Shërbesa e leximeve
11 nëntor, Shën Martini nga Toursi, ipeshkëv
Përkujtim
Lindi në Panoni rreth vitit 316 nga prindër paganë. Pasi mori pagëzimin dhe e braktisi shërbimin ushtarak, themeloi një manastir pranë Liguagé në Francë, ku bëri një jetë murgjërore nën udhëheqjen e shën Ilarit. Pastaj qe shuguruar meshtar dhe më pas u zgjodh ipeshkëv i Tours-it. Qe një bari i mirë i popullit të vet, themeloi manastire të tjera, u kujdes për arsimimin e klerit dhe ungjillëzoi të varfrit. Vdiq në vitin 397.
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
11 nëntor, Shën Martini nga Toursi, ipeshkëv
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Po ai dëshmitar i shuguruar i Zotit,
kremtjet e t’cilit n’botë i feston populli,
sot i gëzueshëm meritoi të ngjitet
në fshehtësitë e qiellit.
Që i drejtë, i urtë, i pastër, i përvuajtur,
qe i përkorë, i ndershëm dhe i paqët,
ndërsa kur ishte n’jetë i gjallëroi gjymtyrët
e trupit t’vet.
Te varri i tij i shenjtëruar dendur
për t’gjetë shërim gjymtyrët e të dergjurve
nga çfarëdo smurje t’ishin të rënduar,
në vig i shpinin.
Prandaj tani kori i ynë në nderin
e atij, këndon këtë himn me gjithë dëshirë,
që nga meritat e atij të drejta
në çdo kohë të ndihmohemi.
Shpëtimi i qoftë Atij, lavdi e virtyti,
që rri në majën më të lartë të qiellit,
drejton makinën e tërë rruzullimit
Një në tre Vetë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.
Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)
O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *
plot hare e mbush shpëtimi yt.
Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *
nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.
Që më parë i dhe bekime të mëdha: *
mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.
T’u lut për jetë e ti i dhe *
ditë të shumta - në jetë të jetës.
E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *
e stolise me madhëri e me shkëlqim.
Ti e bëre bekim përgjithmonë, *
e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *
në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *
e ne do të këndojmë
e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.
Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.
Psalmi 92 /91/ I (2-9)
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
me këngë përcjellë me cetër.
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
kënaqem për veprat e duarve të tua.
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.
Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
II (10-16)
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
më shugurove me më të pastrin vaj.
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
I drejti lulëzon si palma, *
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
Japin fruta edhe në pleqëri, *
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.
D Prej gojës sime do ta dëgjosh fjalën,
C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.
Leximi i parë
Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit 1, 7-11; 2, 1-8
Fort i dashur, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo hidhnak, jo pijanec, jo mujshar, jo lakmues i fitesës së ndytë, por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, që zotëron me vete, i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t'ua mbushë mendjen kundërshtarëve.
Vërtet, ka shumë të tillë që nuk nënshtrohen, që flasin shumë dhe gënjejnë ‑ sidomos ata që vijnë nga rrethprerja. Atyre duhet t'u mbyllet goja, sepse të tillët pështjellojnë familje të tëra duke mësuar çka nuk duhet dhe këtë e bëjnë me qëllim të fitimit të ndytë.
Ti veç, mëso çka është në përkim me mësimin e shëndoshë: që pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë. Po ashtu edhe plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve: jo shpifëse, jo të dhëna mbas verës, por mësuese të së mirës: t'i mësojnë gratë e reja t'i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: të jenë të urta, të pastra, shtëpiake, me mend, të mira, t'u binden burrave të vet ‑ që fjala e Hyjit të mos shahet.
Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim ‑ përpikërinë, denjësinë; fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.
Përgjigjja Krh. Vap 20, 28; 1 Kor 4, 2
C Kini kujdes për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. * Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
D Prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.
C Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e Birit të vet e fitoi për vete.
Leximi i dytë
Nga “Letrat” e Sulpicio Severit
(Let. 3, 6. 9-10. 11. 14-17. 21; SC 133, 336-343)
Martini i varfër dhe i përvuajtur
Martini e parashikoi shumë kohë më parë ditën e vdekjes së tij. I lajmëroi vëllezërit se shumë shpejt do të pushonte së jetuari. Ndërkohë një rast shumë i rëndë e thirri që të vizitonte dioqezën e Kandes. Klerikët e asaj kishe nuk shkonin mirë mes tyre dhe Martini, duke e ditur mirë se i kishte mbetur shumë pak kohë për të jetuar, me dëshirë që të vendoste paqen, nuk përtoi të vihej në udhëtim për një çështje kaq të rëndësishme. Mendonte se nëse do të arrinte të vinte paqen dhe harmoninë në atë kishë do ta kurorëzonte denjësisht jetën e tij që e tëra ishte e drejtuar kah e mira.
U ndal pra për ca kohë në atë fshat apo kishë ku kishte shkuar derisa nuk u kthye prapë paqja. Porse kur filloi të mendonte të kthehej në manastir, papritmas ndjeu se forcat e trupit po e braktisnin. I thirri pranë vetës vëllezërit dhe i bëri me dije për vdekjen tashmë shumë të afërt. Atëherë të gjithë u trishtuan shumë, dhe mes lotëve, sikur po të ishte një i vetëm që fliste, thoshin: “Përse, o Atë, po na braktis? Në duart e kujt po na lë, të mjerë siç jemi ne? Ujqër grabitqarë do ta sulmojnë grigjën tënde dhe kush do të na mbrojë nga kafshimet e tyre, pasi të jetë goditur bariu? E dimë mirë se ti dëshiron të jesh me Krishtin; porse shpërblimi yt është i sigurt. Nëse do të lihet për më vonë me siguri nuk do të zvogëlohet. Por më mirë është të prekesh nga dhembshuria e atyre që po i lë këtu poshtë mbi tokë”.
I prekur nga këta lot, ai që ishte i pasur me Shpirtin e Hyjit, ndjente shumë lehtë dhembshuri, u bashkua me vajin e tyre dhe, duke iu drejtuar Zotit, foli kështu para atyre që po qanin: O Zot, nëse jam akoma i nevojshëm për popullin tënd, nuk më vjen keq për mundin: u bëftë vullneti yt.
O njeri i madh aq sa asnjë fjalë nuk mund ta shprehë, i pathyeshëm në mund, i pamposhtur përballë vdekjes! Ai nuk bëri asnjë zgjedhje për vete. Nuk kishte frikë të vdiste dhe nuk refuzoi të jetonte. Ndërkohë, gjithnjë i drejtuar me sy dhe me duar drejt qiellit, nuk e ngadalësonte dendësinë e lutjes së tij. Meshtarët që ishin bashkuar rreth tij, e lusnin që të ngriste pak trupin e tij të shkretë duke u vendosur mbi sup. Por ai u përgjigj: Më lini, vëllezër, më lini që unë të shoh qiellin, më shumë se sa tokën, në mënyrë që shpirti im i cili po ngrihet tek Zoti, të jetë tashmë i drejtuar në udhën e drejtë. Me të thënë këtë, ai vërejti se djalli i qëndronte afër. Atëherë i tha: Çfarë bën këtu, bishë e përgjakshme? Nuk do të gjesh asgjë në mua, o i pashpirt! Kraharori i Abrahamit po më pranon.
Në të thënë këto fjalë e dorëzoi shpirtin e tij në duart e Zotit.
Martini ngrihet i lumtur drejt Abrahamit. Martini i varfër dhe i përvuajtur hyn i pasur në parajsë.
Përgjigjja
C Martini, njeri i shenjtë, nuk e ka njohur dyfaqësinë, gjykimin e keq dhe të dënimit. * Goja e tij fliste vetëm për Krishtin, për paqen dhe dashurinë.
D Njeri i mrekullueshëm! Nuk pati frikë nga vdekja dhe nuk i refuzoi mundimet e jetës.
C Goja e tij fliste vetëm për Krishtin, për paqen dhe dashurinë.
Lutja
O Hyj, ti bëre që të ndriçojë lavdia jote si në jetë ashtu në vdekje të shën Martinit ipeshkëv: ripërtëriti në ne mrekullitë e hirit tënd, që të mos na ndajë prej dashurisë sate as jeta as vdekja. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.