Shërbesa e leximeve

4 nëntor, Shën Karl Boromeo, ipeshkëv

 

Përkujtim

 

   Lindi në Arona (Novara) në vitin 1538. Pasi mori diplomën in utroque, nga ungji i tij Piu IV, u bë kardinal dhe u zgjodh ipeshkëv i Milanos. Këtu u tregua një bari i vërtetë i grigjës. E vizitoi disa herë krejt dioqezën, shpalli sinode dhe kreu veprimtarinë më intensive në çdo sektor për shëlbimin e shpirtrave, duke u përpjekur të promovojë me çdo mjet një nivel të lartë jete të krishterë. Vdiq më 3 nëntor 1584.

 

Nga Përbashkorja e barinjve (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.

 

Ftesa

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e Leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

   ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste

   turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

   lavdet e duhura.

 

   Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu

   Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,

   dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën

   tënde të shenjtë.

 

   Ky qe mësues edhe model i grigjës,

   ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

   për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë

   bëri gjithçka.

 

   O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

   e merituar, bëj që në jetë të bindur

   të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

   lumninë me shenjtin.

 

   I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

   dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

   nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

   Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit

 

   Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).

 

   I (2-19)

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *

   brez pas brezi goja ime

   do të shpallë besnikërinë tënde.

 

Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *

   në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *

   i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim, *

   froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«

 

Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *

   kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *

   Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

 

I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *

   i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

   ata që i rrinë përreth.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *

   I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

 

Ti zotëron kreninë e detit, *

   ua ul kryet valëve të tërbuara.

Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *

   me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

 

Yti është qielli, jotja është Toka, *

   ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

Veriun e jugun ti i krijove, *

   Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

 

Krahu yt është plot fuqi, *

   e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *

   dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

Lum ai popull që di të brohorasë, *

   që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *

   e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *

   e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë, *

   mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

   II (20-30)

 

Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †

   »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *

   e lartësova një djalosh nga populli.

 

Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *

   e leva me vajin tim të shenjtë.

Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *

   dhe krahu im përherë do ta kërthndez.

 

Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *

   i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *

   do t’i zhbij kundërshtarët e tij.

 

Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *

   në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *

   të djathtën e tij përmbi lumenj.

 

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *

   Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *

   më të madhin ndër mbretërit e tokës.

 

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *

   Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej. –

Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *

   fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   III (31-38)

 

Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *

   e në mos ecshin ligjeve të mia,

po nuk zbatuan vendimet e mia, *

   po i shkelën urdhërimet e mia,

 

me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *

   me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

 

Por nuk do ta këpus dashurinë me të *

   as nuk do ta prish besnikërinë time.

Nuk do ta thyej besëlidhjen time *

   as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

 

Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *

   ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’

 

Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *

   froni i tij para meje si Dielli,

do të qëndrojë për amshim si Hëna, *

   dëshmitare besnike mbi re.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë

   C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Makabenjve 3, 1-26

 

   Juda Makabé.

 

   (Pas vdekjes së Matatisë në vitin njëqind e dyzet e gjashtë) në vend të tij u vu i biri, Juda që quhet Makabé. I ndihmonin të gjithë vëllezërit e tij si edhe të gjithë ata që i ishin mbështetur babës së tij. Me gëzim luftonin luftën e Izraelit.

   Zërin e mirë ia hapi popullit të vet, si vigan në pancir u vesh, armët e luftës në ijë i ngjeshi e në luftime të ashpra ra duke mbrojtur me shpatë fushimin!

   Në luftëra qe porsi luani, zog luani kur në gjejë ulërin!

   I ndoqi të këqijtë duke i gjurmuar, i dogj përndjekësit e popullit të vet.

   Prej frikës së tij u strukën të mbrapshtët, të turpëruar keqbërësit mbetën, përparoi në dorë të tij shpëtimi!

   Shumë mbretërve u shkaktoi kokëçarje e Jakobin me vepra e kënaqte; për jetë të jetës do të jetë i bekuar kujtimi i tij.

   I përshkoi qytetet e Judës, i shpërndau të patenzonët prej tij e ia hoqi Izraelit hidhërimin.

   I shkoi zëri deri në skajet të tokës, i bashkoi ata që kishin tretur.

   Apoloni bashkoi disa paganë dhe një ushtri të madhe nga Samaria për të luftuar kundër Izraelit. E mori vesh Juda dhe i doli para ta ndeshë. E mundi dhe e vrau. Shumë mbetën të plagosur për vdekje e të tjerët morën ikjen. Morën pre prej tyre. Juda e mori shpatën e Apolonit. E përdoroi në luftë gjatë gjithë jetës së vet.

   Kur Seroni, komandanti i ushtrisë së Sirisë, mori vesh se Juda kishte bashkuar rreth vetes njerëz besimtarë e të gatshëm për luftë, tha: “Do t'i qes zërin vetes e do të nderohem me lavdi në mbretëri. Do ta mundi Judën dhe ata që janë me të, dhe e përbuzin urdhrin e mbretit.” U nis, pra, ai e me të një ushtri shumë e fortë të patenzonësh si ndihmë e tij për t'iu ahmarrë izraelitëve. U afrua deri në tatëpjetën e Betoronit e Juda i doli para me pak njerëz. Kur e panë ushtrinë, duke u afruar përballë tyre, njerëzit i thanë Judës: “Si do të mundemi ne kaq pak të luftojmë kundër një ushtrie kaq të madhe? Për më tepër jemi të këputur se sot s'kemi ngrënë asgjë!” Juda u përgjigj: “Është punë e lehtë që shumica të bjerë në duar të pakicës. S'ka dallim për Qiellin të shpëtojë me anë të shumicës ose të pakicës, sepse fitorja në luftë nuk varet nga ushtria e madhe, por nga fuqia që vjen prej Qiellit. Këta vijnë kundër nesh plot krenari e bakeqësi për të na zhbirë ne, gratë tona e bijtë tanë e për të na plaçkitur, kurse ne luftojmë për të shpëtuar jetën e ligjet tona. Vetë Zoti do t'i asgjësojë para syve tanë! Mos ua kini aspak frikën!”

   Si foli kështu, u sul papritmas kundër tyre. Para Judës u shpartallua Seroni e ushtria e tij. I ndoqi shpatit të Betoronit deri në fushë. Prej tyre mbetën të vrarë tetëqind burra, kurse të tjerët ikën në krahinën e filistenjve.

   Kështu zuri të përhapet frika e Judës dhe e vëllezërve të tij dhe paganët përreth i pushtoi tmerri. Zëri i tij arriti deri te mbreti e të gjithë popujt flisnin për luftërat e Judës.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Mak 3, 20. 22. 19. 21. 22

 

   C Këta vijnë kundër nesh plot kreni e bakeqësi po ju mos ua kini aspak frikën: sepse fitorja në luftë nuk varet nga ushtria e madhe; * fuqia që vjen nga Qielli është fitorja jonë.

   D Ne luftojmë për të shpëtuar jetën e ligjet tona. Vetë Zoti do t’i asgjësojë armiqtë para syve tanë:

   C fuqia që vjen nga Qielli është fitorja jonë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Fjalimi i mbajtur nga shën Karli, ipeshkëv, në Sinodin e fundit

   (Acta Ecclesiae Meiolanensis, Milano 1599, 1177-1178)

 

   Të jetosh thirrjen tënde

 

   Është e vërtetë se të gjithë jemi të dobët, dhe këtë gjë e pranoj, por Zoti Hyj vë në shërbimin tonë mjete të tilla që, nëse ne dëshirojmë, me to mund të bëjmë shumë. Porse pa to nuk është e mundur të qëndrojmë besnik ndaj angazhimit të thirrjes sonë.

   Të marrim shembullin e një meshtari i cili e di se duhet të jetë i përmbajtur, se duhet të japë shembull të sjelljeve të shenjta dhe të rrepta, por që refuzon çdo lloj vetëflijimi, nuk agjëron, nuk lutet, që i pëlqejnë bisedat dhe familjarizimet pak të përshtatshme; si mund të jetë ky njeri i denjë për shërbesën e tij meshtarake?

   Do të ketë të tillë që ankohen se, kur hyn në kor për t’i lutur psalmet, apo kur shkon për të kremtuar Meshën, mendja e tij mbushet me një mijë hutesa. Por para se të shkojë për t’i lutur psalmet apo për të filluar Meshën, si është sjellë në sakristi, si është përgatitur, çfarë mjetesh ka paracaktuar dhe përdorur për të ruajtur përqendrimin?

   A dëshiron të të mësoj si të rritësh përgatitjen tënde të brendshme për kremtimin koral, si ta bësh më të pëlqyeshme për Hyjin lavdinë tënde dhe si të përparosh në shenjtëri? Dëgjo atë që po të them. Nëse tashmë ndonjë shkëndijë e dashurisë hyjnore është ndezur në ty, mos e përzë atë, mos e nxjerr në erë. Mbaje të mbyllur vatrën e zemrës sate, në mënyrë që të mos ftohet dhe mos ta humbasë nxehtësinë. Ik, pra, nga shpërqendrimet sa më shumë që të mundesh. Qëndro i përqendruar me Hyjin, shmangu llafeve të panevojshme.

   E ke detyrën e predikimit dhe të mësimit? Studio dhe jepu pas atyre gjërave që janë të nevojshme për të kryer mirë këtë detyrë.

   Jepe gjithmonë shembullin e mirë dhe mundohu të jesh i pari në çdo gjë. Prediko para së gjithash me jetë dhe me shenjtëri, në mënyrë që mos të ndodhë që duke qenë sjellja jote në kundërshtim me predikimin tënd të humbësh besimin e të tjerëve.

   Ushtroje kujdesin për shpirtra? Por mos e lë pas dore kujdesin për veten tënde, dhe mos iu jep të tjerëve deri në pikën që mos të të mbetet asgjë ty nga vetja jote. Duhet ta kesh parasysh kujtimin e shpirtrave bariu i të cilëve je, por mos e harro vetveten.

   Kuptojeni, vëllezër, se asgjë nuk është më e nevojshme për personat kishtare se sa meditimi që paraprin, shoqëron dhe përcjell çdo vepër tonën: Do të këndoj, thotë profeti, dhe do të meditoj (krh. Ps 101 /100/, 1 vulg.) Nëse mbarështon sakramentet, o vëlla, medito për atë që bën. Nëse e kremton meshën, medito për atë që po dhuron. Nëse i reciton psalmet në kor, medito kujt i flet dhe çfarë je duke i thënë. Nëse i udhëheq shpirtrat, medito se me cilin gjak ata shpirtra janë larë; dhe “Bëni gjithçka me dashuri” (1 Kor 16, 14). Në këtë mënyrë shumë lehtë do t’mund të kalojmë vështirësitë që na dalin në rrugë, të cilat janë të shumta çdo ditë. Kjo gjë na kërkohet nga detyra që na është besuar. Nëse do të bëjmë kështu do të kemi forcën e mjaftueshme për të lindur Krishtin në veten tonë dhe në të tjerët.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Tim 6, 11; 4, 11. 12. 6

 

   C Jepu me gjithë shpirt pas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë. * Këto gjëra shpalli dhe mësoji dhe ji shembull për besimtarët.

   D Duke u propozuar këto gjëra vëllezërve, do të jesh mbarështues i mirë i Krishtit.

   C Këto gjëra shpalli dhe mësoji dhe ji shembull për besimtarët.

 

   Lutja

 

   Ruaje, në popullin tënd, o Zot, shpirtin që e frymëzoi shën Karlin ipeshkëv, që Kisha jote të përtërihet vazhdimisht e, duke i përngjarë Krishtit, t’ia tregojë botës fytyrën e tij. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.