Shërbesa e leximeve
12 nëntor, Shën Jozafati, ipeshkëv dhe martir
Përkujtim
Lindi në Ukrainë rreth vitit 1580 nga prindër ortodoksë. Kur përqafoi fenë katolike, u pranua ndër murgjërit e shën Bazilit. U shugurua meshtar dhe u zgjodh ipeshkëv i Polock, iu kushtua në mënyrë të admirueshme çështjes së unitetit të Kishës. Kjo zgjoi kundër tij urrejtjen e disave të cilët hartuan një plan për ta vrarë. U martirizua në vitin 1623.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëi zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
12 nëntor, Shën Jozafati, ipeshkëv dhe martir
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Martir bëje t’lumtur
ditën tënde t’ngadhënjimit,
që ty fitues të jepet
shpërblim kurora e gjakut.
Me këtë nga errësira e shekullit
xhelat mposhte e gjykatës,
ky t’ ngriti n’ qiell e ditët
triumfues n’ Krishtin t’i bëri.
Tashti pjestar me engjëjt
shkëlqen me rrobë të shquar,
që dëshmues i pamposhtur
në përrenj gjaku e lave.
Tash më rri pranë e lutu,
që Krishti i qetë ndaj t’vetve
ta kthejë veshin mëshirues,
mos t’i njehë gjitha fajet.
Paksa këtu depërton
nga Krishti lyp mbështetje,
që shqiset e rënduara
të ndiejnë lehtësinë e faljes.
Atit dhe Birit nderi
bashkë me Shpirtin jetëdhënës,
ty kurorë t’përjetshme
të vënë n’ treme t’ lumturisë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi
Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:
C ma mëso urtinë, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Danielit profet 9, 1-4a. 18-27
Lutja dhe vegimi i Danielit.
Vitin e parë të Dariut, birit të Asuerit, prej farës së medëve, i cili sundoi mbi mbretërinë e kaldenjve, vitin e parë të sundimit të tij, unë, Danieli, po i shqyrtoja Shkrimet mbi numrin e vjetëve ‑ të cilët i kishin qenë zbuluar prej Hyjit Jeremisë profet ‑ që duheshin të plotësoheshin për rrënimet e Jerusalemit: shtatëdhjetë vjet. E solla fytyrën time drejt Zotit Hyjit tim, iu luta e iu përluta me njënesë, me grathore e në pluhur. Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë:
“Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua.
Prire, o Hyji im, veshin tënd e dëgjo! Hapi sytë e tu e shihe mjerimin tonë e Qytetin që thirret me emrin tënd. Jo, nuk i paraqesim uratat tona në fuqi të veprave tona të drejta, por në fuqi të mëshirave të tua të shumta.
Na dëgjo, o Zot! Na fal, o Zot, na vështro e vepro! Mos vono pashë jetën tënde, o Hyji im, sepse emrin tënd mban Qyteti yt e populli yt!”
Derisa ende po flisja, po lutja e po rrëfeja mëkatet e mia e mëkatet e popullit tim, Izraelit, dhe po i shtrija përlutjet e mia para Hyjit tim për Malin e Shenjtë të Hyjit tim, ndërkohë që ende po e flisja uratën, kur qe, Gabrieli, që e kisha parë më parë në vegim, duke fluturuar me nxitim më preku në kohën e flisë mbrëmësore, më mësoi, foli me mua e më tha: “O Daniel, erdha për të të mësuar e për të të bërë të kuptosh. Qysh në fillim të uratës sate ka dalë fjala dhe unë qeshë dërguar ta mësoj, sepse ti je tejet i dashur. Tash rri gati fjalës e merre vesh vegimin:
Shtatëdhjetë të shtunat janë të caktuara mbi popullin tënd e mbi Qytetin tënd të shenjtë për t'i dhënë fund paudhësisë, për të marrë fund mëkati, për t'u zhbirë fajësia, për t'u sjellë drejtësia e përhershme, për të shkuar në vend vegimi e profeti, për t'u shuguruar Shenjti i shenjtërve.
Dije, pra, dhe merre mirë vesh: Prejse të dalë fjala që përsëri të ndërtohet Jerusalemi e derisa të vijë i Shuguruari Prijës, janë shtatë javë. Gjatë shtatëdhjetë javëve mandej përsëri do të rindërtohet sheshi dhe muret, por në kohë të vështira.
Mandej pas shtatëdhjetë e dy javëve do të vritet i Shuguruari, por jo për vete. Qytetin dhe Shenjtëroren do ta shkatërrojë populli i prijësit të ardhshëm. Mbarimi i tyre është në shkatërrim e deri në mbarim do të ketë luftë e shkatërrime të caktuara.
Ai do të lidhë një Besëlidhje të fortë me shumë palë për një jave të vetme; në gjysmën e javës do të pushojë fli e kusht, përmbi krahun e Tempullit do të jetë Ndyrësia e shkatërrimit deri në mbarim, deri në caktimin e mbarimit që do të bien mbi shkatërruesin.”
Përgjigjja Krh. Bar 2, 16; Dan 9, 18; Ps 80 /79/, 20
C Na shiko, o Zot, nga Banesa jote e shenjtë e mendo për ne; prire veshin tënd, o Zot, e dëgjo; * hapi sytë e tu e shihe mjerimin tonë.
D O Zot, Hyji i ushtrive, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e na shpëto;
C hapi sytë e tu e shihe mjerimin tonë.
Leximi i dytë
Nga enciklika “Ecclesiam Dei” i Piut XI, papë
(AAS 15 [1923] 573-582)
E derdhi gjakun e tij për bashkimin e Kishës
Kisha e Zotit, në saje të provanisë së admirueshme, u themelua në mënyrë që në plotësinë e kohës të arrinte të bëhej një familje tejet e madhe. Ajo është e caktuar të përqafojë gjininë e gjithëmbarëshme njerëzore dhe për këtë arsye, siç e dimë, në mënyrë hyjnore u shfaq nëpërmjet bashkimit ekumenik që është një nga karakteristikat e saja të njohura. Krishti, Zoti ynë, nuk u mbështet vetëm tek apostujt në besimin e misionit të cilin Ati ia kishte dhënë, kur tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt” (Mt 28, 18-19). Por deshi që edhe kolegji apostolik të ishte krejtësisht një, me një lidhje të dyfishtë dhe shumë të ngushtë. E para është lidhja e brendshme e fesë dhe e dashurisë, që është derdhur në zemrat tona nëpërmjet Shpirtit Shenjt (krh. Rom 5, 5). Lidhja tjetër është lidhja e jashtme e qeverisjes së njërit mbi të gjithë. Vërtet Pjetrit iu besua parësia mbi apostujt e tjerë si princip i gjithmonshëm dhe si themel i pashëm i njësisë.
Por, në mënyrë që ajo njësi dhe harmoni të bëheshin të përjetshme, Zotynë, që është tejet i kujdesshëm, deshi që ta shuguronte, të themi ashtu, me vulën e shenjtërisë dhe të martirizimit. Një nder kaq i madh i takoi pikërisht shën Jozafatit, kryeipeshkvit të Plock-it, të ritit sllavo-lindor, që me të drejtë njihet si lavdi dhe mbështetja e Sllavëve lindor. Askush nuk i dha emrit të tyre një jehonë më të madhe, apo nuk u kujdes më shumë për shëlbimin e tyre se sa bariu dhe apostulli i tyre, posaçërisht pse ai e derdhi gjakun e tij për njësinë e Kishës së shenjtë. Ka edhe më shumë. Duke u ndjerë i shtyrë nga frymëzimi hyjnor për të vendosur në çdo vend njësinë e shenjtë, e kuptoi se do t’i shërbente shumë kësaj gjëje të mbante në njësi me Kishën katolike ritin lindor sllav dhe institutin monastik bazilian.
Dhe në të njëjtën kohë, duke pasur për zemër para së gjithash bashkimin e bashkëqytetarëve të tij me katedrën e Pjetrit, kërkonte në çdo anë argumente të vlefshme për ta zhvilluar dhe për ta përforcuar atë, në fillim duke studiuar ata libra liturgjik që Lindorët, edhe vetë kundërshtuesit, i përdorin sipas përcaktimeve të etërve të shenjtë.
Duke bërë një përgatitje kaq të kujdesshme, ai filloi të tërhiqte, me forcë dhe me ëmbëlsi në të njëjtën kohë, shkakun e ripërtëritjes së njësisë, duke nxjerrë fryte kaq të mëdha saqë nga vetë kundërshtarët e tij e meritoi titullin “rrëmbyesi i shpirtrave”.
Përgjigjja Krh. Gjn 17, 11. 23. 22
C Jezusi tha: O Atë i shenjtë, ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe, * që të jenë plotësisht një dhe bota ta dijë se ti më dërgove.
D Unë ua dhashë atyre lavdinë që ti ma dhe.
C Që të jenë plotësisht një dhe bota ta dijë se ti më dërgove.
Lutja
Ndikoje në Kishën tënde, o Zot, Shpirtin Shenjt, i cili e frymëzoi shën Jozafatin, ta japë jetën për popullin e vet, që, edhe ne, të mbështetur në uratën e tij e të forcuar me të njëjtin Shpirt, të jemi të gatshëm ta japim jetën tonë për vëllezër. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.