Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijuesi i madh i sendeve,

   sunduesi ynë, shikona;

   ne nga pushimi i dëmshëm

   zhytur në plogështi shpëtona.

 

   Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;

   Ti na i fal fajet tona,

   për t’i rrëfyer ngrihemi,

   gjumin e natës prishim.

 

   Po ngremë lart mendje e duar,

   për të kaluar netët

   siç na mësoi profeti

   që e vlerësoi dhe Pali.

 

   Ti e sheh të keqen që vuajtëm;

   të fshehtat tona i hapim,

   me ofshamë po i derdhim lutjet,

   na shlyej çka ne mëkatuam.

 

   Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,

   dhe ty, o Atë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hyj i diturive,

   ty të qoftë brohoritja,

   që i shikon zemrat tona

   e i ngroh me hirin tënd.

 

   O bari i shkëlqyer,

   ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,

   në kullota shumë të gratshme

   në grigjë të zgjedhur na bashko.

 

   Tmerri i mërisë së gjykatësit

   mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,

   me ty gjykatës të jemi

   dhen në kullotë t’amshuar.

 

   Ty, shpërblimtar, lavdi,

   nderim, virtyt, fitore,

   që sundon mbi të gjitha

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †

 

   Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren

 

   Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).

 

Të dua, o Zot, fuqia ime! *

   † Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,

   Streha ime, Shpëtimtari im!

 

Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *

   Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

 

Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *

   dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Më rrethuan valët e vdekjes, *

   më tmerruan përrenjtë e Belialit,

më lidhën leqet e Nëntokës, *

   po më shtrëngonin prangat e vdekjes:

 

atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *

   kushtrim i lëshova Hyjit tim:

nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *

   britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

   II (8-20)

 

Toka u trand edhe u tund, †

   u lëkundën themelet e maleve, *

   vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!

 

Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †

   prej gojës zjarr e flakë buçiti, *

   prush i gjallë prej tij flakëroi!

 

I uli qiejt, poshtë zbriti, *

   nën këmbë re të murrme!

Kaluar mbi kerubin fluturoi, *

   lundroi mbi krahët e erërave!

 

Si me vel me errësirë u mbështoll, *

   ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,

para fytyrës së tij zhdukeshin retë *

   me breshër e prush të gjallë!

 

zoti gjëmoi nga qielli: †

   i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *

   breshër e prush zjarri!

 

I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *

   i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.

 

Atëherë u dukën burimet e ujërave, *

   u zbuluan themelet e rruzullit

prej qortimit tënd, o Zot, *

   prej erës së frymës të hidhërimit tënd.

 

Shtriu dorën prej majës e më mori, *

   më nxori nga ujërat e shumta,

 

më shpëtoi nga armiku i fortë, †

   prej atyre që më urrenin, *

   që ishin më të fortë se unë.

 

Më sulmuan në ditën më të keqen, *

   por Zotin e pata krah,

Ai më qiti në vend të shpëtimit, *

   më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   III (21-30)

 

Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *

   më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,

sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *

   nuk u largova prej Hyjit tim.

 

Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *

   dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.

Jam i pastër para syve të tij, *

   sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

 

Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *

   sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

 

Ti je i mirë me njeriun e mirë, †

   me të pafajshmin je i pafajshëm, *

   me të mbrapshtin ti je i squet.

 

Ti e shpëton popullin e përvujtë, *

   e krenarët i bën t’i ulin sytë.

 

O Zot, ti e ndez dritëzën time, *

   ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.

Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *

   me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura

   C që dilnin prej gojës së Krishtit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zakarisë profet 10, 3 – 11, 3

 

   Lirimi dhe kthimi i Izraelit.

 

   Kështu thotë Zoti:

   “Kundër barinjsh jam zemëruar, rëndë cjeptë do t'i ndëshkoj! Patjetër Zoti i Ushtrive do t'i vijë në pasi grigjës së vet, shtëpisë së Judës. Do t'i bëjë të jenë porsi kali i nderit të tij në luftë!

   Prej tij do të dalë Guri i këndit, prej tij Shtyllaku, prej tij i luftës harku, prej tij të gjithë prijësit! Së bashku do të jenë trima trimash që në luftë shklasin si në baltë të rrugës. Do të luftojnë pse Zoti është me ta, të turpëruar do të mbesin ata që në kuaj hipin!

   Të fortë do ta bëj shtëpinë e Judës, do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit, do t'i kthej sepse më dhimbsen e do të jenë sikur kurrë të mos i kisha përbuzur: unë Zoti, Hyji i tyre, do t'i dëgjoj!

   Efraimët do të jenë trima, si nga vera do t'u gëzohet zemra, do të shohin të bijtë e do të gëzohen, zemra e tyre do të gazmojë në Zotin.

   Do të fërshëllej e do të bashkohen, sepse vetë i kam shpërblyer, do të jenë shumë si më parë ç'ishin!

   Do t'i mbjell nëpër popuj, por dhe larg mua do të më kujtojnë: fëmijë do të rritin e do të kthehen.

   Do t'i kthej prej dheut të Egjiptit, do t'i mbledh prej Asyrisë, do t'i kthej në dhe të Galaadit e në Liban dhe për ta s'do të ketë mjaft vend!

   Do të kalojnë Detin e Ngushtë, sepse do t'i godasë valët e detit, do të teren thellësitë e lumit. Do të përulet krenia e Asyrisë, Egjiptit do t'i merret skeptri.

   Do t'i bëj të fortë në Zotin do të lëvdohen në emër të tij ‑ është fjala e Zotit”.

   Hapi, Liban, dyert e tua, t'i hajë zjarri cedrat e tu!

   Gjëmo, bredh, se cedri ra, sepse u shkretuan të madhërueshmit! Gjëmoni, qarra të Basanit, se ra pylli i papërshkueshëm!

   Dëgjohet vajtim barinjsh, se u rrafshua madhëria e tyre! E luanëve ushton ulërima se u rrënua krenia e Jordanit!

 

   Përgjigjja Krh. Zak 10, 6, 7; Is 28, 5

 

   C Do t’i bëj të fortë, do t’i kthej në atdhe, sepse kam mëshirë për ta, unë Zoti, Hyji i tyre: * e zemra e tyre do të gazmojë në Zotin.

   D Atë ditë Zoti i Ushtrive do të jetë kurora e lavdishme, dhe keza e shkëlqyeshme për Tepricën e popullit të vet;

   C e zemra e tyre do të gazmojë në Zotin.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Fjalimet” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Fjal. 21, 1-4; CCL 41, 276-278)

 

   Zemra e të drejtit do të galdojë në Zotin.

 

   “I drejti do të gëzohet në Zotin, në Të do ta ketë shpresën, me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër” (Ps 64 /63/, 11). Këtë gjë e kemi kënduar jo vetëm me zë, por edhe me zemër. Këto fjalë ia ka drejtuar Hyjit ndërgjegjja dhe gjuha e të krishterit. “I drejti do të gëzohet” jo në botë por “në Zotin” . “Lindi drita për të drejtin, e gëzimi për zemërmirët” (Ps 97 /96/, 11). Ndoshta dëshiron të pyesësh nga vjen ky gëzim. Dëgjo: “I drejti do të gëzohet në Zotin” e në një vend tjetër thotë: “Vëre gëzimin tënd në Zotin e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate” (Ps 37 /36/, 4).

   Çka urdhërohet dhe çka na jepet. Çka na urdhërohet dhe çka na dhurohet? Që të gëzohemi në Zotin! Por kush i gëzohet një gjëje që nuk e sheh? Apo ndoshta ne e shohim Zotin? Kjo gjë është vetëm një premtim. Ndërsa tani “jetojmë në fe deri të banojmë në këtë trup jemi të mërguar, larg Zotit” (2 Kor 5, 7. 6). Në fe e jo në të parë. Kur në të parë? Kur të plotësohet ajo që vetë Gjoni tha: “Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do të shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3, 2).

   Atëherë do të fitojmë gëzim të madh dhe të përsosur, atëherë do të kemi gëzimin e plotë, ku nuk do të jetë më shpresa që do të na mbajë, por vetë realiteti do të na ngijë. Megjithatë edhe tani, para se të arrij te ne ky realitet, të gëzohemi në Zotin. Dhe nuk jep gëzim të vogël ajo shpresë pas së cilës vijon realiteti.

   Tani, pra, të duam në shpresë. Ja pse Shkrimi thotë: “I drejti do të gëzohet në Zotin” dhe menjëherë pastaj, meqë ky ende nuk e sheh realitetin, ai shton: “Zoti do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate”.

   Megjithatë ne i kemi frytet e para të shpirtit dhe ndoshta tashmë edhe diçka më shumë. Vërtet edhe tani jemi afër atij që ne e duam. Tashmë na jepet një provë dhe një parashijim i atij ushqimi dhe i asaj pijeje, me anë të të cilëve një ditë do të ngopemi plotësisht. Por si mund të gëzohemi në Zotin, nëse ai është aq larg nesh? Larg? Jo, Ai nuk është larg, vetëm nëse ti vetë e detyron të largohet nga ti. Dashuro dhe do ta gjesh afër. Dashuro dhe Ai do të vijë të banojë në ty.

   “Zoti është afër! Për asgjë mos u shqetësoni” (Fil 4, 5-6). A ke dëshirë të shohësh se si ai qëndron me ty, nëse do ta duash? “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 8).

   Por ti me siguri do të më pyesësh: Çka është dashuria? Dashuria është virtyti në sajë të të cilit ne dashurojmë. Çka dashurojmë? Një të mirë të pafund, një të mirë mirëbërëse, të mirën që i krijon të gjitha të mirat. Le të jetë Ai vetë gëzimi yt, meqë nga Ai ti i fiton të gjitha ato gjëra që të japin gëzim. Me siguri nuk e kam fjalën për mëkatin. Vërtet, vetëm mëkatin ti nuk e merr nga Ati. Përjashtuar mëkatin, ti i ke nga Ai të gjitha gjërat që të përkasin.

 

   Përgjigjja

 

   C Para se të soditësh atë që nuk mund të shohësh, beso atë që nuk sheh. * Ec në fe dhe do të arrish të shohësh.

   D Nuk do të jesh i lumë në atdhe, nëse rrugës nuk të ka ngushëlluar feja.

   C Ec në fe dhe do të arrish të shohësh.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.