Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13). tridhjetë

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,

   ditë që s’mbaron kurrë,

   ngadhënjyese mbi natë t’errët

   ripërtritëse e ndriçimit,

   shkatërruese e errësirës,

   shkëlqimtare e mendjeve.

 

   Kur lind ajo ringjallemi,

   kur na thërret shpejt ngrihemi,

   kur del na bën të lumtur

   kur na lë jemi t’mjeruar,

   kur nga vdekja liruar

   ne jemi të qartë si drita;

 

   kur dalë fitues mbi vdekjen,

   përmbi natën dhe mbi shekullin;

   prandaj, o Mbret i amshuar,

   dhurona neve dritën,

   që nga asnjë natë s’errësohet,

   veç me ndriçim kënaqet.

 

   Atit dhe Ty nderimi,

   dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,

   Hyjit n’tre vetë por një të vetmit,

   paqes, jetës, ndriçimit,

   mbi të gjithë emnit t’ëmbël,

   dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hy që s’vjen nga askush,

   o Hy që rrjedh prej Hyjit

   Hy që buron prej këtyre,

   ndër ne eja përkrahës.

 

   Ti je dëshira jonë,

   ti qofsh dashnia e gëzimi:

   në ty lakmimi ynë

   e në ty qoftë kënaqësia.

 

   O Atë, sunduesi i t’gjithëve,

   me t’Lindurin nga Virgjëra,

   brenda dhe rreth e rrotull

   me Shpirtin Shenjt sundona.

 

   Kujto, Shenjtja Trini,

   ç’ndërtoi mirësia jote,

   njeriun më parë krijove,

   me anë t’gjakut e rimkëmbe.

 

   Se ata që ka krijuar Njënia,

   shpërbleu dashnia e Krishtit

   atëherë tue vuajtur i ndërgjegjshëm,

   tani të duaj ne duke na zgjedhur.

 

   Trinisë së Shenjtë gëzimi,

   paqja, virtyti dhe sundimi,

   pushteti i plotë e dinjiteti,

   lavdi, nderimi dhe lavdia. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.

 

   Psalmi 136 /135/ Himni i Pashkëve

 

   Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).

 

   I (1-9)

 

Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Lavdëroni Zotin e zotave, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Diellin që ta sundojë ditën, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.

 

Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.

 

   II (10-15)

 

Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

   saqë foli marrëzisht me buzë të veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.

 

   III (16-26)

 

E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Vrau mbretër të fuqishëm, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Sehonin, mbretin e amorrenjve, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.

 

   D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,

   C m’i mëso shtigjet e tua.

 

Leximi i parë

 

   Prej librit të Urtisë 11, 20b – 12, 2. 11b-19

 

   Dhembshuria dhe durimi i Hyjit.

 

   Ti, o Zot, rregullove gjithçka me masë, numër e peshë.

   E pasi fuqinë tënde të madhe e ke gjithmonë në shërbim, fuqisë së krahut tënd kush mund t'i bëjë ballë?

   Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë.

   Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s'i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.

   Vërtet, ti do gjithçka është dhe s'urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë send, nuk e kishe krijuar.

   E si do të mbette në jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti në jetë?

   Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës, sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka.

   Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot.

      Farë e mallkuar ishin që në fillim.

   E kjo s'ngjau se kishe frikë prej ndokujt që nuk i ndëshkoje mëkatet e tyre; sepse kush do të guxojë të të thotë: “Çfarë bëre?” Ose kush e përballon gjyqin tënd? Ose të të fajësojë pse i zhbive popujt që ti vetë i ke krijuar? Ose kush do të ngritet kundër teje si hakmarrës ndaj njerëzve keqbërës?

   Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt.

   Asnjë mbret as sundimtar s'mund të përballojë ty për t'i mbrojtur ata që ti i ndëshkon.

   Por, pasi je i drejtë, gjithçka rregullon drejt, e çmon të padenjë për pushtetin tënd të dënosh atë që s'meriton të ndëshkohet.

   E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t'i kursesh të gjitha.

   Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s'besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s'të njohin.

   Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash.

   Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit.

 

   Përgjigjja Krh. Urt 11, 23. 24. 26; Sir 36, 1

 

   C Ti ke dhimbje për gjithçka, o Zot, dhe s’urren asgjë që ke krijuar; ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen, * sepse ti je Zoti, Hyji ynë.

   D Ki mëshirë për ne, o Hyj, lëshoje shikimin tënd mbi ne dhe na e trego dritën e mëshirës sate,

   C sepse ti je Zoti, Hyji ynë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Dialogu i provanisë hyjnore” i shën Katerinës nga Siena, virgjër

   (Kap. 135; përshtatje e lirë; khs. bot. I Taurisano, Firence, 1928, II, fq- 439-441)

 

   Thirrjet e Provanisë hyjnore për njeriun.

 

   Ati i madh dhe i amshuar e ka drejtuar shikimin e flakës së tij drejt shpirtit me mirësi të patregueshme duke i thënë: “O bija ime shumë e dashur, dua t’i tregoj botës mëshirën time dhe dua të mbështes krijesat e mia të arsyeshme në të gjitha aspiratat e tyre në çdo nevojë. Por njeriu i paditur e shndërron në vdekje atë që unë i jap si jetë, dhe kështu bëhet i pamëshirshëm me vetveten. Unë e mbështes gjithmonë dhe gjithçka që i kam dhënë njeriut është provani tejet e madhe.

   Me provani e kam krijuar. Kur e pashë në veten time jam dashuruar me krijesën time dhe kam dashur ta krijoj në shëmbëllimin dhe përngjasimin tim si dhuratë të provanisë sime. Prandaj jam kujdesur t’i jap kujtesën që të mbante në mend të mirat e mia. E kam bërë edhe pjesëmarrës të fuqisë sime prej Ati të amshuar.

   I kam dhënë intelektin që të njihte dhe të kuptonte në diturinë e Birit tim të njëlindur se me çfarë zjarri dashurie i kam hapur thesaret e hireve të mia. I kam dhënë aftësinë dhe vullnetin për të dashur duke e bërë pjesëmarrës të dashurisë së Shpirtit Shenjt, që të mund të donte atë që ka njohur me intelekt.

   Këtë gjë ka bërë provania ime e ëmbël vetëm me qëllim që ajo të ishte e aftë për të më kuptuar dhe për të më shijuar mua dhe për të gëzuar mirësinë time dhe shikimin tim të amshuar. Qielli ishte i mbyllur për faj të Adamit. Ai nuk u bë i vetëdijshëm për dinjitetin e tij dhe nuk e mori me mend me sa provani dhe dashuri të patregueshme e kisha krijuar. Kështu ka rënë në mosbindje dhe me të i ka ardhur atij dhe të gjithë pasardhësve të tij çdo lloj të keqeje.

   Për të hequr këtë vdekje i kam gjetur njeriut atë që ishte e nevojshme. I kam dhënë Fjalën, domethënë Birin tim të njëlindur dhe e kam çliruar nga gjendja e tij me dituri dhe provani të madhe.

   Kam dashur që të bëhet i bindur dhe që të ishte në gjendje të asgjësonte kështu atë helm që kishte pirë nga mosbindja. Krishti, i shtyrë nga dashuria, ka pranuar bindjen dhe ka përshkuar vdekjen e turpshme të kryqit dhe me anë të vdekjes ka kthyer jetën, sigurisht jo për meritat e njerëzve, por si dhuratë nga Hyji.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 16, 8. 7

 

   C Më ruaj, o Zot, si bebëzën e syrit, * më mbro nën hijen e krahëve të tu.

   D M’i trego mrekullitë e dashurisë tënde, ti që e shpëton atë që besohet në të djathtën tënde.

   C më mbro nën hijen e krahëve të tu.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.