Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetedytë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nëpërmjet këngës së gjelit

   tashmë errësirë e natës

   dhe të natës së pangopur

   duke hequr tmerrin e zi,

   Hy jetëdhënës, po të lusim

   dhe të lypim me gjithë shpirt.

 

   Dritë e fortë, syhapët, erdhe

   dhe mbikëqyrës i njerëzimit,

   ndërsa mbanin të gjitha sendet

   bashkërisht heshtje të zakonshme,

   madje e nxirrnin krejt të vdekur

   përfytyrimin e të vdekurit.

 

   Ti, o Krisht, ne të na zgjoje

   nga gjumi i prapësisë,

   dhe falas të na libroje

   nga burgu i natës sterrë,

   edhe dritën të na ktheje

   shoqëruese gjithnjë e jetës.

 

   Ty e Atit ju qoftë nderi,

   po ashtu Shpirtit të Shenjtë,

   Hyjit në tre vetë dhe një të vetëm,

   paqes, jetës, edhe dritës,

   mbi të gjithë emrit të ëmbël

   dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdi e dritës s’Atit,

   pa hirin e të cilit

   dridhen kraharorët tanë.

 

   Dhe me Shpirtin tënd të mbushur,

   duke mbartur Zotin me vete,

   asgjë e grabitësit të pabesë të mos duket

   me mashtrime shkatërruese.

 

   Që ndër punët e shekullit,

   si e lyp nevoja e jetës,

   zhveshur nga çdo lloj krimi

   të rrojmë me ligjet e tua.

 

   Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.

 

   Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton

 

   O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).

 

   I (2-9)

 

Vështroje, O Hyj, lutjen time, †

   mos u fsheh para uratës sime, *

   më prano e më vështro,

 

se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *

   prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.

 

Hedhin mbi mua paudhësi, *

   më sulmojnë me tërbim.

Dridhet zemra ime në mua, *

   më përshkoi tmerri i vdekjes.

 

Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *

   më mbuloi një rrëqethje e rëndë.

Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *

   për të fluturuar e për të gjetur pushim?

 

Larg, larg do të fluturoja, *

   në shkretëtirë do të banoja.

Do ta prisja atë që më shpëton *

   nga furia e erës dhe e stuhisë.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

   II (10-15)

 

Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *

   sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

 

Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †

   në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *

   nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.

 

Sepse po të më shante armiku, *

   disi do të duroja,

të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *

   disi do të fshihesha para tij,

 

por qe ti, o njeri, shoku im, *

   miku im, i njohuri im,

me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *

   bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   III (17-24)

 

Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *

   Zoti do të më japë shpëtim.

Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë

   do të dënes i trishtuar *

   e ai do të ma dëgjojë zërin.

 

Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †

   prej atyre që më sulmojnë: *

   sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *

   Ai që është para të gjitha jetëve.

 

Për ata kthim nuk ka *

   e Hyjin s’e druan!

Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *

   shkel e thyen besën e dhënë.

 

Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *

   zemrën e kanë të gatshme për luftim,

fjalët i kanë më të buta se vaji, *

   e ata - shpatë të nxjerra nga milli!

 

Lëshoja kujdesin tënd Zotit †

   e Ai do të të japë fuqi: *

   kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *

   plandosi në gropën e varrit

që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *

   Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.

   C vëri veshin mësimeve të mia.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Danielit profet 10, 1-21

 

   Vegimi i njeriut dhe shfaqja e engjëllit.

 

   Në vitin e tretë të Cirit, mbretit të persianëve, Danielit të mbiquajtur Baltazar, i qe zbuluar një fjalë: fjalë e vërtetë, luftë e madhe. Ai e mori vesh fjalën, kuptimi i qe dhënë në vegim.

   Ndër ato ditë, unë, Danieli po bëja një agjërim tri javësh: nuk hëngra ushqime të shijshme, mish as verë nuk shtiva në gojën time, por as me erëra të mira nuk u leva derisa morën fund këto tri javë ditë.

   Të njëzetekatërtën ditë të muajit të parë, ndodhesha në brigjet e lumit të madh, Tigrit. I çova sytë për të shikuar, kur qe, pashë një njeri të veshur me petka të linjta, të ngjeshur ijësh me brez prej ari të Ofirit. Trupi i tij i përngjante krizolitit, fytyra e tij porsi rrufeja e sytë e tij porsi vravashka e ndezur flakë, krahët e këmbët e tija porsi duka e bronzit të skuqur e zëri i të folurit të tij porsi zëri i shumicës.

   Vetëm unë Danieli e vrojtoja këtë vegim. Njerëzit që po ndodheshin me mua, nuk e panë këtë vegim, por i pushtoi një tmerr i madh dhe ikën për t'u fshehur. Unë mbeta vetëm dhe po e vrojtoja këtë pamje të madhërueshme. Pikë fuqie s'më mbeti, deri edhe fytyra m'u zbeh, u shëmtova e mbeta pa fuqi fare.

   E dëgjova zërin e fjalëve të tija. Duke dëgjuar zërin e fjalëve të tija u paka e rashë me fytyrë përdhe: fytyra m'u ngjesh përdhe. Kur qe, një dorë më preku e më ndreqi në gjunjë e mbi shuplakat e duarve të mia. Atëherë më tha: “Daniel, njeri tejet i dashur, vëru vesh fjalëve që do t'i them! Ndrequ në këmbë të tua, sepse, ja, jam i dërguar te ti.” Kur m'i tha këto fjalë, u ndreqa në këmbë e dridhesha. Ai vazhdoi e më tha: “Daniel, mos u tremb, sepse që prej ditës së parë kur bëre ç'mos që të kuptosh duke e përvujtëruar vetveten para Hyjit tënd, u vështruan fjalët e tua dhe unë erdha në saje të fjalëve të tua. Princi i mbretërisë persiane më kundërshtoi njëzet e një ditë; por, ja, më erdhi në ndihmë Mikaeli, njëri nga prijësit e parë; unë mbeta aty pranë mbretit të persianëve. Por erdha të të mësoj çfarë do t'i ndodhë popullit tënd në ditët e fundit, sepse është edhe një vegim për ato ditë.”

   Derisa po m'i fliste këto fjalë, rashë me fytyrë përdhe e heshta. Dhe, ja, dikush me fytyrë si njeri, i preku buzët e mia. Unë nisa të flas e i thashë atij që më qëndronte përballë: “Imzot, ky vegim po më zë ngushtë e fije trimërie nuk më mbeti. E si atëherë do të mund të bisedojë shërbëtori i Imzotit me një Imzot tim të tillë? Në mua s'ka mbetur asnjë shkëndijë trimërie dhe mbeta pa frymë.” Atëherë përsëri ai që dukej si njeri më preku e ma përtëriu fuqinë. Më tha: “Mos u tremb, njeri tejet i dashur! Paqja me ty! Merr fuqi! Ji i fortë!” Derisa po fliste me mua, mora zemër e thashë: “Fol, Imzot, sepse më trimërove!”

   Tha: “A e di pse kam ardhur te ti? Tash do të kthehem për të luftuar me princin e Persisë. Posa të kem kryer, do të vijë princi i Greqisë. Përnjëmend do të të lajmëroj çfarë shkruan në Librin e së vërtetës. Askush nuk më ndihmon kundër këtyre përveç Mikaelit, princit tuaj.

 

   Përgjigjja Krh. Dan 10, 12. 19. 21

 

   C Që prej ditës së parë kur bëre ç’mos që të kuptosh duke e përvujtëruar vetveten para Hyjit tënd, * u vështruan fjalët e tua dhe unë erdha në saje të fjalëve të tua.

   D Mos u tremb, njeri tejet i dashur! Do të të lajmëroj çfarë shkruan në Librin e së vërtetës;

   C u vështruan fjalët e tua dhe unë erdha në saje të fjalëve të tua.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimi” i një autori nga shekulli i dytë

   (Kap. 15, 1 – 17, 2; Funk, 1, 161-167)

 

   Të kthehemi te Zoti që na ka thirrur.

 

   Normat që ju kam dhënë për një jetë të ndershme dhe të shenjtë nuk janë pak. Por janë të tilla që nëse ndokush i vë në praktik nuk do të pendohet kurrë, por do ta shpëtojë vetveten dhe mua që e kam mësuar. Është vërtetë fitim jo i vogël të rikthesh në udhën e shëlbimit një shpirt që kishte humbur. Dhe këtë fitim ne mund t’ia paraqesim Zotit që na ka krijuar, nëse ai që flet dhe ai që dëgjon, flet dhe dëgjon me fe dhe dashuri.

   Të jemi të qëndrueshëm në atë që besojmë, në drejtësi dhe në shenjtëri, dhe t’i lutemi me plot besim Zotit i cili na thotë: Ndërsa ti ende flet, do të përgjigjem: Ja ku jam (krh. Is 58, 0). Kjo shprehje përfshin një premtim të madh, sepse na bën të kuptojmë se është më i gatshëm Zoti të japë se sa ne të kërkojmë. Por meqë jemi të gjithë pjesëtarë të kësaj mirësie të madhe, të kujdesemi të mos i lakmojmë të mirat e panumërta të njëri-tjetrit që i kemi fituar nga Zoti.

   Të mendojmë sa i madh është gëzimi që ato fjalë u dhurojnë shpirtrave të zellshëm. E pra, aq i madh është edhe hidhërimi i dënimit që ato i sjellin shpirtrave të padëgjueshëm.

   Vëllezër të shfrytëzojmë këtë rast të bukur për të bërë pendesë, dhe derisa kemi akoma kohë të kthehemi te Zoti që na ka thirrur dhe që është i gatshëm për të na pranuar. Nëse i braktisim të gjitha epshet dhe nuk lejojmë që shpirti ynë të bëhet pre e dëshirave të këqija, do të jemi pjesëtarë të mëshirës së Jezusit. Por dijeni se tashmë “vjen dita” e gjyqit, që digjet si një furrë, dhe pjesërisht do të zhduken qiejt (krh. Mal 3, 19) dhe e gjithë toka, si plumbi që shkrihet në zjarr, dhe atëherë do të shfaqen të gjitha veprat e njerëzve, ato të fshehtat dhe ato që tashmë njihen. Është gjë e mirë lëmosha dhe pendesa e mëkateve. Agjërimi vlen më shumë se lutja, por lëmosha vlen më shumë se të dyja: “Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh” (1 Pjt 4, 8). Lutja e bërë me shpirt të pastër, liron nga vdekja, por i lum është ai që gjendet i përsosur me anë të lëmoshës. Kjo vërtet liron nga mëkati. Të bëjmë pra pendesë me gjithë zemër, që askush prej nesh të mos humbas. Nëse ne e kemi detyrë t’i largojmë të tjerët nga kulti i idhujve dhe t’i mësojmë, sa më shumë duhet të përpiqemi që t’i shpëtojmë të gjithë shpirtrat që tashmë e shijojnë njohjen e Zotit! Për këtë arsye t’i ndihmojmë njëri-tjetrit, që kështu t’i kthejmë në të mirë edhe të dobëtit dhe të shpëtojmë të gjithë, duke u përmirësuar me anë të vërejtjeve vëllazërore.

 

   Përgjigjja Krh. Jud 21; Tit 2, 12

 

   C Qëndroni në dashurinë e Hyjit, * duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur.

   D T’i mohojmë pabesimin dhe dëshirat e shekullit; të jetojmë në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht.

   C duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëbo prej nesh çdo pengesë në ecjen tonë kah Ti, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.