Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E enjte
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Shpendi lajmëtar i ditës
me kangë njofton po afrohet drita;
ne tani ndërtuesi i mendjeve
Krishti na fton te jeta.
“Hiqni – thërret – nga shtretërit
të smurë, gjumashë, përtacët;
ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur
përgjoni; unë tani jam afër”.
Që, kur me frymë flakruese
agimi n’qiell të hapet,
të gjithë me punë t’stërvitur
t’forcojë në shpresë të dritës.
Me zëra t’thrrasim Krishtin
me vaj, me uratë, të esëllt;
se lutja e fuqishme
s’lejon t’flejë zemra e pastër.
Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,
këput prangat e natës,
ti zgjidh mëkatin e vjetër,
ndriçimin e ri sille.
Ty Krisht, mbret shumë i drejti,
ty e Atit qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Zgjo ndjenja dashurie
ndaj ty, dhurues i fajit,
shpirtmirë t’u bëhesh zemrave
si të pastrosh ndyrësitë.
Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)
dhe të mërguar rënkojmë;
ti je liman e atdhe,
na ço n’tremet e jetës.
Dashni e lumtur që ka etje
për ty gurrë jete, o e Vërteta;
ata sy shumë të lumtur
të popullit që ty vëzhgojnë.
N’ty është lumnia e madhe
kujtesa e lavdisë tënde,
që pa mbarim madhërojnë
ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.
Bëj, o Atë krejt i drejti,
dhe, o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi
Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshët tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshët i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
D Te kush të shkojmë, o Zot?
C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Leximi i parë
Prej librit të Ozesë profet 1, 1-9; 3, 1-5
Profeti është porsi një shenjë e dashurisë së Hyjit për popullin e tij.
Fjala e Zotit që i qe drejtuar Ozesë, birit të Beeriut, në kohën e Ozisë, Joatamit, Akazit e Ezekisë, mbretërve të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbretit të Izraelit.
Fillimi i fjalës së Zotit me anë të Ozesë. Zoti i tha Ozesë: “Shko e merre një grua, që bën lavirësi e ki fëmijë nga lavirësia e saj, sepse vendi s'bën tjetër, por lavirësi ndaj Zotit.”
Ai shkoi, pra, e mori Gomerën, bijën e Debelaimit. Kjo ngjizi dhe i lindi djalin. Zoti i tha: “Ngjitja emrin 'Jezrahel', sepse edhe pak kohë e do ta ndëshkoj gjakun e Jezrahelit mbi shtëpinë e Jehuit dhe do t'i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit. Atë ditë do ta copëtoj harkun e Izraelit në fushën e Jezrahelit.”
Gomera mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi vajzë. Zoti i tha: “Ngjitja emrin: 'E Pamëshira', sepse nuk do të kem më mëshirë ndaj shtëpisë së Izraelit, nuk do ta fal më. Unë do ta kem në hir shtëpinë e Judës, do t'i shëlboj në Zotin, Hyjin e tyre, e s'do t'i shpëtoj me hark, shpatë, luftë, kuaj e kalorës.”
Pasi Gomera 'Të Pamëshirën' e ndau prej gjirit, ngjizi e lindi edhe një djalë. I tha: “Quaje 'Jo‑Populli‑Im', sepse ju nuk jeni populli im e unë nuk jam më 'Ai që jam' për ju.”
Zoti më tha edhe: “Shko e duaje përsëri gruan që ka mik e është kurorëshkelëse, sikurse edhe Zoti i do bijtë e Izraelit, ndërsa ata u sillen hyjnive të huaja e u pëlqejnë kuleçtë e rrushit.”
Unë e bleva për pesëmbëdhjetë pare argjendi e për një masë e gjysmë elbi. I thashë: “Do të më presësh për shumë ditë pa u lavirësuar e pa iu dhënë asnjë njeriu; po as vetë nuk do të të afrohem.”
Sepse edhe bijtë e Izraelit do të rrinë shumë ditë pa mbret, pa princ, pa fli, pa gurngulur, pa efod e pa terafim. Mandej do të kthehen bijtë e Izraelit e do ta kërkojnë Zotin, Hyjin e vet, e Davidin, mbretin e vet. Me frikë do t'i afrohen Zotit dhe të mirave të tija në mbarimin e ditëve.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 2, 9. 10; Rom 9, 26
C Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore. * Dikur nuk ishit popull e tani jeni Populli i Hyjit.
D Në vend ku u qe thënë: Ju nuk jeni populli im, do të quhen bijtë e Hyjit të gjallë.
C Dikur nuk ishit Popull e tani jeni populli i Hyjit.
Leximi i dytë
Lexim nga "Traktatet“ e shën Baldovinit nga Kanterbury, ipeshkëv
(Trakt. 10; PL 204, 513-514. 516)
Dashuria është e fortë si vdekja.
E fortë është vdekja, e aftë të na lejë pa dhuratën e jetës. E fortë është dashuria, që është e aftë për të na çuar në një përdorim më të mirë të jetës.
E fortë është dashuria, që është e aftë të na zhveshë nga veshja e këtij trupi. E fortë është dashuria, që është e aftë t'ia shkëpusë vdekjes veshjet tona për të na i kthyer.
E fortë është vdekja, së cilës nuk mund t'i bëjë ballë asnjë njeri. E fortë është dashuria, aq e fortë sa të ngadhënjejë mbi të, t'i thyejë tehun, t'i zbusë fuqinë, t'i kotësojë fitoren. Do të vijë koha kur do të tallet, kur do të mund të thuhet: Ku është o vdekje therja jote? Ku është fuqia jote? (krh. Oz 13, 14; 1 Kor 15, 55).
"Dashuria është e fortë si vdekja" (Kk 8, 6), sepse dashuria e Krishtit është fundi i vdekjes. Prandaj thotë: Unë do të jem fundi jot, o vdekje; unë do të jem kamxhiku jot, o ferr (krh. Oz 13, 14). Në të vërtetë, dashuria që kemi për Krishtin, edhe ajo është e fortë si vdekja, sepse duhet të jetë një farë vdekjeje, përderisa është shkatërrim i jetës së vjetër, asgjësimi i veseve dhe braktisje e veprave të vdekura.
Le të jetë kjo dashuri një lloj shpërblimi për Krishtin, edhe pse duhet të pranojmë se do të jetë gjithmonë e pabarabartë me dashurinë e tij për ne dhe si një shëmbëllim i zbehtë i saj. Ai na ka dashur i pari (krh. 1 Gjn 4, 10) dhe me shembullin e dashurisë së tij është bërë për ne si një thirrje për tu bërë të njëformshëm me shëmbëllimin e tij, për tu zhveshur nga njeriu tokësor dhe për tu veshur me njeriun qiellor.
Ashtu sikurse na ka dashur, ashtu duhet ta duam. Na ka lënë, në fakt, një shembull që të ndjekim gjurmët e tija (krh. 1 Pjt 2, 21).
Prandaj thotë ‘’M’vendos si vulë mbi zemrën tënde" (Kk 8, 6). Sikurse të thoshte: Më duaj ashtu si të dua unë. Më ki në mendjen tënde, në kujtimet e tua, në dëshirat e tua, në psherëtimat e tua, në ankimet e tua, në lëngimet e tua.
Mos harro o njeri se gjithçka që ti je vjen prej meje. Kujtohu si të kam parapëlqyer nga të gjitha krijesat e tjera, dhe në dinjitet e të cilit të kam lartësuar, si të kam kurorëzuar me lavdi dhe me nder, si të kam bërë pak më të vogël se engjëjt dhe gjithçka kam vënë nën këmbët e tua (krh. Ps 8, 6-7). Sill ndër mend jo vetëm atë që të kam dhuruar, por sa gjëra të tmerrshme dhe të pamerituara kam vuajtur për ty. Vetëm atëherë do të mund të kuptosh sa i padrejtë je me mua nëse do të më lësh pa dashurinë tënde. E kush të do sa të dua unë? Kush të ka shëlbuar përveç meje?
Hiqe prej meje o Zot këtë zemër guri. Ma shkëput këtë zemër të mpiksur. Shkatërroje këtë zemër të parrethprerë. Më jep një zemër të re, një zemër mishi, një zemër të pastër! Ti, pastrues i zemrave dhe dashurues i zemrave të pastra, bëhu zotëruesi i zemrës sime, bëje banesën tënde. Përqafoje dhe kënaqe. Ji ti më i lartë se çdo lartësi e imja, më i brendshëm sesa vetë brendësia ime. Ti, shembull i çdo bukurie dhe model i çdo shenjtërie; gdhende zemrën time sipas shëmbëllimit tënd; gdhende me çekiçin e mëshirës sate, Hyji i zemrës sime dhe trashëgimi im, o Hyj, lumturia ime e amshuar. Amen (krh. Ps 73 /72/, 26).
Përgjigjja Gjn 6, 44-45
C Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. * Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë.
D Profetët shkruajnë: Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.
C Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë.
Lutja
Na ndihmo, o Zot, ne shërbëtorët e tu dhe përherë tregohu i mirë me ne, e pasi mburremi se je Krijuesi dhe Sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen e atë që përtërin bëje të qëndrueshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.