Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetedytë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Është koha e mesit natës;

   nxit zëri profetik

   t’i këndojmë lavde Hyjit,

   Atit gjithmonë e Birit,

 

   Si edhe Shpirtit të Shenjtë:

   Trinia e përsosur

   e një gjëje të vetme

   nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.

 

   Kjo kohë ka edhe tmerrin,

   ku engjëlli shkatërrues

   vdekjen i solli Egjiptit,

   shfarosi të parëlindurit.

 

   Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,

   pse atëherë po atje engjëlli

   s’kishte guxuar t’ndeshkonte

   nga frika e shenjës s’gjakut.

 

   Egjipti rëndë vajtonte

   nga shuarja e rreptë e djemve;

   veç Izraeli gëzonte

   mbrojtur nga gjaku i qengjit.

 

   Izraeli i vërtetë ne jemi:

   në Ty, o Zot, gëzohemi,

   duke shpërfillë armikun dhe të keqen,

   mbrojtur nga gjaku i Krishtit.

 

   Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Falemi o ditë, lavdia e ditëve,

   fatlume ditë fitore e Krishtit,

   ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,

   dita e parë.

 

   Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,

   në cilën Krishti shkreton ferrin,

   vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas

   t’ultat me t’lartat.

 

   Vendimi i mbretit të amshuar

   nën mëkat fund u dha të gjithave;

   që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte

   njerëzve të dobët.

 

   Virtyti i Hyjit e dija

   mërinë me mirësi zbuti

   atëherë kur bota në greminë

   tërësisht po rrokollisej.

 

   I lirë u ngjall përsëri nga ferri

   restaurator i farës njerëzore

   delen e vet mbi supa duke e mbartur

   në vise t’epra.

 

   Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,

   rritet plotësimi i radhëve qiellore,

   lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,

   lavdia e amshuar.

 

   Harmonia e atdheut qiellor

   përkoftë me zërin e Nënës Kishë,

   “Aleluja” sot grumbulloftë me turma

   grigjat besnike.

 

   Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,

   të përfitojmë nga gëzimi triumfal:

   paqe në tokë, dhe brohoritje

   qofshin ndër qiej. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

   Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).

 

   Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet

 

   Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.

 

   Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rastin e flijimit

 

   Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).

 

   I (1-12)

 

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †

   këndoni lavdisë së Emrit të tij, *

   lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

 

Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *

   Pse je tejet i fuqishëm,

   armiqtë e tu të përkëdhelin.

 

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *

   le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«

Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *

   bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

 

Ai e shndërroi detin në terik, †

   këmbë e kaluan lumin *

   për këtë galdojmë me gëzim.

 

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †

   sytë e tij vërejnë përmbi popuj *

   që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.

 

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *

   dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën, *

   këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

 

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *

   porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na qite në leqe, *

   barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †

   na përshkove nëpër zjarr e ujë, *

   por më vonë na dhe pushim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.

 

Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.

 

   II (13-20)

 

Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *

   para teje do t’i çoj në vend kushtet,

që i premtova me buzët e mia, *

   që i thashë me gojë kur isha në rrezik.

 

Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †

   bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *

   do të të kushtoj qe edhe cjep!

 

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *

   do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.

 

Me gojën time e thirra në ndihmë, *

   dhe me gjuhën time e madhërova.

Po të mendoja të keqen në zemrën time, *

   Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.

 

Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *

   i vuri vesh zërit të lutjes sime.

Qoftë bekuar Hyji

   që s’ma hodhi poshtë lutjen time *

   e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.

 

   D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,

   C më përshkuese se shpata dy teheshe.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Danielit profet 1, 1-21

 

   Besnikëria e izraelitasve të rinj në pallatin e mbretit të Babilonisë.

 

   Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi. Zoti ia lëshoi në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në vishtaret e shtëpisë së hyjnive të veta.

   Mbreti i urdhëroi Asfanazit, kryetarit të oborrtarëve të vet, që t'i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarësh disa djelmosha të pa farë mungesash, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që ta mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.

   Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga hajet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit. Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Misaeli dhe Azaria. Kryetari i oborrtarëve ua ngjiti emrat: Danielit Baltazar, Ananisë Sedrak, Misaelit Mizak dhe Azarisë Abdenago.

   Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tija dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej. Zoti bëri që Danieli të gjente hir e dhimb në sytë e kryetarit të oborrtarëve dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: “E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.” Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Misaelit e Azarisë: “Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë, atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.”

   Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore. Me atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.

   Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dijeni, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.

   Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të qiteshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit. Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Misaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit. Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u vuri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.

   Danieli qëndroi aty deri në vitin e parë të mbretit Cir.

 

   Përgjigjja Krh. Dan 1, 17. 20

 

   C Këtyre djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim; * Zoti i forcoi zemrat e tyre me Shpirtin e vet.

   D Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u vuri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin të aftë.

   C Zoti i forcoi zemrat e tyre me Shpirtin e vet.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimi” i një autori të shekullit të dytë

   (Kap. 1, 1 – 2, 7; Funk, 1, 145-149)

 

   Krishti deshi të shpëtojë gjithçka që po shkatërrohej.

 

   Vëllezër ta ringjallim fenë tonë në Jezu Krishtin, Hyjin e vërtetë, gjykatësin e të gjallëve dhe të vdekurve, dhe të jemi të vetëdijshëm për rëndësisë tejet të madhe të shëlbimit tonë. Nëse ne i përçmojmë këto realitete të mëdha bëjmë keq dhe shkandullojmë ata që na dëgjojnë dhe tregojmë se nuk e njohim thirrjen tonë, as atë që na ka thirrur, as për ç’arsye e ka bërë atë, as sa vuajtje ka bartur Jezu Krishti për ne.

   Dhe çfarë shkëmbimi mund t’i japim ne atij, apo çfarë fryti të denjë nga ajo që ai na e dha neve? E për sa bamirësit i jemi borxhli? Ai na e dha ekzistencën, na thirri bij pikërisht si një atë, na shpëtoi pikërisht kur ishim duke shkuar drejt shkatërrimit. Çfarë lavdi pra, çfarë shkëmbimi mund t’i japim për ta shpaguar për të gjitha ato që i kemi pranuar? Ne ishim të dalur nga mendja, adhuronim gur dhe drunj, ar, argjend dhe bakër të punuar nga njeriu. Tërë jeta jonë nuk ishte veçse vdekje! Por derisa ishim të mbështjellë nga errësira, edhe pse duke e ruajtur në plotësi shqisën e të parit, e rifituam përdorimin e syve, duke zhveshur, në saje të hirit të tij, atë vel të dendur që i mbulonte.

   Në të vërtet, duke parë në ne jo tjetër veçse gabime e shkatërrime dhe mungesë të çdo shprese për shpëtim, përpos asaj që vinte nga ai, pati mëshirë për ne dhe, në mëshirën e tij të madhe, na e dhuroi shëlbimin. Na thirri në ekzistencë kur ende nuk ekzistonim, dhe deshi që nga asgjëja të fillonim së ekzistuari.

   Galdo, o beronjë, ti që nuk ke lindur; shpërthe në britma gëzimi, ti që nuk lind, sepse në numër më të madh janë bijtë e të braktisurës nga bijtë e asaj që ka burrë (krh. Is 54, 1). Duke thënë: Galdo, o beronjë, ti që nuk ke lindur, e thekson gëzimin e Kishës që më parë ishte pa fëmijë dhe pastaj na nxori në dritë ne. Me fjalët: shpërtheu në britma gëzimi..., na nxit ne që të ngrisim zërat e lutjes sonë drejt Zotit, gjithmonë me shpirt feste. Me shprehjen: Sepse në numër më të madh janë bijtë e të braktisurës se sa të asaj që ka burrë, dëshiron të thotë se populli ynë dukej i braktisur dhe pa Hyj e tani nëpërmjet fesë jemi bërë në numër më të madh se ata që dukeshin si adhurues të Hyjit.

   Një pjesë tjetër tjetër të Shkrimit të shenjtë thotë: “Nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.” (Mt 9, 13). Thotë kështu që ne të kuptojmë se ai dëshiron t’i shëlbojë ata që janë duke shkuar në shkatërrim. E rëndësishme dhe e vështirë është të mbajmë jo atë gjë që qëndron mirë në këmbë, por atë që rrezikon të rrëzohet. Kështu edhe Krishti dëshiron të shëlbojë atë që ishte duke u rrëzuar dhe shpëtoi shumë kënd, kur erdhi për të na thirrur ne që tashmë ishim duke u rrëzuar.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Sel 5, 9-10; Kol 1, 13

 

   C Hyji na ka caktuar për shëlbim nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili ka vdekur për ne, * që të jetojmë së bashku me të.

   D Ai na ka liruar nga pushteti i errësirës dhe na ka kaluar në mbretërinë e Birit të vet të dashur.

   C që të jetojmë së bashku me të.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëbo prej nesh çdo pengesë në ecjen tonë kah Ti, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.