Shërbesa e leximeve
17 nëntor, Shën Elizabeta e Hungarisë, rregulluare
Përkujtim
Lindi në vitin 1207 nga Andrea, mbreti i Hungarisë. Ende shumë e re i qe dhënë për grua Ludovikut IV, landgrafi i Turingjisë, të cilit i dha tre fëmijë. E kushtuar meditimit të gjërave qiellore dhe duke përqafuar, pas vdekjes së të shoqit, një jetë varfërie, ndërtoi një spital në të cilin ajo vetë u shërbente të sëmurëve. Vdiq në vitin 1231.
FTESA
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e shën Elizabetës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
17 nëntor, Shën Elizabeta e Hungarisë, rregulluare
SHËRBESA E LEXIMEVE
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kjo grua e lavdërueshme
nderuar me merita,
siç gëzon zakone t’ shenjta
ashtu ngadhënjen me Engjëj.
Nga zemra shumë besnike
me lot duke lutë Hyjin,
përgjime e agjërim
këto nuk i ndan parreshtur.
Përbuz lavdinë e botës,
gjithnjë mendjen të pastër,
pas drejtësisë së përsosur
shkoi të banojë mbi yje.
Kjo me vepra shenjtërie
kaloi pragjet hyjnore,
kënaqet tash në t’ amshueshmet
çmime të shpisë qiellore.
Lavdi të vetmit Hyj n’ tre Vetë
që ne me lutje t’ saja,
kur t’ arrijmë n’cak të jetës,
na bashkoftë me banorë t’ qiellit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Zemra ime e mediton gjithmonë fjalën tënde.
C O Zot, shkëmbi im dhe shëlbuesi im.
Leximi i parë
Merren tekstet më të përshtatshme prej atyre që janë të propozuara në Përbashkoren e shenjtërve.
Prej librit të Fjalëve të urta 31, 10-31
Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm.
Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t'i mungojë.
Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet.
Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta.
Ajo është si anija tregtare që sjell ushqim prej së largu.
Ajo zgjohet me natë për t'ua bërë gati robëve të shtëpisë ushqimin e për t'ua caktuar punën shërbëtoreve.
Ia lëshon syrin një are? E blen atë. Me frytin e duarve të veta mbjell vreshtin.
Me fuqi i ngjesh ijët e veta e me forcë i luan krahët në punë.
E sheh dobinë e punës së vet dhe dritëza e saj nuk fiket kurrë natën.
Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin.
Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua ngjet dorën të mjerëve.
S'e druan të ftohtët e borës për familjen e vet: të gjithë anëtarët e familjes i kanë nga dy palë petka.
Për vete ajo punon shtrojë e mbulojë; petkat e saja janë prej liri të hollë e mëndafshi.
Burri i saj ndahet në shenjë në Log të kuvendit, kur rri me krerët e vendit.
Bën pëlhurë dhe e shet, tregtarit kananeas breza i shet.
Është e kërthnestë në shëndet e plot madhëri, e pret të nesërmen me buzë në gaz.
Kur hap gojën flet urti, në gjuhën e saj: mësim përshpirtërie.
Vëren me kujdes sjelljet e anëtarëve të familjes dhe s'e ha bukën e përtacisë.
Bijtë e saj ngriten për ta shpallur të lume e burri i saj e lavdëron e thotë:
»Shumë gra kanë vepruar burrërisht, por ti ua ke kaluar të gjithave!«
Hijeshia është e rreme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar!
Le t'i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saja!
Përgjigjja Krh. Fu 31, 17. 18; Ps 46 /45/, 6
C Kjo është gruaja e përsosur, e veshur me fuqinë e Hyjit; * llamba e saj nuk fiket kurrë natën.
D Hyji e mbështet me dritën e fytyrës së vet: nuk do të lëkundet askurrë,
C llamba e saj nuk fiket kurrë natën.
Ose:
Prej letrës së parë të Shën Pjetrit apostull 3, 1-6. 8-17
Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjoni burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta, duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme. Stolia juaj të mos jetë e jashtme ‑ flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi ‑ por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit. Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e vet. Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante »zotëri«. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.
Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur. Mos e ktheni të keqen me të keqe as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.
E njëmend: »Kush do ta duajë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese,
t'i ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë mbas saj«.
Sepse: »Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen.«
Kush do t'ju bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën? Por, edhe nëse ndoshta do t'ju duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e druani as mos u trazoni, veçse adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t'i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq ‑ nëse është vullneti i Hyjit ‑ duke bërë mirë se duke bërë keq.
Përgjigjja Krh. Fil 2, 2. 3. 4; 1 Sel 5, 14-15
C Kini në ju dashurinë e Krishtit, me përvujtëri mbani njëri-tjetrin më të madh se veten, * mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
D Ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë dhe gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt;
C mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Leximi i dytë
Nga “Letra” e shkruar nga Konradi i Margurg-ut, udhëheqësi shpirtëror i shën Elizabetës
(Drejtuar Atit të shenjtë, viti 1232; A. Wyss, Hessisches Unrkunderbuch I, Lipsia 1879, 31-35)
Elizabeta e njohu dhe e deshi Krishtin në të varfër
Elizabeta shumë shpejt filloi të dallohet në virtyte dhe në shenjtëri të jetës. Ajo gjithmonë i kishte ngushëlluar të varfrit, por që kur bëri të ndërtohet një spital pranë një kështjelle të saj, dhe i mblodhi të sëmurët e çdo lloji, që atëherë iu kushtua tërësisht kujdesit ndaj atyre që kishin nevojë.
Ndante me zemërgjerësi dhuratat e bamirësisë së saj, jo vetëm atyre që kërkonin pranë spitalit të saj, por edhe në tërë territoret nën varësinë e bashkëshortit të saj. Arriti deri në pikën saqë dhuroi në bamirësi fitimet e katër principatave të burrit të saj dhe të shiste gjëra të vlefshme dhe veshje të çmueshme për t’ua ndarë çmimin të varfërve.
Kishte zakon të vizitonte të gjithë të sëmurët e saj çdonjërin personalisht, dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. U kujdesua drejtpërdrejt për më të neveritshmit. I ushqente disa, të tjerëve ua gjeti një shtrat, të tjerët i barti mbi krahët e saj, duke u bërë copë gjithmonë në çdo vepër të mirë, pa u vu për këtë gjë në kundërshtim me bashkëshortin e saj.
Pas vdekjes së tij, duke dëshiruar përsosmërinë më të lartë, më kërkoi me lot në sy që ta lejoja të kërkonte lëmoshë nga dera në derë.
Një të Premte të madhe, kur lteret janë të zhveshura, i shtriu duart mbi lter në një kapelë të kështjellës së saj, ku i kishte pranuar Fretërit Minorë, në praninë e disa personave shumë të ngushtë, i ra mohit vullnetit të saj, të gjitha kotësive të botës dhe të gjithë atyre gjërave që në ungjill Shëlbuesi ynë ka këshilluar të mohojmë. Duke bërë këtë, duke pasur frikë se do të ishte rithithur nga zhurma e botës dhe e lavdisë njerëzore, po të qëndronte në vendet në të cilat kishte jetuar bashkë me burrin e saj dhe në të cilin vend të gjithë e donin dhe e nderonin, vendosi të vinte me mua në Marburg, edhe pse unë nuk dëshiroja. Aty e ndërtoi një spital ku i bashkoi të sëmurët dhe invalidët dhe shërbeu në tryezën e saj më të mjerët dhe më të braktisurit.
Pohoj para Hyjit se rrallë herë kam parë një grua kaq kundruese siç ishte Elizabeta, e cila megjithatë ishte e dhënë pas shumë aktiviteteve. Disa rregulltarë dhe rregulltare shumë herë e kanë vërejtur se, kur ajo dilte nga lutja e saj personale, nxirrte nga fytyra e saj një shkëlqim të mrekullueshëm dhe se nga sytë e saj dilnin porsi rreze të diellit.
Para vdekjes e dëgjova rrëfimin e saj dhe e pyeta se çfarë duhej bërë me pasuritë dhe orenditë e saj. Mu përgjigj se të gjitha ato që dukeshin si pronë e saj të gjitha u përkisnin varfërve dhe mu lut që t’u shpërndaja atyre çdo gjë, përveç një tunike që nuk kishte asnjë vlerë me të cilën ishte e veshur, dhe me të cilën dëshironte të ishte e varrosur. Pasi e bëri këtë, e mori Korpin e Zotit. Pastaj, deri në mbrëmje, shpeshherë kthehej tek të gjitha gjërat e bukura që kishte dëgjuar në predikim. Më në fund, me devotshmëri shumë të madhe, ia porositi Hyjit të gjithë ata që i qëndronin përreth, dhe dha shpirt sikur të ishte duke e zënë gjumi i ëmbël.
Përgjigjja Krh. Jt 15, 11 (vulg.); Vap 10, 4
C Veprove me forcë dhe me qëndrueshmëri; zemra jote ishte e fortë dhe në një dashuri të pastër; * për këtë arsye do të të lavdërojnë në amshim.
D Uratat e tua dhe lëmoshat kanë arritur para Hyjit.
C Për këtë arsye do të të lavdërojnë në amshim.
Lutja
O Hyj, ti ia dhe hirin shën Elizabetës ta njohë dhe ta nderojë Krishtin në skamnorë, bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, t’u shërbejmë me dashuri të palodhshme atyre që gjenden në nevojë dhe në vuajtje. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.