Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetenjitë e Kohës së rëndomtë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Pjesëtar i dritës atërore,
ai vetë dritë drite e ditë,
me këngë ne e thyejmë natën:
kërkuesve gjendu pranë.
Hiqi errësirat e mendjeve
zhduki turmat e djajve,
largo me forcë dremitjet,
mos t’ua kalojnë përtacëve.
Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
që në ty besojmë, mëshirona,
të jetë për dobi të lutësve,
që këndojmë duke prirë me këngë.
Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
me Atin të qoftë lavdia,
dhe me Shpirtin Ngushëllues,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Trini krejt e shenjtë,
që urdhëron çdo gjë që krijove,
ditën për punë caktove,
natës prehjen ia fale.
Si n’agim edhe në t’errur,
natë e ditë për ty këndojmë;
ti ne në lavdinë tënde
na ruaj në të gjitha kohët.
Pranë teje shtrirë për dhe
të adhurojmë si robër,
kushte e uratë të lutësve
bashko me himnet e qiellorëve.
Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit
Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti«, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).
I (2-11)
U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *
u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!
Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †
si shkrihet dylli përballë zjarrit, *
ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!
Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *
le të galdojnë e le të brohorasin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *
bëni udhë Atij që kalëron mbi re:
»Zot« është Emri i tij, *
vallëzoni në praninë e tij!
Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †
u hap të burgosurve derën e lirisë, *
kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.
O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *
kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:
trandej toka, qielli rigonte *
para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.
Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *
e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.
Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.
II (12-24)
Zoti shpall një lajm *
e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:
»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *
e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!
Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *
e pendlat e saj porsi ari i verdhë.
Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *
Selmoni zbardhonte me dëborë!«
Mali i Hyjit, mali Basan, *
mal i thepisur, mali Basan!
Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †
malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *
Zoti në të do të banojë gjithherë!
Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *
Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!
U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †
dhuratë njerëzit i more, *
që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.
Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *
Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.
Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *
e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!
Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *
butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.
Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *
do t’i kthej nga thellësia e detit,
që ta lash këmbën tënde në gjak, *
që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.
III (25-36)
U panë, o Hyj, procesionet e tua, *
procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:
Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *
në midis vashat duke u rënë defave!
»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *
bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«
Aty djaloshi Beniamin u prin, †
princat e Judës me togat e veta, *
princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!
Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *
përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,
prej Tempullit tënd në Jerusalem. *
Mbretërit le të sjellin dhurata!
Kërcënoju egërsirës së kallamit, †
lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *
le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;
shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †
Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *
Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!
Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *
këndoni Zotit, këndoni Hyjit,
që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *
Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:
»Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit!« †
Mbi Izraelin madhëria e tij, *
përmbi re fuqia e tij!
I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †
Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *
Qoftë bekuar Hyji!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.
D Do ta dëgjoj fjalën e Zotit:
C ai i flet për paqe popullit të vet.
Leximi i parë
Prej librit të parë të Makabenjve 2, 1. 15-28. 42-50. 65-70
Protesta e Matatisë dhe vdekja e tij.
Ndër ato ditë Matatia, biri i Gjonit, biri i Simonit, prift nga të bijtë e Joaribit, e la Jerusalemin e nguli në Modin.
Ndërkaq oficerët e mbretit, të caktuar për ta bërë popullin të bjerë nga besimi, erdhën në Modin për të flijuar. Shumë prej izraelitëve shkuan me ta, kurse Matatia e bijtë e tij ndenjën mbanë. Të dërguarit e mbretit morën fjalën e i thanë Matatisë: “Ti je njeri me autoritet, bujar dhe i madh në këtë qytet, të përkrahin djemtë e vëllazëria. Tash, afrohu i pari dhe kryeje urdhrin e mbretit, siç bënë popujt e tjerë, të gjithë madje edhe njerëzit e Judesë që nuk e lënë Jerusalemin e do të bëhesh ti e bijtë e tu miqtë e mbretit, e do të keni për shpërblim argjend e ar e dhurata të shumta.” Matatia mori fjalën e foli me zë të lartë: “Edhe në qoftë se të gjitha kombet, që i përkasin perandorisë së mbretit, e dëgjojnë mbretin, duke e lënë secili hyjnderimin e etërve të vet dhe i pranojnë urdhërimet e mbretit, unë, bijtë e mi e vëllezërit e mi do të jetojmë sipas Besëlidhjes së etërve tanë. Mos e thëntë Zoti ta lëmë Ligjin e urdhërimet! Prandaj, s'do t'i dëgjojmë urdhrat e mbretit t'i shmangemi besimit tonë as djathtas as majtas.”
Posa i kreu këto fjalë, një judeas u çua, ndër sy të të gjithëve, nisi të flijojë në lterin në Modin sipas urdhrit të mbretit. Kur e pa Matatia, zelli i mori flakë, i gufoi zemra nga felgrimi i drejtë, u sul dhe e theri judeun mbi lter. Po aty për aty e vrau edhe të dërguarin e mbretit që i shtrëngonte të flijojnë dhe e rrafshoi lterin. Zelli i tij për Ligjin qe si zelli i Fineesit kundër Zamriut, birit të Salomit. Atëherë Matatia nisi të bërtasë me sa zë kishte nëpër qytet: “Secili që ka zell për Ligjin e dëshiron ta mbrojë Besëlidhjen, le të vijë pas meje!” Atëherë iku në male ai e bijtë e tij duke lënë gjithçka kishin në qytet.
Atëherë u bashkua me ta grupi i asidenjve, trima të spikatur nga Izraeli, të gjithë njerëz të dhënë për Ligjin.
Gjithashtu edhe ata që iknin për shkak të përndjekjeve u bashkuan me ta e u bënë ndihmë atyre. Kështu formuan një ushtri dhe i goditnin fajtorët me hidhërim dhe njerëzit e këqij me felgrim; një pjesë tjetër iku për të gjetur shpëtim ndër kombe. Matatia e shokët e tij përshkuan vendin e rrënuan lterët dhe i rrethprenë përdhunë fëmijët e të gjithë që i gjetën që nuk ishin rrethprerë, brenda kufijve të Izraelit. I përndoqën krenarët e ndërmarrja e tyre përparoi në dorën e tyre. E mbrojtën Ligjin nga dora e paganëve e nga pushteti i mbretit dhe nuk e lanë të çojë krye mëkatari.
Ndërkaq Matatisë po i afrohej dita e vdekjes dhe ai u tha të bijve: “Ja, tash e mori në dorë sundimin krenia e poshtërsia, erdhi koha e shkatërrimit dhe e felgrimit të përmnershëm. Juve, tash, o bij, u përket të keni zell për Ligjin. Jepeni jetën tuaj për Besëlidhjen e etërve tuaj.
Ja, Simoni, vëllai juaj! E di se është njeri i mençur: dëgjojeni gjithmonë: ai do të jetë ati juaj. Juda Makabe, trim i zgjedhur që prej rinisë së vet, le t'ju jetë prijësi i ushtrisë, ai do ta udhëheqë luftën e popullit. Mblidhni rreth jush të gjithë ata që e zbatojnë Ligjin dhe hakmerruni për popullin tuaj. Kthejuni ndëshkimin e duhur paganëve e zbatoni rregulloret e Ligjit.”
Atëherë i bekoi e u bashkua me etërit e vet. Vdiq në vitin njëqind e dyzet e gjashtë. Qe varrosur në varret e etërve të vet në Modin. Mbarë Izraeli i bëri gjëmë të madhe.
Përgjigjja Krh. 1 Mak 2, 51. 64
C Kujtoni veprat që i kryen etërit në kohën e tyre, * e do të fitoni nder të madh e emër të përhershëm.
D Jini të fortë, bijtë e mi, e burrërisht mbajeni Ligjin, sepse në të do të jeni të lavdishëm,
C e do të fitoni nder të madh e emër të përhershëm.
Leximi i dytë
Lexim nga Kushtetuta baritore “Gaudium et spes” e Koncilit ekumenik Vatikanas II mbi Kishën në botën bashkëkohore (Nr. 88-89)
Detyra e të krishterëve në ndërtimin e paqes.
Të krishterët le të bashkëpunojnë vullnetarisht dhe me gjithë zemër për ndërtimin e rregullimit ndërkombëtar duke nderuar sinqerisht liritë e ligjshme dhe me një vëllazërim miqësor të të gjithëve, aq më tepër kur shumica dërmuese e botës vuan nga mjerimi i tillë sikur të thërriste vetë Krishti nxënësit e tij në dashuri për këta të varfër. Mos të jetë shkandull që disa kombe, shumica e të cilave lavdërohen me emrin e krishterë, jetojnë në pasuri të tepërta ndërsa të tjerat mbesin pa mjete të nevojshme për jetë dhe vuajnë nga uria, sëmundjet dhe mjerimi i plotë. Lavdia dhe dashuria e Kishës së Krishtit janë fryma e varfërisë dhe e dashurisë.
Prandaj lypset lavdëruar dhe ndihmuar ata të krishterë, sidomos të rinjtë, të cilët vullnetarisht afrohet për të ndihmuar njerëz dhe popuj të tjerë. Përmëtepër, detyra e mbarë Popullit të Zotit, të cilët do ta prijnë ipeshkvijtë, do të japin shembull me fjalë dhe vepra, sipas mundësive, që të zbusin mjerimin e kohës sonë, dhe, si ishte doke e vjetër e Kishës, të japin jo vetëm prej tepricës, por edhe gjërave më të nevojshme.
Mbledhja dhe ndarja e ndihmave nuk do të jetë e organizuar gjithkund gjithnjë, por sipas një plani le të rregullohet nëpër ipeshkvi, kombe dhe nëpër tërë botën, duke bashkuar veprimtarinë e katolikeve, ku është e mundshme me vëllezër të tjerë të krishterë. Sepse shpirti i dashurisë nuk ndalon zbatimin e planifikuar dhe të organizuar të veprimit shoqëror dhe karitativ, por madje edhe urdhëron. Për këtë arsye lypet që ata të cilët mendojnë t’i kushtohen shërbimit në vende në zhvillim duhet përgatiten nëpër institute përkatëse.
Kur Kisha në bazë të dërgimit të saj hyjnore predikon Ungjillin dhe ndan pasurinë e hireve, ajo kontribuon gjithkund për përforcimin e paqes dhe themelimin e bashkësisë vëllazërore të njerëzve dhe të popujve, njohurinë e Hyjit dhe të ligjit natyror. Për këtë arsye ajo duhet të jetë e pranishme edhe në bashkësinë e popujve për të përkrahur dhe për të zgjuar bashkëpunimin në mes të njerëzve, këtë ajo e zbaton nëpërmjet institucioneve publike të saja si dhe me bashkëpunim të plotë dhe të sinqertë të të gjithë të krishterëve duke pasur për frymëzim dëshirën që t’iu shërbejë të gjithëve.
Kjo do të arrihet aq suksesshëm nëse besimtarët, të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre njerëzore dhe të krishterë, përpiqen në mesin e jetës së tyre dhe tregojnë vullnetin për bashkëpunim me bashkësi ndërkombëtare. Për këtë gjë do të kushtohet kujdesi i posaçëm edukimit të rinisë si në pikëpamje fetare ashtu dhe qytetare.
Përgjigjja Krh. Hab 3, 3 (volg.); Lev 26, 1. 6. 9
C Ja, unë po vij, thotë i Gjithëpushtetshme. * Unë Zoti, Hyji juaj, do të vendos paqen.
D Do t’ju vështroj ju që të shtoheni e të shumoheni; do ta përforcoj besëlidhjen time me ju.
C Unë Zoti, Hyji juaj, do të vendos paqen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, mirësia jote ndikon që besimtarët e tu të mund të shërbejnë me denjësi, bëj po të lutemi, të arrijmë te premtimet e tua me nxitim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.