Shërbesa e leximeve
10 nëntor, Shën Leoni i madh, papë dhe mësues i Kishës
Përkujtim
I lindur në Toskanë dhe i ngjitur në katedrën e Pjetrit në vitin 440, qe një bari dhe atë shpirtrash i vërtetë. U përpoq në çdo mënyrë të mbante të qëndrueshme dhe të paprekur fenë, mbrojti me guxim bashkimin e Kishës, ndaloi, për sa i qe e mundur, inkursionet e barbarëve, meritoi me të drejtë të quhet shën Leoni “i madh”. Vdiq në vitin 461.
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
10 nëntor, Shën Leoni i madh, papë dhe mësues i Kishës
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
Ti i pate dhënë tufën e dhenve Pjetrit,
që bota mbarë një vathë e shenjtë të bëhej,
ky i vendosur krejt në krye të Kishës
me urdhrin tënd sundoi.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt. Amen.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi
Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
I (2-12)
O Zot, dëgjoje lutjen time *
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje: *
kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!
Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *
e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
Zemra po më thahet si bari i kositur *
e po harroj të ha edhe bukën time.
Prej gjëmave të mia të mëdha *
u bëra asht e lëkurë.
U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
Rri zgjuar e rënkoj *
porsi trumcaku qyqe vetëm mbi pullaz.
Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
Ha hi porsi bukë, *
e pijen time e përziej me lot.
Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *
sepse më lartësove e më mposhte.
Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *
e unë u thava porsi bari.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Britma ime le të arrijë te ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
II (13-23)
Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *
prej breznie në brezni Emri yt.
Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *
- shi tani është koha!
Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *
u dëftua në lavdinë e vet.
E mori parasysh lutjen e të vobektëve *
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
që në Sion të shpallet Emri i Zotit *
e lavdia e tij në Jerusalem,
kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vështroje, o Zot, lutjen e të varfrit.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
III (24-29)
Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *
ditët m’i shkurtove.
Do të them: »Hyji im, †
mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
Qysh në fillim themelove Tokën *
edhe qielli është latim i duarve të tua.
Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †
gjithçka do të vjetrohet si petku. *
Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,
kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *
- vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.
Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove tokën, edhe qielli është vepër e duarve të tua.
D Populli im, vërja veshin mësimit tim,
C dëgjoji fjalët e gojës sime.
Leximi i parë
Prej librit të Danielit profet 3, 8-12. 19-24. 91-97
Truporja e arit të mbretit. Të djelmoshat e nxjerrë nga furra.
Një herë disa kaldenj u afruan dhe i paditen disa hebrenj. I thanë mbretit Nabukodonozor: “O mbret, rrofsh sa malet! Ti, o mbret, dhe urdhrin që çdo njeri, posa ta ketë dëgjuar zërin e borisë, zanamares, qestes, sambukës, psalterit, të orkestrës e të veglave muzikore të çdo lloji të përkulet në adhurim para trupores së artë; e po qe se ndokush s'do të përkulet në adhurim, le të hidhet në furrën e skuqur me zjarr. E pra, janë disa judenj, të cilët i vure në krye të krahinës së Babilonisë: Sedraku, Misaku e Abdenagoja: këta njerëz, o mbret, s'janë në kujdes: nuk i nderojnë hyjnitë e tua dhe nuk e adhurojnë truporen tënde që e ndërtove.”
Atëherë Nabukodonozori, plot furi, i mrrolur në fytyrë kundër Sedrakut, Misakut e Abdenagos foli e urdhëroi të ndizej furra shtatë herë më tepër se ishte zakon të skuqej. Atëherë, disa njerëzve, ndër më të fortit e ushtrisë së vet, u urdhëroi t'i lidhin Sedrakun, Misakun e Abdenagon e t'i hedhin në furrën e skuqur me zjarr. Kështu, pra, qenë lidhur e, ashtu si ishin të veshur, me brakushe, me kësula, me të mbathura e me petka, qenë hedhur në furrën e skuqur me zjarr. Urdhri ishte i prerë, furra ishte e skuqur deri aty, sa që ata njerëz, të cilët i hodhën Sedrakun, Misakun e Abdenagon në furrë, i dogji flaka e zjarrit, kurse këta tre burra: Sedraku, Misaku e Abdenagoja ranë në furrë të skuqur, ashtu të lidhur.
Ata shëtisnin në mes të flakëve, lavdëronin Hyjin dhe e bekonin Zotin.
Atëherë mbreti Nabukodonozor mbeti i habitur dhe u ngrit me nxitim. I pyeti bujarët e vet: “Po a nuk i hodhëm tre vetë të lidhur në zjarr?” Ata i përgjigjën mbretit: “Po, o mbret!” Ai vazhdoi: “Po unë po shoh katër vetë të zgjidhur duke ecur në midis të zjarrit pa u bërë asnjë të keqe e i katërti e ka pamjen si djalë zotash.” Atëherë Nabukodonozori u afrua te gryka e furrës së skuqur e tha: “O Sedrak, Misak e Abdenago, shërbëtorët e Hyjit të Qiellit, dilni jashtë e ejani këtu!” Sedraku, Misaku e Abdenagoja menjëherë dolën nga zjarri.
U mblodhën satrapët, bujarët, gjykatësit dhe të gjithë pushtetarët e mbretit e po i shikonin ata njerëz: zjarri nuk u kishte bërë farë dëmi në trup, nuk u ishte djegur asnjë fije floku, petku i tyre nuk kishte qenë prekur dhe nuk ishte kapur në ta erë zjarri. Atëherë Nabukodonozori brohoriti: “Qoftë bekuar Hyji i tyre: i Sedrakut, i Misakut e i Abdenagos, i cili e dërgoi engjëllin e vet dhe i shpëtoi shërbëtorët e vet që besuan në të e nuk e dëgjuan urdhrin e mbretit, por e dhanë trupin e vet të digjet për të mos u shërbyer e për të mos i adhuruar hyjnitë e tjera, përveç Hyjit të vet! Prandaj, unë po urdhëroj: çdo popull, fis e gjuhë që të hyjshmojë kundër Hyjit të Sedrakut, Misakut e Abdenagos le të bëhet copë e grimë e shtëpia e tij le të kthehet në plehnishtë, sepse nuk ka tjetër Hyj që mund të shpëtojë!”
Atëherë mbreti i ngriti në nderime të larta zyrash Sedrakun, Misakun e Abdenagon në krahinën e Babilonisë.
Përgjigjja Krh. Dan 3, 49. 50. 95
C Engjëlli i Zotit zbriti te Azaria e shokët e tij në furrë dhe e dëboi flakën e zjarrit nga furra. * Zjarri aspak nuk i preku as s’u shkaktoi dhimbje as trazim.
D Qoftë bekuar Hyji i cili e dërgoi engjëllin e vet dhe i shpëtoi shërbëtorët e vet që besuan në të.
C Zjarri aspak nuk i preku as s’u shkaktoi dhimbje as trazim.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Leonit të Madh, papë
(Fjal. 4, 1-2; PL 54, 148-149)
Shërbimi specifik i shërbesës sonë.
E gjithë Kisha e Hyjit është e renditur në shkallë të ndryshme hierarkike, në mënyrë që tërë trupi i shenjtë, të jetë i formuar nga gjymtyrë të ndryshme. Por ashtu siç thotë apostulli, të gjithë ne jemi një në Krishtin (krh. Gal 3, 28). Ndarja e detyrave të ndryshme nuk është e tillë që të pengojë çdo pjesë, sado e vogël të jetë, që ajo të jetë e bashkuar me kreun. Për shkak të bashkësisë së fesë dhe të pagëzimin, o fort të dashur, është mes nesh një bashkësi e pandashme në bazë të një dinjiteti të përbashkët. E pohon këtë gjë edhe Pjetri apostull: “Edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin” (1 Pjt 2, 5), dhe në vijim: “Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete” (1 Pjt 2, 9).
Të gjithë ata që kanë rilindur në Krishtin e fitojnë dinjitetin mbretërorë me anë të shenjës së kryqit. Ndërsa me lyerjen e Shpirtit Shenjt janë të shuguruar meshtarë. Nuk ekziston, pra, vetëm shërbimi specifik që i përket shërbesës sonë, sepse të gjithë të krishterët janë të veshur me një veshje shpirtërore dhe mbinatyrore, që i bën pjesëtarë të breznisë mbretërore dhe të shërbesës meshtarake. A thua nuk është shërbesë mbretërore fakti se një shpirt, i nënshtruar Hyjit, e zotëron trupin e tij? A thua nuk është shërbesë meshtarake t’i kushtosh Zotit një ndërgjegje të pastër dhe t’i dhurosh atij mbi lterin e zemrës flitë e panjolla të kultit tonë? Me hirin e Zotit këto funksione janë të përbashkëta për të gjithë. Porse nga ana juaj është gjë e shenjtë dhe e lavdërueshme që t’i gëzoheni ditës së zgjedhjes sonë si të një nderi tuaj personal. Në këtë mënyrë i gjithë trupi i Kishës e pranon se karakteri i shenjtë i dinjitetit pontifik është një. Me anë të shugurimit shenjtërues, ai rrjedh me siguri me mbushullim më të madh në shkallët më të larta të hierarkisë, por rrjedh në një masë të konsiderueshme edhe mbi shkallët më të ulta.
Bashkësia e të gjithëve me Selinë tonë, është pra, o fort të dashur, shkaku i madh i gëzimit. Por gëzimi më autentik dhe më i lartë do të jetë për ne nëse nuk do të ndaleni duke e marrë parasysh personin tonë të varfër, por lavdinë e të lumturit Pjetër apostull.
Të kremtohet, pra, në këtë ditë duke nderuar para së gjithash atë që u gjet afër vetë burimit të karizmave dhe nga ai burim u mbush dhe pothuajse u përmbyt. Ja pse shumë privilegje i përkisnin vetëm personit të tij dhe, nga ana tjetër, asgjë nuk iu kalua pasardhësve që më parë mos të ishte në të.
Në atë kohë fjala e bërë njeri banonte në mesin tonë. Krishti tashmë e kishte dhënë veten e tij për shëlbimin e gjinisë njerëzore.
Përgjigjja Krh. Mt 16, 18; Ps 48 /47/, 9
C Jezusi i tha Simonit: Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time * dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj.
D Hyji e themeloi për amshim.
C Dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj.
Lutja
O Hyj, ti nuk lejon që fuqitë e së keqes të mbizotërojnë mbi Kishën tënde të themeluar mbi shkëmbin e pathyeshëm apostolik: bëj që, me ndërmjetësinë e shën Leonit papë, të qëndrojë palëkundshmërisht në të vërtetën tënde e ta gëzojë vazhdimisht paqen. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.