Shërbesa e leximeve

5 nëntor, I lumi Viçenc Prenushi me shokë martirë

 

Nga Përbashkorja e martirëve (fq. 1546).

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

 

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

 

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Mbret plot lavdi i martirëve,

   kurora e dëshmitarëve,

   nga që s’i pranuan tokësorët

   i çove ndër qiellorët.

 

   Veshin tënd dashamirës

   zërave tona drejtoja;

   këndojmë trofetë e shenjta,

   gabimet mos na i shiko.

 

   Ti ngadhënjen ndër martirët,

   duke kursyer dëshmuesit,

   hidhi poshtë fajet tona,

   duke dhuruar ndjesën.

 

   Na ruaj, Atë mëshirëplotë,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllues,

   që n’amshim mbretëroni. Amen

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

   Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit

 

   E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).

 

   IV (39-46)

 

Por tani e flake dhe e përbuze, *

   u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *

   në llom e hodhe kezën e tij.

 

I rrënove të tërë muret e tij, *

   rrënoja të frikshme kështjellat e tij.

Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *

   për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

 

E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *

   i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *

   e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

 

I dhe fund shkëlqimit të tij, *

   e përdhe fronin ia rrëzove.

Ia shkurtove ditët e rinisë, *

   e mbulove me poshtërim e turp.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

   V (47-53)

 

Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *

   flakë do të ndizet hidhërimi yt?

 

Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *

   Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

 

Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *

   prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?

Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *

   që me be ia premtove Davidit?

 

Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *

   në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *

   çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

 

Qoftë bekuar Zoti për amshim. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

 

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;

   C në dritën tënde ne e shohim dritën.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Makabenjve 4, 36-59

 

   Pastrimi dhe kushtimi i tempullit.

 

   Një ditë Juda dhe vëllezërit e tij thanë: “Ja, i shpartalluam armiqtë tanë: ejani ta pastrojmë Shenjtëroren e ta shugurojmë!” U bashkua mbarë ushtria dhe u ngjitën në malin Sion. Gjetën shenjtëroren e shkretuar, lterin e dhunuar, dyert e djegura, në treme ishte rritur shkorreti si në pyll ose në ndonjë mal e dhomat e shenjta të rrënuara. I shqyen petkat e veta, zunë të bëjnë gjëmë të madhe, i qitën kokës hi, ranë me fytyrë për dhe e, në shenjë të borisë, klithën drejt Qiellit.

   Atëherë Juda u urdhëroi disa njerëzve t'i luftojnë ata që ishin në Qytezë derisa ai ta pastronte Shenjtëroren.

   Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e që e zbatonin Ligjin. Këta e pastruan Shenjtëroren e gurët e dhunuar i çuan në vend të papastër. Pastaj bënë këshillim përkitazi me lterin e flive të shkrumbimit që kishte qenë dhunuar, çfarë të bënin me të. Urtisht vendosën ta rrënojnë që kurrë të mos u jetë për turp, sepse paganët e kishin dhunuar. E rrënuan lterin. Gurët i vunë në një vend të përshtatshëm në Malin e Shtëpisë së Zotit derisa të mos vijë ndonjë profet e të vendosë për ta. Atëherë morën gurë të palatuar, siç kërkon Ligji, dhe ndërtuan një lter të ri krejt si ai që kishte qenë më parë. E ndreqën Shenjtëroren edhe Banesën përbrenda dhe i shuguruan tremet. I punuan enët e shenjta të reja dhe i shtinë në Tempull shandanin, lterin e kemimit dhe tryezën. Dogjën kem mbi lter e i ndezën dritat në shandan që e ndriçonin Tempullin. Mbi tryezë vunë bukët, i vunë kultrinat dhe i kryen të gjitha përmirësimet që kishin ndërmarrë.

   Më njëzet e pesë të nëntit muaj ‑ që është muaji Kasleu ‑ të vitit njëqindedyzetetetë, u ngritën herët në agim dhe e kushtuan flinë ashtu si e kërkon Ligji mbi lterin e ri të shkrumbimit që e kishin punuar:

   po në atë kohë e në atë ditë, në të cilën e kishin dhunuar paganët, e rishuguruan me këngë të përcjella me citarë, me cetër e me cimbale. Mbarë populli ra me fytyrë për dhe, adhuruan dhe e bekuan Atë që është në qiell, që aq fatbardhësisht u kishte prirë. Kremtuan shugurimin e lterit tetë ditë, kushtuan fli shkrumbimi me gëzim e kushtuan fli kungimi e falënderimi dhe e stolisën ballanikun e Tempullit me keza të arta e me shqyte. I shuguruan dyert dhe dhomat e shenjta e u vunë dyert. Një gëzim i madh e pushtoi mbarë popullin dhe u shlye turpi i sjellë prej paganëve.

   Juda me vëllezërit e vet e me mbarë bashkësinë e Izraelit, caktuan që të festohen me gëzim e hare ditët e shugurimit të lterit në kohën e tyre, vit për vit, për tetë ditë, qysh më njëzet e pesë të muajit Kasleu.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Mak 4, 57. 56. 58; 2 Mak 10, 38

 

   C E stolisën ballnikun e Tempullit me keza të arta e kremtuan shugurimin e lterit; * një gëzim i madh e pushtoi mbarë popullin.

   D Me himne e këngë falënderimi i jepnin lavdi Zotit;

   C një gëzim i madh e pushtoi mbarë popullin.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Homilia e Shën Gjonit Palit II e mbajtur në Katedralen e Shkodrës më 25 prill 1993

   (Om. 20, 4; PG 60, 162-164)

 

   Sot Kisha rijeton në gjymtyrët e veta misterin e Pashkëve

 

   Çdo njeri duhet të reflektojë edhe njëherë mbi “çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit” (Lk 24, 19), i dënuar me vdekje dhe i kryqëzuar gati dy mijë vjet më parë. Duhet të reflektojë edhe mbi atë çka ju ndodhi juve gjatë këtyre viteve. Nuk duhet harruar ajo që ngjau! Është e drejtë të shikoni përpara për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe më njerëzore; por duhet mbajtur parasysh përvoja e kaluar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme. Ajo që ndodhi në Shqipëri, nuk është regjistruar kurrë në histori. Dhe vërtet ”lavdi Zotit që fara s’na u shua, që s’munguan përdëllimet e tija” (Vaj 3, 22). Shqipëria ishte fundosur në një humnerë dhe është një mrekulli që mundi të dalë prej saj pa gjakderdhje. Tamam atëherë kur gjithçka dukej e humbur, papritmas erdhi çlirimi.

   “Kjo është dita...”. Sot Kisha rijeton në gjymtyrët e veta Misterin e Pashkëve të Zotit. Ajo gjendet në rrugën për Emaus dhe takon po atë Krisht, i cili, megjithëse nxënësit nuk e njohën fillimisht, u shpjegoi më pas kuptimin e thellë të misterit të mundimit, vdekjes dhe ringjalljes së Tij. “E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, - tregon ungjilltari – u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të” (Lk 24, 27), pra, që Ai duhej të vuante dhe të vdiste për të hyrë në lavdinë e ringjalljes.

   Kisha po rikthehet tek kjo katekezë e parë, tek kjo katekezë Pashkësh e përçuar prej Apostujve, që ngjarja e Emausit të ripërtërihet plotësisht edhe sot në mes jush me krejt plotësinë e vet. Kisha po rikthehet këtu, pas viteve plot ndalime mizore dhe dënime të ashpra, që, - duke marrë zemër nga Fjala e Zotit, - ju mund të provoni në liri të plotë atë çka jetuan nxënësit e Emausit: “Mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. Atyre u hapën sytë dhe e njohën...” (Lk 24, 30-31).

   E njohën në sakramentin e Eukaristisë. E njohën me zemër. “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na e shtjellonte Shkrimin shenjt?” (Lk 24, 32).

   Ja, Eukaristia kthehet në këtë tokë. Kthehet Kisha, duke dalë nga Katakombet, si në kohët e perandorisë së lashtë romake, e plot gëzim për lirinë e rifituar, shpall: “Krishti u ngjall... Christós anésti. Me të vërtetë u ngjall... Christos woskres”.

   E dashur Kishë, e dashur Bashkësi Katolike e Shqipërisë, ki besim dhe shiko me optimizëm të ardhmen tënde! Ashtu si në të kaluarën ke ditur t’i mbetesh besnike të vetmit Zot Jezu Krisht, edhe duke flijuar jetën tënde, ji e gatshme ta pranosh tani Ungjillin e dashurisë hyjnore dhe ta dëshmosh me guxim atë. Jep shembullin e një dashurie pa kushte, të një dashurie që shkon tej caqeve të fyerjeve të bëra dhe madje, duke i harruar, që është e gatshme t’i falë përndjekësit e vet.

   Jezusi në kryq duke u lutur për ata që po e kryqëzonin, i kërkoi Hyjit t’i falë se nuk dinë ç’bëjnë” (Lk 23, 34), dhe në uratën tonë ”Ati ynë”, Ai na mësoi ta bashkonim kërkesën për faljen e mëkateve tona, me gatishmërinë tonë për t’i falur të tjerët. T’i keni gjithmonë në shpirtin tuaj mësimet e Mësuesit hyjnor, veçanërisht në këto çaste ndryshimesh shoqërore dhe kështu të mund të bashkëpunoni për të shkruar faqe pajtimi të plotë e të vërtetë kombëtar në historinë e Vendit tuaj.

   “Rri me ne...” (Lk 24, 29). Fjalët e thëna nga dy nxënësit rrugës për Emaus, tingëllojnë sot në këtë bashkim, me një forcë krejt të veçantë. Këto fjalë, në atë kohë, dolën nga zemra e dy njerëzve që kishin përjetuar gjatë tre ditëve përvojën e hidhur të mundimeve të Krishtit dhe të vdekjes së Tij në kryq. Sot, i shqiptoni ju Bij dhe Bija të dashura të Shqipërisë, të këtij Atdheu kaq shumë të vuajtur. I shqiptoni pas dhjetëra vitesh të një martirizimi të vërtetë për Kishën e Krishtit, të një vdekjeje të dekretuar me ligje dhe të zbatuar prej krejt sistemit shoqëror ateist i imponuar nga një shtet totalitar.

   “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur...” (Lk 24, 29). Rri, o Zot, tani që nata shkoi në të sosur – kjo natë historike e Shqipërisë – dhe ja përsëri lindi dita.

   Rri me ne, o Zot. Po ta dhurojmë ty këtë ditë. Haec dies!

 

   Përgjigjja Krh. Ef 5, 8-9; Mt 5, 14. 16

 

   C Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja, në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm, * sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.

   D Këndoni Zotit një këngë të re, këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve,

   C sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na gëzon me festën vjetore të të Lumit Viçenc Prenushi me shokë martirë; ndërsa përkujtojmë hyrjen e tyre në lumturi, edhe neve na jep hir ta ndjekim Krishtin në udhën e Kryqit. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.