Shërbesa e leximeve
9 nëntor, Kushtimi i Bazilikës së Lateranit
Festë
Përvjetori i kushtimit të bazilikës, e ndërtuar nga perandori Konstantin mbi kodrat Lateran, qe kremtuar, me sa duket, që nga shekulli XII, më 9 nëntor. Fillimisht qe një festë vetëm e qytetit të Romës. Më pas kremtimi u shtri në të gjitha Kishat e ritit romak për të nderuar bazilikën e quajtur kisha-nënë dhe zanafillë e të gjitha kishave të Urbe e Orbe, dhe si shenjë dashurie dhe bashkimi ndaj katedrës së Pjetrit, që, sipas shën Injacit të Antiokisë, “udhëheq të gjithë bashkësinë e dashurisë”.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Shërbesa e Leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
O Krisht, zotrues hyjnor i gjitha sendeve,
për ty jehojnë ndër treme turma lutësish,
në kohë vjetore kur prapë kthehen festat
për t’i kremtuar.
Vërtet ky vend ushton nga zërat n’tremet
e mbretit t’madh e porta e qiellit t’ndritshëm
që i pret të gjithë që sulen për t’u futur
n’atdheun e jetës.
Kjo banesë shenjte mbështjell turmën tënde,
që e përshpirtshme është plot me sakramente,
për gjellë qiellore ushqen me dhurata
t’jetës s’amshueshme.
Lutemi pra, o Zot, me fytyrë të qetë
të bësh një shenjë duke drejtuar shërbëtorët,
që me dashni të lartë kremtojnë gëzimet
e tempullit tënd.
Lavd i njëllojtë madhëroftë Prindin e Epërm,
dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë ndër shekuj;
le të jehojë lavdia e Shpirtit Shenjt
nëpër mbarë botën. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, që të hyjë Mbreti i lavdisë.
Psalmi 24 /23/ (1-10)
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, që të hyjë Mbreti i lavdisë.
Ant. 2 Sa të dashura janë banesat e tua, o Zoti i Rruzullimit! †
Psalmi 84 /83/ (2-13)
Sa të dashura janë banesat e tua, *
o Zoti i Rruzullimit!
† Shpirti im shkrihet e meket *
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im *
i brohorasin Hyjit të gjallë.
Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, *
Mbreti im e Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *
do të të lavdërojnë për amshim.
Lum ai që në ty gjen forcën *
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †
e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *
sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.
Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *
derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.
O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *
më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!
Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat *
atyre që jetojnë të pafajshëm.
O Zot Sabaot, *
lum njeriu që shpreson në ty!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Sa të dashura janë banesat e tua, o Zoti i Rruzullimit!
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit!
Psalmi 87 /86/ (1-7)
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
o Qyteti i Hyjit!
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
ndër ato që më njohin; †
ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
- edhe ato lindën atje.«
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
»Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
»Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit!
D Në tempullin tënd po vij për të adhuruar,
C e falënderoj emrin tënd, o Zot.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 2, 1-17
Fort të dashur, flakni larg jush, çdo lloj të keqeje, çdo tradhti dhe hipokrizi, smirë dhe shpifje! Porsi foshnjat e posa lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shëlbim në qoftë se vërtet »e keni sprovuar se Zoti është i mirë.«
Afrohuni Atij ‑ Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit,
që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
Këndej thuhet në Shkrim shenjt:
»Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«
Për ju, pra, që besoni ‑ nder; kurse për ata që nuk besojnë ‑
gur që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit.«
E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.«
Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.
Porse ju jeni:
»Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t'i shpallur veprat e madhërueshme të
Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.
Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t'u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit. Sjellja juaj midis paganëve të jetë shembullore që, shi për ato sende në të cilat ju shpifen si të ishit bakëqij, kur t'i shohin veprat tuaja të mira, t'i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.
Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit ‑ porsi sundimtarit më të epërm ‑ qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar keqbërësit e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë. Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t'ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamend. Porsi njerëz të lirë ‑ por jo si ata që lirinë e kanë porsi mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit ‑ nderojeni gjithkënd, duajeni vëllazërinë, duajeni Hyjin, nderojeni mbretin!
Përgjigjja Krh. Tob 13, 17
C Muret e tua, o Jerusalem, do të ndërtohen me gurë të paçmueshëm, * pirgjet e tua do të ndërtohen me ar të kulluar.
D Dyert e tua do të ndërtohen me xhevahir e gurë ofiri,
C pirgjet e tua do të ndërtohen me ar të kulluar.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Cezarit nga Arles, ipeshkëv
(Fjal. 229, 1-3; CCL 104, 905-908)
Me pagëzim të gjithë jemi bërë tempull i Zotit
Me gëzim dhe hare kremtojmë sot, vëllezër fort të dashur, ditën e lindjes së kësaj kishe: porse tempulli i gjallë dhe i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne. Kjo gjë është pa dyshim e vërtetë. Megjithatë popujt e krishterë kanë zakon të kremtojnë të kremten e kishës amë, sepse e dinë se pikërisht në të kanë lindur shpirtërisht.
Me anë të lindjes së parë ne ishim kupa të hidhërimit të Hyjit; ndërsa lindja e dytë na bëri kelk të dashurisë së tij të mëshirshme. Lindja e parë na çoi në vdekje; lindja e dytë na thirri prapë në jetë. Para pagëzimit të gjithë ne, o të dashur, ishim tempuj të djallit. Pas pagëzimit merituam të bëhemi tempuj të Krishtit. Nëse do të mendojmë pak më me kujdes për shpëtimin e shpirtit tonë, nuk do ta kemi të vështirë të kuptojmë se jemi tempulli i vërtetë dhe i gjallë i Hyjit. “Hyji nuk banon në tempuj të punuar me duar të njerëzve” (Vap 17, 24), as në shtëpi të bëra nga druri apo nga guri, por para së gjithash në shpirtin e krijuar sipas shëmbëllesës së tij nëpërmjet dorës së vet Autorit të gjërave. Apostulli i madh Pali ka thënë: “Tempulli i Hyjit është i shenjtë, e ky Tempull jeni ju” (1 Kor 3, 17). Meqë Krishtin me ardhjen e tij e përzuri djallin nga zemra jonë për të përgatitur brenda nesh një tempull, të përpiqemi, pra, të bëjmë, aq sa është në mundësitë tona, që ky tempull të mos pësojë asnjë dëm me anë të veprave tona të këqija. Kushdo që sillet keq e fyen Krishtin. Para se Krishti të na shëlbonte, siç thashë edhe më parë, ne ishin banesë e djallit. Më pas merituam të bëhemi shtëpia e Hyjit, vetëm pse ai u denjua të bëjë prej nesh banesën e tij.
Nëse, pra, fort të dashur, dëshirojmë të kremtojmë me gëzim ditën e lindjes së kishës sonë, nuk duhet ta shkatërrojmë me veprat tona të mbrapshta tempullin e gjallë të Hyjit. Do të flas në mënyrë që të gjithë të mund të më kuptojnë: çdo herë që vijmë në kishë, t’i rregullojmë shpirtrat tonë ashtu si do të dëshironim ta gjenim në rregull tempullin e Hyjit. A dëshiron të gjesh një bazilikë krejtësisht të shkëlqyer? Mos e njollos shpirtin tënd me ndyrësi të mëkatit. Nëse dëshiron që bazilika të jetë plot me dritë, le të të bie ndër mend se edhe Zoti dëshiron që në shpirtin tënd mos të ketë errësira. Por bëj në mënyrë që në të, siç thotë Zoti, të shkëlqejë drita e veprave të mira, që në këtë mënyrë të lavdërohet Ati që është në qiell. Siç hyn ti në këtë kishë, kështu edhe Hyji dëshiron të hyjë në shpirtin tënd. E pohon ai vetë kur thotë: Do të banoj në mesin e tyre dhe bashkë me ta do të eci (krh. Lev 26, 11. 12).
Përgjigjja Krh. Ez 47, 1. 9
C Pashë ujin që rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit; ata që i mbërrinte ky ujë * e fitonin shëlbimin dhe thoshin: Aleluja, aleluja.
D Në kushtimin e tempullit popullin këndonte himne; me forcë dhe me ëmbëlsi jehonte muzika në gojën e tyre:
C e fitonin shëlbimin dhe thoshin: Aleluja, aleluja.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Në kishën e kushtuar:
Dëgjoje, o Zot, lutjen e popullit tënd, që me gëzim e kremton ditën e kushtimit të këtij tempulli; bëj që këtu gjithherë të kryhet denjësisht shërbesa liturgjike në nder e lavd të emrit tënd, që ta ndikojë në ne hirin e shëlbimit. Nëpër Zotin.
Jashtë kishës së kushtuar:
O Hyj, ti zgjedh gurë të gjallë për të ndërtuar banesën e amshueshme të lavdisë sate, jepi me begati Kishës sate frytet e Shpirtit Shenjt, që populli yt besimtar vazhdimisht të dëftohet në Jerusalemin qiellor. Nëpër Zotin.
Ose:
O Hyj, ti deshe që bashkësia e besimtarëve të quhet Kisha jote: bëj që populli yt i bashkuar në emrin tënd të të adhurojë, të të duajë, të të ndjekë ty dhe, nën udhëheqjen tënde, t’u arrijë premtimeve të tua qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.