Shërbesa e leximeve
2 Nëntor, Shërbesa e të ndjerëve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.
Shërbesa e Leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
Ti që rron para shekujve
je e vetmja gurrë e jetës,
ne, o Zot, t’nënshtruar vdekjes
t’denjë për ndeshkim, shikona.
Njeriut mëkatar, o Atë,
dënim me vdekje i preve,
si pluhuri i shtohet pluhurit
fajet mbi faje zhyten.
Porse një vrimë jetsore,
që me kujdes le çelur,
mbetet për gjithë amshimin
si mugull që kurrë s’kalbet.
Kjo shpresë është ngushëllimi:
përsëri, o Zot, do lulëzojmë,
ringjallësi i parë që është Krishti
tek ti do të na terheqë.
Të gëzojnë n’ mbretërinë e jetës
këta shërbëtorë që vdiqën,
t’mbushur me fe të Krishtit,
që i leu Shpirti jetëdhënës.
Në këtë mbretëri shpejtona
kur mbi tokë t’ sosim ditët
që të këndojmë së bashku
Ty fundin, Ty fillimin. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Më ke formuar prej tokës, më ke veshur me mish: O Hyj, shëlbuesi im, bëj që të ringjallem në ditën e fundit.
Psalmi 40 /39/ I (2-9)
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin †
dhe ai u prir drejt meje, *
e vështroi britmën time.
Ai më nxori nga gropa e mjerimit, *
nga gropa plot baltë,
këmbët m’i qiti mbi shkëmb *
dhe m’i bëri të fortë hapat.
Në gojë më vuri një këngë të re, *
himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Shumë do të shohin e do të druajnë *
dhe do të shpresojnë në Zotin.
I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin *
që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten rrenës.
Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, †
të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: *
nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty!
Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, *
janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj.
Fli e dhurata ti nuk do, *
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, *
atëherë thashë: »Ja, po vij unë.
Në Librin e Ligjit shkruan për mua: †
Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, *
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime«.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Më ke formuar prej tokës, më ke veshur me mish: O Hyj, shëlbuesi im, bëj që të ringjallem në ditën e fundit.
Ant. 2 O Hyj, eja e më liro; o Zot, shpejto të më ndihmosh.
II (10-14. 17-18)
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, *
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, *
do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd,
kurrë s’e mohova mirësinë tënde *
e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut.
E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, *
dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht,
sepse më rrethuan të këqija të panumërta, *
më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh:
më shumë janë se fijet e flokëve të kresë, *
kështu që edhe zemra po më lëshon.
Denjo, o Zot, të më shpëtosh, *
o Zot, nxito të më ndihmosh!
Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, *
të gjithë ata që të kërkojnë ty
e të thonë vazhdimisht: »I madhërishëm është Zoti!«, *
të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
Njëmend jam skamnor e i vobektë *
porse Zoti kujdeset për mua.
Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: *
Hyji im, deh, mos vono.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Hyj, eja e më liro; o Zot, shpejto të më ndihmosh.
Ant. 3 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij?
Psalmi 42 /41/ (2-12)
Sikurse dreri i dëshiron *
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im *
të dëshiron ty, o Hyj!
Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *
oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *
ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«
Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †
si shtegtoja në krye të turmës, *
- si prijës - drejt banesës së Hyjit
me brohori e këngë lavdi *
në procesion kremtues!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Shpirti im është në pikëllim, †
prandaj ty të kujtoj *
nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
Humnera thërret humnerën *
me ushtimën e ujërave të tua,
të gjitha vorbullat e valët e tua *
kaluan përmbi mua.
Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †
natën kënga e tij me mua: *
uratë Hyjit të jetës sime.
Do t’i them Hyjit: *
»Qeta ime, pse më harron?
Përse endem i trishtuar, *
prej armiqsh i rrethuar?«
Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †
për shkak të armiqve të mi *
që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë: kur do ta shoh fytyrën e tij?
D E madhe është mëshira jote, o Zot:
C bëj që të jetoj sipas fjalës sate.
Leximi i parë
Prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 15, 12-35
Vëllezër, në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve?” Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen ‑ atëherë as Krishti nuk është ngjallur. Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë ‑ i kotë besimi juaj.
Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rrejshëm kundër Hyjit, sepse kemi dëshmuar kundër Hyjit duke pohuar se Hyji e ngjalli Krishtin, të cilin nuk e ka ngjallur, në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen. Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur.
Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët.
Por, vereverte, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë ‑ Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj ‑ mbarimi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Sepse “gjithçka ka vënë nën këmbët e tija”. E kur thotë Shkrimi shenjt: “Gjithçka i ka vënë nën këmbë” ‑ merret vesh gjithçka, me përjashtim të Atij, që ia nënshtroi të gjitha. E kur t'ia ketë nënshtruar të gjitha, [edhe] vetë Biri do t'i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.
Nëse nuk është kështu, çka fitojnë atëherë ata që pagëzohen për të vdekur? Në qoftë se të vdekurit kurrsesi nuk ngjallen, pse atëherë të pagëzohen për ta? Po edhe ne, përse atëherë e vëmë veten në rrezik për çdo moment? Për çdo ditë vdes, [o vëllezër], pasha lavdinë që e kam për shkak tuaj te Jezu Krishti, Zoti ynë!
Çfarë dobie do të kemi në qoftë se kam luftuar vetëm si njeri kundër egërsirave në Efes? Në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen, atëherë: ‘Të hamë e të pimë se nesër do të vdesim!'
Mos e rreni veten: ‘Bisedat e këqija i prishin doket e mira.'
Mblidhni mirë mendtë e mos mëkatoni, se ‑ për turpin tuaj po e them ‑ disa prej jush nuk e njohin Hyjin.
Përgjigjja Krh. Jb 19, 25. 26. 27
C Krishtit i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. * Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja.
D Vdekja dhe Nëntoka do t’i kthejnë të vdekurit që ishin në to dhe atëherë do të hidhen në liqenin e zjarrtë.
C Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja.
Leximi i dytë
Nga libri “Mbi vdekjen e vëlla Satirit” i shën Ambrozit, ipeshkëv
(Lib. 2, 40. 41. 46. 47. 132. 133; CSEL 73, 270-274. 323-324)
Vdesim bashkë me Krishtin, që bashkë me të edhe te jetojmë.
Duhet ta pranojmë se edhe vdekja mund të jetë një përfitim dhe jeta një ndëshkim. Për këtë arsye edhe shën Pali thotë: “Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitore” (Fil 1, 21). E si mund të shndërrohemi krejtësisht në Krishtin, që është shpirt i jetës, nëse nuk e bëjmë këtë pas vdekjes trupore?
Të ushtrohemi, pra, çdo ditë për të vdekur dhe të ushqejmë në vetën tonë një gatishmëri të sinqertë për të vdekur. Për shpirtin tonë do të jetë një ushtrim i nevojshëm për lirimin e gjakimeve të ndjeshme, do të jetë një lirim drejt qëndrimeve të ulta të dëshirave shtazore, të cilat gjithnjë mundohen të ngatërrojnë shpirtin. Kështu, pra, duke pranuar të shprehim që tani në jetën tonë simbolin e vdekjes, nuk do të pësojmë më vonë vdekjen si ndëshkim. Në të vërtetë ligji i mishit lufton kundër ligjit të shpirtit dhe ia dorëzon vetë shpirtin ligjit të mëkatit. E cila është, pra, zgjidhja? Këtë pyetje e bënte edhe shën Pali, duke dhënë edhe përgjigjen: “Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes?” (Rom 7, 24). Hiri i Hyjit nëpërmjet Jezu Krishtit Zotit tonë (krh. Rom 7, 25).
E kemi mjekun, ta pranojmë edhe ilaçin. Ilaçi ynë është hiri i Krishtit, ndërsa trupi i vdekshëm është trupi ynë. Pra të jemi të mërguar në trup që të mos jemi të mërguar në Krishtin. Edhe pse jemi në trup të përpiqemi të mos i ndjekim dëshirat e turpit.
Është e vërtetë, se nuk duhet t’i mohojmë të drejtat e natyrës, por duhet që gjithmonë të parapëlqejmë dhuratat e hirit.
Bota është shëlbuar me vdekjen e një të vetmit. Po mos të kishte dashur Krishti të vdiste, mund edhe ta bënte. Porse ai nuk e pa të arsyeshme t’i ikte vdekjes sikur të ishte ajo një dobësi, dhe nuk do të na shëlbonte më mirë se sa me vdekje. Kështu vdekja e tij është jeta e të gjithëve. Ne e bartim në vete vulën e vdekjes së tij; kur lutemi e kumtojmë atë; duke dhuruar flinë e shpallim atë; vdekja e tij është fitore, vdekja e tij është sakrament, vdekja e tij është e kremtja vjetore e botës.
E çfarë të themi akoma për vdekjen e tij, ndërkohë që mund të tregojmë me shembull hyjnor se vdekja vetëm e ka fituar pavdekësinë dhe se vdekja e ka shëlbuar veten? Vdekja, pra, shkak i shpëtimit të gjithmbarshëm, nuk është për t’u qarë. Vdekja të cilën Biri i Hyjit nuk e përbuzi dhe nuk i iku asaj, nuk është gjë të cilës duhet t’i shmangemi.
Të themi të vërtetën, vdekja nuk ishte pjesë e lindur e natyrës, por u bë e tillë vetëm më pas. Hyji nuk e ka caktuar vdekjen që në fillim, por e dha atë si ilaç. Për shkak të dënimit të mëkatit të parë filloi gjendja e mjerueshme e gjinisë njerëzore në një mund të vazhdueshëm, mes dhimbjesh dhe kundërshtimesh. Por duhej dhënë fund këtyre të këqijave në mënyrë që vdekja të kthente atë që jeta kishte humbur, për ndryshe, pa pasur hirin, pavdekësia do të ishte më shumë peshë se sa përparësi.
Shpirti ynë do të duhet të dalë nga ngushticat e kësaj jete, duhet të lirohet nga pesha e materies dhe të shkojë drejt asambleve të amshuara.
Arritja atje është një gjë që u përket shenjtërve. Atje do t’i këndojmë Hyjit atë lavdi që, siç thotë leximi profetik, këndojnë muzikantët qiellorë të harpës: “Të mëdha dhe të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbreti i popujve” (Zb 15, 3-4).
Shpirti duhet të dalë edhe për të kundruar dasmën tënde, o Jezus, në të cilën, bashkë me këngën e gëzueshme të të gjithëve, nusja është e përcjellë nga toka në qiell, jo më e nënshtruar botës, por e bashkuar me shpirtin: “Tek ti do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkat” (Ps 65 /64/, 3).
Davidi i shenjtë dëshiroi me gjithë shpirt, më shumë se asnjë tjetër, për të kundruar dhe për të parë këtë ditë. Në të vërtet tha: “Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj që të jetoj në Shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shijoj kënaqësinë e Zotit” (Ps 27 /26/, 4).
Përgjigjja Krh. 2 Mak 12, 45; Mt 13, 43
C Ata që pushojnë në vdekje me fenë e etërve * do t’i pret një shpërblim tepër i bukur.
D Atëherë të drejtët do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.
C Do t’i pret një shpërblim tepër i bukur.
Lutja
Dëgjoje, o Hyj, lutjen që bashkësia e besimtarëve të tu ta lartëson në fenë e Zotit të ringjallur, dhe përforcoje në ne shpresën e lumtur se së bashku me vëllezërit e motrat tona të vdekura do të ringjallemi në Krishtin në një jetë të re. Nëpër të njëjtin Krisht.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.