Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetenjitë e Kohës së rëndomtë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Ti, Njëni e Trinisë,
që me pushtet sundon gjithë botën,
mbaj vesh këngët e lavdeve
që këndojmë në përgjime.
Pse ne nga shtrati ngrihemi
në kohë të qetë të natës,
nga ti me ngulm të lypim
shërimin e të gjitha plagëve.
Ku gjithçka që gabuam
ndër net nga gënjeshtra e djajve,
atë e shleftë nga qielli
pushteti i lavdisë sate.
Me besë të shpirtit të lusim,
na mbush me dritën tënde,
për çka në rrjedhë të ditëve
të mos ngelim pa asnjë vepër.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues për të gjithë shekujt. Amen..
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, gjendu pranë zemrave,
dashuri e lartë e të shpërblyerve,
diko ndër zërat tonë
vajtim të zjarrtë, të lutemi.
Ty, Jezus, krejt i shenjti,
me fe t’i drejtojmë lutjet,
shlyej, o Krisht, me vepra,
të keqen që bëjmë, të lutemi.
Me shenjë të Kryqit tënd,
me trupin tënd hyjnor
na mbro ne si bij
të gjithë, kudo, Ty të lusim.
O Krisht, mbret i tërë shenjti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
I (2-13)
Më shpëto, o Hyj, *
sepse ujët më arriti deri në fyt!
Jam ngulur thellë në baltë, *
s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
e valët po më mbulojnë.
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
m’u tha krejtësisht gurmazi, *
m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
Më shumë se flokët e kresë sime *
janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
armiqtë e mi rrenacakë: *
çka nuk vodha më duhej të ktheja?
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
Mos lejo të skuqen në mua *
ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
i panjohur për bijtë e nënës sime.
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
por kjo m’u kthye në çnderim;
për petk vesha grathoren, *
përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
II (14-22)
E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
prej ujërave të thella!
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
mos lejo të më përpijë thellësia, *
të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
Ti e sheh çnderimin tim, †
marrjen time e »nderimin« tim: *
para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
Në ushqim më qitën vrer *
e në etje më dhanë të pi uthull.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
III (30-37)
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
më tepër se demi me brirë e me thundra!
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
detet dhe gjithçka lëviz në to.
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
D Zoti na i mësoftë udhët e veta:
C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.
Leximi i parë
Prej librit të dytë të Makabenjve 12, 32-46
Flijimi për të vdekur.
Pasi kaloi festa e Pesëdhjetores, u nisën të luftojnë kundër Gorgisë, strategut të Idumesë. Ky doli me tri mijë këmbësorë e me katërqind kalorës. Në ndeshje të luftimit, mbetën të vrarë pak judenj. Njëfarë Dositeu, një prej atyre që ishin të Bacenorit, kalorës e trim i fortë, e kapi Gorginë e, duke e mbajtur për petku, e tërhiqte me fuqi e, ndërsa mendonte ta sjellë rob gjallë, një kalorës nga thrakasit, u sul kundër tij, ia këputi krahun e Gorgia iku në Marisë. Pasi njerëzit e Esdrës, duke luftuar kohë të gjatë, ishin lodhur e molisur, Juda, pasi e thirri në ndihmë Zotin që të dëftohet ndihmësi i tyre dhe prijësi i luftës, duke filluar në gjuhën e të parëve të këndojë me zë të lartë himne, u sul papritmas kundër atyre që ishin me Gorginë dhe i bëri të ikin.
Ndërkaq, Juda e bashkoi ushtrinë e shkoi në qytetin Odolam. Pasi erdhi dita e shtatë, sipas dokes, u pastruan në atë vend dhe kremtuan të shtunën. Të nesërmen erdhën njerëzit e Judës, sepse ishte koha e fundit të mblidhen trupat e të vrarëve e t'i varrosin me kushërinj në varret e të parëve. Nën petka të secilit të vrarë gjetën gjëra të kushtuara idhujve të Jamnisë, gjëra këto që judenjve ua ndalon Ligji. Kështu, të gjithë e patën të qartë se kjo kishte qenë arsyeja e vrasjes së tyre.
Këndej të gjithë zunë t'i japin lavdi Zotit, Gjykatësit të drejtë, i cili qet në dritë edhe atë çka është më e fshehur, dhe filluan të luten që mëkati i bërë të falej krejtësisht. Atëherë trimi kreshnik Juda i qortoi njerëzit të ruhen të pastër nga mëkati, pasi kishin parasysh çfarë i kishte gjetur për shkak të mëkatit ata që ishin vrarë. E si i mblodhi nga secili burrë dy mijë drahma të argjendta, i dërgoi në Jerusalem të kushtohet flija për mëkat duke vepruar kështu shumë mirë e bujarisht, i shtyrë nga mendimi i ringjalljes. E, njëmend, po të mos kishte shpresuar se do të ringjallen ata që u vranë, do të kishte qenë e tepërt dhe e kotë të luteshin për të vdekur. Mandej ai e kishte parasysh se një shpërblim tepër i bukur i priste ata që vdesin në hirin e Zotit: mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm. Ja, pra, pse dha të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati.
Përgjigjja Krh. 2 Mak 12, 45. 46
C Ata që vdesin në hirin e Zotit * një shpërblim tepër i bukur i pret.
D Mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati:
C një shpërblim tepër i bukur i pret.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” e shën Gregorit Naziancen, ipeshkëv
(Fjal. 7 për vëllain Cezar, 23-324; PG 35, 786-787)
Është vërtetë gjë e shenjtë të lutesh për të vdekur.
“Çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?” (Ps 8, 5). Sa mister i ri dhe i madh e mbështjellë tërë qenien time? Përse jam në të njëjtën kohë i vogël dhe i madh, i përvuajtur e prapë se prapë i madhërishëm, i vdekshëm dhe i pavdekshëm, tokësor dhe në të njëjtën kohë qiellor? Gjendja e parë vjen nga bota më e ulët, ndërsa e dyta nga Hyji; njëra nga sfera materiale, ndërsa tjetra nga shpirti.
Është e nevojshme që unë të varrosem me Krishtin, që të mund të ringjallem bashkë me të, që të jem bashkëtrashëgimtar me Krishtin, që të bëhem biri i Hyjit, e që të bëhem si vetë Hyji.
Ja realiteti i thellë që është i mbyllur në këtë mister të ri dhe të madh. Hyji e mori plotësisht njerëzinë tonë dhe u bë i varfër që të ringjallte mishin, të shpëtonte figurën burimore dhe të përmirësonte kështu njeriun në mënyrë që të bëhemi një gjë e vetme me Krishtin. Ai na e dhuroi krejtësisht vetveten. Gjithçka që ai është, u bë krejtësisht i yni. Në çdo pikëpamje ne jemi ai. Për shkak të tij ne bartim mbi vete shëmbëllesën e Hyjit prej të cilit e për të cilin jemi krijuar. Fizionomia dhe gjurma që na karakterizon është ajo e Hyjit. Për këtë arsye vetëm ai mund të na njohë për atë që ne jemi. Dhe rrjedhimisht kalojnë në radhë të dytë dallimet dhe ndryshimet fizike dhe shoqërore, të cilat gjithsesi ekzistojnë mes njerëzve. Për këtë arsye mund të thuhet se nuk ka më as mashkull as femër, as barbar as shkit, as skllav as të lirë (krh. Kol 3, 11).
Dhashtë Zoti që edhe në të ardhmen të arrijmë të bëhemi ata që shpresojmë të jemi dhe që dashuria e Hyjit na ka përgatitur! Ai kërkon pak nga ne, por tani dhe gjithmonë u bën dhurata të mëdha atyre që e duan. E atëherë, plot me shpresë në të, i vuajmë dhe i durojmë të gjitha me gëzim. Kemi guxim që t’i falënderohemi gjithmonë dhe në çdo vend, në gëzim e në dhimbje. Të bindemi se vuajtjet janë mjete shëlbimi. Dhe pastaj të mos harrojmë t’ia porosisim Zotit shpirtrat tanë dhe shpirtrat e atyre që na kanë paraprirë në udhën e përbashkët drejt shtëpisë së Atit.
O Zot, je ti që ke krijuar të gjitha gjërat, ti e ke formuar qenien time. Ti je Hyj, Atë dhe udhëheqës i të gjithë njerëzve. Je mbizotëruesi i jetës dhe i vdekjes. Je mburoja dhe shpëtimi i shpirtrave tanë. Ti bën gjithçka. Je ti që udhëheq përparimin e të gjitha gjërave, duke zgjedhur afatet më të përshtatshme dhe duke iu bindur urtisë dhe provanisë sate të pakufi gjithmonë nëpërmjet fjalës sate.
Pranoje në duart tua, o Zot, vëllain tim më të madh, që na ka lënë. Na prano edhe ne, pasi të na kesh udhëhequr gjatë shtegtimit tokësor deri tek caku i përcaktuar nga ti. Bëj që të dalim para teje të përgatitur mirë dhe të hareshëm, jo të tronditur nga frika, jo në gjendje armiqësie ndaj teje, së paku në ditën e fundit, në atë të udhëtimit tonë të fundit. Bëj që të mos ndjehemi si të shqyer dhe të shkulur me fuqi nga bota dhe jeta e të mos nisemi pa dëshirë në udhëtim. Por bëj që të vijmë të hareshëm dhe të përgatitur mirë, si ai që niset për në jetë të lumtur që nuk ka fund, për në atë jetë që është në Krishtin Jezus, Zotin tonë, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja
C O Zot, Jezus, pranoji pranë vetes vëllezërit tanë të vdekur, për të cilët ke derdhur gjakun tënd: * kujtohu se jemi pluhur, dhe jeta jonë kalon si një lule fushe.
D O Zot i mirësisë, mëshirës dhe i dashurisë,
C kujtohu se jemi pluhur, dhe jeta jonë kalon si një lule fushe
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, mirësia jote ndikon që besimtarët e tu të mund të shërbejnë me denjësi, bëj po të lutemi, të arrijmë te premtimet e tua me nxitim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.