Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nëpërmjet kangës së gjelit

   tashmë errësinë e natës

   dhe të natës së pangopur

   duke heqë tmerrin e zi,

   Hy jetëdhënës, po të lusim

   dhe të lypim me gjithë shpirt.

 

   Dritë e fortë, syhapët, erdhe

   dhe mbikqyrës i njerëzimit,

   ndërsa mbanin gjitha sendet

   bashkarisht heshtje t’zakonshme.

   Madje e nxirrnin krejt të vdekur

   Përfytyrimin e të vdekurit.

 

   Ti, o Krisht, ne të na zgjoje

   nga gjumi i prapësisë,

   dhe falas të na libroje

   nga burgu i natës sterrë,

   edhe të na ktheje dritën

   shoqëruese gjithnjë e jetës.

 

   Ty e Atit ju qoftë nderi,

   po ashtu Shpirtit të Shenjtë,

   Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,

   paqes, jetës, edhe dritës,

   mbi të gjithë emnit të ëmbël

   dhe vullnetit të hynueshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdi e dritës s’Atit,

   pa hirin e të cilit

   dridhen krahrorët tanë.

 

   Dhe me Shpirt tënd të mbushur,

   tue mbartë Zotin me vete,

   asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket

   me mashtrime shkatrruese.

 

   Që ndër punët e shekullit,

   si e lyp nevoja e jetës,

   çveshur nga çdo lloj krimi

   të rrojmë me ligjet tua.

 

   Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,

   Ty e Atit qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

    Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë

 

   Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).

 

   I (2-5)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

 

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

   II (6-13)

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje

   ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   III (14-23)

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.«

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,

   C premtimin e Shëlbuesit tim.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Urtisë 8, 1-21

 

   Hyjit duhet kërkuar urtinë.

 

   Urtia e shtrin fuqinë skaj më skaj të botës dhe e drejton rruzullin me mirësi të këndshme.

   Këtë e desha dhe e kërkova që prej rinisë sime, bëra çmosin për ta marrë bashkëshorte dhe u dashurova në bukurinë e saj.

   Bujarinë e saj ia madhëron bashkëjetesa me Hyjin sepse e do Zotëruesi i gjithësisë.

   Sepse ajo është mësuesja e dijes së Hyjit dhe zgjedhësja e veprave të tija.

   Nëse pasuria është kamje e dëshirueshme në këtë jetë, çka është atëherë më e dobishme se urtia që gjithçka prodhon?

   E në qoftë se është mendja ajo që vepron, cili ndër qeniet është më mjeshtër se ajo?

   Nëse ndokush e do drejtësinë, virtytet janë rrjedhoja e veprimit të saj: sepse ajo e mëson përkoren e mençurinë, drejtësinë e trimërinë shpirtërore, që në jetë për njerëz asgjë s'ka më të dobishme.

   Nëse ndokush dëshiron dije më të lartë, ajo njeh të kaluarën, e parasheh të ardhmen, di të shtjellojë fjalët e urta e të zgjidhë enigmat, i parasheh shenjat e mrekullitë si dhe rrjedhën e epokave dhe të kohëve.

   Këndej edhe vendosa ta marr për shoqe jete, sepse e di se do të më jetë këshilltare në të mira dhe ngushëllimtare në kujdese e në vuajtje.

   Në saje të saj zë të mirë do të kem në popull e ndër pleq nder megjithëse jam i ri; në pleqërime do të dal i hollë, e të mëdhenjtë, kur të më shohin, do të mrekullohen.

   Kur të hesht, do të presin të flas, kur të flas, sytë s'do të m'i ndajnë, nëse do ta zgjas fjalën time, gojës së vet do t'i vënë dorën.

   Me anë të saj do të fitoj pavdekësinë, do t'u lë kujtim të përhershëm atyre që pas meje do të vijnë.

   Do t'i sundoj popujt dhe kombet do të më jenë të nënshtruara.

   Do të tremben mbretërit e tmerrshëm kur për mua të dëgjojnë. Me popullin tim do të jem i mirë kurse në luftë trim i fortë.

   Kur në shtëpi të kthehem pranë saj do të pushoj, sepse në shoqëri me të s'mund të ketë mërzi, bashkëjetesa me të nuk sjell vuajtje, por gëzim dhe hare.

   Duke i përbluar këto mendime në vete dhe duke përkujtuar në zemrën time se pavdekësia është në afërsi me urtinë, në miqësinë e saj gëzim i pastër, në duart e punës së saj pasuri e pashtershme, në rragatje bisede me të mençuria, zë i mirë në shkëmbim bisedimi me të, vend s'lashë pa kërkuar për ta marrë atë.

   Isha djalosh me natyrë bujare e pata fat ta kisha shpirtin e mirë, madje, pasi isha i mirë, kisha hyrë në trup të pandotur, dhe, duke e ditur se ndryshe s'do ta kisha fituar vetëm nëse do të ma dhuronte Hyji ‑ e mençuri ishte vetë kjo gjë të dija se dhuratë e kujt është ‑ u solla kah Zoti dhe iu luta.

 

   Përgjigjja Krh. Urt 7, 7. 8; Jak 1, 5

 

   C U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë: * e çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë.

   D Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t’ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t’i jepet:

   C e çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Veprat” e Baldovinit nga Canterbury, ipeshkëv

   (Trakt. 6; PL 204, 451-453)

 

   Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese.

 

   “Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy teheshe” (Heb 4, 12). Ja sa e madhe është fuqia dhe dija e përmbledhur në fjalën e Hyjit! Teksti është shumë domethënës për atë që kërkon Krishtin, që është pikërisht fjala, fuqia dhe dituria e Hyjit. Kjo fjalë, e bashkëamshueshme me Atin që nga fillimi, kur erdhi koha u është zbuluar apostujve, nëpërmjet tyre është lajmëruar dhe është pranuar me fe të përvuajtur nga popujt besimtarë. Është pra fjalë e Atit, fjalë në predikim, fjalë në zemër.

   Kjo fjalë e Hyjit është e gjallë dhe Ati i ka dhënë asaj fuqinë për të pasur jetën në vetvete as më pak dhe as më shumë nga ç’e ka Ati në vetvete. Prandaj Fjala jo vetëm që është e gjallë, por është edhe jetë, siç thotë ai vetë: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14, 6).

   Pra, është jetë, është e gjallë dhe mund të japë jetën. Në fakt “sikurse Ati i ngjall të vdekurit e i bën të jetojmë, ashtu edhe Biri i bën të jetojnë ata që do” (Gjn 5, 21). Dhe jep jetën kur thërret të vdekurin nga varri dhe thotë: “Lazër, dil jashtë” (Gjn 11, 43).

   Kur predikohet kjo fjalë, me anë të zërit të predikatarit, i jep zërit të tij, që dëgjohet së jashtmi, forcën për të vepruar përbrenda, kështu të vdekurit rifitojnë jetën dhe rilindin në gëzimin e bijve të Abrahamit.

   Kjo fjalë është e gjallë në zemrën e Atit, e gjallë në gojën e predikatarit, e gjallë në zemrën e atij që beson dhe do. Dhe pikërisht sepse kjo fjalë është e gjallë, nuk ka dyshim se është edhe vepruese.

   Është vepruese në krijim, është vepruese në mbajtjen e botës, është vepruese në shëlbim. Çfarë do të mund të ishte më vepruese dhe më e fuqishme? “Kush mund t’i tregojë veprat e madhërueshme të Zotit, të bëjë të jehojnë të gjitha lavdet e tija?” (Ps 106 /105/, 2). Është vepruese kur punon, është vepruese kur predikohet. Në fakt nuk kthehet mbrapa bosh, por prodhon frytet e veta kudo që lajmërohet.

   Është vepruese dhe “më e mprehtë se çdo shpatë dy teheshe” (Heb 4, 12) kur besohet dhe duhet. Çfarë i është e pamundur, në fakt, atij që beson, çfarë i është e pamundur atij që do? Kur flet këtë fjalë, fjalët e tij përshkojnë zemrën si shigjetat e mprehta të gjuajtura nga një hero. Hyjnë në thellësi si gozhdët e rrahura me forcë, dhe depërtojnë aq në brendësi sa që arrijnë intimitetet e fshehura të shpirtit. Në fakt kjo fjalë është më depërtuese se çdo shpatë me dy tehe, sepse fuqia gdhendëse e saj tejkalon atë të briskut më të mprehtë dhe mprehtësia e saj atë të çdo zgjuarsie. Asnjë dituri njerëzore dhe asnjë prodhim i mençurisë është kaq e hollë dhe e mprehtë si ajo. Është më me majë se çdo hollësi e diturisë njerëzore dhe nga arsyetimet më të zgjuara.

 

   Përgjigjja Krh. Sir 1, 5. 16 (volg.)

 

   C Burim i urtisë është fjala e Hyjit nga lart, * dhe shtigjet e saj janë ligjet e amshueshme.

   D Frika e Zotit është plotësia e urtisë.

   C dhe shtigjet e saj janë ligjet e amshueshme.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.