Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetedytë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,

   ditë që s’mbaron kurrë,

   ngadhënjyese mbi natë t’errët

   ripërtëritëse e ndriçimit,

   shkatërruese e errësirës,

   shkëlqimtare e mendjeve.

 

   Kur lind ajo, ringjallemi,

   kur na thërret, shpejt ngrihemi,

   kur del, na bën të lumtur

   kur na lë, jemi të mjeruar,

   kur nga vdekja liruar,

   ne jemi të qartë si drita;

 

   kur dalë fitues mbi vdekjen,

   përmbi natën dhe mbi shekullin;

   prandaj, o Mbret i amshuar,

   dhurona neve dritën,

   që nga asnjë natë s’errësohet,

   veç me ndriçim kënaqet.

 

   Atit dhe Ty nderimi,

   dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,

   Hyjit në tre vetë por një të vetmit,

   paqes, jetës, ndriçimit,

   mbi të gjithë emrit t’ëmbël,

   dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hy që s’vjen nga askush,

   o Hy që rrjedh prej Hyjit,

   Hy që buron prej këtyre,

   ndër ne eja përkrahës.

 

   Ti je dëshira jonë,

   ti qofsh dashuria e gëzimi:

   në ty lakmimi ynë

   e në ty qoftë kënaqësia.

 

   O Atë, sunduesi i të gjithëve,

   me të Lindurin nga Virgjëra,

   brenda dhe rreth e rrotull

   me Shpirtin Shenjt sundona.

 

   Kujto, Shenjtja Trini,

   ç’ndërtoi mirësia jote,

   njeriun më parë krijove,

   me anë të gjakut e rimëkëmbe.

 

   Se ata që ka krijuar Njënia,

   shpërbleu dashuria e Krishtit

   atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,

   tash na duaj ne duke na zgjedhur.

 

   Trinisë së Shenjtë gëzimi,

   paqja, virtyti dhe sundimi,

   pushteti i plotë e dinjiteti,

   lavdi, nderi e nderimi. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

   Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«

 

   Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë

   C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Danielit profet 12, 1-13

 

   Profecia në lidhje me ditën e fundit dhe ringjalljen.

 

   Kështu më tha engjëlli: “Në atë kohë do të ngritet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.

   Një numër i madh i atyre që flenë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.

   Ti, o Daniel, ndryj këto fjalë e vulose librin deri në kohën e Mbarimit! Do të enden shumë e dija do të jetë e shumëfishtë.”

   Unë Danieli po shikoja, kur qe, dy të tjerë po qëndronin në këmbë: njëri këndej, mbi bregun e lumit, tjetri andej, në anën tjetër, në bregun e lumit. Njëri i tha njeriut të veshur me petka të linjta e qëndronte përmbi ujin e lumit: “Kur do të marrin fund këto gjëra të mrekullueshme?” E dëgjova njeriun që ishte i veshur me të linjta e që qëndronte përmbi ujët e lumit, i cili, lartësuar dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u përbetua me Atë që jeton përgjithmonë: “Pas një kohe, kohëve e pas gjysmë kohe ‑ kur të vijë mbarimi i shpartallimit të fuqisë së popullit të shenjtë ‑ do të përmbushen të gjitha këto.”

   Unë e dëgjova, por gjë s'mora vesh e thashë: “Imzot, si do të marrin fund këto?” Tha: “Shko, Daniel! Këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e Mbarimit. Shumë do të pastrohen, do të zbardhohen e do të vihen në provë. Të paudhët do të bëjnë paudhësi; të paudhët gjë nuk do të kuptojnë. Dijetarët do të marrin vesh. Prej kohës kur do të këputet flija e përditshme e do të vihet turpi shkatërruesit: do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë. I lumi ai që pret e arrin deri në një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë! Ti shko deri në Mbarim. Pusho. Do të ngrihesh ta marrësh shpërblimin tënd në mbarimin e ditëve.”

 

   Përgjigjja Krh. Lk 20, 35. 36. 38

 

   C Ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve; ata as që mund të vdesin më: * janë porsi engjëjt e, për arsye se rifituan jetën me ringjallje, janë bij të Hyjit.

   D Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë:

   C janë porsi engjëjt e, për arsye se rifituan jetën me ringjallje, janë bij të Hyjit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimi” i një autori nga shekulli i dytë

   (Kap. 18, 1 – 20, 5; Funk, 1, 167-171)

 

   Të bëjmë vepra shenjtërie që të arrijmë shëlbimin.

 

   Të përpiqemi që edhe ne të bëjmë pjesë në numrin e atyre që e falënderojnë Hyjin me anë të shërbimit që i bënë në jetën e tyre, e jo të mbrapshtëve të cilët duhet ta kenë frikë gjykimin. Edhe unë, edhe pse duke e ndjerë veten të mbushur me një mijë mëkate dhe njeri i tundueshëm, i përplasur nga shumë ngashënjime të djallit, përpiqem që të ndjekë udhën e drejtësisë, duke kërkuar së paku që t’i afrohem asaj nëpërmjet frikës së shëndoshë të gjykimit të ardhshëm.

   Vëllezër dhe motra, pasi dëgjuat Hyjin e së vërtetës, dëgjojeni edhe nxitjen shpirtërore që ju lexohet nga shkrimi i pranishëm, që duke pasur seriozisht kujdes për ato që po ju them, të shpëtoni veten tuaj dhe atë që lexon në mesin tuaj. Për dhuratën që po ju bëj ju kërkoj si shpërblim që të ktheheni sinqerisht. Kështu ju siguroj shpëtimin dhe jetën.

   Me një sjellje të shenjtë do t’i japim një shembull të gjithë të rinjve që mendojnë të angazhohen seriozisht për të dashur dhe shërbyer Hyjin. Mos të ndërrohemi dhe mos të poshtërohemi kur dikush të na qorton. Nëse do të fyheshim atëherë do të ishim të marrë. Dhe vërtet, korrigjimi ka për qëllim të bëjë që ne të kalojmë nga e keqja në udhën e shenjtërisë. Nganjëherë për shkak të ligësisë dhe të krenisë sonë, edhe pse bëjmë keq, nuk e shohim gabimin sepse pamja e shpirtit tonë është e errësuar nga epshet. Të bëjmë, pra, vepra drejtësie për të arritur shpëtimin. Lum ata që u binden këtyre urdhërimeve! Edhe nëse për pak kohë i durojmë të këqijat në këtë botë, një ditë do të marrim frytin e pashkatërrueshëm të ringjalljes. Për këtë arsye mos të trishtohet ai që është i përshpirtshëm nëse në këtë botë duhet të durojë kundërshtime. E pret një kohë e lumtur. Atëherë duke u ringjallur bashkë me etërit, do të shijojë për tërë amshimin pa asnjë hije trishtimi.

   Mos të lejojmë të shqetësohemi duke parë se shpesh njerëzit e këqij jetojnë në bollëk, ndërsa shërbëtorët e Hyjit janë në mjerim. Të bindemi në këtë gjë, vëllezër dhe motra; ne jemi të vënë në provë nga Zoti dhe ushtrohemi në këtë jetë, që të kurorëzohemi në jetën e ardhshme. Mes të të drejtëve askush kurrë nuk ka fituar shpërblim tepër shpejt, por është dashur ta pres atë. Po t’ju jepte menjëherë Zoti shpërblimin që u përket të drejtëve, do të kishin një përparësi të menjëhershme, por do të humbnin një rast për të treguar dashurinë dhe shpresën në Hyjin.

   Shenjtëria jonë nuk do të ishte si duhet nëse, do të bazohej në interes në vend që të themelohet në dashuri. Ja pse shenjti i vërtet dhe ai që dashuron me të vërtet, nuk shqetësohet dhe nuk ndihet si i paralizuar në veprimtarinë e tij duke menduar mbi gjykimin hyjnor.

   Hyjit të vetëm dhe të papashëm, Atit të së vërtetës, Atij që na e ka dërguar Shpëtimtarin, autorit të pavdekësisë dhe zbuluesit të së vërtetës dhe të jetës qiellore, i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Ps 36, 27. 28. 1

 

   C Largohu prej së keqes dhe bëj të mirën, * sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk i braktis miqtë e vet.

   D Mos u zemëro kundër keqbërësve, mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

   C sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk i braktis miqtë e vet.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëbo prej nesh çdo pengesë në ecjen tonë kah Ti, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.