Shërbesa e leximeve

1 nëntor, Të gjithë shenjtërit

 

Shërbesa e Leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin: atij i jep lavdi kori i shenjtërve.

 

Shërbesa e Leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   O Krisht, banues jetëdhënës i qiejve,

   jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   flijen e lavdit që ty po blatojmë

   ëmbël pranoje.

 

   Dhe përherë vallja e gjithë engjullorëve

   ndër qiejt e larta emrin tënd bekon,

   dhe ty së bashku shenjtrit e gjithmbarëshëm

   lavde të thurin.

 

   Ti për merita t’Marisë shenjte virgjër

   dhe njëkohësisht e të gjithë të përshpirtshëmve,

   o i drejtë, ndëshkimin që meritojmë ndale,

   ilaç shërimi jepna.

 

   Tash lavdinë tënde na bëj të madhërojmë,

   besnikë ndaj teje me forcë të shoqërojmë

   duke i kënduar Trinisë Shenjte n’qiej

   himnat pareshtur. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 O Zot, sa i madh është emri yt! Ti i kurorëzove me lavdi shenjtërit e tu, dhe i bëre zotërues të botës.

 

Psalmi 8 (2-10)

 

O Zot, Zoti ynë, †

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *

   Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

 

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †

   lavdinë e bëre gati kundër armiqve *

   që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

 

Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *

   hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *

   biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *

   e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *

   Gjithçka vure nën këmbët e tija:

 

delet e kafshët të gjitha, *

   për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *

   të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

O Zot, Zoti ynë, *

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 O Zot, sa i madh është emri yt! Ti i kurorëzove me lavdi shenjtërit e tu, dhe i bëre zotërues të botës.

 

Ant. 2 Lum ata që e kanë zemrën e pastër! Ata do ta shohin Hyjin.

 

Psalmi 15 /14/ (1-5)

 

O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *

   Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

Vetëm ai që jeton me nder, *

   që vepron me drejtësi

 

e prej zemrës flet të vërtetën, *

   që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton, *

   që shokun nuk e çnderon:

 

ai që bakeqin e mban për asgjë *

   e i çmon ata që e druajnë Zotin,

 

ai që i përbehet dashamirit të vet

   dhe ia mban fjalën, †

   nuk jep të holla me kamatë *

   e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

 

Kush vepron kështu *

   kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ata që e kanë zemrën e pastër! Ata do ta shohin Hyjin.

 

Ant. 3 Shenjtërve të tu, o Zot, ti ua tregove udhën e jetës, plotësinë e gëzimit në praninë tënde.

 

Psalmi 16 /15/ (1-11)

 

Më ruaj, o Hyj, *

   sepse të kam rënë ndore!

I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *

   tjetër të mirë nuk kam veç teje!«

 

Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *

   po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!

 

I shumojnë të zezat e veta *

   ata që shkojnë pas zotave të huaj.

Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *

   buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.

 

Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *

   në dorën tënde është fati im!

Shorti më ra në më të mirën tokë: *

   pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!

 

E bekoj Zotin që më dha kuptim, *

   edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

Zotin e kam gjithmonë para sysh, *

   më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

 

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *

   mbarë trupi im pushon në qetësi.

 

S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *

   as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.

 

Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †

   gëzimin e plotë para fytyrës sate, *

   kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shenjtërve të tu, o Zot, ti ua tregove udhën e jetës, plotësinë e gëzimit në praninë tënde.

 

   D Shikojeni Zotin dhe do të shkëlqeni:

   C fytyra juaj nuk do të turpërohet.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Zbulesës së shën Gjonit apostull 5, 1-14

 

   Unë, Gjoni, pashë: në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

   Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh: »Kush është i denjë ta hapë librin dhe t'ia zgjidhë vulat?«

   Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti ta çelë librin e të shikojë në të.

   Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të.

   Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: »Mos qaj! Ja, ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës ‑ rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija.«

   Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte ‑ si i prerë ‑ Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë [shtatë] shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.

   Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron.

   Kur e mori librin katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, d.m.th. me urata të shenjtërve.

   Këndonin një këngë të re dhe thoshin: »Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t'ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

   dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.«

   Atëherë në vegim dëgjova zë shumë engjëjsh përreth fronit, Gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash.

   Brohorisnin me zë të lartë: »I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!«

   Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, ‑ të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: »Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!«

   Kurse katër Gjallorët thoshin: »Amen!« ndërsa udhëheqësit ranë përmbys dhe e adhuruan.

 

   Përgjigjja Krh. Zb 11, 17. 18; Ps 145 /144/, 10

 

   C Po të falënderojmë, o Zotëri, Hyj i Gjithëpushtetshëm, ty që je, ty që ishe, sepse e more mbretërimin. * Erdhi koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu profetët dhe për shenjtërit.

   D Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua e le të të bekojnë shenjtërit e tu.

   C Erdhi koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu profetët dhe për shenjtërit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Fjalimet” i shën Bernardit, abat

   (Fjal. 2; Opera omnia, bot. Cisterc. 5 [1968] 364-368)

 

   Të nxitojmë t’u shkojmë në takim vëllezërve që na presin.

 

   Çfarë u shërben, pra, lavdia jonë shenjtërve, çfarë duhen dhuratat e lavdërimit, çfarë shërben edhe vetë kjo e kremte? Përse duhet t’u japim atyre nderimet e kësaj toke kur, sipas premtimit të Birit, vetë Ati hyjnor i nderon ata? Çka u shërbejnë, pra, lëvdatat tona atyre? Shenjtërit nuk kanë nevojë për nderimet tona dhe asgjë nuk fitojnë ata nga kulti ynë. Është e qartë se kur ne e nderojmë përkujtimin e tyre, e bëjmë këtë për interesin tonë e jo për interes të tyre.

   Nga ana ime duhet të rrëfej se, kur mendoj për shenjtërit, e ndjej se digjem nga dëshirat e mëdha.

   Dëshira e parë, që përkujtimi i shenjtërve ose ngrit ose nxit më shumë në ne, është që të shijojmë miqësinë e tyre aq të ëmbël dhe që të meritojmë të jemi bashkëqytetarë dhe familjarë të shpirtrave të lumë, që të gjendemi së bashku në kuvendin e patriarkëve, me aradhet e profetëve, me senatin e apostujve, me ushtritë e panumërta të martirëve, me bashkësinë e dëshmitarëve, me korin e virgjërave, me fjalë të tjera që të jemi të mbledhur dhe të lumtur në bashkësinë e të gjithë shenjtërve.

   Na pret bashkësia e të krishterëve të parë, dhe athua ne nuk do të interesohemi për këtë gjë? Shenjtërit dëshirojnë të na kenë me vete, a thua ne do të tregohemi indiferent? Të drejtët na presin, a thua ne nuk do përpiqemi për këtë gjë? Jo, vëllezër të dashur, të ngritemi nga pandjesia jonë e mjerueshme. Të ringjallemi me Krishtin, t’i kërkojmë gjërat që gjenden atje lart dhe ato t’i shijojmë. Ta ndjejmë dëshirën e atyre që na dëshirojnë, të nxitojmë drejt atyre që na presin, t’i paraprijmë me kushtet e shpirtit gjendej së atyre që na presin. Jo vetëm se duhet ta dëshirojmë shoqërinë e shenjtërve, por edhe ta fitojmë lumturinë. Dhe derisa e dëshirojmë me forcë të qëndrojmë bashkë me ta, të nxisim në zemrën tonë aspiratën më të dendur për të bashkëndarë me ta lavdinë. Kjo prirje nuk është aspak e pavend, sepse një uri e tillë për lavdi nuk është kurrsesi e rrezikshme.

   Ka një dëshirë të dytë që nxitet në ne me rastin e përkujtimit të shenjtërve, dhe është dëshira që Krishti, jeta jonë, të na shfaqet edhe ne porsi atyre, që edhe ne bashkë me ta të shfaqemi në lavdi. Ndërkohë udhëheqësi ynë na paraqitet jo siç është tani në qiell, por në formën që ai ka dashur të marrë mbi vete për ne këtu mbi tokë. E shohim, pra, jo të kurorëzuar me lavdi, por të rrethuar me ferrat e mëkateve tona.

   Le t’i vijë turp, pra, çdo anëtari që ekspozohet me spitullim nën një udhëheqës të kurorëzuar me ferra. Le ta kuptojë se elegancat e tija nuk e nderojnë atë, por e bëjnë qesharak.

   Do të arrijë çasti i ardhjes së Krishtit, kur nuk do të shpallet më vdekja e tij. Atëherë do ta kuptojmë se edhe ne kemi vdekur dhe se jeta jonë është e fshehur me të në Hyjin.

   Atëherë Krishti do të shfaqet si udhëheqës i lavdishëm dhe bashkë me të do të shkëlqejnë gjymtyrët e tij të lavdishme. Atëherë do ta shndërrojë trupin tonë të përvuajtur, duke e bërë të ngjashëm me lavdinë e kreut, që është vetë ai.

   Ta ushqejmë, pra, lirisht prirjen drejt lavdisë. Kemi çdo të drejtë që ta bëjmë këtë. Por në mënyrë që shpresa e një lumturie kaq të pakrahasueshme të bëhet realitet, na nevojitet ndihma e shenjtërve. T’i nxisim ata me plot zell. Dhe kështu, me anën e ndërmjetësisë së tyre, do të arrijmë atje, ku nuk mund të mendojmë të arrijmë kurrë vetëm.

 

   Përgjigjja Krh. Zb 19, 5. 6; Ps 33 /32/, 1

 

   C Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij edhe të gjithë ju që e druani, të vegjël e të mëdhenj. * Mbretëroi Zoti, Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi.

   D Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi.

   C Mbretëroi Zoti, Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti na dhe hirin t’i nderojmë meritat e të gjithë Shenjtërve në një festë të vetme: me ndërmjetësinë e përbashkët të të gjithëve, na dhuro mëshirën tënde të pakufi.Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.