Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   Për të tjerët koha e dita

   e tetë shkëlqen më e shenjtë

   në ty që e shenjtëron, Jezus,

   i pari i të ringjallurve.

 

   Me ty ti shpirtrat tanë

   tash sa më parë bashkë ngjalli;

   për ty të ngjallën trupat

   të lirë në vdekjen e dytë.

 

   Dhe Ty ndër re së shpejti

   o Krisht të dalim para

   me ty në vazhdim fitues:

   ti jeta dhe ringjallja.

 

   Duke parë fytyrën tënde,

   të shëmbëllejmë lavdinë,

   të njohim ty siç je:

   drita e vërtetë, kënaqësia.

 

   Mbretërinë me shtatë mirosje

   të mbushur plot me Atin,

   tek ti ne gjejmë gazmim,

   Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:

 

   Në krye të gjitha ditëve

   kur u krijua tërë bota

   ja kur Krijuesi i ngjallur,

   mposht vdekjen, na liron.

 

   Duke flakur larg mpirjet

   më shpejt të gjithë të ngrihemi,

   të drejtin të kërkojmë natën,

   sikur njohëm Profetin.

 

   Lutjet tona të dëgjojë,

   të shtrijë dorën e djathtë,

   e ky selitë ndoshta

   me fli t’i pastrojë,

 

   Që ne secilit në kohën

   e shenjtë të kësaj dite

   psalim në orë të pushimit,

   të na falë dhunti të pasura.

 

   Hyjit Atë i qoftë lavdia

   dhe Birit të tij të vetëm,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

 

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton: –

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

 

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;

   C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Joelit profet 2, 21 – 3, 5

 

   Dita e Zotit.

 

   Kështu thotë Zoti:

   “Mos ki frikë, o Tokë, gëzo e galdo, sepse Zoti bëri punë të madhe!

   Mos u trembni, kafshët e vendit, kullotat e shkretëtirës lulëzuan, i dhanë pemët frutat e veta, pasurinë e vet e dha fiku edhe hardhia.

   Bij të Sionit, shpërtheni në hare, gëzohuni në Zotin Hyjin tuaj, sepse jua dhuroi shiun e drejtësisë e bëri të zbresë mbi ju shiu i hershëm edhe i voni si më parë!

   Lëmenjtë do të mbushen me grurë, tinarët do të mbushen plot e përplot me verë të re e me vaj të freskët.

   Unë do t'jua plotësoj sendet që jua përlau karkaleci e krimbaleshi, bujkthi e vemja ‑ ushtria ime e madhe që e çova kundër jush.

   Do të hani e do të ngiheni, do të lëvdoni emrin e Zotit Hyjit tuaj, sepse bëri mrekulli me ju: kurrë më populli im nuk do të turpërohet!

   Do ta dini se jam vetë mes Izraelit, unë Zoti, Hyji juaj, e tjetër s'ka: kurrë më turp për popullin tim!

   E pas këtyre: Do ta ndikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri e do të bëhen profetë bijtë e bijat tuaja, pleqtë tuaj ëndrra do të shohin, djelmoshat tuaj do të kenë vegime.

   Madje edhe mbi skllevër të mi ‑ burrat e gra, në ato ditë do ta ndikoj Shpirtin tim.

   Do të bëj shenja të bindshme në qiell e në tokë: gjak e zjarr e shtylla tymi!

   Dielli do të kthehet në terr e hëna në gjak para se të vijë dita e Zotit e madhe dhe e tmerrshme!

   Do të ndodhë: Gjithkush që ta thërrasë emrin e Zotit do të shëlbohet, sepse shpëtimi do të jetë në Malin Sion e në Jerusalem ‑ sikurse tha Zotynë ‑ e ndër të mbeturit gjallë ata që Zoti t'i thërrasë.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 21, 31; Mk 13, 33

 

   C Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë. * Kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.

   D Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast.

   C Kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komenti mbi psalmet” i shën Augustinit, ipeshkëv

   (Ps 96 /95/, 14. 15; CCL 39, 1351-1353)

 

   Mos t’i kundërshtojmë ardhjes së parë që më pas të mos e kemi frikë ardhjen e dytë.

 

   “Le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, sepse po vjen për të gjykuar tokën!” (Ps 96 /95/, 12-13). Erdhi herën e parë, dhe do të vijë edhe në të ardhmen. Kjo fjalë e tij më parë ka jehuar në Ungjill: “Pas tashit do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e të Gjithëpushtetshmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit!” (Mt 26, 64). Çfarë do të thotë: “Që nga ky moment?” A thua se Zoti duhet të vij që tani e jo më vonë, kur do të qajnë të gjithë popujt e tokës? Me siguri ekziston një ardhje e cila duket që tani, para asaj, dhe ndodhë nëpërmjet lajmëtarëve të saj. Kjo ardhje e ka mbushur krejt tokën.

   Mos të vihemi kundër ardhjes së parë që të mos i frikësohemi ardhjes së dytë.

   Çfarë duhet të bëjë, pra, i krishteri? Të shërbehet me botën e jo të bëhet skllav i saj. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë të kesh, por si të mos kesh. Kështu thotë Apostulli: “Ja ç’dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikurse të mos qanin; ata që gëzohen, sikur të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. E dëshira ime është që të mos kini kokëçarje.” (1 Kor 7, 29-32).

   Kush është pa shqetësime e pret i qetë ardhjen e Zotit të tij. Dhe vërtet, çfarë lloj dashurie për Krishtin do të ishte të kemi frikë ardhjen e tij? Vëllezër, a thua nuk duhet të kemi turp! E duam dhe prapë se prapë kemi frikë ardhjen e tij! Por, a thua e duam vërtetë apo i duam mëkatet tona? Në mënyrë të vazhdueshme vihet para nesh zgjedhja. Nëse vërtetë dëshirojmë të dashurojmë atë që duhet të vijë për t’i dënuar mëkatet, duhet ta urrejmë me gjithë zemër të gjithë botën e mëkatit.

   Deshëm apo s’deshëm ne, ai do të vijë. Me siguri jo tani; gjë që nuk e përjashton faktin se ai do të vijë. Do të vijë pikërisht atëherë kur e pret më pak. Nëse do të të gjejë të gatshëm, nuk do të të shqetësojë fakti se nuk e ke ditur më parë çastin e saktë.

   “U gëzuan të gjitha pemët e pyllit”. Erdhi një herë të parë dhe pastaj do të kthehet për të gjykuar tokën. Do t’i gjejë plot me gëzim ata që në ardhjen e tij të parë “besuan se do të kthehet”.

   “Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij” (Ps 96 /95/, 13). Cila është kjo drejtësi dhe kjo e vërtetë? Do t’i bashkojë me veten të zgjedhurit e tij që t’i qëndrojnë pranë në selinë e gjykatës, por të tjerë do t’i ndajë nga ata dhe do t’i vendosë disa në të djathtë, disa në të majtë. Çfarë ka më të drejtë dhe më të vërtetë, që të mos presin mëshirë nga gjykatësi ata të cilët nuk deshën të përdorin mëshirë para se të vinte gjykatësi? Ndërsa ata që deshën të përdorin mëshirë, do të gjykohen me mëshirë. Do t’u thuhet atyre që qëndrojnë në të djathë: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!” (Mt 25, 34). Dhe ju jep atyre si meritë veprat e mëshirës: “Sepse pata uri e më dhatë të ha, para etje e më dhatë të pi” (Mt 25, 34) me ato që vazhdojnë.

   Ndërsa atyre që qëndrojnë në të majtë çfarë qortimi do u bëhet? Se nuk deshën të bëjnë vepra mëshire. E ku do të shkojmë?: “Në zjarr të pasosur” (Mt 25, 41). Ky gjykim i tmerrshëm do të nxisë në ta një vaj të hidhur. Por çka thotë psalmi? “Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, nuk i trembet lajmit të keq” (Ps 112 /111/, 6-7). Çfarë është ky “lajm i keq”? “Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!” (Mt 25, 41). Ai që gëzohet për vendimin e mirë nuk do të ketë frikë vendimin e dënimit. Kjo është drejtësia, kjo është e vërteta.

   Apo ndoshta, pse ti je i padrejtë, gjykatësi nuk do të jetë i drejtë? Apo ndoshta pse ti je gënjeshtar, e vërteta nuk do ta thotë atë që është e vërtetë? Por nëse dëshiron ta takosh gjykatësin e mëshirshëm ji ti i mëshirshëm para se ai të arrijë. Fal nëse ndokush të ka fyer, hiqe atë që ke tepër. Nga kush vjen ajo që t’i dhuron, nëse jo nga ai? Po të jepje nga e jotja do të ishte lëmoshë, por meqë jep nga ajo që është e tija, nuk është gjë tjetër vetëm se kthim! “Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s’e ke marrë?” (1 Kor 4, 7). Këto janë dhuratat më të pëlqyera për Hyjin: mëshira, përvujtëria, rrëfimi, paqja, dashuria. Janë këto gjërat që duhet t’i bartim me vete dhe atëherë do të presim me siguri ardhjen e gjykatësit i cili “Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij” (Ps 96 /95/, 13).

 

   Përgjigjja Mt 16, 27; Ps 95, 13

 

   C Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet; * do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

   D Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

   C do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.