai apostull që në darkën e fundit e pyeti Zotërinë: “Ç’ndodhi që do të na dëftohesh neve e jo botës?”
Nga Përbashkorja e apostujve (fq. 1524)
Shërbesa e leximeve
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të kumtojë lavdinë tënde!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Ngazëllimi i përbashkët i himnit
të ngrejë lart ju, Apostuj,
që i njëjti hir ju mbledh,
një lavdi kurorzon.
Nga flakë qiellore i nxitur,
pas gjurmëve të Krishtit,
ecën, Simon, e atë e shpall
përshkuar nga zell i shkathët.
Yt vëlla prej gjaku, ithtar
e vëlla në shpirt i Krishtit,
ti Judë, predikon Mjeshtrin,
me shkrime mëson vëllezrit.
Asnjëri nuk friksohet
me derdhë gjakun e pastër,
i shquar për t’vërtetën
qoftë dëshmitar dhe flije.
O yje t’epra t’qiellit,
na jepni n’vështirësira
t’fuqishëm me besim t’pathyeshëm
të synojmë ndër qiellorët.
Atit në përjetësi lavdia,
Birit dhe Ngushllimtarit,
n’lumni tyre qiellore
për jetë bashkë të gëzojmë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
Psalmi 97 /96/ (1-12)
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
D E shpallën fuqinë e Zotit,
C dhe mrekullitë që ai i bëri.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 1-16
Gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t'i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. ‘Jo përtej se çka është e shkruar!' që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s'e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët,
ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,
deri tani s'ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!
Nuk po jua shkruaj këto që t'ju turpëroj, por që t'ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t'i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!
Përgjigjja Gjn 15, 15; Mt 13, 12
C Nuk ju thërras më shërbëtorë, por miq: * ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
D Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit: lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë:
C ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Leximi i dytë
Nga “Koment mbi ungjillin e Gjonit” i shën Çirilit të Aleksandrisë, ipeshkëv
(Lib. 12, 1; PG 74, 707-710)
Ashtu siç më ka dërguar Ati mua, edhe unë po ju dërgoj ju.
Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe mbarështuesit e mistereve të tija hyjnore. Deshi më pas që ata të shkëlqenin porsi pishtar dhe të shndrisnin jo vetëm tokën e Judenjve, por edhe atë të të tjerëve që gjenden nën dritën e diellit dhe të gjithë njerëzit që e popullojnë tokën. Për këtë arsye është i vërtetë ai që thotë: “Askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni” (Heb 5, 4). Zoti ynë Jezu Krishti i ka veshur apostujt e tij me një dinjitet të madh më shumë se të gjithë nxënësit e tjerë.
Apostujt e tij ishin shtyllat dhe themelet e së vërtetës. Krishti thotë se atyre u ka dhënë të njëjtin mision që Ati ia kishte dhënë atij. E tregoi kështu madhështinë e apostullatit dhe lavdinë e pakrahasueshme të shërbesës së tyre, por me këtë gjë edhe bëri që të kuptojmë cili është funksioni i shërbesës apostolike.
Ai, pra, mendoi se duhet t’i dërgonte apostujt e tij në të njëjtën mënyrë në të cilën Ati e kishte dërguar atë. Për këtë arsye ishte e nevojshme që ata t’i përngjanin krejtësisht atij dhe ta njihnin saktësisht detyrën që i ishte besuar Birit nga Ati. Ja pse Jezusi e shpjegon shumë herë natyrën e misionit të tij. Një herë thotë: “Nuk erdha të ftoj të drejtët për kthim, por mëkatarët” (Mt 9, 13). Një herë tjetër thotë: “Zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi” (Gjn 6, 38). Vërtet “Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të”(Gjn 3, 17).
Duke i përmbledhur, pra, me pak fjalë detyrimet e apostullatit, thotë se i ka dërguar në të njëjtën mënyrë siç e kishte dërguar edhe Ati atë, që nga kjo gjë të mësonin se detyra e tyre e saktë ishte që t’i ftonin mëkatarët në pendesë, që të shëronin të sëmurët si në trup ashtu edhe në shpirt, që në mbarështimin e të mirave të Hyjit të mos kërkonin vullnetin e tyre, por vullnetin e atij prej të cilit ishin dërguar për të shpëtuar botën me mësimin e tij autentik.
Nëse lexohen vetëm Veprat e Apostujve dhe shkrimet e Palit, atëherë nuk do të jetë e vështirë të dimë deri në ç’pikë janë përpjekur apostujt që të jenë besnik ndaj këtij urdhri.
Përgjigjja Gjn 15, 16. 8
C Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt * e fryti juaj të qëndrojë.
D Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt,
C e fryti juaj të qëndrojë.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti bëre që me anë të predikimit të apostujve të tu të njohim emrin tënd: bëj që, me anë të uratës së shën Simonit e Judës, Kisha jote vazhdimisht të shkojë duke u rritur me pranimin e Ungjillit prej popujve të rinj. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.