Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetenjitë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

 

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tij!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tij në thellësitë e detit.

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë. –

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Besnikëria jote, o Zot, është deri në re,

   C gjyqi yt, sikurse humnera e pafund.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të parë të Makabenjve 9, 1-22

 

   Juda vdes në luftë.

 

   Kur Demetri mori vesh se kishte rënë në luftë Nikanori dhe ushtria e tij, vendosi ta dërgojë përsëri në Jude Bakidin e Alcimin e me ta krahun e djathtë të ushtrisë. Ata u nisën në drejtim të Galgalës dhe e ngulën fushimin në Masalot, që është në Arbelë. E pushtuan atë dhe vranë shumë njerëz. Mandej në muajin e parë të vitit njëqind e pesëdhejtedytë ngulën fushimin kundër Jerusalemit. Mandej u nisën e shkuan në Beret me njëzet mijë këmbësorë e me dy mijë kalorës. Juda e kishte ngulur fushimin e vet në Elasë. Kishte me vete tri mijë ushtarë të zgjedhur. Kur panë se ushtria ishte tepër e madhe, u trembën për së forti. Shumë u larguan nga fushimi e s'mbetën prej tyre, pos tetëqind vetë. Juda pa se atëherë kur lufta po ndizej flakë ushtria e tij ishte shpërndarë. Zemra iu gri pse s'kishte kohë t'i bashkojë. Ashtu i tronditur krejtësisht, u tha atyre që kishin mbetur:

   “Në këmbë! Të sulemi kundër armiqve tanë, ndoshta do t'i mundim!” U munduan ta largojnë nga ai mendim e i thanë: “Tash s'mund të bëjmë tjetër, por të shpëtojmë vetveten e më vonë do të kthehemi me vëllezërit tanë e do t'i mundim. Vërtet jemi tepër pak!” Por, Juda vazhdoi: “Larg qoftë (ta bëjmë këtë gjë) të ikim para tyre! Nëse na ka ardhur dita, le të vdesim si burrat për vëllezërit tanë e të mos i lëmë dangë lavdisë sonë!”

   Ushtria doli nga fushimi e qëndroi ballë për ballë me armikun. Kalorësia qe ndarë në dy pjesë, bahëtarët e shigjetarët ecnin në ballë të ushtrisë, kështu edhe togat sulmuese: të gjithë trima mbi trima. Bakidi ishte në krahun e djathtë. Rreshti i luftës afrohej nga të dy anët e krisnin boritë! Ushtuan boritë edhe nga ata që ishin në anën e Judës, u tund toka nga zhurma e ushtrive! Krisi lufta prej mëngjesit deri në mbrëmje.

   Juda hetoi se Bakidi dhe pjesa më e fortë e ushtrisë ishte në krahun e djathtë. Me të u bashkuan të gjithë zemërluanët dhe, prej tyre qe thyer krahu i djathtë dhe i ndoqi deri në malin Azot. Kur panë ata të krahut të majtë se u thye krahu i djathtë, u vunë pas Judës e atyre që ishin me të, pas shpine. Atëherë u ndez flakë lufta dhe u plagosën shumë nga njëra dhe nga pala tjetër. Atëherë ra edhe Juda e të tjerët ikën.

   Jonata e Simoni e morën Judën, vëllain e vet, dhe e varrosën në varrin e etërve të vet në Modin. E qau dhe i bëri gjëmë të madhe mbarë populli i Izraelit dhe mbajtën zi për shumë ditë. E vajtonin kështu: “Oh si ra trimi i trimit që e shpëtonte Izraelin!”

   Veprat e tjera të Judës, luftërat e trimëritë që i bëri e veprat e tjera të madhërueshme të tija nuk kanë qenë shkruar: ishin me të vërtetë të shumta!

 

   Përgjigjja Krh. 1 Mak 4, 8. 9. 10. 9

 

   C Mos u trembni nga numri i tyre i madh: le t’ju bjerë në mend se si shpëtuan etërit tanë. * Le ta thërrasim në ndihmë Qiellin, që Hyji ynë të ketë dhimb për ne.

   D Le t’ju bien në mend veprat e mrekullueshme kundër faraonit dhe ushtrisë së tij në Detin e Kuq.

   C Le ta thërrasim në ndihmë Qiellin, që Hyji ynë të ketë dhimb për ne.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Traktati “Mbi të mirën e vdekjes” i shën Ambrozit, ipeshkëv

   (Kap. 3, 9; 4, 15; CSEL 32, 710. 716-717)

 

   E bartim gjithmonë dhe në çdo vend vdekjen e Krishtit.

 

   Apostulli thotë: “Për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën” (Gal 6, 14). Pastaj, meqë e dimë se edhe duke jetuar mund të kemi vdekjen, por një vdekje të mirë, na nxitë që të bartim gjithmonë dhe në çdo vend në trupin tonë vdekjen e Jezusit, sepse ai që do të ketë pasur në vete vdekjen e Jezusit, do të ketë në trupin e tij edhe jetën e Zotit Jezus (krh. 2 Kor 4, 10).

   Atëherë, le të veprojë në ne vdekja, që të plotësojë veprën e saj edhe jeta. Le të vijë një jetë e mirë pas vdekjes, domethënë, një jetë e mirë pas fitores, një jetë e mirë në fund të betejës. Ligji i mishit të mos jetë më në gjendje të kundërshtojë ligjin e shpirtit, dhe të mos ketë asnjë luftë me trupin e vdekshëm, por në trupin e vdekshëm le të mbretërojë fitorja. Dhe as vetë unë nuk do dija të thosha nëse kjo vdekje ka, apo jo, pushtet më të madh se jeta.

   Ndjehem i shtyrë nga autoriteti i Apostullit që thotë: “Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta” (2 Kor 4, 12). Vdekja e njërit, sa popujve u solli jetë! Për këtë arsye na mëson se ne, të vendosur në këtë jetë, duhet ta dëshirojmë këtë vdekje, më mënyrë që vdekja e Krishtit të shkëlqejë në trupin tonë, ajo vdekje e lume përmes së cilës njeriu i jashtëm shkon duke u shkatërruar që njeriu i brendshëm të përtërihet nga dita në ditë (krh. 2 Kor 4, 16) ndërsa banesa jonë tokësore të shkatërrohet (krh. 2 Kor 5, 1) dhe kështu të na hapet banesa qiellore.

   Prandaj e imiton vdekjen ai që i shmanget përfshirjes së këtij mishi dhe që zgjidhet nga ato pranga për të cilat flet Zoti nëpërmjet Isaisë profet: “Këputi verigat e padrejtësisë, ti zgjidhi leqet e zgjedhës, lëshoji të lirë të ndrydhurit, copëto çdo zgjedhë” (Is 58, 6).

   Për këtë arsye Zoti lejoi që të ndërhyjë vdekja që të zhduket mëkati. Por që vdekja të mos shënonte fundin e natyrës, u dha ngjallja nga të vdekurit. Kështu nëpërmjet vdekjes pushonte së qeni mëkati dhe nëpërmjet ringjalljes natyra mbetej përgjithmonë.

   Kjo vdekje, pra, është kalimi i detyrueshëm për të gjithë. Duhet që jeta jote të jetë një kalim i vazhdueshëm, që ti të bësh një kalim nga shkatërrueshmëria në pashkatërrueshmëri, nga vdekshmëria në pavdekshmëri, nga shqetësimet në qetësi. Mos të të bezdis pra emri i vdekjes; por le të të gëzojnë të mirat e një kalimi të lumtur. Dhe vërtet çka është vdekja nëse jo varrimi i veseve dhe ringjallja e virtyteve? Për këtë arsye edhe Balaami thotë: “Vdeksha unë me vdekje të të drejtit” (Nr 23, 10), që do të thotë: le të jem i varrosur në mënyrë të tillë që të të zhvishem nga veset dhe të vishem me hirin e të drejtëve, të cilët bartin gjithmonë dhe në çdo vend në trupin dhe në shpirtin e tyre vdekjen e Krishtit.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Tim 2, 11-12; Sir 1, 20

 

   C E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. * Nëse durojmë me qëndresë bashkë me Të, bashkë me Të do të mbretërojmë.

   D Njeriu i durueshëm do të durojë deri sa të vdesë; në fund do të gurgullojë gëzimi i tij.

   C Nëse durojmë me qëndresë bashkë me Të, bashkë me Të do të mbretërojmë.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, mirësia jote ndikon që besimtarët e tu të mund të shërbejnë me denjësi, bëj po të lutemi, të arrijmë te premtimet e tua me nxitim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.